Përrallë e Dëgjuar Qe 12 Vjet

“Pavarësia, thoshin ‘baballarët’ e kombit, është kompromisi më i dhimbshëm që po bëjnë shqiptarët, duke hequr dorë nga kërkesa dhe e drejta historike, kombëtare, ndërkombëtare… për t’u bashkuar me shtetin dhe kombin e saj, me Shqipërinë”.

Nuk vonoi dhe pas këtij kompromisi të dhimbshëm, “paria” e Kosovës (me përkrahjen e Sali (Be)Berishës dhe të klasës politike servile dhe hipokrite në Tiranë) bëri lëshimet (koncesionet) e radhës, duke pranuar planin e Ahtisaarit, me te cilin masakrohej toka shqiptare e Kosovës, historia dhe trashëgimia e saj. Ky lëshim u bë, si edhe më parë, me “garancitë” e miqve tanë ndërkombëtarë “se nuk do të ketë më lëshime të reja”, se “Kosova nuk humb asgjë me këto lëshime…” (kujtojeni Kurtesh Salihun…)

Mua personalisht dhe disa deputetëve të asaj kohe, që kundërshtonim planin e Ahtisaarit dhe bisedimet me vrastaren shekullore të shqiptareve, Serbinë, na kishin bërë disa herë presion “miqësor” dhe na kërkonin të mos kundërshtonim bisedimet dhe planin e Ahtisaarit. Madje, njëherë na kishte ftuar edhe i dërguari special. Të gjithë këta na jepnin garanci në këto takime, por edhe përmes mediave, se me ketë plan fiton Kosova. Te gjithë jemi dëshmitarë se si u zbatua ky plan nga “paria” e kapur e Kosovës në “pajtueshmëri” të plotë me miqtë ndërkombëtarë, të cilët jepnin garanci, jepnin premtime dhe nganjëherë shpërndanin edhe “presione”, që ta fillojmë zbatimin e planit te Ahtisaarit në Viti (me krijimin e komunës së Kllokotit – vendbanim i lashtë pellazgo-ilir dhe qyteti më i madh ilir i këtyre anëve) e jo në Veri.

Kundërshtimi im i prerë me “armiqësoi” shumë me këta miqtë tanë, por nuk e kisha shumë dert. Ndodhi si shumëherë në historinë tonë tragjike. Për ta bërë komunën “serbe” të Kllokotit, me të cilën i hapej rruga komunave të tjera “serbe”, ma blen “shokun” tim (kryetar komune), i cili, të paktën njëqind herë është betuar publikisht dhe para nesh se “dorën e pres, e komunën e Kllokotit nuk e nënshkruaj”.

Iku edhe kjo. U bënë komunat dhe zonat e mbrojtura “serbe” anembanë Kosovës (aty ku nuk kishte asnjë problem apo mosmarrëveshje). U la vetëm Veriu i Kosovës. Kishin kaluar më shumë se tri vjet nga shpallja e pavarësisë dhe “paria” e Kosovës nuk po ndërmerrte asnjë veprim, sado simbolik, për zbatimin e planit të Ahtisaarit, edhe ashtu shumë i disfavorshëm për ne. Veriu mbeti nën qeverisjen shtetërore të Serbisë (de fakto dhe de jure).

Sepse, atje për 12 vjet me radhe kishte qeverisur Serbia nën ombrellën e sigurt të UNMIK-ut, miqve ndërkombëtare (njësoj edhe sot – loja me barrikada). Megjithatë, përgjegjësinë kryesore, sidomos për (mos)zbatimin e planit të Ahtisaarit në Veri dhe lënien e një te katërtës së Kosovës jashtë kontrollit të Prishtinës e ka kryekëput “paria” e kapur e Kosovës. Kështu po me ngjajnë sonte edhe këto premtimet dhe garancitë që po jep “mbreti” i Kosovës, Ambasadori Dell, për punën e kompromisit të ri, koncesioneve të reja në Bruksel dhe për punën e fusnotës dhe Rezolutës së vdekur 1244. A thua po të ishte vetëm “simbolike”, po të ishte kaq e parëndësishme përmendja e kësaj rezolute (1244), atëherë pse po këmbëngul kaq shumë Serbia? Madje, Serbia është e gatshme të “rrezikojë” hyrjen në BE po të mos përmendej kjo rezolutë dhe po të mos vendoset jo në “fusnotë”, por në BALLË të Kosovës shqiptare.

Pastaj, shumë lehtë dhe pa asnjë dëm mund të hiqej dorë nga “Republika” po të prezantoheshin edhe vendet e tjera të rajonit vetëm me Greqia, Maqedonia, Serbia, Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi… Pse jo? Por, jo. Serbisë i duhet rezoluta, i duhet gozhda e Nastradinit. Prandaj, deputetët e Kosovës dhe paria e këtij vendi do të duhej të deklaronin bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar, bashkimin e dy shteteve shqiptare në një, në një Shqipëri.

Për këtë nuk ka asnjë pengesë nga dokumentet e OKB-së dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë. Pengesa më e madhe, nëse jo e vetmja, është bërë klasa politike (e kapur) shqiptare.