Rana e Hedhun: Fotografi: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Përgjatë pasurisë natyrore të Lissusit

Në një udhëtim me autobus, të duhen gati tri orë e gjysmë që të arrish të shkelësh rërën e nxehtë të bregdetit e të shohësh veçantitë natyrore të qytetit verior të Shqipërisë, Lezhës. Dy ditë shëtitje rreth biostrukturës së saj, sytë arrijnë të kapin qindra bukuri të rralla, të cilat të japin përshtypjen e një vendi të pashkelur nga këmbët e njeriut.

Në këtë pranverë të vonë, shpendët e rralla të Lagunës Kune-Vain nuk shiheshin duke u shëtitur rrëzë bregdetit verior, anipse kjo lagunë e njohur si Delta e Drinit shquhet ndërkombëtarisht si vend me shumëllojshmëri të  florës e faunës.

E gjendur në bregdetin shqiptar të Adriatikut, në dy anët e grykëderdhjes së Drinit, zyrtarisht, sipërfaqja e Zonës së Mbrojtur ka rreth 2,300 hektarë. Laguna përbëhet nga ligatinat, ku përfshihen laguna e këneta, ujëra detare dhe bregdet, toka nën nivelin e detit dhe pyje tipike bregdetare, shkurre mesdhetare, rrjedhje ujore dhe toka bujqësore e kullota. Ndërkaq, ekzistojnë lloje të ndryshme të habitateve, duke përfshirë pyjet lumore, kënetat e kripës, shtretërit e kallamishteve dhe rërat.

Laguna Kune-Vain: Fotografi: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Gjatë një shëtitje përreth lagunës, eksperti i mjedisit, Jak Gjini shpjegoi se Kune Vain është e njohur prej shumë vitesh si një ndër zonat më të mira në Evropë për shumëllojshmërinë e shpendëve.

“213 shpendë janë të njohura nga specialistët në këtë zonë. Ndërsa për veçoritë e saj të peizazhit Kune-Vain është quajtur si oazë e Mesdheut dhe mbi të gjitha si një perlë i natyrës shqiptare”, thotë Gjini.

Ai shpjegon se kjo zonë dallohet për diversitetin, pozitën natyrore, shumëllojshmërinë e gjallesave, pasurinë dhe pastërtinë ujore.

“Ka një pozitë gjeomorfologjike që lagunat tjera nuk e kanë. Pra ka një sipërfaqe të limituar dhe reagon shpejtë ndaj ndikimeve dhe presionit human. Kune Vain si zonë e mbrojtur është strehë për një numër të konsiderueshëm të shpezëve që janë në rrezik të zhduken në botë si qafka, karabulla e shumë të tjera”, tha ai.

Megjithatë, Gjinit, gjatë viteve 70’ të shekullit të kaluar kishte një kapacitet të shpendëve deri në 50 mijë individë, ndërsa në vitet e 90-ta u shënua rënie drastike të tyre.

Përsa i përket faunës, në zonë gjenden 196 lloje shpendësh migratorë dhe të përhershëm, 17 lloje molusqesh, 59 lloje krustacesh, 10 lloje amfibesh, 24 lloje reptilësh, 26 lloje peshqish, 266 lloje bimësh vaskulare, nga të cilat shumë specie janë të rrezikuara.

Laguna Kune-Vain: Fotografi: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Bazuar në të dhënat nga Kune Vain, ishulli i Kunes është i rëndësishëm për zogjtë IBA (Zonë e Rëndësishme Zogjsh) në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, është zonë e rëndësishme për shpendët ujorë migrues dhe folezues. Speciet kryesore që i japin këtë status janë Ardeidet and Phalocrocoridet.

Laguna Kune-Vain u formua nga sendimentet e akumuluara nga lumenjtë Drin dhe Mat. Kjo është zona e parë e mbrojtur në Shqipëri, që nga viti 1940.

Pas peshkimit, shëtitja nëpër lagunë merr më pak se 15 minuta deri te arritja në një destinacion i cili shquhet për rehatinë në kushte natyrore. Hoteli i Gjuetisë-Fshat Turistik ka mbetur relikt nga okupimi italian. Kjo zonë e cila shfrytëzohet si atraksion turistik gjendet buzë Lagunës Kune-Vain dhe në vitet e 30-ta dhe 40-ta, përdorej si vendgjueti për shkak të pasurisë shtazore. Ndërsa pas viteve të 90-ta, vendbanimi me objektet përreth përdoren si atraksion turistik.

Kandidati për pronar të objektit, Viktor Jushi tha se ky vend vizitohet nga turistët për shkak të historisë së objektit, pasurisë bimore dhe shtazore, kultivimit të fazanarisë e peshkimit, kulinarisë dhe begatisë që ka zona afër lagunës.

