Performanca e ulët e sinjalizimit 

Ligji i sinjalizimit në Kosovë ende nuk ka nisur të japë rezultatet e pritura. I hartuar për të fuqizuar raportimin e korrupsionit ligji nuk është përdorur shumë nga punonjësit për të raportuar keqpërdorimet të cilat ndodhin brenda institucioneve.

Kosova renditet në mesin e vendeve të korruptuara, ndërsa raportet e auditimit të nxjerra nga ZKA vazhdimisht konstatojnë parregullsi në menaxhimin e institucioneve të vendit.

Në një hulumtim të realizuar nga KALLXO.com të dhënat e siguruara nga institucionet që ishin në fokus – target, tregojnë për një nivel skajshmërisht të ulët të raportimit.

Hulumtimi ka pasur për cak tri komuna, tri institucione qendrore, tri ndërmarrje publike dhe agjenci të pavarura. 

Të dhënat e siguruara tregojnë që në tri komunat target të hulumtimit Istog, Pejë dhe Deçan, nuk ka pasur asnjë rast të sinjalizimit.

Në institucionet qendrore vetëm në Ministrinë e Shëndetësisë janë shënuar dy raste të sinjalizimit.

Raste nuk ka pasur as në Prokurorinë e Shtetit, e po ashtu në dy ndërmarrjet publike ‘KRU Prishtina’ dhe ‘Telekomi i Kosovës’. 

Posta e Kosovës në përgjigjet e tyre ka treguar se ka një rast, por rasti është udhëzuar në institucionet përkatëse.

Edhe në Agjensionin Kosovarë Kundër Korrupsionit të dhënat tregojnë që ka pak raste të sinjalizimit.

Sipas të dhënave prej kur ka nisur zbatimi i ligji të ri në vitin 2019 në këtë agjenci ishin paraqitur 3 raste, ndërsa në 2020 janë paraqitur 5 raste.

Të dhënat tregojnë që institucionet e testuara kanë përmbushur obligimin që të caktojnë zyrtarin përgjegjës dhe rregullativën, mirëpo në rang vendi ka pasur probleme të theksuara pasi 22 institucione nuk e kanë përmbushur obligimin për caktimin e zyrtarëve përgjegjës për sinjalizim.

Agjensioni Kundër Korrupsion ka dorëzuar 22 fletëparaqitje në gjykatë për institucione të tjera të cilat nuk i kanë caktuar zyrtarin përgjegjës.

Gjendja në teren

Kosova në janar të vitit 2019 është bërë me Ligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve, ndërsa vetëm në vitin 2021 është përmbushur obligimi që Ministria e Drejtësisë të nxjerrë rregulloren për pranimin dhe trajtimin e sinjalizimit.

Mungesa e rregullores mund të jetë arsye për numrin e vogël të sinjalizimeve të pranuara deri më tani.

L.M.S. ka paraparë obligimin që secili institucion publik që ka më shumë se 15 të punësuar dhe punëdhënësi privat, i cili ka më shumë se pesëdhjetë (50) të punësuar janë të obliguar të caktojnë zyrtarin përgjegjës.

Punëdhënësi është i obliguar të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në lidhje me sinjalizimin, përfshirë mbrojtjen e dokumentacionit dhe provave lidhur me sinjalizimin nga zhdukja, fshehja, ndryshimi, falsifikimi dhe veprime të tjera, të cilat synojnë dëmtimin ose asgjësimin e tyre.

Punëdhënësi është i obliguar të mbrojë sinjalizuesin nga çdo veprim i dëmshëm dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të ndërprerë veprimin e dëmshëm si dhe të largojë çdo pasojë të një veprimi të dëmshëm.

Ligji ka paraparë që Qeveria, sipas propozimit të Ministrisë së Drejtësisë është e obliguar që me akt nënligjor përcakton procedurën për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit, ndërsa subjektet private janë obliguar që të përcaktojnë procedurën për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit me akt të brendshëm në pajtim me këtë ligj.

