Ilustrim. Foto: Colin/Wikimedia Commons

Përdorimi i pambikëqyrur i gjuhës seksiste në media

Në 20 nga 600 lajmet që u analizuan në gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar nga Instituti “Demokraci për Zhvillim” (D4D), u gjet përmbajtje me gjuhë seksiste, gjuhë me të cilën jo rrallëherë  bie që të përballemi, por që një monitorim i tillë nuk bëhet as nga organet mbikëqyrëse/rregulluese e as nga ato vetërregulluese të mediave të cilitdo lloj në Kosovë.

Ky Institut në periudhën janar – qershor të vitit të kaluar ka monitoruar përdorimin e diskursit në rrjete sociale, ku lajmet që u analizuan ishin me arritshmërinë potenciale më të lartë te lexuesit.

Përderisa, nga përgjigjet e organeve për rregullim të mediave që janë dhënë për KALLXO.com është treguar se përgjatë vitit të kaluar dhe këtij viti janë pranuar vetëm dy ankesa që lidhen me gjuhë seksiste të përdorur në media.

Këto organe edhe vet e pranojnë që kanë mungesë të kapaciteteve për të monitoruar përdorimin e kësaj gjuhe, ndonëse janë të hapur për bashkëpunim që të bëhet monitorimi i nevojshëm që do të rezultonte në vetëdijesim të mospërdorimit të gjuhës seksiste.

Vetëm dy ankesa për gjuhë seksiste në më shumë se 14 muaj

Për afër 15 muaj në dy në organet që përkujdesen për atë se çfarë i servohet publikut për të lexuar, dëgjuar e për të parë janë pranuar vetëm dy ankesa për gjuhë seksiste të përdorur në media.

Organi kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Kosovë, Komisioni i Pavarur i Mediave ka treguar për KALLXO.com se gjatë këtij vitit kanë pranuar një ankesë që lidhet me gjuhë seksiste.

Arsim Dreshaj, nga KPM tregon se ky institucion në bazë të kapaciteteve njerëzore aktuale në monitorimin e mediave, nuk mund t’i monitorojë të gjitha mediat njëkohësisht, por në bazë të planit vjetor fokusohet në çështje të caktuara sa i përket monitorimit ex-officio sipas prioriteteve dhe duke vlerësuar probabilitetin e shkeljeve të mundshme.

Ai ka thënë se gjatë viteve 2021 dhe 2022 nuk kanë pranuar ndonjë ankesë lidhur me gjuhën seksiste në media, ndërsa në vitin aktual është pranuar vetëm një ankesë.

“Gjatë vitit 2023 e kemi pranuar një ankesë lidhur edhe me pretendime për gjuhë seksiste në’ reality shou’ dhe jemi duke e trajtuar” – tregon Dreshaj.

Komisioni i Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili funksionin si organ vetërregullues, asnjëherë deri më sot nuk kanë bërë monitorim të mediave për gjuhën e përdorur, përfshirë gjuhën seksiste.

“Është thjesht mungesë kapacitetesh e organizatës dhe mungesë projektesh që do ta adresonin një çështje të tillë” – është thënë nga KMSHK për KALLXO.com.

Statistikat që KMSHK ka ndarë me KALLXO.com tregojnë se brenda një viti e dy muaj komisioni i mediave të shkruara ka pranuar vetëm një ankesë për gjuhë seksiste.

“Ankesat e tilla nuk janë të shpeshta. Madje, gjatë vitit 2022 nuk janë pranuar ankesa të tilla” – thuhet në përgjigjet e Këshillit teksa shtohet se përgjatë dy muajve të parë të këtij viti është pranuar një ankesë që lidhet me përdorimin të gjuhës seksiste.

“Kjo ankesë do të adresohet në mbledhjen e radhës të KMSHK-së dhe do të trajtohen si çdo rast apo ankesë tjetër që adresohet në Komision, pra bazuar në Kodin Etik” – është thënë në përgjigjet që janë dhënë nga komisioni.