Hoteli i Gjuetisë: Fotografi: Antigonë Isufi/KALLXO.com

“Ky është i ndërtuar për qëllime gjuetie. Ky vend pothuajse ka qenë një rezervat natyror me të gjitha llojet e shpezëve e me florë dhe faunë të pasur”, tha ai.

Jushi tregoi se pas largimit të italianëve nga ky vendbanim, objekti është përdorur nga qeveria shqiptare si zonë rezidenciale e forcës së asaj kohe.

“Thuhet se këtu ka pasur rezidencën edhe Enver Hoxha. Mbas viteve të 90-ta është rikonstruktuar pa e dëmtuar formën që ka pasur”, thotë ai.

Ndërkaq për historinë e tij, Jushi tregon se hoteli është i ndërtuar nga italianët në një zonë të mbrojtur e shpallur nga Qeveria e mbretit Ahmet Zogu.

Hoteli i Gjuetisë u ndërtua në fund të viteve 1930 dhe ishte funksional në fillimin e viteve 1940. Ky vend ishte rezidenca e Kontit Ciano, ish-ministri i Jashtëm italian gjatë fashizmit dhe një mik i mirë i Mbretit shqiptar Ahmet Zogut. Gjatë komunizmit ishte rezidencë për elitën politike dhe pas viteve të 90-ta u rinovua dhe u hap për vizitorë.

Hoteli i Gjuetisë: Fotografi: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Mbas rreth 20 minutave udhëtim në 3-4 kilometra larg nga plazhi i Shëngjinit, në një rrugë herë përpjetë e herë tatëpjetë, gjendet plazhi relativisht i pashkelur me peizazh mesdhetar i Ranës së Hedhun. Karakterizohet nga dunat e rërës e cila në disa vende është e lartë deri në 10 metra dhe gjendet në fund të malit të Rrencit.

Ky bregdet përpos veçantive natyrore dallohet edhe për emërtimin në dialektin gegë të gjuhës shqipe, “Rana e Hedhun”, i cili iu përshtatet dunave të rërës së paprekura përgjatë vijës së saj bregdetare.

Lezha ka vijë bregdetare prej 68 kilometrash nga Rana e Hedhun deri në kepin e Rodonit.

Rana e Hedhun: Fotografi: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Drejtori i Turizmit në Bashkinë e Lezhës, Renaldo Xhani tha se Rana e Hedhun dallohet për rërën e trashë, ujin e pastër, lëvizjet e detit, relievin e veçantë dhe pozitën e mirë gjeografike për shkak se gjendet rrëzë malit.

“Në zonat ku ka male, bregdeti është përherë më i pastër dhe rëra është e trashë, lëvizjet e detit e kanë më të vështirë të lëvizin dhe rëra e trashë rri në fund për arsye se i jep bukuri dhe kthjelltësi detit”, shpjegon Xhani.

Bazuar në statistikat që shpërfaqi Xhani gjatë viteve para pandemisë, vetëm në kohë sezone, Shëngjinin e kanë vizituar rreth 1 milionë  e 500 turistë. Ndërsa vitin e kaluar ka arritur vetëm 60 për qind të asaj kuote, për shkak të pandemisë.

Sipas tij, arsyeja pse turistët e vizitojnë këtë vend, është që përpos bukurisë natyrore ka edhe të mira shëndetësore.

“Turistët e duan sepse ka një sasi të madhe të jodit për kurimin sëmundjeve të lëkurës”, tha ai.

Xhani tha se kjo zonë ka filluar të frekuentohet më shumë në vitet e demokracisë e sidomos pas shtrimit të rrugës nga bashkia dhe bizneset.

“Edhe pse shtrimi i rrugës ka qenë informalitet me natyrën, sepse zona është e mbrojtur me ligj. Ekziston zona afër që nuk lejohet asnjë ndërtim në 200-300 metra përreth bregdetit”, shpjegon ai.

Rana e Hedhun: Fotografi: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Ndërsa, Azem Bujupi nga platforma online Triptoalbania.al e cila do të funksionalizohet në maj dhe ka qëllim promovimin e turizmit, tha se do ta vazhdojnë promovimin digjital të të gjitha bukurive në trojet shqiptare.

“E kemi të lehtë turizmin për shkak të klimës që ofron vija bregdetare e Shqipërisë dhe zona malore e saj. Është një mrekulli që vetëm Zoti ka ditur ta krijoj, e pak me dorën e njeriut”, tha ai.

Pra, qyteti i Lezhës përpos që njihet si “Toka e Shenjtorëve” për shkak të numrit të madh të objekteve kulturoro-religjioze dhe si qyteti i heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, përbëhet nga malet, lagunat, deti, lumenjtë, përrenjtë, liqenet artificiale, kodrinat e fushat.