Kjo rregullore është nxjerrë me vonesë, meqenëse ligji ka paraparë që e njëjta të nxirrej deri me 2 korrik të vitit 2019, ndërsa është nxjerrë në vitin 2021.

Qëllimi i kësaj rregulloreje është përcaktimi i rregullave dhe procedurave për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit si dhe të drejtat dhe përgjegjësitë e zyrtarit përgjegjës, dhe ka zbatueshmëri për të gjithë personat në kontekst të marrëdhënies së punës si dhe për institucionet publike.

Rregullorja parasheh obligimet lidhur me përgjegjësitë e zyrtarit përgjegjës ku fillimisht përcakton se çdo institucion publik i cili ka më shumë se pesëmbëdhjetë (15) të punësuar duhet të caktojë zyrtarin përgjegjës për pranimin dhe trajtimin e raportimeve në interes publik.

Par.2 i nenit 4 të rregullores parasheh se ‘nëse institucioni ka një zyrtar të caktuar për etikë, politikat e luftimit të korrupsionit ose çështjet e ndërlidhura, i njëjti zyrtar mund të caktohet si zyrtar përgjegjës’.

Caktimi i Zyrtarit përgjegjës bëhet me vendim të punëdhënësit për një periudhë të pacaktuar.

Statistikat e përgjithshme lidhur me përmbushjen e këtij obligimi tregojnë se 188 punëdhënës kanë caktuar zyrtarin përgjegjës për sinjalizim.

“Zyrtarin përgjegjës për sinjalizim brenda afatit të paraparë ligjor e kanë caktuar 188 punëdhënës nga sektori publik”, thuhet në përgjigjen e AKK-së dhënë për KALLXO.com.

Sipas raporteve të AKK-së të dërguara si përgjigje për KALLXO.com për rastet e sinjalizimit, bëhet e ditur se në mars 2019, AKK i është drejtuar institucioneve publike me Kërkesën për caktimin e Zyrtarit Përgjegjës për Sinjalizim, bazuar në dispozitat ligjore të Ligjit nr. 06/L-085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

Si përgjigje ndaj kësaj kërkese, institucionet publike të cilat kanë më shumë se pesëmbëdhjetë (15) të punësuar kanë caktuar zyrtarët përgjegjës për sinjalizimin brenda institucioneve të tyre.

KALLXO.com përmes kërkesave për qasje në dokumente zyrtare ka kërkuar nga 11 institucione publike qasje në këto vendime.

Shumica e institucioneve të testuara gjatë këtij hulumtimi e kanë përmbushur obligimin për publikim të emrit të zyrtarit në faqen zyrtare të internetit. 

Obligimet e Agjensionit Kundër Korrupsion

Moszbatimi i obligimeve që dalin nga ana e LMS janë të parapa si kundërvajtje, të cilën procedurë obligohet Agjensioni Kundër Korrupsionit të e zbatojë.

LMS ka paraparë që ‘Agjensia Kundër Korrupsionit dhe Inspektorati i Punës, obligohen të fillojnë procedurat sipas ligjit për kundërvajtje ndaj punëdhënësve dhe zyrtarëve përgjegjës të cilët nuk i kane përmbushur obligimet sipas këtij ligji, jo më vone se gjashtë (6) muaj’.

LMS parasheh që gjykata kompetente shqipton gjobë prej pesëqind euro, deri në njëzetmijë euro për institucionin publik apo subjektin privat, si dhe autoritetin kompetent përkatës, në rast se në radhë të parë nuk e mbron sinjalizuesin, nëse nuk ndërmerr veprime pas raportimit të informacionit brenda afatit ligjor, si dhe për detyrimet e tjera që u takojnë sipas ligjit.

Sipas paragrafit 3 të nenit 27, kërkesa për fillimin e procedurës së kundërvajtjes paraqitet në Gjykatën kompetente nga Agjensia Kundër Korrupsionit për sektorin publik dhe Inspektorati i Punës për sektorin privat.