Që të dyja organet kanë Kodet e tyre të Etikës, në bazë të të cilave trajtohen ankesat e cilësdo palë që u drejtohet këtyre dy trupave, KMSHK dhe KPM.

Dreshaj tregon se në bazë të Kodit të Etikës, parashihen dispozitat ligjore që ndërlidhen me temën e gjuhës seksiste në rastet kur trajtojnë një çështje të tillë në KPM.

Ai ka thënë se këtu përfshihet edhe gjuha vulgare dhe ofenduese, shprehjet gjuhësore denigruese, të pafavorshme, përqeshjet apo talljen në baza gjinore, gjuha e urrejtjes, format e diskriminimit dhe jo tolerancës në baza gjinore, si dhe referencat në përkatësinë e ndryshme individuale.

Dreshaj tregon se kurdoherë që pranohet ndonjë ankesë që ka të bëjë me shkelje të Kodit të Etikës, përfshirë edhe gjuhën seksiste në mediat nën juridiksionin e KPM-së, këto ankesa analizohen me seriozitetin më të lartë.

Ky i fundit ka shpjeguar se procedura e trajtimit të rasteve në KPM vijon ashtu që në çdo rast kur media gjendet në shkelje, KPM inicion procedurë ligjore.

Ai ka thënë se fillimisht i dërgohet medias njoftimi për shkelje dhe kërkesën për sqarim si dhe për t`u kthyer në pajtueshmëri me legjislacionin.

“Shumica e rasteve përfundojnë me fazën e parë, sepse mediat veprojnë në pajtim me obligimet ligjore dhe rastet mbyllen” – ka thënë ai.

Mirëpo, në rast se media vazhdon të kryejë shkelje edhe pas njoftimin të KPM-së, vazhdohet rasti ligjor, ku shkohet me rekomandim për masa sanksionuese, përfshirë këtu vërejtje ose gjobë varësisht prej rastit.

Nga Dreshaj është treguar se gjatë këtij viti gjithashtu është realizuar edhe monitorimi i përmbajtjes programore në ‘Reality shou Big Brother në Kosovë’.

Në fokus të këtij monitorimi është thënë se ka qenë pajtueshmëria me Kodin e Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës dhe Rregulloren për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio-vizuele.

Dreshaj ka shpjeguar se në këtë monitorim me theks të veçantë, ka qenë përdorimi i gjuhës vulgare dhe ofenduese, nxitja e urrejtjes, kufizimet dhe obligimet e përgjithshme lidhur me mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve nga përmbajtje e dëmshme programore, kategorizimi i programeve, si dhe koha e transmetimit.

“Gjetjet e monitorimit tregojnë se subjekti është gjendur në shkelje sa i përket gjuhës vulgare dhe ofenduese” – tregoi Dreshaj, duke shtuar se lidhur me gjetjet, janë përcjell shkresa tri OSHMA-ve që ishin objekt i monitorimit, duke ua tërhequr vëmendjen për shkeljet e bëra dhe duke i udhëzuar të shmangin apo parandalojnë transmetimin e përmbajtjeve të tilla programore.

Tutje është thënë se KPM ka resurse të mjaftueshme për të trajtuar çdo ankesë që vie në KPM për gjuhën dhe mirëpret dërgimin e tyre.

Kush po përballet me gjuhë seksiste në media?

Transmetimi i aktiviteteve apo edhe vet pjesëmarrja e aktivistëve feminist në vend shpeshherë është sulmuar nga komentues të ndryshëm, e që armë e këtyre të fundit në disa raste ka qenë edhe gjuha seksiste.

Këta aktivistë kanë ndarë me KALLXO.com përvojat e tyre që kanë pasur me komentues të tillë.

“Mos fol për këtë temë, ose atë temë.. merru me punët e tua” – janë disa prej sulmeve që Zana Avidu thotë se i ka marr gjatë kohës sa ka qenë duke diskutuar për ndonjë temë.

Avdiu thotë se edhe ajo, sikurse çdo grua tjetër është përballur me gjuhë seksiste, e cila thotë se bëhet më shumë në mediat sociale.

