Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj - Foto: KALLXO.com

Performanca e Policisë në mandatin e Rashit Qalajt

Gushtin e vitit 2018, Qeveria e Kosovës kishte emëruar drejtorin e ri të Policisë së Kosovës.

Rashit Qalaj ishte vënë në krye të policisë pas shkarkimit nga detyra të ish-drejtorit Shpend Maxhuni.

Një muaj pas emërimit si drejtor i Policisë së Kosovës, më saktësisht më 29 shtator të vitit 2018 deri sa po protestohej në Prishtinë nga Lëvizja Vetëvendosje kundër ideve të atëhershme të presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve, Qalaj së bashku me Maxhunin kishin shoqëruar presidentin Thaçi në një vizitë në liqenin e Ujmanit.

Kjo vizitë, madje edhe vendosja e forcave policore në veri të Kosovës, kishte shkaktuar atë kohë reagime nga ana e Serbisë.

Kush e shoqëroi Thaçin në Ujman?

Reagime të shumta në Kosovë kishte nxitur edhe vizita e paparalajmëruar e presidentit Hashim Thaçi në liqenin e “Ujmanit” në veri të vendit.

Me marrjen e pozitës së re, Qalaj kishte arritur që të ndërmerrte disa vendime, të bënte emërime dhe shkarkime të reja në Policinë e Kosovës.

Në atë kohë, Afrim Ahmeti kishte marrë pozitën e Qalajt të cilën e kishte para se të bëhej drejtor i Policisë. Ahmeti ishte emëruar si shef i Departamentit për Operacione.

Emin Beqiri ishte emëruar si drejtor Rajonal në Ferizaj, Rexhep Sijarina nga pozita e drejtorit Rajonal të Prishtinës ishte transferuar në Departamentin Kufitar në Han të Elezit ndërsa ish-drejtori i Krimeve të Organizuara Agron Nezaj është transferuar në Njësi Speciale.

Drejtori i Njësisë Speciale  të Policisë bëhet Drejtor i Rajonit të Ferizajt

Që nga koha kur kishte marrë mandatin për të drejtuar Policinë e Kosovës e deri më sot kur u bë edhe shkarkimi i Qalajt, janë arrestuar dhjetëra zyrtarë policor.

Mbi 20 policë janë arrestuar në aksionet të cilat kanë ndodhur në veri të Kosovës, vitin e kaluar dhe në aksionin e fundit, atij në Karaçevë.

Në dy aksionet të cilat cilësohen si dy aksione të mëdha që kanë ndodhur gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, zyrtarët policor dyshohen për kontrabandë, marrje ryshfeti, keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gjatë kohës sa Qalaj ka qenë në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, janë arrestuar edhe policë të cilët janë përfshirë në dhunë në familje, për përdorim të dhunës ndaj qytetarëve të Kosovës e vepra të tjera penale.

Madje në kohën e Qalajt ishte konfirmuar nga vetë ai se zyrtarët policor janë të rrezikuar të përdorin veturat e policisë për shkak të vjetërsisë së tyre.

Konfirmon drejtori: Veturat e policisë nuk janë të sigurta për vozitje

 

Në mandatin e Qalajt, një polic është dënuar edhe për vrasje, ngjarje e cila ndodhi në mars të vitit të kaluar.

Arrestimi i policit nga Suhareka dhe atij nga Drenasi, flet drejtori Rashit Qalaj

Madje një zyrtar policor nga Drenasi ende është në procedurë gjyqësore. I njëjti po dyshohet për abuzim seksual me një të mitur.

Arrestimi i policit nga Suhareka dhe atij nga Drenasi, flet drejtori Rashit Qalaj

Madje në kohën e Qalajt, dy zyrtarë policor janë vrarë deri sa ishin në krye të detyrës.

Zyrtari Policor, Izet Demaj u vra deri sa po intervenonte në një grabitje e cila ishte duke ndodhur në Komunën e Istogut, ndërsa Sami Thaqi u vra në janar të këtij viti pas një shpërthimi që ndodhi në një shtëpi në Zhur të Komunës së Prizrenit. Thaqi kishte vdekur si pasojë e lëndimeve që kishte marrë gjatë shpërthimit ndërsa në po të njëjtin rast një polic tjetër Artur Mrasori, kishte pësuar djegie në fytyrë, ndërsa kishte shkuar për tretman në Turqi, e është kthyer disa javë më parë në Kosovë.

Polici pëson djegie në fytyrë gjatë operacionit në Zhur

Në kohën kur Qalaj, drejtonte Policinë e Kosovës, u bën arrestime edhe të hetuesve të policisë të Departamentit të Krimeve Ekonomike.

Raportet vjetore të Policisë së Kosovës dhe hetimit nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës:

Në janar të këtij viti, Policia e Kosovës kishte bërë publikimin e raportit vjetor për vitin 2019.

Në raportin e publikuar nga Policia e Kosovës, janë prezantuar të arriturat, aktivitetet dhe statistikat për vitin 2019.

Tek të arriturat e Policisë së Kosovës në sigurinë publike, janë prezantuar statistika për personat e arrestuar gjatë vitit 2019, konfiskime të armëve, dhe menaxhimin e protestave dhe tubimeve publike.

Por, 335 protestat, tubimet dhe aktivitete publike të cilat sipas Policisë janë menaxhuar me sukses ishin ilustruar me fotografi të para disa viteve.

Policia e Kosovës protestat të cilët i ka menaxhuar gjatë vitit 2019, i kishte ilustruar me fotografi të protestave të dhunshme të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat kanë ndodhur para disa viteve. Kujtojmë se gjatë vitit 2019 nuk kishte pasur asnjë protestë të dhunshme nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, sikurse në fotografitë e publikuara në raportin e Policisë së Kosovës.