KALLXO.com ka dërguar pyetje të AKK për të kuptuar nëse nga ana e tyre është bërë inicimi i ndonjë procedure kundërvajtëse për shkak të mospërmbushjes së obligimeve nga ana e institucioneve publike.

AKK në përgjigjen e tyre kanë treguar se gjithsej janë përpiluar 23 kërkesa për fillim të procedurës kundërvajtëse.

“Gjatë vitit 2020, AKK ka paraqitur 23 Kërkesa për fillimin e procedurës së kundërvajtjes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti për Kundërvajtje, ndaj punëdhënësve të cilët nuk e kanë caktuar zyrtarin përgjegjës për sinjalizim brenda afatit të paraparë ligjor”, thuhet në përgjigjen e tyre. 

Rastet e evidentuara brenda periudhës së vitit 2019

Gjatë vitit 2019, AKK ka pranuar tre (3) informacione për sinjalizim të jashtëm, të cilat janë trajtuar brenda afateve të parapara ligjore.

Rasti I – Është refuzuar për shkak se duke qenë se informata është trajtuar në kuadër të sinjalizimit të brendshëm dhe është konstatuar konsumimi i veprave penale, atëherë institucioni i cili na ka përcjellë informatën në kuptim të dispozitës së nenit 16 paragrafi 9, të Ligjit nr.06/L085 për Mbrojtën e Sinjalizuesve është dashur të vë në dijeni organin kompetent në kuptim të kësaj dispozite.

Rasti II – Është refuzuar me arsyetimin se informata nuk përbën raportim për një kërcënim ose cenim të interesit publik që është i mbrojtur në kuptim të dispozitës së nenit 5 të Ligjit nr.06/L085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, në ndërlidhje me dispozitën e nenit 3 paragrafi 1 pika 1.1 dhe 1.2 të këtij ligji.

Rasti i III – Është refuzuar me arsyetimin se informata bazuar në dispozitën e nenit 16 të Ligjit nr.06/L-085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve fillimisht duhet të trajtohet brenda institucionit, përmes sinjalizimit të brendshëm, gjithashtu është vlerësuar se informata nuk përbën raportim për një kërcënim ose cenim të interesit publik që është i mbrojtur në kuptim të dispozitës së nenit 5 të Ligjit nr.06/L-085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, në ndërlidhje me dispozitën e nenit 3 paragrafi 1 pika 1.1 dhe 1.2 të këtij ligji.

Nga raporti i vitit 2019 i AKK-së kuptohet se ka pasur dy raste të pranuara për sinjalizim, dhe ato kanë qenë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (Rasti I – organi kompetent është vënë në dijeni, Rasti i II është në fazën e hetimit administrativ dhe rrjedhimisht janë brenda afatit ligjor).

Të dhënat nga raporti për vitin 2019 tregojnë se vetëm 14 institucione kanë dërguar raportet e tyre periodike pranë AKK.

Gjendja në vitin 2020 

Ndërsa të dhënat për vitin 2020 nga raporti i punës së AKK tregojnë rezultate tjera.

Fillimisht tregohet se Agjencia ka pranuar 5 informacione për sinjalizim të jashtëm, të cilat janë trajtuar brenda afateve të parapara ligjore.

Rasti I

Informata është refuzuar me arsyetimin se: – në pretendimin se si sinjalizues i brendshëm nuk është informuar për rezultatin e procedurës, AKK ka vërtetuar se për njërin informacion të sinjalizuar i njëjti është njoftuar, ndërsa për informacionin tjetër nuk është njoftuar lidhur me rezultatin, për arsye se është në procedurë të hetimit administrativ.

– në pretendimin se masat e ndërmarra ndaj tij kanë të bëjnë me sinjalizimin e brendshëm, AKK nuk ka arritur deri në një përfundim se ato janë ndërmarrë për shkak të sinjalizimeve të tij.

-lidhur me përmbajtjen e informacionit të sinjalizimit të brendshëm, të njëjtat sinjalizuesi i ka paraqitur në AKK, si informatë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, rast i cili është trajtuar në AKK, brenda afateve ligjore dhe kompetencave të AKK në procedurë të hetimeve paraprake.

