Foto: KALLXO.com

Përplasjet politike për veriun e Kosovës në kohë të pandemisë

Koha e pandemisë COVID-19 është duke u shfrytëzuar për tensione ndëretnike në mes qytetarëve shqiptarë dhe serbë, të cilët banojnë në komunat veriore të Kosovës.

Politikanë e media u denoncuan ditë më parë për raportime joprofesionale dhe gjuhë e cila mund të nxisë krizë ndëretnike në vend.

Kosova ka mbi 380 persona të infektuar nga coronavirusi, përderisa janë shënuar nëntë viktima. Ndërsa në këtë numër nuk janë përfshirë një pjesë e qytetarëve të prekur nga Mitrovica e Veriut dhe Zveçani. Mostrat e të infektuarve nga kjo zonë janë marrë nga mjek serb dhe janë dërguar për analiza në Beograd ndërsa një pjesë e të prekurve janë duke u trajtuar në spitalet në Serbi.

Angazhimi i mjekëve serb dhe autoriteteve të Serbisë në këtë zonë u kritikua nga opozita si ndërhyrje në këtë pjesë. Retorika e cilësuar si nxitëse e përçarëse e liderëve të institucioneve duke filluar nga presidenti e deri te partitë politike në Kosovë, është dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar e vendor.

Në tërë këtë situatë u kritikuan edhe disa raportime të dy prej mediave vendore, që u vlerësuan si tendencioze dhe jo profesionale, përfshirë mediumin publik Radio Televizionin e Kosovës dhe portalin informativ “Sinjali”.

Fillimisht, para disa ditës u raportua se Serbia është duke implementuar masa në katër komunat veriore të vendit, të cilat janë të banuara me shumicë serbe.

Më pas ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ai i cili cili drejtoi akuza ndaj qeverisë në detyrë.

“Situata e krijuar në komunat e veriut të Kosovës është e papranueshme dhe është rezultat i neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i ndihmuar e mbrojtur qytetarët dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, theksoi presidenti mes tjerash në një publikim në profilin e tij në Facebook.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti në vazhdimësi janë përfshirë e polemika mes vete, ku nuk kanë munguar as ofendimet.

Muajin e kaluar, Kurti e ka akuzuar Thaçin se ka nënshkruar një “marrëveshje sekrete” me Serbinë, përderisa ky i fundit e kishte quajtur Kurtin “frikacak” dhe “të padinjitet”.

Ndërkaq, së fundi Thaçi shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të institucioneve dhe organeve kompetente për parandalimin e pandemisë COVID-19, “duke iu krijuar kështu hapësirë ilegale vepruese autoriteteve të Serbisë brenda territorit të shtetit tonë”.

Edhe partneri qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila inicioi rrëzimin e qeverisë ku bën pjesë edhe vetë, përmes një reagimi për media ka kërkuar nga ekzekutivi që të ofrojnë ndihmën e nevojshme për qytetarët e Kosovës në çdo pjesë të saj.

Por, qeveria në detyrë reagoi ndaj deklarimeve duke bërë të ditur se Mitrovica e Veriut dhe e Zveçani janë vendosur në karantinë me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës.

Ndërkaq më i ashpër ndaj presidentit u treguar kryeministri në detyrë. Kurti deklaroi se ka politikanë në Prishtinë e Beograd që duan konflikt në veri të Ibrit.

“Ata duan të provojnë tensione sepse duan incidente. Projekti i tyre i shkëmbimit territorial sikur të realizohej do të shkaktonte konflikte e gjakderdhje të reja. Ai projekt dështoi. Tash duan konflikte e gjakderdhje në terren për t’u rikthyer te shkëmbimi territorial, përkatësisht te ndarja e Kosovës”, tha ai përmes një video-adresimi.

Ndërkaq, edhe Rashit Qalaj, drejtor i Policisë së Kosovës ka thënë se si institucion shtrijnë veprimet e tyre në tërë vendin, duke përfshirë komunat e banuara me shumicë serbe.

Por akuzë edhe më e drejtpërdrejtë ndaj Thaçit shkoi edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez.

Ai deklaroi se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiq, po përdorin krizën nga coronavirusi, për të ndezur tensione politike.

“Duket qartë se disa politikanë, duke filluar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, po përdorin krizën e koronavirusit për të ndezur tensione politike dhe sociale në interesin e tyre. Ne u bëjmë thirrje gazetarëve që të mos e luajnë lojën e tyre dhe të veprojnë në interes të publikut”, është shprehur Gutierrez.

Pas tërë këtyre zhvillimeve, nuk pati ndonjë reagim nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i cili ditët e fundit ka folur vetëm për ndihmën e tyre për serbët në Kosovë.

