Përdorimi i dygjuhësisë në Prokurorinë e Mitrovicës

Në sistemin e drejtësisë në Kosovë vlen parimi i përdorimit të dygjuhësisë mirëpo me gjithë rëndësinë dhe obligimin kushtetues e ligjor për zbatimin e kësaj të drejte, ende ka problem në zbatimin e saj për shkak të mungesës së përkthyesve. Aktualisht, sistemi gjyqësor i Kosovës ka vetëm 60 përkthyes.

Mungesën e përkthyesve sidomos në Komunën e Mitrovicës, e ka përmendur edhe sekretari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Shkelzen Maliqi.

“Numri aktual nuk është i mjaftueshëm, sidomos në regjionet në të cilat nevojat janë më të mëdha, po e përmendi për shembull regjioni i Mitrovicës, aktualisht i kemi 10 përkthyes por fatmirësisht projektet ndërkombëtare na kanë ndihmuar për angazhimin e përkohshëm të një numri të caktuar dhe është arritur që të përballohet fluksi i madh i rasteve dhe nevojave për përkthim. Gjilani ka nevojë për përkthyes, ka 4 përkthyes, ka me pas rritje, kemi kërkesa nga gjykatat ku ata kanë kërkuar”, ka deklaruar sekretari i KGjK-së, Shkelzen Maliqi.

Përveç me Kushtetutë të Kosovës, e drejta për përdorimin e gjuhës të cilën e kupton qytetari është e garantuar edhe me kKnventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si e drejta me e rëndësishme dhe më bazike.

Neni gjashtë i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut shpreh obligim për zbatimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës të cilën e kupton secili njeri, në mënyrë që të sigurohet një proces i rregullt dhe efikas për secilin person i cili është pjesë e një procedure gjyqësore por edhe proceseve tjera të cilat zhvillohen pranë institucioneve shtetërore.

Pra, përveç me Kushtetutë të Kosovës e drejta për përdorimin e gjuhës dhe atë duke u ndihmuar falas nga një përkthyes është e garantuar edhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Mospërdorimi i gjuhës të cilën e kupton personi gjatë zhvillimit të një procedure penale, mund të jetë arsye për prishjen e vendimeve të gjykatave dhe kthimit të rasteve në rigjykim. Sikurse në çdo institucion tjetër edhe në sistemin gjyqësor përdorimi i dygjuhësisë është një sfidë mjaft e madhe.

Përdorimi i dy gjuhëve, gjuhës shqipe dhe asaj serbe është i garantuar me Kushtetutë dhe me ligje të Kosovës. Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës saktësisht neni 14, i emëruar si “Gjuhët dhe shkrimi”, thekson se në procedurën penale mund të përdoret gjuha shqipe dhe ajo serbe, përveç nëse parashihet ndryshe me ligj.

Të gjithë personat të cilët marrin pjesë në procedurën penale e të cilët nuk flasin gjuhën në të cilën zhvillohet procedura, kanë të drejtë të flasin gjuhën e vet dhe të jenë të informuar. Në Prokurorinë e Mitrovicës është më e theksuar se sa në prokuroritë tjera të Kosovës, për faktin se gjysma e prokurorëve janë shqiptarë e gjysma serbë, dhe në rast se personi nuk e kupton gjuhën e cila flitet nga ndjekësit e procedurës penale, ai person ka të drejtë në përkthim pa pagesë.

Këtu përfshihen faktet dhe provat e procedurës ndërsa përkthimi sigurohet nga një përkthyes i pavarur. Mirëpo pasi që njoftohen për të drejtën në përkthim, ata mund të heqin dorë nga kjo e drejtë nëse e dijnë gjuhën në të cilën zhvillohet procedura gjyqësore.

Por njoftimi për këtë të drejtë dhe deklarata e pjesëmarrësit shënohet në procesverbal. Ndërsa deklaratat, ankesat dhe parashtresat e tjera mund të dorëzohen në gjykatë në gjuhën shqipe ose serbe, përveç nëse parashihet ndryshe me ligj.

Kjo e drejtë iu sigurohet të gjithë personave të arrestuar, të pandehurve që mbahen në paraburgim dhe personave që vuajnë dënimin duhet siguruar përkthimin e thirrjeve gjyqësore, vendimeve dhe parashtresave në gjuhën të cilën ata e përdorin në procedurë.

Përpos institucioneve, nevojën e madhe për përkthyes e kanë potencuar edhe organizatat e shoqërisë civile. Lëvizja Fol, njëra prej organizatave që e mbikëqyrë sistemin e drejtësisë, nga monitorimi në faqet e gjykatave, ka arritur të konstatojë se problemi i dygjuhësisë ekziston edhe në publikimin e aktgjykimeve. Nga monitorimi i Lëvizjes FOL është konstatuar se vetëm 7% e aktgjykimeve të publikuara në ueb-faqet e gjykatave janë në gjuhën serbe.

Shtyrjet e shpeshta të seancave si pasojë e mungesës së përkthyesve e ka potencuar edhe avokatja nga Graçanica, Jovana Filipoviq.

“Në të gjitha procedurat në të cilat së paku njëra palë është me kombësi serbe ose nga cilido komunitet joshumicë, është e domosdoshme që seanca të mbahet në gjuhën amtare të palës ose nëse avokati i palës është pjesëtar i komunitetit joshumicë, në këtë rast i komunitetit serb, përkthyesi është i detyrueshëm. Mu për këto arsye shpesh ndodhin shtyrjet e seancave pasi gjykatat nuk kanë numër të mjaftueshëm të përkthyesve”, ka thënë avokatja Filipoviq.

