Tatuazhi i shqiponjes dykrenare ne doren e Darias/ Foto: KALLXO.com

Peripecitë e luftës që i bashkuan gazetaret ukrainase në Kosovë

Orët e hershme në mëngjesin e 24-shkurtit shënuan fillimin e invazionit ushtarak rus në Ukrainë ku u raportua për sulme nga forcat ruse nëpër qytetet kryesore të Ukrainës, përfshirë edhe kryeqytetin, Kievin.

Kjo situatë në Ukrainë solli rethana të atilla që detyruan shumë persona që të largohen nga ky shtet për të gjetur një vend të më sigurtë për veten, për familjarët apo edhe për ushtrimin e profesionit të tyre.

Një nga ata njerëz është edhe gazetarja Marina Zhyvatkova nga qyteti i Luhanskut, e cila që nga korriku qëndron në Kosovë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë Kosova”, i cili financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Marina Zhyvatkova/ Foto: KALLXO.com

Zhyvatkova përditshmërinë e saj tash e tre muaj e nis në apartamentin e saj të përkohshëm në Prishtinë. Në këtë vend ajo ka arritur që në kushte shtëpie ta krijojë hapsirën e saj të punës dhe ta vazhdojë profesionin e gazetares në distancë.

Marina rrëfimin e saj e nisë duke treguar se më 24 shkurt, lajmi për luftën që kishte nisur në Ukrainë i ishte kumtuar nga burri i saj .

“24 shkurt ishte mëngjesi i dimrit kur lajmi m’u kumtua nga burri im. Për mua ai mëngjes i dimrit vazhdon edhe sot”- shprehet Marina teksa shpalos detajet e asaj dite, të cilat qëndrojnë të freskëta në kujtesën e saj.

“Pavarësisht që kemi jetuar në gjendje lufte që nga 2014-ta prapë se prapë në atë moment për të gjithë ne, familjarët, të afërmit, shoqërinë, për të gjithë ishte e pabesueshme që do të fillojë lufta e vërtetë” – thotë Zhyvatkova.

“Atë ditë ishte e enjte, dhe kemi pasur ta printojmë gazetën tonë, mirëpo nga redaksia e gazetës na thirrën për të na lajmëruar se është e pamundur të përfundojë printimi i gazetës sepse ka filluar bombardimi. Në atë ditë 16 gazeta mbetën pa u publikuar, ndërsa mediat online e vazhduan punën e përditshme normalisht.” – psherëtin ajo duke theksuar se që nga fillimi i  luftës ata e kanë pasur të pamundur të vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin.

“Nga dita e parë e luftës ne kemi qenë në territor të pushtuar dhe kemi pasur të pamundur ta vazhdojmë punën në redaksinë tonë dhe gjithçka ishte tmerr” – thotë Marina.

Ajo rrëfen se ka qenë e pamundur që të ikin nga territoret e pushtuara dhe të dalin në territoret e gjelbra, dhe e vetmja rrugë për ta ishte që këtë ta bëjnë përmes vullnetarëve apo përmes mënyrave të fshehta.

“Dy ditë ishte rruga ime nga Ukraina në Rusi, nga Rusia në Lituani dhe nga Lituania pata mundësinë që të kontaktojë me të afërmit e mi dhe t’iu tregoj atyre që jam mirë. Nga Lituania unë u transferova në Lviv” – shpjegon ajo.

Me situatë më të vështirë përballen të afërmit e Marinës të cilët sipas saj e kanë të pamundur që të largohen nga ato territore.

“Për mua ishte shumë e vështirë dhe ende është sot pasi që në territoret e pushtuara ende qëndrojnë dy motrat e mia me fëmijë edhe nuk kanë se si të ikin sepse thjesht nuk kanë para për të dalë dikund tjetër”.

Asokohe, rreziku që i kanosej Marinës si gazetare kishte bërë që ajo të merrte udhën për në Evropë, duke mos e ditur se çka mund ta priste gjatë kësaj rruge.

Marina thotë se ishte gazetarja e parë nga zyra e saj që e ka marrë guximin të largohet nga territoret e pushtuara.