Rasti i II, IV dhe V

Janë refuzuar me arsyetimin se informatat, bazuar në dispozitat të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, fillimisht duhet të trajtohen brenda institucionit, përmes sinjalizimit të brendshëm, ose drejtpërdrejtë në AKK, në situatat e parapara të sinjalizimit të jashtëm, ku në këto raste sinjalizuesi mund të bëjë sinjalizim të jashtëm pasi ka kryer sinjalizimin e brendshëm apo drejtpërdrejtë sinjalizim të jashtëm. 

Rasti-III – Rasti është mbyllur sepse informacioni nuk i përmbush kërkesat të cilat duhet t`i përmbajë një sinjalizim. Dokumentacioni nuk përmban të dhënat e personit që sinjalizon dhe personit kundër të cilit paraqitet sinjalizimi, kurrfarë pretendimi ose informate të kuptueshme, ashtu siç është përcaktuar me ligj.

Në vitin 2020 AKK ka pranuar 124 raporte nga ana e institucioneve publike për rastet e sinjalizimit.

Pranimi i raporteve për sinjalizim nga institucionet pas bashkimit të disa ministrive e dërgon numrin e përgjithshëm në 128.

Ndërsa nga subjektet private është evidentuar vetëm një raport- Turkiye Is Bankasi A.S. – Dega në Kosovë.  

Gjendja në institucione

Në hulumtimin e KALLXO janë testuar institucionet se kur ato e kanë përmbushur obligimin për ta caktuar zyrtarin përgjegjës.

Në komunën e Pejës është caktuar zyrtari përgjegjës për rastet e sinjalizimit. Caktimi i tij është bërë me 19 muaj vonesë, apo me 28 mars 2021. Në këtë komunë nuk ka pasur fushata sensibilizuese për ligjin, mirëpo njoftimi është publikuar në ueb-faqe.

Nga marsi e deri më sot në Pejë nuk ka pasur asnjë rast të sinjalizimit.

Ndërsa në komunën e Istogut është caktuar me kohe zyrtari përgjegjes. Atje zyrtari është caktuar më 22 mars 2019,, ndërsa nuk ka pasur asnjë rast të sinjalizimit deri me tani.

Istogu ka përdorur një metodë tjetër për dallim nga Peja për t`i njoftuar zyrtarët për ekzistimin e ligjit. Në këtë komunë punonjësit janë njoftuar me email për emërimin e zyrtarit përgjegjës për sinjalizim.

Komuna e Deçanit e cila ka qenë pjesë e këtij hulumtimi nuk ka dhënë asnjë detaj për nivelin e përmbushjes së legjislacionit.

Ministria e Shëndetësisë në përgjigjet e tyre për KALLXO.com, ka treguar se kjo ministri e ka bërë caktimin e zyrtarit përgjegjës për rastet e sinjalizimit.

Vendimi që mban datën 08.01.2019, evidenton emrin e Lulzim Uka, si zyrtar përgjegjës për sinjalizim në Ministrinë e Shëndetësisë. 

“Të gjithë udhëheqësit e MSh-së, me datë 25 mars 2019, përmes emailit janë njoftuar për caktimin e zyrtarit në këtë pozitë, ku nga të njëjtit është kërkuar të njoftojnë stafin e tyre dhe të shpërndajnë  Ligjin Nr. 06/L-085 Për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, të cilin e kanë pasur të bashkëngjitur”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për obligimin lidhur me njoftimin e zyrtarëve të Ministrisë.

Ndërsa kjo ministri përgjatë vitit 2021 ka pasur dy raste të sinjalizimit.

“Përgjatë këtij viti kanë qenë dy sinjalizime, për rastin e njëjtë, të cilat janë përcjellë sipas procedurave të parapara me Ligjin Për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, ku më pastaj edhe janë marr veprimet e nevojshme”,  thuhet në përgjigjen e tyre.

Përveç vendimit për caktimin e zyrtarit përgjegjës Ministria e Shëndetësisë nuk ka nxjerrë ndonjë akt tjetër. 