Ndërkohë, puna e institucioneve të Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë, e udhëhequr nga Arben Vitia dhe bashkëpunimi mes komuniteteve, u lavdërua nga dipolimatë të huaj që shërbejnë në Kosovë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka dërguar një letër falënderimi për ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me angazhimin në luftën kundër coronavirusit.

Në letër mes tjerash thuhet, se konferenca e përbashkët e Vitisë me ministrin Dalibor Jevtiq më 2 prill ka treguar lidership dhe përkushtim.

Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt, ka vlerësuar lartë punën e dy ministrave, të Shëndetësisë Arben Vitia dhe të Komuniteteve dhe Kthim, Dalibor Jevtiq.

Përmes një shkrimi në Twitter, Heldt ka inkurajuar ministrat e Qeverisë Kurti që ta vazhdojnë edhe më tutje bashkëpunimin në luftën për parandalimin e pandemisë së coronavirusit.

Kurse, edhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka bërë thirrje që të lihen anash dallimet politike dhe debatet e padobishme në rrethana të tilla urgjente.

Thirrjeve për depolitizim të situatës, iu bashkuan edhe Ambasadat e Zvicrës e Britanisë së Madhe në Kosovë.

Në anën tjetër, edhe Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) i ka ftuar subjektet politike dhe institucionet në një moratorium vetëpërmbajtjeje.

Kjo së paku deri në fund të pandemisë së coronavirusit, sipas tyre, duke u rezervuar me vullnet të mirë si nga retorika nxitëse opozitare, ashtu edhe nga vendimet institucionale, të cilat shkaktojnë përçarje dhe nxisin konflikt.

Akademia ka theksuar se me zhgënjim ka vrejtuar se qytetarët janë vendosur në një trysni të retorikave nxitëse.

“Kryesia e Akademisë me zhgënjim të madh vëren se qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, janë vendosur nën një trysni të paparë të retorikave nxitëse, ndërkohë që subjektet politike dhe militantët e tyre nuk duan të zmbrapsen nga veprimet me prapavijë konflikti”, thuhet mes tjerash në deklaratën e tyre.

Kundërshtimet për veriun e Kosovës, ndër vite kanë përplasur mes vete politikanët e Kosovës.

Në shtator të vitit 2018, përderisa Lëvizja Vetëvendosje po mbante protestë në Prishtinë, kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim të kufirit”, ky i fundit kishte bërë një “shëtitje” me barkë në Liqenin e Ujmanit në veri të vendit.

Duke e quajtur normale këtë vizitë, presidenti kishte thënë se Kosova është sovrane.

Megjithkëtë, pjesa veriore e Kosovës mbetet ndër zonat ku mes shumë problemeve të tjera të karakterit politik, mbizotërohet nga kontrabanda e mallrave përmes bashkëpunimeve shqiptaro-serbe, ndaj të cilave nuk ka arritur të luftojë “dora e shtetit’ të Kosovës.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka shfaqur në disa cikle ka shfaqur hulumtimet gjashtëmujore që tregonin për lidhjet e kontrabandës me policinë në Leposaviq e Zubin Potok. Hulumtimet sollën pamje ekskluzive të transportit të mallrave nga Serbia për në Kosovë nëpër rrugët ilegale. Ekipi i “Drejtësia në Kosovë”, kishte ekskluzivisht pamje nga kamionët e mbushur me kontrabandë të cilët qarkullojnë para syve të policisë.

Ndjeshmëria e raportimit të mediave në kohë krize

Raportimet e disa mediave në Kosovë, lidhur me situatën e krijuar nga coronavirusi në veri, kanë ngjallur reagime sa i përket mundësisë për nxitje të konfliktit në atë pjesë të vendit.

Përmes një deklarate, Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) ka teksuar se ka pasur deklarata të papërshtatshme dhe pyetje provokuese të bëra nga një gazetare e RTK-së ndërsa raportonte drejtpërdrejt nga veriu i Mitrovicës, në lajmet e së shtunës (4 prill 2020) në mbrëmje.

Sipas tyre, vërejtjet rrezikojnë të kontribuojnë në ngritjen e tensioneve midis komunitetit serb dhe shqiptar.

Gjithashtu, EFJ ka bërë të ditur se portali i lajmeve “Sinjali”, krijoi polemika pasi  publikoi emrat, adresat dhe datat e lindjes së 210 qytetarëve, kryesisht serbë dhe romë, të cilët ishin vendosur në karantinë në Mitrovicën e Veriut dhe qytete të tjera.

Kjo Federatë cila u ka bërë thirrje mediave në Kosovë që të përmbahen nga intensifikimi i tensioneve në kohën kur vendi po përballet me krizën shëndetësore të shkaktuar nga pandemia.