Këto, rrethana nuk kishin lënë kohë e as mundësi që ajo të përshëndetej me më të dashurit e saj.

“S’kemi pasur as fuqi e as kohë që të përshëndetemi për një kohë të gjatë sepse gazetarët ukrainas janë të ndjekur nga ushtritë ruse më shpesh…Thjesht ia kam marrë kontaktet e dikujt prej vullnetarëve që më ka ndihmuar të largohem nga Ukraina drejt te territorit të Rusisë dhe nga Rusia në Evropë. Thjesht nuk i kam thënë askujt dhe shpejt e kam marrë një çantë me dokumente dhe veç kam rrezikuar”.

Ndonëse tashmë atë e ndajnë kilometra të tëra nga vatra e luftës, për këtë gazetare shqetësim vazhdojnë të mbeten pengesat që ia vështirësojnë komunikimin me bashkëshortin dhe djalin e saj, të cilët gjenden në Ukrainë.

“Në Ukrainë e kam djalin edhe burrin, të cilët për momentin janë duke luftuar për ushtrinë e Ukrainës dhe e kemi problem të kontaktojmë sepse Luhanksu është territor i pushtuar dhe Rusia ka bërë gjithçka për të ndaluar kontaktet, i ka ndaluar edhe rrjetet e telefonit dhe i ka bërë të Rusisë, pra është shumë problem të merret kontakti me to. Por nganjëherë mundemi disi të kontaktojmë me mesazhe” – shpjegon Zhyvatkova.

Para ardhjes së saj në Kosovë, informatat për këtë shtet kishin qenë të pakta e kryesisht të lidhura me një vend në gjendje lufte, e kjo gjë kishte shkaktuar shqetësim te familja e Marinës lidhur me vendimin e saj për të marrë rrugën drejt Kosovës.

“Kur djali im ka dëgjuar për herë të parë për këtë program në Kosovë ai më ka pyetur ‘Pse po shkon atje? Edhe atje është si gjendje lufte’ dhe unë iu përgjigja duke i thënë se kjo është mundësia ime e vetme për të qëndruar në profesionin tim…”.

Por, ardhja e Marinës në Kosovë kishte bërë që këto mendime të ndryshojnë.

Kur mbërrita në Kosovë fotot e para nga Prishtina ia kam dërguar djalit dhe ai më ka thënë “Mami, unë tani jam i qetë”.

Presioni i kohës e rrethanat e palakmueshme nuk kanë lënë vend që Marina të merrte ndonjë album, apo kujtim nga familja e saj, kësisoj ngushëllimin ajo e gjen përmes ca fotove që i ka të rujtura në telefon.

Foto: KALLXO.com

Megjithatë, përgjatë kohës sa punon, Zhyvatkova ka gjetur një tjetër opsion që në mënyrë simbolike të ketë copëza kujtimesh pranë vetes dhe të solidariozhet me vendin nga ajo vjen.

Këtë gjë Marina e ka bërë duke i vendosur në llaptopin e saj të punës disa ngjitëse që përcjellin mesazhe lidhur me traditën ukrainase dhe gjendjen aktuale atje.

Foto: KALLXO.com

“Ndoshta ju e dini që në Ukrainë ka shumë raste kur njerëzit në fshat i marrin traktorët dhe i mbledhin raketat ruse të prishura për të shitur hekur dhe për t’i pastuar livadhet e grurit, dhe ky është një stiker simbolik për neve” – shpjegon ajo gjersa drejton gishtit tek një ngjitëse tjetër ku në alfabetin cirilik është e shkruar fjala “Palianytsia” e cila është një lloj buke ukrainase.

Mirëpo, Marina shpjegon se përpos bukës, kjo fjalë bartë një kuptim më të gjerë për këtë popull.

“Palianytsia është si fjalëkalim për neve për ta dalluar një rus nga një ukrainas. Një njeri që është rritur në Ukrainë e thotë pa problem këtë fjalë ndërsa një rus nuk mund ta shqiptojë kurrë këtë fjalë ashtu siç duhet, ashtu si e shqiptojnë në territorin e Ukrainës” – thotë ajo.