“Aty nuk kursehesh në asnjë formë nga sulmet verbale, seksiste madje edhe kërcënime. E këto sulme janë të lidhura direkt me gjininë” – shprehet ajo teksa tregon se në mediat e shkruara është përballur me shumë me gjuhën seksiste.

E njëjta tregon se nga gjuha e tillë nuk është kursyer as gjatë transmetimeve të ndryshme në televizione.

“Në një a dy raste kur i kam pas në TV, sigurisht që i jam kundërpërgjigjur ashpër. Por, në media sociale nuk iu përgjigjem në të shumtën e rasteve” – shprehet ajo.

Sa i përket denoncimeve, ajo tregon se këtë lloj gjuhe nuk ka as ku ta denoncoj.

“Gjuhën seksiste nuk ke edhe ku e denoncon. Sidomos kur është kështu në masë të madhe. Ndërsa kërcënimet i kam raportuar të gjitha në Polici” – shprehet ajo teksa thotë se mendon se kjo lloj gjuhe në media sociale është tejet e shprehur.

Ajo tregon se një lloj gjuhe tillë shpeshherë përdoret edhe që të nxiten sa më shumë reagime dhe interesim të publikut.

Është edhe Denis Krasniqi njëri nga aktivistët që tregon se është përballur me gjuhë të tillë, të cilën thotë se e ka pranuar përmes rrjeteve sociale.

“Peder, bulash” – janë disa nga komentet që ai tregon se ka marr, e madje Krasniqi shprehet se në disa raste e kanë thirrur edhe me emër të organeve gjenitale të gjinisë së kundërt.

Krasniqi tregon se karshi këtyre komentuesve, reagimi i tij, siç shprehet vet ai ka qenë “injorim total”, madje ai tregon se këto raste as nuk e ka marr mundin që t`i raportoj në ndonjë organ apo institucion.

“Nëse do e kuantifikoja mendimin tim, 75 deri në 80 për qind është e shprehur kjo gjuhë” – është përgjigjur Krasniqi duke thënë se mediat në Kosovë, sipas tij, deri më tash kanë kontribuar në rritjen e përdorimit të gjuhës seksiste.

Mirëpo, Krasniqi tregon se kohëve të fundit ka parë se media kanë filluar që ta luftoj përdorimin e gjuhës seksiste.

Edhe aktivistja Neri Ferizi është përballur me komente me gjuhë të tillë. Ajo tregon për KALLXO.com se e ka të pamundur që t’i numëroj rastet kur është ballafaquar me gjuhë të tillë.

Ferizi thotë se komente që përmbajnë në vete gjuhë të tillë bëhen në hapësira private e publike, e sipas saj kjo gjuhë është normale në vendin tonë.

“Kjo gjuhë është normale në vendin tonë dhe po ushqehet edhe nga disa programe së fundmi në disa televizione tona, fatkeqësisht” – shprehet aktivistja.

“Unë vazhdoj të përballem, jo vetëm unë por çdo grua qoftë në hapësirë private ashtu edhe publike” – thotë Ferizi gjersa tregon se sa herë që ka ndonjë diskutim me ndonjë person rreth pozitës së gruas në shoqëri përballet me gjuhë seksiste.

Në raste të tilla ajo tregon se jo domosdoshmërish sulmohet personalisht ajo, por thotë se prapë ndjehet e sulmuar kur bëhet fjalë për subjektin e gruas.

Ferizi kishte rënë në prangat e Policisë së Kosovës gjatë një proteste që ishte bërë në dhjetor të 2022-ës pas vrasjes së një gruaje shtatzënë nga bashkëshorti i saj.

Në mediat e vendit tonë, pa dallim, ishte transmetuar lajmi për arrestimin e saj, e Ferizi thotë se në këtë rast nuk i ka lexuar as komentet që janë bërë ndaj saj duke e treguar edhe arsyen pse e ka bërë një veprim të tillë.