Lidhur me këto zhvillime, kryetari i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj ka thënë për KALLXO.com se një pjesë e mediave kanë rënë pre e “betejës” së politikanëve sa i përket veriut të vendit.

“Natyrisht që në sumicën e deklaratave të partive politike kanë qenë të mbushura plot hipokrizi duke pasur parasysh se tash të gjithë e dijmë se si kanë ndodhur që veriu të mbetet në gjendjen cfarë është tash. Por po ashtu edhe një numër i emdiave ka rënë pre e kësaj beteje, duke u rreshtuar me njërin  apo krahun tjetër, ose krahun e tretë e të katërt nëse mund të them, për shkak se kemi shumë palë tashmë në këtë betejën politike”, shtoi ai.

Mushkolaj ka shtuar se mediat duhet pasur kujdes në mënyrën e raportimit.

“Kodet e etikës gjithandej flasin për ndjeshmërinë në raportim e pikërisht ajo pjesa e ndjeshëmrisë në raportim duhet të vijë në shprehje në këtë situatë dhe kjo nënkupton se mediat duhet të jenë të kujdesshme në mënyrën se si raportojnë dhe të mos bien pre e gjuhës së ndezur të politikanëve të cilët për arsyet e veta poltike, partike personale e kështu me radhë mund të shkaktojnë një situatë jo fortë të ndishme e cila pastaj nëse nuk raportohet si duhet nga mediat mund të dalë jashtë kontrollit”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Kryetari i Bordit të KMShK-së ka rekomanduar mediat që të kryejnë punën e trye duke raportuar për atë çfarë ka ndodhur, në mënyrë profesionale.

“E ajo që ka ndodhur me veri natyrisht që nuk është shumë e lehtë për tu raportuar për shkak se ka edhe interpretime të ndryshme, por sidomos në situatë të tillë ndërmjet shpejtësisë dhe saktësisë së raportimit unë besoj se më  e rëndësishme është e dyta”, tha ai.

Sipas tij, mediat vetëm në këtë mënyrë mund t’i ulin tensionet që mund të krijohen dhe në anën tjetër edhe t’i qetësojnë qytetarët sidomos ata të veriut .

“Mos të harrojmë se në të kaluarën mediat në mënyrën se si nuk është dashur të raportojnë, kanë ndihmuar edhe në shkaktimin e trazirave çfarë është rasti i atyre të marsit të vitit 2004”, kujton ai.

Trazirat e marsit të vitit 2004, ishin shkaktuar pasi me 16 mars në fshatin Çabër të Mitrovicës, përkatësisht në lumin Ibër u mbytën tre fëmijë shqiptarë. Përfaqësues të organizatave ndërkombëtarë atë botë, kishin kritikuar edhe mediat vendore për raportim të pasaktë, duke nxitur konfikt mes shqiptarëve dhe serbëve.

Me 17 dhe 18 mars të 2004-ës, gjatë trazirave u vranë më shumë mbi 20 persona dhe qindra të tjerë mbetën të lënduar.

Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt kritikoi “gazetarinë tendencioze”, duke thënë theksuar që kjo është një situatë që shkon përtej kufijve.

“Ashtu si gazetaria tendencioze që shkon përtej etikës profesionale nuk i ndihmon njerëzit në terren. Dhe bëhet fjalë për jetën e njerëzve, përtej kufijve në komunitet. Siguria për njërin është siguri për tjetrin. Prandaj ju lutemi me përgjegjësi”, ka theksuar Heldt në Twitter.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Mujë Ferati ka thënë për KALLXO.com se deri më 7 prill 2020, nuk kanë ndonjë ankesë për ndonjë shkelje ligjore nga ana e mediave.

“Ndonjë ankesë zyrtare ose vërejtje për shkelje ligjore nuk kemi. Zyra ekzekutive po i përcjellin por se ëstë duke u punuar me staf të reduktuar. Nëse ka ndonjë vërejtje ose diçka, ne do të dalim me ndonjë qëndrim ose ndonjë komunikatë. Ndërkaq për qasje përmbajtjesore nuk është punë që hyjmë ne, por në aspektin ligjor jemi duke e përcjellur situatën”, është shprehur Ferati.

Që nga 15 prilli në Kosovë kanë hyrë në fuqi masa rigoroze të ndalimit të qarkullimit të qytetarëve, duke u lejuar atyre daljen nga shtëpitë e tyre, një herë në ditë dhe për vetëm një orë e gjysmë, si masa parandalimi e përhapjes së COVID-19.

Ky artikull është punuar nga Internews Kosova nga Prishtina dhe është botuar në bashkëpunim me Fondacionin Metamorphosis në Shkup, Maqedoni e Veriut, në kuadër të projektit të tyre Fuqizimi i Standardeve të Përmirësuara të Mediave, implementuar nga Fondacioni Kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (National Endowment for Democracy – NED).