Kur Marina flet për traditën ukrainase ajo për një çast ndalet edhe te Kosova.

“Më duket se kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe jam e impresionuar se si ju keni fuqi si një popull që e ka përjetuar luftën 23 vite më parë, ju jeni të buzëqeshur dhe e shfrytëzoni çdo sekond të jetës dhe jeni të lumtur. Po ashtu edhe mënyra si rinovohet e rindërtohet Kosova shumë shpejtë, pra rilindja e Kosovës” – thotë Marina, e cila shprehet mirënjohëse për pritjen dhe mundësitë që i janë ofruar asaj në Kosovë.

“Unë ndiej këtu ngrohtësi nga njerëzit dhe ndihem sikur të jem në shtëpinë time, pavarësisht a vjen ky veprim nga një shitës në dyqan apo një qytetar i thjeshtë që kalon përgjatë rrugës, secili na tregon solidaritetin dhe miqësinë nga zemra” – përfundon ajo.

Rrugëtimi i mikeshave i përbashkët edhe në luftë

Përpos Marinës, të njëjtën rrugë për të dalë nga terriotret e pushtutuara e ka ndjekur edhe kolegia dhe shoqja e saj prej 15 vitesh, Viktoria Kaidash nga Luhansku, e cila aktualisht po e zhvillon veprimtarinë e saj në Kosovë.

Marina dhe Viktoria duke punuar në kushte shtëpie në Kosovë/ Foto: KALLXO.com

Teksa Kaidash rrëfen për ndryshimet e skajshme që i ka pësuar normaliteti i saj që nga nisja e luftës në Ukrainë, ajo shpjegon se si çdo mëngjes e gjen atë nën ankthin se si është gjendja e familjarëve të saj të cilët kanë mbetur në Ukrainë.

Viktoria Kaidash dhe Maryna Zhyvatkova në vendin e punës në Ukrainë

“Normalisht që është shumë dallim i madh nga koha e paraluftës, sepse tashmë për mua çdo mëngjes fillon me thirrje ose mesazhe me të afërmit e mi për t’i pyetur se çfarë ka ndodhur dhe a janë ende gjallë” – thotë ajo teksa nuk lë pa përmendur as vështirësitë që i janë shkaktuar në aspektin profesional.

“Në aspektin profesional është e vështirë për mua që nuk mundem t’i ndihmoj njerëzit për t’iu treguar të gjitha informatat që i kam mbledhur. Që nga dita e parë e luftës kam menduar se si mund të largohem nga territoret e pushtuara që ta vazhdoj punën time si gazetare”.

Viktoria Kaidash/ KALLXO.com

Kur mendjen e kthen në ditët e para të luftës, Viktoria në mesin e kujtimeve e veçon edhe frikën që kishte pasur për djalin e saj.

“Djali im fatkeqësisht është student i Universitetit të Punëve të Brendshme dhe ka qenë me mua bashkë në territoret e pushtuara. Kështu që kur ka filluar lufta të zgjerohet ishte çdo ditë vështirë e më vështirë, dhe pyetja ime e parë ishte si mund ta shpëtoj djalin tim. Më shumë kam menduar për djalin se për veten”.

Kësisoj, gjatë largimit nga pjesët e pushtuara, Viktoria përshkruan se kishte kaluar nëpër një tjetër peripeci kur në territoret ruse djali i saj 17 vjeçar ishte marrë në pyetje për pesë orë.

“Kur filluam të largohemi nga territoret e pushtuara kemi shkuar në territorin e Rusisë dhe djali tim e morën që ta merrnin në pyetje dhe kjo gjë vazhdoi pesë orë” – psherëtin Viktoria, fytyra e të cilës tregon mërzinë teksa ajo kujton përjetimet e asaj dite.

“Varësisht nga ajo intervistë ka qenë në pikëpyetje se a do të vazhdojmë të largohemi nga Rusia apo kanë për të na ndalur në kampin e filtracionit. Djali im u ka thënë se ai është ende në shkollë e jo student dhe ata e kanë lënë të largohet”.

