Përfundon Pa Marrëveshje Por Me Përafrime

Zyra për informim e Shefes për Politikë të Jashtme e Siguri të Bashkimit Europian, Catherine Ashton, njoftoi përmes një komunikate për media të lëshuar pas takimit, të së martës se është biseduar “për një varg çështjesh rreth zbatimit të Marrëveshjes së prillit, në veçanti për rrugën e mëtejme lidhur me zgjedhjet lokale”.

Megjithatë, mbetet e paqartë se si do të veprohet tutje sa i takon ngërrçit të shaktuar nga mospajtimet lidhur me simbolet që do të figurojnë në fletëvotimet për zgjedhjet e kësaj vjeshte.

Ditë më parë, kryeministri Thaçi hodhi poshtë mundësinë që tema e simboleve të shtrohet në tryezën e diskutimit në takimin e së martës duke e lënë zgjidhjen e kësaj çështje në duart e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë.

Ai këtë e përsëriti edhe para takimit të së martës, ndërsa pas takimit Thaçi ka deklaruar se ndonëse nuk ka pasur një marrëveshje konkrete, ka pasur përafrime në çështjet që janë diskutuar.

Ndërsa, Ashton tha pas takimit se “të dy kryeministrat ritheksuan përkushitmin e tyre për zgjedhje të suksesshme, me një pjesëmarrje sa më të gjerë dhe konfirmuan se do të vazhdojnë përgatitjet intensive për një proces të qetë zgjedhor”.

Diskutimet ndërmjet palëve pritet të vazhdojnë më 8 shtator.

Prishtina zyrtare synon t’i mbajë zjedhjet lokale në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë pjesën veriore të vendit.

Politikanët serbë të asaj pjesë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për pjesëmarrjen në këtë proces, por kanë kundërshtuar, sikurse edhe Beogradi zyrtar, figurimin e simboleve shtetërore në fletëvotimet për zgjedhje.

OSBE-ja që është e përfshirë për të ndihmuar organizmin e zgjedhjeve, ka bërë thirrje për “një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët”, në këtë çështje.

Zgjedhjet janë pjesë e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizim të marrëdhënieve, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në prill të këtij vit.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur në nëntor të vitit 2009, votimi i të  cilave u bojkotua nga komunat veriore të drejtuara nga serbët, ku udhëheqësit lokal u zgjodhën me zgjedhje të veçanta të organizuara nga Beogradi.