Në promovimin e raportit vjetor të Policisë së Kosovës, drejtuesit e PK-së kishin treguar për veprimet që kishin ndërmarrë gjatë vitit 2019.

Sipas raportit, në vitin 2019 ka pasur ulje të numrit të rasteve të iniciuara në Policinë e Kosovës, si dhe ulje të veprave penale e gjithashtu edhe ngritje të numrit të kundërvajtjeve duke i krahasur të dhënat me vitin 2018.

Gjithmonë sipas raportit të fundit vjetor të Policisë së Kosovës atij të vitit 2019, thuhet se duke i bërë krahasimet me vitin 2018, ka pasur rënie edhe të numrit të vrasjeve, të lëndimeve të rënda trupore, të vjedhjeve, të grabitjeve ndërsa në lidhje me rastet e dhunës në familje, sipas raportit të vitit 2019 ka pasur ngritje të rasteve të raportuara.

Në vitin 2019 Policia ka thënë se ka arrestuar 13 mijë e 782 persona të dyshuar për aktivitete kriminale, 1 mijë e 439 armë të konfiskuara dhe 30 mijë e 438 municion të konfiskuar.

Gjithmonë sipas raportit vjetor të vitit 2019, të Policisë së Kosovës, thuhet se sa i takon aksidenteve duke bërë krahasimet me vitin 2018 ka pasur ngritje të rasteve të aksidenteve në pëegjithësi, por ka pasur ulje të personave të vdekur në aksidente si dhe ngritje në tiketat e shqiptuara në trafik.

Në vitin 2019 sipas Policisë së Kosovës janë hartuar 42 urdhëra operativ. Sa i takon Departamentit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, sipas raportit vjetor të vitit të kaluar thuhet se janë hetuar 2 mijë e 564 raste të dyshuara, të zhvillohen 1 mijë e 156 operacion policore, janë arrestuar 2 mijë e 233 persona të dyshuar, janë konfiskuar 824 kilogram e 230 gram marihuanë, 7 kilogram e 718 gram heroinë si dhe 1 kilogram e 581 gram kokainë.

Në raportin vjetor të Inspektoratit Policor të Kosovës, thuhet se gjatë vitit 2019 janë hetuar 377 zyrtarë policor, janë arrestuar 41 zyrtarë policor, kanë rekomanduar transferimin e tetë zyrtarëve policor si dhe kanë rëkomanduar suspendimin e 70 policve.

Në vitin 2018 IPK kishte hetuar 198 zyrtarë policor për vepra të ndryshme penale.

Gjithashtu në raportin e IPK-së për vitin e kaluar thuhet se nga gjithsej 645 raste të iniciuara, 220 raste janë dërguar në Drejtorinë e Standarteve Profesionale për hetim të mëtejmë disiplinor, 244 raste ishin regjistruar si raste personale ndërsa 181 raste kishin qenë në proces të hetimit dhe janë bartur për vitin 2020.

Duke analizuar arrestimet dhe suspendimet ndër vite sipas raportit të IPK-së del se numri i arrestimeve të zyrtarëve policor në vitin 2018, ishte 12 ndërsa në vitin 2019, 41 arrestime. Në vitin 2018 IPK kishte rekomanduar suspendimin e 49 zyrtarëve policor ndërsa në vitin 2020 suspendimin e 70 zyrtarëve policor.

Zyrtarët policor që janë hetuar nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës në vitin 2019 kanë qenë për mashtrim, keqpërdorim të pozitës zyrtare, lëndim të lehtë trupor, rrezikim të trafikut publik si dhe për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Në vitin e kaluar, janë hetuar nga IPK dy Kolonelë, 6 Nënkolonelë, 5 Majorë, 12 Kapitenë, 13 Togera, 57 Rreshterë, 268 zyrtarë policor, 1 zyrtar policor të ri si dhe 13 shërbyes civil.

Duke bërë krahasimin mes vitit 2018 dhe 2019, del se sipas raportit të IPK-së në vitin 2019 ka pasur ngritje të hetimit në të gjitha gradat në Policinë e Kosovës.

Detyrat e Rashit Qalajt në Policinë e Kosovës ndër vite:

Qalaj në maj të vitit 2000 kishte filluar trajnimin bazik në Akademinë Policore në Vushtrri. Më 17 qershor kishte filluar punën në Stacionin Policor të Lipjanit ndërsa dy vite më vonë më 30 maj 2002 ishte graduar në gradën rreshter. Një vit më vonë ishte graduar në gradën toger ndërsa dy vite më pas ishte bërë kapiten. Në mars të vitit 2005, Qalaj ishte komandant i stacionit në Ferizaj, ndërsa në maj të po të njëjtit vit kishte arritur të emërohej shef i Operativës Rajonale në Ferizaj.

Në janar të vitit 2006, Qalaj ishte graduar në gradën e Majorit. Dy vite më pas Qalaj ishte emëruar si U.D i Zëvendësdrejtorit Rajonal për Operativë në Ferizaj ndërsa në vitin 2009 ishte emëruar si Zëvendësdrejtor Rajonal për Operativë në Ferizaj.

Një vit më vonë ishte emëruar si U. D. Drejtor Rajonal në Ferizaj ndërsa në vitin 2011 ishte emëruar si U.D i Drejtorit Rajonal në Prishtinë për të marrë pozitën e drejtorit të Prishtinës në qershor të vitit 2012.

Në mars të vitit 2013, Qalaj ishte emëruar Drejtor i Departamentit për Operacione në Prishtinë ndërsa në vitin 2018 është emëruar si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës deri më sot.