Përmes Facebook-ut: Kurseni Ujin

Do të mbahet mend si dimri më i butë që ka mbretëruar në Kosovë viteve të fundit me shumë pak borë dhe pa të reshura. Ndonëse është muaji shkurt, temperaturat këto ditë kanë shkuar deri në 19 gradë celsius.

Kjo ka bërë që banorët e vendeve të ndryshme të kenë probleme me ujin. 

Në këtë kohë kur në liqenet e Kosovës, po ulet vazhdimisht niveli i ujit, një faqe në rrjetin social Facebook përmes figurave të njohura bën thirrje që njerëzit ta kursejnë atë. 

Faqja e quajtur “Pikë për Pikë”, u krijua më 14 janar të këtij viti, menjëherë pasi Ujësjellësi Rajonal i Prishtinës, paralajmëroi reduktime të gjata për prishtinasit, pasi liqeni i Batllavës dhe ai i Badovcit, po “thahen” çdo ditë.

Më mirë me furnizimin me ujë, nuk janë as banorët e rrethit të Podujevës, Gjilanit, e vende të tjera.

 

Kryeministri Hashim Thaçi të mërkurën përmes një publikimi në Facebook u ka rekomanduar 100 mijë njerëzve që kanë pëlqyer profilin e tij, ta pëlqejnë edhe faqen e “Pikë për Pikë”, duke u thënë se qeveria do t’i ndihmojë komunat që ta kapërcejnë këtë krizë të ujit.

Thaçi tha se “jemi duke e eksperiencuar [përjetuar] një stinë shumë të thatë, me shumë pak shi apo borë. 

“Bashkangjituni kësaj fushate si dhe aksioneve tjera qytetare për më shumë edukim rreth ujit dhe shfrytëzimit të tij”, tha kryeministri Thaçi, përmes profilit të tij në Facebook. 

Edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është pjesë e fushatës për kursimin e ujit. 

“Uji është e drejtë themelore e njeriut. Ta kursejmë atë që këtë të drejtë ta gëzojmë të gjithë”, ka thënë presidentja Jahjaga. 

Përpos figurave politike, fushatën e kanë përkrahur edhe këngëtarë, gazetarë e artistë të shumtë.

Këngëtarja Vesa Luma, në mesazhin e saj ka thënë: “kam aq shumë nevojë për ty, sa mendoj më mirë të të kursej dhe të shijoj çdo ditë. Të dua”. 

Arkitektja dhe këngëtarja Eliza Hoxha ka thënë se “nëse vlen thënia, pika-pika mbushet pusi, atëherë që sot për të gjithë ne duhet të vlejë thënia e re: pika-pika kursehet uji”. 

Asdren Jonuzi i grupit The Glasses, mesazhin për kursimin e ujit e ka lidhur me profesionin e tij. 

“Kur bon tush, knoje veç një kangë,  e jo krejt albumin”, ka thënë Jonuzi. 

Ngjashëm me Jonuzin ka menduar edhe Shpend Lila nga Qendra Inovative e Kosovës (ICK). 

“Kurse ujin, mos e mbush kadën kur t’lahesh”, ka thënë ai. 

Gazetarja Arta Berisha, nga Top Channel, i është bashkuar fushatës me mesazhin “kurse ujin sikur të ishte gjëja më e bukur që mund ta humbasësh”.

Arjeta Mjeku, zëdhënëse e Ujësjellsit Rajonal-Prishtina, u ka bërë thirrje qytetarëve që ta paguajnë dhe kursejnë ujin. 

“Uji është jetë! Gjendja aktuale në liqenet e Batllavës dhe Badovcit prej nga furnizohet kryeqyteti, është në nivele minimale. Paguaje dhe ruaje ujin”, ka përfunduar Mjeku.