Varreza e personave të vrarë në Krushë të Madhe gjatë masakrës së marsit 1999 - Foto: KALLXO.com

Përjetimi i një masakre: Një libër që hedh dritë mbi mizoritë në Kosovë

Një libër që tregon historitë e të mbijetuarve të masakrës në Krushë të Vogël të Prizrenit më 26 mars 1999 – kur forcat serbe vranë dhe dogjën kufomat e rreth 113 civilëve.

Libri risjell tregimet e atyre që humbën familjarët e tyre në masakrën e fshatit Krushë e Vogël të komunës së Prizrenit, një nga krimet më famëkeqe të forcave serbe të kryera gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.

Masakra – një akt tronditës i hakmarrjes – ishte kryer në mesditën e 26 mars 1999, dy ditë pasi NATO filloi sulme ajrore kundër forcave serbe që vepronin nën komandën e liderit serb Slobodan Milosheviq.

Shehu dhe 118 civilë të tjerë, përfshirë edhe dy djemtë e tij dhe 20 të afërm të tjerë, u ndanë nga familjet e tyre dhe u vendosën në një shtëpi të vogël të këtij fshati. Pasi shumica u vranë nga afër me automatikë, shtëpisë i ishte vënë flaka.

Bashkëautorët Limani dhe Krasniqi sjellin tregimet e viktimave nga e kaluara e deri më tani, përgjatë dy dekadave të kaluara që prej se lufta përfundoi me tërheqjen e forcave serbe nga Kosova.

“Nga fillimi deri në fund ky libër është një histori mizorish, kasaphanesh dhe pandëshkueshmërish. Aty nuk ka heronj, ka vetëm viktima dhe ekzekutues”, thotë Limani për BIRN.

Libri përmban 55 intervista me të mbijetuarit dhe familjarët e të vrarëve. Disa nga ata vdiqën ndër vite përfshirë edhe dy nga gjashtë të mbijetuarit e masakrës.

“Kemi punuar për më shumë se tetë vite në këtë libër duke mbledhur dëshmi dhe intervistuar të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave. Libri është një kujtesë për një mizori të kryer si dhe heshtjen dhe pandshkueshmërinë që e rrethon ende atë”, thotë Limani.

Një pjesë e dëshmive të mbledhura për masakrën u është dorëzuar më herët prokurorëve ndërkombëtarë të misioneve të OKB-së dhe BE-së. Një pjesë e tyre shërbeu për të ngritur aktakuzë ndaj Darko Tasiq, njërin nga serbët e këtij fshati. Muajin e kaluar Tasiq u dënua me 22 vite burg për pjesëmarrje në masakër.

“Një person u dënua por drejtësi nuk pati. Janë ende edhe 68 trupa të viktimave të masakrës të zhdukur për të cilët gjykimi i Tasiqit dështoi të sjellë ndonjë gjurmë”, thotë Limani, babai, vëllai dhe dy xhaxhallarët e të cilit gjithashtu u vranë në këtë masakër.

Limani, që tani drejton shoqatën për Kërkimin e të Zhdukurve “26 Marsi”, thotë se libri gjithashtu përmban prova për një rol të rëndësishëm të serbëve lokalë në këtë masakër. “Disa prej tyre morën pjesë në masakër dhe më pas ndihmuan në zhdukjen e kufomave”, tregon Limani.

Maskara e Krushës së Vogël është një prej masakrave më të mëdha në tërë luftën e Kosovës ku shumica e viktimave ende nuk janë gjetur.

Limani dhe Krasniqi portretizojnë tragjedinë e hidhur që familjet në Krushë të Vogël përjetuan gjatë luftës, efektet dhe peshën e saj në jetën dhe ndjenjat e tyre më pas.

Libri nxjerr në pah kujtimet e dhimbshme të të mbijetuarve, disa nga  të cilët vdiqën pa pasur kurrë mundësi që të tregonin historinë e tyre në prokurori apo  gjykatë.

Më i riu nga viktimat, Mursel Hajdari, ishte vetëm 12 vjeç kur u mor nga duart e nënës së tij.

Nëna e tij, Nexhmija që gjithashtu ka vdekur së fundi, kujton në  rrëfimin e saj në këtë libër momentin kur Murseli e kishte pyetur në momentin kur po i ndanin meshkujt nga familjet: “Nënë, a jam i madh sa duhet për të shkuar me burra?”

Në mesin e pak gjërave të mbetura të 8 anëtarëve të familjes Hajdari që u vranë në masakër ishte edhe karroca e invalidit e Sahit Hajdarit, në atë kohë 40 vjeçar që gjithashtu u mor tek shtëpia e  ekzekutimit.

Derisa flakët po përhapeshin nëpër dhomat dhe korridorin e shtëpisë ku ishin mbledhur viktimat, Qamil Shehu dhe të mbijetuarit e tjerë tregojnë se derisa ata po përpiqeshin të largoheshin kishin parë Sahitin e vrarë me kokë të varur mbi karrocën e tij. Ai është gjithashtu ende në mesin e  të zhdukurve.

Limani thotë se informacionet që kanë mbledhur tregojnë se masakra ishte në fakt e planifikuar, si pjesë e të ashtuquajturit  Operacioni “Patkoi” që kishte për qëllim dëbimin e shqiptarëve dhe spastrimin etnik të territorit të Kosovës.

“Është tejet e qartë se ishte një veprim i planifikuar dhe organizuar për të pastruar etnikisht këtë pjesë të territorit sepse një masakër e tillë aq masive nuk mund të kryhej pa planifikim dhe përgatitje”, thotë Limani.

“Përveç  se ofron dëshmi, ky libër është një zë i atyre që vdiqën ndër vite pa pasur mundësi që të hedhin dritë mbi atë që ndodhi në atë ditë tragjike në fshat”, thotë Qemajl Krasniqi.

Ai tha se derisa drejtësia është mohuar, ndjesia e zemërimit dhe hakmarrjes mbeten të freskëta te shumë prej të afërmve të viktimave.

“Përderisa vazhdon të ketë rrënjë kultura e mohimit të mizorive duke synuar të mjegullojë të vërtetën, përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet dhe për pajtim nuk mund të kenë kurrë sukses”, thotë ai.