Njëjtë si Marina edhe Viktoria e ka pasur të pamundur që të marrë ndonjë kujtim me vete nga shtëpia e saj. Ajo shpjegon se një veprim i tillë mund të kishte qenë i rrezikshëm për të.

“Nuk kam mundur të rrezikoj që të marrë diçka sepse është e rrezikshme të kesh diçka që tregon se familja jote është e përputhur me ushtrinë meqenëse kisha për të kaluar nëpër territoret ruse. Kam qenë e detyruar t’i fshija të gjitha fotot nga telefoni dhe rrjetet sociale sepse në kufi gjithçka kanë kontrolluar dhe s’të kanë lejuar të dalësh nëse kanë gjetur diçka” – shpjegon Kaidash.

Megjithatë, Viktoria shprehet se ajo që i sjell sadopak ngushëllim është prezenca e gazetarëve të tjerë ukrainas të cilët po qëndrojnë në Prishtinë.

“Këtu në Prishtinë ne jemi si një familje e madhe sepse janë edhe gazetarët e tjerë ukrainas që na ndihmojmë të ndiejmë një lloj ngrohtësie dhe që thjesht mund ta flasim gjuhën tonë dhe na ndihmojnë shumë sepse momentalisht nuk mund të qëndrojmë pranë të afërmve tanë”.

Viktoria pohon se gjatë përditshmërisë së tyre në Kosovë këtyre gazetarëve u mundësohet që të jenë pjesmarrës në një sërë aktivitetesh, për të cilat ajo thotë se disa kanë qenë edhe pjesë e shkrimeve të saj.

“Ne kemi pasur shumë kënaqsëi ta vizitojmë ‘Manifestën’ në Prishtinë, ‘Sunny Hill’-in, ‘Opera Fest’-in dhe kemi shkruar shumë materiale për këto, dhe populli ukrainas ka qenë i befasuar për gjithë këto gjëra që janë bërë në Kosovë” – thotë Viktoria.

Dikur destinacion turistik, sot vendstrehim

Në mesin e gazetarëve ukrainase në Kosovë është edhe Daria Meshcheriakova, e cila ka qenë në Kiev ditën që filluan bombardimet ruse në Ukrainë.

Daria Meshcheriakova/ Foto: KALLXO.com

“Ishte shumë e frikshme sepse Kievi nuk u bombardua kurrë që nga viti 1941, kur nazistët pushtuan qytetin dhe ishte hera e parë dhe askush nuk e priste që Rusia të bombardonte Kievin, ne prisnim që diçka do të ndodhte në lindje kryesisht por jo në Kiev dhe ishim të tronditur, ishte shumë e vështirë për të fjetur” – përshkruan Daria e cila thotë se kishte vendosur që të largohej nga ai vend kur e kishte parë që bombardimet nuk kishin të ndalur.

“Së pari qëndrova atje vetëm një javë dhe kuptova se ata (Rusia) nuk do të ndalonin së bombarduari dhe se unë duhet të largohesha, dhe nëse ata dota merrnin Kievin do të ishte shumë e vështirë dhe ata ishin pikërisht afër Kievit. Kievi mund të binte çdo ditë”.

Prindërit e Darias jetojnë nën okupim në Luhansk dhe për ta është pothuasje e pamundur që të largohen nga atje. Megjithatë, gjatë ikjes nga Ukraina në çdo hap me Darian ka qenë maçoku i saj, Tomi, të cilin ajo e ka marrë me vete edhe në Kosovë.

Tomi, Foto: KALLXO.com

Ajo përshkruan se rrugëtimi i saj nga Kievi për në Lviv ka qenë i gjatë e i përcjellë me peripeci. Në mesin e tyre ajo veçon se për një moment ka pasur frikë se maçoku i saj do të ngordhë si pasojë e rrugës së gjatë dhe kushteve të pafavorshme gjatë udhëtimit.

“Kështu, mora macen time, Tomin dhe shkuam fillimisht në Lviv dhe më pas me tren m’u desh të qëndroja në këmbë për 12 orë, Tommy ishte nën koshin e tij, pastaj kishte edhe një kosh më shumë, dhe pastaj një kosh tjetër dhe shumë pallto dhe gjëra të tilla. Unë mendova se ai do të ngordhte, kur e pashë që ishte ende gjallë në Lviv u gëzova shumë…” – qesh gazetarja.