Pjesë e hulumtimit të KALLXO janë edhe ndërmarrjet publike

KOSTT në përgjigjen e tyre për KALLXO.com ka dhënë informata lidhur me përmbushjen e obligimeve që dalin nga legjislacioni për sinjalizim.

Zyrtari/ja për sinjalizim është caktuar dhe të dhënat e tij janë publikuar ne faqen zyrtare të KOSTT.

Vendimi që i është dërguar KALLXO.com përmban datën e vendimit dhe detyrat e përgjegjësitë e zyrtares për sinjalizim. 

Paraprakisht më 21 mars 2019 ka qenë i emëruar Labinot Gashi si zyrtar për sinjalizim, ndërsa pasi i njëjti ka kaluar në një punë tjetër, është bërë emërimi i zyrtares Kimete Fazliu, e cila sipas vendimit është emëruar si zyrtare për sinjalizim më 18 tetor të vitit 2021.

Stafi i KOSTT është njoftuar përmes emailit për rastet që obligohen t`i raportojnë si dhe me të drejtat e tyre.

Në përgjigjen e zyrtares për sinjalizim për KALLXO.com kuptohet se e njëjta zyrtare është në proces të hartimit të një udhëzuesi për njoftim të punëtorëve lidhur me procedurat e paraqitjes së rasteve. 

“Tani jam në proces të hartimit të një udhëzuesi për njoftim të punëtorëve lidhur me procedurat e paraqitjes së rasteve sinjalizuese konform kërkesave të ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe rregullores për përcaktimin e procedurës për pranim dhe trajtim të rasteve të sinjalizimit”, thuhet në përgjigjen e KOSTT. 

Posta e Kosovës

Posta në përgjigjen e tyre dhënë për KALLXO kanë bërë me dije se më  datë 19.03.2019, kanë caktuar zyrtarin përgjegjës për trajtimin e rasteve të sinjalizimit, por që për momentin janë në proces të zëvendësimit të zyrtarit në fjalë.

Kjo pasi sipas tyre zyrtari i caktuar për trajtimin e sinjalizuesve ka kërkuar të zëvendësohet me ndonjë zyrtar tjetër me përgatitje adekuate arsimore.

Posta e Kosovës nuk ka përmbushur obligimin për njoftim të punëtorëve të saj për procedurën e sinjalizimit.

“Lidhur me informimin me shkrim të punonjësve për udhëzime dhe procedura të sinjalizimit, nuk posedojmë informacion për praktika paraprake. Me rastin e emërimit të zyrtarit të ri përgjegjës për pranim dhe trajtim të sinjalizimit, punonjësit do të njoftohet për procedurat sipas Ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve Nr.06/L 085”, thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

Ndërsa lidhur me rastet e raportuara të sinjalizimit, posta thotë se nuk kanë raste të tilla duke evidentuar një përjashtim të datës 28 janar të këtij viti, ku siç përshkruhet gjatë një seance dëgjimore të Komisionit Disiplinor, një nga punëtorët që është intervistuar ka dhënë deklaratë se i njëjti posedon argumente për një punëtor që ka marrë mjete financiare nga kolegët përmes shantazhit dhe presionit.

Për këtë rast Posta e ka përcjellë informacionin për trajtim te institucioni përkatës duke mos evidentuar saktë se cilit institucion i janë drejtuar.

Për gjitha këto të dhëna Posta e Kosovës nuk ka dërguar dëshmi që vërtetojnë të njëjtat, thjeshtë janë dhënë përgjigje me shkrim në pyetjet e drejtuara. 

Telekomi i Kosovës  Telekomi i Kosovës në përgjigjen për qasje në dokumente publike ka treguar për obligimet që dalin nga LMS dhe përmbushjen e tyre.

Telekomi është vonuar në caktimin e zyrtarit përgjegjes diku rreth 3 muaj.

