
Ilustrimi: BIRN/Igor Vujcic
Përhapja e dezinformimit para zgjedhjeve në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut ndikon opinionin publik dhe votimin
Një rritje e dezinformimit po shihet në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut para Zgjedhjeve, për të cilën ekspertët pretendojnë se mund të ndikojë në rezultate, të nxitë urrejtje dhe të manipulojë opinionet politike të publikut.
Në prag të Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Kosovë, vendi i është ekspozuar një serie dezinformimi, të lidhur me figurat kryesore politike në vend. Liderët, përfshirë anëtarët e partive politike, janë akuzuar për deklarata të rrejshme; personalitetet e tyre janë përdorur për të fabrikuar deklaratat e dhëna në të kaluarën, për t’i ndërlidhur me gjendjen aktuale politike në vend.
Më 12 dhjetor 2024, pak orë para afatit të fundit para se partitë politike të dorëzonin listat e tyre për kandidatë në Komisionin Qendror Zgjedhor, një medium lokal në gjuhën shqipe në Kosovë, Klan Kosova, publikoi një shkrim informativ me pretendimin se Besarta Jashari, e bija e heroit kombëtar të Kosovës, Hamëz Jashari, do të jetë kandidate për deputete për Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet. Lajmi menjëherë do të ripublikohej në një mori portalesh informative.
Platforma e BIRN Kosovës dhe Internews Kosovës për verifikimin e fakteve dhe identifikimin e të pavërtetave, Krypometër nxori përfundimin se lajmi ishte i rrejshëm. Vëllai i saj, Bekim Jashari kishte shkruar në Facebook se “familja jonë mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për të qëndruar jashtë përfshirjes aktive në parti politike dhe procese zgjedhore – duke ruajtur angazhimin tonë si përkrahës të paanshëm të zhvillimit të vendit tonë.”
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka ka përgënjeshtruar gjithashtu lajmin në llogarinë e tij në Facebook.
Krypometër ka shkuar edhe më larg, duke analizuar listën e kandidatëve për deputetë të Vetëvendosjes, që ishte publikuar më 12 dhjetor 2024, disa minuta para mesnate. Besarta Jashari nuk është në listë.
Në kohën kur Kosova po i afrohet 9 shkurtit 2025 të Zgjedhjeve parlamentare, ndikimi i dezinformimit mbetet një shqetësim stresues, veçanërisht duke pasur parasysh ndikimin që lajmet e rreme nga Kosova dhe pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor patën në Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Maqedonisë së Veriut, në prillin e majin e vitit 2024.
Gjatë Zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut, të mbajtura në prill e maj 2024, kishte fluks dezinformimi, që lidhej kryesisht me marrëdhëniet ndëretnike dhe retorikën etnocentrike. Ky dezinformim në fund ndikoi edhe atmosferën, edhe rezultatet e Zgjedhjeve.
Ekspertët i kanë thënë BIRN-it se përhapja e dezinfomimit para Zgjedhjeve është kthyer në diçka të rëndomtë, nganjëherë duke ndikuar drejtpërdrejt opinionin publik.
Madje, edhe gjatë Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut më 24 prill, disa media raportuan një sondazh që parashikonte rezultatin e Zgjedhjeve, megjithëse asnjë organizatë ose medium nuk kishte raportuar se po kryhej në anketim i tillë.
Petrit Saraçini, kryeredaktor i Institutit për Media dhe Analikë (IMA) në Maqedoninë e Veriut, i ka deklaruar BIRN-it se “këto taktika dezinformimi ishin përdorur prej një morie aktorësh politikë, për të pretenduar fitore ose humbje në Zgjedhje”.
Sipas tij, dezinformimi dhe propaganda e tillë ngritën mbështetjen për partitë që kishin pozicionuar veten kundër Marrëveshjes së Prespës, një ujdi e vitit 2018 me Greqinë, lehtësuar nga OKB-ja, për zgjidhjen e përplasjes së emrit ndërmjet dy vendeve. Dezinformimi rriti edhe përkrahjen për partitë që ishin kundër të ashtuquajturit “Propozimi Francez”, që zhbllokoi pjesërisht procesin e nisjes së negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE.
Alban Zeneli, profesor i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, ka vënë në pah se teknikat për përhapje të dezinformimit para Zgjedhjeve në Kosovë janë fokusuar në polarizimin e shoqërisë.
