Përkundër marrëveshjes në ShBA, Kosova pret njohje e anëtarësime të reja ndërkombëtare

Me nënshkrimin e marrëveshjes së 4 shtatorit të këtij viti në Shtëpinë e Bardhë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova u pajtua që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare.

Në anën tjetër, Serbia të paktën në nënshkrimin e marrëveshjes, u pajtua që ta gjatë së njëjtës periudhë kohore të heqë dorë mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Ndërkohë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, nuk kanë dhënë informacione se në sa procese është vendi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Megjithatë, të mërkurën kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti deklaroi se moratoriumi në fjalë nuk i pengon Kosovës që të sigurojë njohje të reja ose anëtarësime në organizata në rast gatishmërie nga ana e tyre.

Sipas kreut të ekzekutivit kosovar, mbi bazën e kësaj pike të marrëveshjes ka ardhur njohja nga Izraeli.

“Kemi një njohje të re pasi është nënshkruar marrëveshja. Pika është e shkruar ashtu që i lejon Kosovës kur ka vende që mund të sigurohen njohje ose organizata ndërkombëtare që janë të gatshme ta pranojnë Kosovën, të ecim përpara”, theksoi Hoti në një konferencë për media, pas mbledhjes së qeverisë.

Kryeministri tutje tha se asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe asnjë njohje e re, nuk mund të sigurohet nëse nuk ekziston mbështetja e ShBA-ve dhe e vendeve kyçe të BE-së.

KALLXO.com kërkuar infromacione nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës se në sa procese aktualisht është Kosova sa i përket kërkesave për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe se për cilat mekanizma bëhet fjalë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Çakordime sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në organizata kanë pasur edhe më herët partnerët e koalicionit.

Ministrja e Punëve të Jashtme, e cila vjet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, në korrik të këtij viti pati thënë se nuk kishin pezulluar punën për anëtarësime, ndonëse shefi i saj, kryeministri Hoti ka dhënë qëndrime tjera.

“Ministria e Punëve të Jashtme nuk e ka pezullu asnjë aktivitet të fushveprimtarisë së saj, veç dje i kam nënshkru 14 instrumente të aderimit në konventa ndërkombëtare të cilat janë depozitu”, ka thënë ministrja në njërën prej seancave të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, së fundi ndryshe është shprehur kryeministri Hoti.

“Përpara takimit të 27 qershorit, verbalisht u patëm dakorduar që Kosova të pauzojë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe Serbia të stopojë fushatën kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare, me premtimin që do të ulemi së bashku dhe nëse bëjmë progres në këtë marrëveshje të bashkëpunimit ekonomik do shohim se si do lëvizim përpara”, tha ai të mërkurën.

Lidhur me moratoriumin për pezullim të anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare,  Visar Xhambazi hulumtues i politikave në Institutin Demokraci për Zhvillim (D4D) thotë për KALLXO.com, se kjo e kthen Kosovën një hap prapa.

Së pari, Kosova dhe Serbia nuk kanë nënshkruar marrëveshje mes vete. Gjithashtu, Kosova nuk ka nënshkruar marrëveshje me SHBA. Kosova në mënyrë vullnetare ka nënshkruar një dokument në të cilin kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, zotohet se Kosova, mes të tjerash, nuk do të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, vlerëson ai.

Xhambazi shton se Kosova ende vuan nga mungesa e legjitimitetit ndërkombëtar, dhe sipas tij, prandaj heqja dorë nga kjo e drejtë do të ndikojë direkt në prolongimin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës, “dhe e kthen Kosovën një hap prapa në rrafshin ndërkombëtar, duke mos paragjykuar pikat tjera të dokumentit të nënshkruar”.

Për shkak të fushatës së çnjohjeve nga ana e Serbisë mes tjerash, Kosova në vitet e fundit nuk ka arritur që të bëhet anëtare e disa prej organizatave të mëdha ndërkombëtare siç janë UNESCO dhe INTERPOL, por se është bërë pjesë e të tjera mekanizmave të rëndësishme, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Federata Botërore e Futbollit, Federata Evropiane e Futbollit, Komiteti Olimpik dhe organizata të tjera.

Ndërsa, njohja nga Izraeli në kuadër të marrëvshjes në ShBA, e ka çuar në 117 numrin e njohjeve të shtetit të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008.