“Të them të drejtën duke e dit mendësinë në vendin tim, nuk jam marr fare me komentet që janë thënë për mua, pasi që jam e njoftuar për gjuhën e përdorur ndaj grave e sidomos në një rast të tillë kur unë tentoj ta shpërfaqë revoltën e grave” – shprehet ajo.

Tutje ajo thotë se që po të shihen komentet që mendon se janë bërë në rastin e saj, do të këtë komente që thonë se ajo ka qenë “seksualisht e frustruar” ose që është  e paguar ta bëjë ndonjë akt simbolik, apo që është duke e ndjekur ndonjë agjendë kushedi se çfarë.

“Më fascinon kjo imagjinata konspirative e burrave kur bëhet fjalë për aktivistet feministe” – shprehet Ferizi.

Ajo tregon se në rastin e arrestimit të saj nuk ka parë nëse në ndonjë media ka përdorur gjuhë seksiste ndaj saj, madje ajo thotë se ndjehet shumë falënderuese për përkrahjen e mediave dhe të shumë gazetarëve të cilët kanë bërë thirrje për lirimin e saj.

Mosdhënia e hapësirës mediatike, zgjidhje për mospërdorim të gjuhës seksiste?

Hapësira mediatike që u jepet disa personave shpeshherë edhe keqpërdoret, përderisa mundësitë që ka ofruar teknologjia bëjnë që përdorimi i kësaj gjuhe të jetë mjaft i lehtë.

Me këtë gjuhë kemi parë që është përballur edhe vet presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kur një profesor i Universitetit të Prishtinës, në rrjetin e tij social Facebook, kishte përdorur gjuhë të papërshtatshme ndaj figurës së gruas.

Mirëpo, Osmani është vetëm një në shumë të tjerë apo tjera që ndeshën me këtë gjuhë.

Përdorimi i gjuhës seksiste në media apo kudo tjetër ndikon mjaftueshëm edhe në aspektin emocional e psiqik të njeriut.

Sipas sociologes, Flakë Ymeri edhe shoqëria e vendit tonë përdor këtë lloj gjuhe, e që sipas saj njerëzit që atakohen nga kjo gjuhë është mëse normale që të lëndohen e të kenë ndjeshmëri ndaj saj.

Ymeri tregon se reagimi ndaj gjuhës seksiste më së miri është që të bëhet përmes vetëdijesimit, e që kjo sipas sociologes mund të arrihet nga mosdhënia e hapësirës mediatike të personave që përdorin në mënyrë tendencioze gjuhën seksiste.

Ajo tregon se në momentin kur përballen me këtë gjuhë duhet të vlerësojnë se sa është e rëndësishme t`i kushtojnë vëmendje kësaj gjuhe dhe këtyre njerëzve që përdorin atë.

“Cili mund të jetë kapaciteti i këtyre personave që përdorin këtë gjuhë vetëm se i është dhënë koha mediatike, apo vërtetë ka potencialin ta përçoj një mesazh” – thotë Ymeri.

E në anën tjetër, sipas aktivistes Zana Avdiu, gjuha seksiste është e drejtuar ndaj të gjitha grave që janë të përfshira në jetën publike.

“Gjuha seksiste i drejtohet grave që janë në politikë, shoubiz, apo edhe gazetaret e kudo” – shprehet ajo.

Për monitorimin e kësaj gjuhe, Avdiu thotë se KPM e KMSHK edhe nëse nuk kanë kapacitete të mjaftueshme, duhet t`i krijojnë ato kapacitete, pasi sipas saj gjuha e tillë e përdorur ndikon në eliminimin e grave nga sfera publike.

Për të bërë një ankesë në Komisionin e Pavarur të Mediave mund të klikoni KËTU, ta shkarkoni aplikacionin për ankesë, ta mbushni dhe dorëzoni atë.

Ndërsa, për të bërë ankesë në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës mund të klikoni KËTU, ku duhet t’i ndiqni udhëzimet e kërkuara për paraqitjen e ankesës në tri forma të ndryshme, me shkrim, përmes postës së rregullt ose postës elektronike.

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Bashkimit Evropian.