“Ideja kryesore ka qenë të ndahet shoqëria ‘për’ dhe ‘kundër’ për një çështje a një tjetër – pa dhënë hollësi për argumentet pse ju duhet të jeni ‘për’ apo ‘kundër’ një partie politike, a një ideje politike.” – ka deklaruar ai për BIRN-in.
Interesimi i fqinjëve për Zgjedhjet në Maqedoninë Veriore fuqizon dezinformimin
Vendet fqinje gjithnjë kanë pasur interesim për skenën politike të Maqedonisë dhe ato kanë ndikuar tërthorazi rezultatet – duke mbështetur parti të caktuara politike.
Një shembull i tillë është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke e shpallur Ali Ahmetin, lider i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), “Qytetar Nderi të Tiranës”, një natë para Zgjedhjeve parlamentare maqedonase, në majin e vitit 2024.
Mbetet goxha e pazakontë për një parti nga një vend tjetër që të marrë pjesë drejtpërdrejt në Zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut. Andaj, pjesëmarrja e Vetëvendosjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut si pjesë e koalicionit “VLEN” shkaktoi interesim të ngritur të mediave kosovare.
Sipas Sefer Tahirit, profesor universitar gazetarie dhe ekspert mediash në Maqedoninë e Veriut, gazetarët nga Kosova të cilët shkuan në Maqedoni të Veriut për të raportuar për Zgjedhjet ishin objektivë, megjithëse transmetuesi lokal, Klan Maqedonia ishte perceptuar si i njëanshëm pse u kishte dhënë hapësirë.
Për më tepër, disa portale informative në Maqedoninë Veriore përdorën këtë mbështetje të Kurtit për të pretenduar se kjo ishte përzierje në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut.
Saraçini argumenton se “kjo shpiu në sulme të dyanshme brenda kampit politik shqiptar, duke vënë në dyshim se kush është më patriot, e kush është tradhtar, kush mbështet Rusinë, ose kush kundërshton Rusinë, duke krijuar huti në mesin e votuesve dhe duke e bërë edhe më të vështirë për ta, që të bëjnë Zgjedhje të informuar”.
Dezinformimi në të vërtetë u ngrit. Vetëm dy ditë para Zgjedhjeve në Maqedoninë Veriore, një gazetar lokal publikoi një video në Facebook, ku pretendonte se Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, se çdo bashkëpunim me partinë politike maqedonase, VMRO-DPMNE, është antishqiptar.
Pothuajse menjëherë pastaj, Ilir Kërçeli, këshilltar i Konjufcës, reagoi, duke i kërkuar gazetarit që ta publikonte videon e paredaktuar për shkak se deklarata e Konjufcës ishte nxjerrë nga konteksti.
Konjufca kishte deklaruar aktualisht: “E kam përcjellë kandidaten e VMRO-s për presidente të Maqedonisë. Konceptet që i shpjegoi gjatë fushatës janë antishqiptare. Nuk mendoj se duhet të mbështetet një opsion i tillë”.
Çështja u ngrit në kohën kur mediat në Maqedoninë Veriore raportuan se lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, u takua me Arben Taravarin, njëri prej liderëve të koalicionit “VLEN”. Ky takim sinjalizonte një koalicion të mundshëm ndërmjet dy partive politike pas Zgjedhjeve.
Andaj, manipulimi i deklaratës së Konjufcës mund të ketë ndikuar procesin zgjedhor për shkak se Vetëvendosja, partia politike që ai e përfaqësonte në Kosovë, është gjithashtu njëra prej katër partive politike në koalicionin “VLEN”.
Lavde ose sulme direkte dominojnë virtualitetin e Kosovës para Zgjedhjeve
Në Zgjedhjet e fundit parlamentare të Kosovës, më 14 shkurt 2021, pati ngritje të grupeve e llogarive në Facebook dhe/ose në portale online, me shpërndarje të përmbajtjes që lavdëronin ose denigronin figurat politike.
“Ideja kryesore ka qenë të ndahet shoqëria në “për” dhe “kundër” një çështjeje a një tjetre, pa dhënë hollësi për argumentet pse duhet të jenë “për” ose “kundër” një partie politike ose një ideje politike.” – ka thënë për BIRN-in Zeneli, profesori universitar i gazetarisë në Kosovë.
Zeneli ka përmendur grupin në Facebook “MeKryeministrin”, që u bë viral më 2021, para Zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Ka pasur dy fronte kryesore dezinformimi – ka thënë Zeneli për BIRN-in. “Fronti i parë kryesor ishte promovimi i figurës së kryeministrit (aktual) Kurti, shpesh pa fakte dhe fronti i dytë ishte sulmi ndaj kundërshtarëve politikë me gjysmë të vërteta dhe manipulime të ndryshme informacionesh.” – ka shpjeguar Zeneli.