“Po, ish – kryeshefi ekzekutiv, Bedri Istrefi, përmes një vendimi, të dt 28.10.2019, në kuadër të autorizimeve të veta, zyrtarit Latif Lahu, i kishte caktuar detyra shtesë për mbrojtjen e sinjalizuesve”, thuhet në përgjigjen e tyre. 

Ndërsa bëjnë me dije se i kanë informuar punëtoret për procedurën e sinjalizimit.

“Po, më 28 10. 2019, përmes një email, i cili u ka shkuar të gjithë të punësuarve në email adresat e tyre, ata janë njoftuar lidhur me caktimin e z. Lahu në pozitën e zyrtarit përgjegjës për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe lidhur me të drejtat dhe përgjegjësitë e këtij zyrtari janë ftuar t’i referohen ligjit nr 06/L-085”, thuhet për këtë çështje.

Ndërsa thonë se nuk kanë pas ndonjë rast të sinjalizimit.  

KEK 

Ndërmarrja Publike KEK, nuk e ka caktuar me kohë zyrtarin përgjegjës, duke mos përmbushur kështu obligimin që del nga Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

Zyrtari përgjegjës është caktuar më 12 qershor të vitit 2021, duke mos respektuar kështu afatet që i parasheh ligji lidhur me këtë procedurë.

Të dhënat e zyrtarit përgjegjës janë publikuar në faqen zyrtare të KEK, ndërsa në anën tjetër KEK thotë se janë njoftuar edhe punëtorët përmes emailit për caktimin e tij.

“Për më tepër, përmes këtij njoftimi, KEK ka siguruar punëtorët se të gjitha sinjalizimet e dërguara do të mbesin konfidenciale, ashtu siç është paraparë edhe në Ligjin nr. 06/L-085 dhe Rregulloren nr. 03/2021, duke i inkurajuar që të bashkëpunojnë me Zyrtarin përgjegjës për sinjalizim. (këtij njoftimi i janë bashkëngjitur edhe Ligjin nr. 06/L-085 – PËR MBROJTJEN E SINJALIZUESVE, Rregulloren nr. 03/2021 për përcaktimin e procedurës për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit, si dhe shtojcën nr. 1: Formular për raportim në interes publik të Rregullores nr. 03/2021)”, thuhet në përgjigjen e tyre.

KEK ka disa raste të raportuara të sinjalizimit, për këto raste thuhet se janë zhvilluar takime me zyrtarit përgjegjës, zyrën ligjore, sekretariatin e korporatës, zyrës së auditimit të brendshëm dhe asaj ekzekutive për përputhshmëri institucionale dhe organizative. 

KRU Prishtina 

KRU Prishtina në përgjigjet e tyre për KALLXO.com ka treguar se ka caktuar zyrtarin përgjegjës për rastet e sinjalizimit. 

Vendimi mban datën 17.04.2019.

“Po ashtu të gjithë të punësuarit janë informuar mbi procedurat dhe mënyrën e përcjelljes se informatës brenda institucionit, mbi rregulloren nr.03.2021 ku thotë: “Përcaktohen procedurat për pranim dhe Trajtimin e Rasteve të Sinjalizimit, të cilin mund ta gjeni në linkun në vijim”, thuhet tutje lidhur me obligimet e përmbushura nga ana e tyre.

Ndërsa thuhet se nuk ka ende ndonjë rast të sinjalizimit deri në këtë kohë. 

Prokuroria e Shtetit 

Zyra e Prokurorit të Shtetit nuk ka kthyer përgjigje me shkrim në pyetjet e drejtuara nga KALLXO.com lidhur me rastet e sinjalizimit.

Por në një përgjigje përmes telefonit, është bërë më dije se është caktuar zyrtari përgjegjës i cili është prokurori Besim Kelmendi. 

Kelmendi tha se në Prokurorinë e shtetit nuk ka ndonjë rast të sinjalizimit. 

Përpos rasteve të sipërshënuara KALLXO.com ka dërguar kërkesë për qasje në informacion në Administratën Tatimore të Kosovës si dhe të Avokati i Popullit por që nuk ka pranuar përgjigje.