Pas largimit nga Kievi për në Lviv, rrugëtimi i Meshcheriakova-s ka vazhduar nëpër disa shtete të Evropës deri sa në fund të muajit maj ka ardhur për ta vazhduar punën e saj përkohësisht në Kosovë.

Mirëpo, maji i vitit 2022 nuk ishte hera e parë që ajo hodhi hapin në këtë vend, pasi që kurioziteti ndaj këtij Kosovës kishte bërë që ky shtet shpesh të jetë destinacion turistik i Darias që në vitin 2011.

“Në vitin 2011 kam studiuar atëherë në Gjermani, kam pasur miq këtu të cilët më kanë ftuar më kanë ftuar, po ashtu jam interesuar gjithmonë për gjuhën shqipe e cila mua më tingëllon kaq unike dhe atë e kanë mësuar në Universitetin e Gjermanisë” – shpjegon Daria e cila përmend se që nga viti 2008 është ka filluar të interesohet dhe ta mësojë gjuhën shqipe.

Ajo pohon se para vizitës së saj në Kosovë, ajo kishte pasur informata të pasakta lidhur me këtë vend për të cilat ajo thotë se ishin pasojë e propagandës ruse.

“Pastaj erdha këtu dhe kuptova se gjithçka që dinim në Ukrainë lidhur me luftën në Kosovë nuk ishte e vërtetë. Kjo ishte vetëm një tjetër propagandë ruse që na preku të gjithë ne në Ukrainë” – thotë Daria e cila thekson se pavarësisht përpjekjeve që bëjnë gazetarët, është e vështirë që të ndërrohet ky gjykim për shqiptarët që ka zënë rrënjë në kokën e shumë njerëzve.

“Është e vështirë të luftosh atë ndjenjën që shqiptarët i sulmojnë serbët. Është shumë e vështirë edhe pse gazetarët punojnë për ta shpjeguar, por njerëzit ende e kanë një imazh në kokën e tyre që mendojnë se e dinë më mirë dhe se gjithçka që ka ndodhur është ‘shqiptarë të këqij’, ‘shqiptarë të këqij”.

Megjithatë, asohokohe vizita e Darias në Kosovë nuk kishte përfunduar vetëm me informatat e reja që ajo kishte fituar, kjo pasi që tash e 10 vite një tatuazh i shqiponjës dykrenare ka zënë vend në kyçin e dorës së saj, veprim të cilin kjo gazetare thotë se e bëri në shenjë solidariteti pasi mësoi për historinë nëpër të cilën ka kaluar ky popull.

Tatuazhi i shqiponjës dykrenare në dorën e Darias/ Foto: KALLXO.com

“Thjesht doja të tregoja solidaritetin tim dhe tani e shoh që nuk e kam menduar kurrë se do të përballem me të njëjtën luftë si këtu, por po përballem me të njëjtën luftë si këtu” – shpjegon Meshcheriakova, e cila cilëson se janë të pakët ata që vërtetë mund ta kuptojnë atë se çfarë po kalon populli ukrainas.

“Unë mendoj se vetëm boshnjakët dhe ju mund ta kuptoni me të vërtetë se çfarë po kalojmë, sepse keni pasur të njëjtën propagandë, keni pasur të njëjtën luftë…– thotë ajo duke shtuar se do të ndihet mirënjohëse ndaj Kosovës.

“Kur të kthehem në Ukrainë, do t’i jem gjithmonë mirënjohëse Kosovës që më priti këtu” – ka përfunduar ajo.

Kështu, krahas punës së tyre të përditshme, ajo çka i bashkoi këto gazetare ishte rruga e tyre për në Kosovë, njohja më e madhe me këtë vend dhe mirënjohja e tyre për të nën shpresën se një ditë do t’i kthehen jetesës normale në Ukrainë.

Aktualisht në Kosovë qëndrojnë nëntë gazetarë ukrainas, tetë gra dhe një burrë.