Sipas tij, i njëjti trend ka vazhduar edhe gjatë Zgjedhjeve lokale, më vonë më 2021, me një intensitet më të ulët të shpërndarjes së dezinformimit.
Venera Gashi, nga grupi i pavarur i mendimit me seli në Kosovë, Demokracia për Zhvillim (D4D), i ka thënë BIRN-it se kanë monitoruar portalet online, mediat sociale dhe përfaqësuesit e lartë të entiteteve politike gjatë dy raundeve të Zgjedhjeve lokale më 2021.
“Gjatë analizimit të 6.38 artikujve, 180 artikuj dhe postime në gjuhën shqipe përmbanin dezinformim që gjeneruan 219.397 ndërveprime në mediat sociale dhe potencialisht arritën te 4.954.302 persona, të cilët mund t’i kenë lexuar këta artikuj dhe postime.” – ka shpjeguar Gashi.
Gashi ka spikatur se ndasitë politike, gjuha e urrejtjes dhe ekzagjerimi i kryeartikujve dominuan përmbajtjen e manipuluar.
“Në mostrën në gjuhën shqipe, gjatë fushatës zgjedhore, artikujt dhe postime me dezinformim dominoheshin prej artikujve që promovonin ndasitë politike duke përbërë 36%, pasuar prej gjuhës së ashpër dhe sulmuese me 34% dhe kryeartikuj të ekzagjeruar me 23%. Përderisa, artikujt me informacione krejtësisht të rreme përbënin 7% të artikujve të monitoruar.” – ka shtuar ajo.
Megjithatë, Zeneli beson se përpjekjet për verifikimin e fakteve janë intensifikuar.
“Kur jemi te viti 2021, kemi pasur dy organizata në IFCN (Rrjetin Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve), Krypometër dhe Hibrid,info.” – ka vënë në pah Zeneli, duke përmenduar se derisa puna e tyre ishte e rëndësishme, të dyja nuk janë shumë të njohura në mesin e publikut, kështu që jo shumë njerëz i përdorin ato si kanale për informimin e tyre.
“Kjo nuk do të thotë se puna e verifikuesve të fakteve është e parëndësishme në shoqërinë tonë. Përkundrazi, mendoj se është më e domosdoshme dhe më e rëndësishme se kurdo, për shkak të faktit se ne po shohim se dezinformimi po merr terren në shpërndarje, së paku në mesin e njerëzve të cilët duan të verifikojnë se gjërat e tilla kanë adresa të besueshme me të cilat mund të informohen.” – ka shpjeguar Zeneli.
“Ne nuk e dimë me siguri se kush qëndron prapa portaleve, meqë shumë prej tyre zhduken dhe rishfaqen vetëm gjatë Zgjedhjeve, por ia vlen të spikatet se ato shënjestrojnë kandidatët duke nxjerrë informacione që nuk ndëlridhen me Zgjedhjet dhe se kanë vetëm elemente negative kundër një kandidati të caktuar.” – ka thënë Gashi.
Për më tepër, lajmet e rreme mund të kenë ndikim të madh te publiku. Sipas Zenelit, njerëzit të cilët marrin informacione qëllimisht të manipuluara, të pabaraspeshuara dhe të rreme “kanë një sjellje politike që nuk bazohet në fakte, (por) të bazuar në rrena”.
Gashi beson se lajmet e rreme “na shpijnë te problemi i përdorimit të gjuhës së urrejtjes kundër figurave politike në rrjete sociale dhe nuk është rastësi që lajmet e tilla shfaqen gjatë Zgjedhjeve, për të ndikuar opinionin publik. Afërmendsh se lajmi që bëhet viral dhe shpërndahet prej shumë portaleve, mund të afektojë rezultatin e votimit”.
Zeneli ka theksuar se Ministria e Arsimit duhet urgjentisht të ndryshojë statusin e lëndës zgjedhore të “Edukimit medial” në lëndë të detyrueshme në sistemin parauniversitar.
“Njëherazi, Shoqëria civile dhe grupe të caktuara shoqërore të aktiviteteve joqeveritare duhet të kenë cak njerëzit të cilët nuk janë në shkollë, por që duhet të përftojnë shkathtësi të reja në gjykimin e përmbajtjes mediatike.” – ka shtuar ai.
Nga anglishtja: Rexhep Maloku