Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllac Lajçak, Foto: Albin Kurti/ Facebook

Përplasje për dokumentet qeveritare të Kosovës rreth dialogut me Serbinë

Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të enjten nga Brukseli se u mungon dokumentacioni në lidhje me dialogun me Serbinë, ka nxitur reagimin e opozitës dhe qeverisë së kaluar.

Partitë parlamentare opozitare në Kosovë, e kanë kundërshtuar deklaratën e Kurtit, duke e quajtur të pavërtetë dhe të papërgjegjshme.

Kryeministri Kurti në një paraqitje televizive nga Brukseli, mes tjerash deklaroi se më shumë po marrin informacione nga Brukseli sesa nga ish-kryeministri i Kosovës Avbdullah Hoti, në lidhje me procesin e negociatave me palën serbe.

“Është e vërtetë që neve na mungon informacioni sepse na mungon dokumentacioni. Dokumentacioni mungon, meqenëse procesi i deritanishëm i bisedimeve, ka pasur shumë drafte, shumë marrëveshje, shumë hollësi të cilët ne nuk i kemi gjetur në zyrë kur jemi kthyer sivjet”, tha Kurti në emisionin “Desku” të KTV-së, një transmetim nga Brukseli.

I pyetur se nëse ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e Kosovës pasi i ka afër e janë në Prishtinë dhe nëse ka marrë nga ta dokumente, Kurti u shpreh se me dokumente po i pajis BE-ja.

“Neve po na pajis me dokumente Bashkimi Evropian, ndërmjetësit këtu në Bruksel dhe jemi të interesuar të marrim sa më shumë informacion, mirëpo qartazi deri më tash pakrahasimisht kemi marrë më shumë informata nga ndërmjetësi Lajçak sesa nga ish-kryeministri që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese”, shtoi kryeministri.

Këtë deklaratë e ka mohuar ish-kreu i qeverisë, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se ia ka dorëzuar Kurtit një sërë dokumentesh rreth dialogut me Serbinë.

“Të gjitha dokumentet e dialogut në qeverinë paraprake i janë dorëzuar kryeministrit aktual me rastin e dorëzimit-pranimit të detyrës”, ka thënë mes tjerash Hoti, duke renditur pikat e një dosjeje që thotë se i përmban disa dokumente.

Reagime ndaj Kurtit pati edhe nga bashkëpartiakët të Hotit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Deklarime për këtë çështje ka pasur edhe nga dy partitë e tjera opozitare në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë të premten në Kuvendin e Kosovës se Kurti do të duhej të kishte një bashkëpunim më të mirë me paraardhësin e tij, Hotin, duke shtuar se kryeministri aktual e ka poshtëruar “shtëpinë e tij”.

“Prezantimi i tij në këtë formë mendoj që e nxori jashtëzakonisht keq shtetin dhe Republikën e Kosovës. Pra ajo që kryeministri shkon me mësu në Bruksel për punët e shtëpisë së tij, është dëmi më i madh që mund t’i bëhet Kosovës. Çdo dokument, çdo marrëveshje, çdo iniciativë është e arkivuar në arkivat e Qeverisë së Kosovës. Me poshtëru shtëpinë tënde deri në atë formë, është e papranueshme”, theksoi Tahiri.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri e quajti të papërgjegjshme deklaratën e Kurtit.

“Zoti Kurti e ka dokumentin të hartuar me detaje, me të gjitha pozicionet për tema, në kryeministri, veç duhet me e lypë. E ka raportin e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të deritanishme. Është totalisht e padinjitetshme që këto deklarata të japësh prej Brukseli”, tha ai.

Tahiri shtoi se nëse Kurti s’i ka dokumentet “unë personalisht ia jap, sepse të gjitha i kam. Le t’i lypë te Zyra e Sekretarit. Ia kemi dhënë dokumentacionin”.

Dialogu Kosovë-Serbi ka qenë tema kryesore e këtyre ditëve në diskursin politik, pasi kryeministri Albin Kurti qëndroi për vizitë zyrtare në Bruksel.

Pas takimit të së enjtes mes Kurtit dhe përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politike të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, u tha se dialogu Kosovë-Serbi do të rinisë në muajin qershor.

Borrel deklaroi se rruga evropiane e Kosovës për në BE lidhet me dialogun me Serbinë dhe se nuk ka alternativë tjetër.

Kurse, Kurti i tha zyrtarit evropian se nuk do ta neglizhojë procesin e negociatave.