“Problemi është se gjykata është e detyruar që në dorëzimin e parë të na dorëzojë të gjithat në gjuhën serbe, nëse ndonjë palë është me kombësi serbe. E në këtë humbet shumë kohë, pra derisa ne dërgojmë kërkesën në gjykatë, derisa gjykata të caktojë përkthimin mund të kalojnë disa muaj dhe pastaj vijmë te një mospërputhje dhe ndodhin zvarritjet në punë në këtë lëndë”, ka vazhduar ajo.

E drejta për gjuhë garantohet edhe për shtetasit e huaj por në këtë rast shtetasi i huaj që ndodhet në paraburgim mund t’i dorëzojë gjykatës parashtresat në gjuhën e tij, para, gjatë dhe pas shqyrtimit gjyqësor vetëm sipas kushteve të reciprocitetit.

Pra palët të cilat mund të jenë të përfshira në procedurat e iniciuara nga prokuroria duhet të jenë të informuara për të drejtën e tyre në gjuhë dhe shkrim që në fillim të procedurës. Kjo është më e shprehur në Prokurorinë e Mitrovicës, ku trajtohen lëndë në të cilat më shumë se në çdo qytet tjetër të Kosovës, përshihen palë të nacionalitetit shqiptar dhe serbë, e ku prokurorët mund të jenë shqiptarë apo serbë.

Përdorimi i dygjuhësisë në institucionet e drejtësisë është bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, të datës 19 prill 2013 (neni 10) strukturat paralele serbe të drejtësisë janë shpërbërë, ndërsa gjykatat dhe prokuroritë paralele kishin ndaluar funksionimin në fund të gushtit të vitit 2013.

Për vite të tëra me radhë, Prokuroria dhe Gjykata e Mitrovicës kishin funksionuar në një objekt në qytetin e Vushtrrisë, kurse pas nënshkrimi të Marrëveshjes së Brukselit kishte përfunduar funksionimi i strukturave paralele në pjesën veriore të vendit, ku ishte mundësuar bartja e funksionimit të gjykatës në objektin e mëparshëm në veri dhe një objekt të ri për Prokurorinë e Mitrovicës në Lagjen e Boshnjakëve.

Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim etnie mund të kryejnë shërbimet e tyre në Prokurorinë e Mitrovicës. Çdo person i cili nuk e kupton gjuhën serbe dhe anasjelltas mund të kryejë shërbimet në Prokurorinë e Mitrovicës. Pas kësaj marrëveshje, stafi i saj është i përzier, shqiptarë dhe serbë.

Në fillim të funksionimit si të prokurorisë në pjesën veriore përkatësisht në Lagjen e Boshnjakëve ka pasur vështirësitë në përdorimin e gjuhës shqipe apo serbe nga të dyja palët, duke përfshirë stafin serb dhe atë shqiptarë.

Sigurimi i përkthyesve në Prokurorinë e Mitrovicës ishte problematikë në vete, por tani pas të paktën katër viteve sipas tyre ka përmirësim. Zëdhënësi i saj, Valon Preteni, ka sqaruar se në punën e saj prokuroria nuk ka paraparë numër të caktuar të aktakuzave të cilat duhet t’i përkthejë një përkthyes brenda një afati të caktuar kohor.

Në Prokurorinë e Mitrovicës trajtohen raste nga Mitrovica dhe komunat veriore të vendit andaj sfida më e madhe e qytetarëve çoftë shqiptarë apo serb është njohja e gjuhës. Në anën tjetër Prokuroria e Mitrovicës ka vetëm shtatë përkthyes.

Ky numër i përkthyesve për një prokurori në të cilën stafi i saj është gjysmë shqiptarë dhe gjysmë serb nuk është i mjaftueshëm. Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i kësaj prokurorie, Valon Preteni. Prokuroria e Mitrovicës është pyetur edhe nëse kanë përkthyes të cilët janë apo jo të caktuar për përkthimin e shkresave të ndryshme të lëndëve.

Për këtë zëdhënësi Preteni ka thënë se nuk janë të ndarë dhe të gjithë përkthyesit pa dallim bëjnë përkthimin e të gjitha dokumenteve. Ndërsa sipas tij varësisht nga volumi i dokumentit që duhet të përkthehet, të gjitha aktakuzat përkthehen në afatin e paraparë.

Kurse se fundmi të paktën një rast ka ndodhur kur palët dhe mbrojtësi i tyre kanë kërkuar shtyrjen e seancës për shkak se shkresat e lëndës nuk ishin dorëzuar në gjuhën të cilën e kuptonin të akuzuarit, nga ana e prokurorisë.

Avokati Agim Lushta nga Mitrovica ka thënë se ai nuk ka pasur raste kur të ketë kërkuar që të shtyhet seanca gjyqësore për shkak se palët nuk e kanë folur gjuhen shqipe apo edhe atë serbe. Lushta ka thënë se gjithë këtë e ka bërë për të ekonomizuar procedurën ndërsa ka shtuar se vetë është njohës i të dy gjuhëve prandaj edhe ju ka ndihmuar palëve që të kenë lehtësi në përkthimin e shkresave.

Lushta ka deklaruar po ashtu se palët njoftohen nga gjykata dhe nga vetë ai për të drejtën e tyre në përkthim por se palët e përfaqësuara nga ai nuk kanë kërkuar përkthim. Kurse sa i përket prokurorëve ka thënë se akuzat dhe shkresat e lëndës zakonisht i dërgojnë në të dy gjuhët por se ka raste kur palët nuk kërkojnë që t’i kenë aktakuzat në të dy gjuhët.

Ky artikull u mundësua në kuadër të projektit “Sektori i Drejtësisë në Kosovë – i përgjegjshëm, i besueshëm dhe transparent”, i realizuar nga Internews Kosova, Lëvizja FOL dhe Debate Center në mbështetje të Byrosë për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL).