Laura Codruta Kovesi, ish kreu i Drejtorisë Kombëtare Antikorrupsion. Foto: Octav Ganea

Përçaj e Sundo: Si e Humbi Rumania Luftën Kundër Korrupsionit

Ajo që dikur ishte mallkimi i politikanëve të korruptuar, agjencia antikorrupsion e Rumanisë është nën rrethim dhe e shkatërruar. Shumë kanë frikë se ajo nuk do të rimëkëmbet dot.

Shpejt pas orës 10 të darkës në një mbrëmje të ngrohtë vete, Liviu Dragnea u ngjit në skenë në Sheshin e Fitores në Bukuresht përballë një deti me njerëz që valëvisnin flamuj rumunë dhe që shpërthyen në brohoritma.

Veshur me një këmishë të bardhë të ngrirë dhe pa kollare, ai vendosi dorën në ijë dhe priti që turma të qetësohej ndërkohë që fjalët “terror”, “pasiguri”, viktimë” dhe “frikë” vezullonin në një ekran të stërmadh pas tij.

Shumë prej 150 mijë njerëzve në atë miting të 9 qershorit 2018 kishin qëndruar para ndërtesës së qeverisë që nga mesdita, të sjellë me autobusë nga i gjithë vendi. Ata patën ardhur të shihnin njeriun që konsiderohet si figura më e fortë në politikën e Rumanisë.

Draganea, një 56 vjeçar udhëheqës i Partisë SocialDemokrate, PSD, filloi të flasë me një ton të matur më të kursyer se sa sensacionalizmi i temës për të cilën foli.

Demokracia në Rumani, tha ai, ishte nën sulm nga një “shtet i thellë” në hije, “emisarët” e të cilit përfshijnë prokurorët, agjentë të policisë sekrete, gazetarët dhe organizatat jofitimprurëse të mbështetura nga paratë e të huajve.

“Ne po na nxisin, kërcënojnë dhe shantazhojmë që të spiunojmë mbi të afërmit tanë, miqtë, kolegët e madje edhe njerëz që nuk i kemi takuar kurrë,” tha ai duke ringjallur kujtime nga policia sekrete Securitate e cila terrorizoi rumunët gjatë të shkuarës komuniste të vendit.

“Nuk ka rëndësi nëse ti je fajtor apo jo.”

Ndërsa imazhi i një shënjestre arme shfaqej në ekranin e madh pas tij, Draganea shënjestroi Drejtorinë Kombëtare Antikorrupsion, DNA.

Agjencia antikorrupsion e Rumanisë ka një histori të mrekullueshme të dërgimit të njerëzve të fuqishëm në burg në një nga vendet më të korruptuara të Europës. Agjencia është bërë shënjestra e parapëlqyer e ligjvënësve të PSD-së, të cilët e akuzojnë atë se luan pis për të realizuar dënime.

“Prokurorët e korruptuar janë ende këtu,” tha Dragnea. “Ju i keni parë ata në televizor duke fabrikuar çështje, duke falsifikuar deklarata. Ju i keni dëgjuar duke kërcënuar dëshmitarë. Kreu i DNA-së është ende këtu. Ju e keni dëgjuar atë kur i kërkon prokurorëve të kapin peshqit e mëdhenj [të dënojnë politikanë të njohur].

Ndërsa turma brohoriti, Dragnea nuk i përmendi telashet që ai vetë kishte me DNA, përfshirë një betejë ligjore të vitit 2016 që përfundoi me një dënim me kusht dyvjeçar për tentativën e tij për të manipuluar një referendum. Në kohën e mitingut, ai ishte gjithashtu në gjyq për abuzim me detyrën; prokurorët e DNA po kërkonin dënim me shtatë vite e gjysmë burg.

Dy ditë më vonë, gjatë një seance parlamentare të orëve të vona të natës, ligjvënësit miratuan një duzinë ndryshimesh në procedurën penale të Rumanisë, duke e bërë më të vështirë për prokurorët që të hetojnë çështjet. Amendamentet ishin një nga shumë ndryshime të lidhura me një reformë në drejtësi që ka përçarë vendin.

Dhjetë ditë pas kësaj, gjykata më e lartë e Rumanisë e shpalli Dragnean fajtor.

Gjykatësit e dënuan atë me 3 vite e gjashtë muaj burg, vendim që është i pezulluar në pritje të apelit. Ata gjykuan se ai kishte ndërhyrë për të mbajtur dy sekretare të një dege lokale të PSD-së me rrogë shteti në mënyrë të kundërligjshme gjatë kohës kur ai ishte këshilltar vendor.

Vendimi ishte një fitore e madhe për DNA – por shumë pak prej punonjësve të agjencisë ndjenin se kishte diçka për të festuar.

Brenda pak ditësh, kreu karizmatik i Drejtorisë, Laura Codruta Kovesi, u pushua nga puna, e shkarkuar me kërkesë të ministrit të drejtësisë, pas një mandati pesëvjeçar që e bëri atë të famshme në lëvizjen botërore për transparencë.

Sot, aktivitetet e DNA kanë mbetur pezull. Numri i çështjeve të saj është pakësuar në një grusht dosjesh të parëndësishme. Drejtoria vijon të mbesë pa drejtor dhe punonjësit e saj kanë frikë se shefi i ri do të jetë i qeverisë.

Pas teorive të komplotit me shtet të thellë të PSD-së, shumë analistë shohin një përpjekje të mirëllogaritur për të transformuar një institucion që dikur ishte i fortë në një tigër letre, pa dhëmbë dhe të dobët përballë ndërhyrjeve politike.

“Askush nuk po e thotë copë por duket se PSD dëshiron të shpëtojë anëtarët e vet [nga rreziku i hetimeve për korrupsion],” tha për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative BIRN, Codru Vrabie, një ekspert antikorrupsion dhe drejtues i një podkasti mbi sistemin e drejtësisë.

Të tjerë e shohin rënien e DNA-së si një pasojë e pashmangshme e një sulmi më të gjerë kundër pavarësisë së sistemit të drejtësisë, sulm që ka shkaktuar protesta publike të paprecedente dhe ka shtyrë disa të krahasojnë Rumaninë me regjimet joliberale në Hungari dhe Poloni.

“Fillimisht ti sulmon sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të mos japësh llogari për veprimet e tua më vonë thotë Elena Calistru, themeluese e organizatës mbikëqyrëse të transparencës Funky Citizens.

“Pastaj ti përdor shumicën parlamentare për të imponuar axhendën tënde ligjvënëse, nuk ka rëndësi se çfarë bërtasin të tjerët përreth teje. Pastaj ti ndërmerr një pikëpamje nativiste kur institucionet Europiane reagojnë… dhe ti fillon të sulmosh shoqërinë civile, kap mediat dhe kaq është e gjitha.”

Ish-shefja antikorrupsion Laura Codruta Kovesi kishte reputacionin si një “yll kontrovers”. Foto: Octav Ganea

‘Kryqtare’

Dy orë pasi ajo u shkarkua më 9 korrik, Kovesi qëndroi në këmbë në sallën e hyrjes së zyrave qendrore të DNA në qendër të Bukureshtit, rrethuar nga gati 40 prokurorë.

“Unë kam një mesazh për qytetarët e Rumanisë,” i tha ajo reporterëve. “Korrupsioni mund të mposhtet. Mos u dorëzoni.”

Shkarkimi i Kovesit nuk ishte një lajm surprizë. Në shkurt, Ministri i Drejtësisë  Tudorel Toader pati nisur procesin për ta hequr atë, duke e akuzuar mes gjërave të tjera se kishte tejkaluar mandatin e saj dhe kishte prishur imazhin e Rumanisë jashtë vendit.

Presidenti Klaus Iohannis, një ish udhëheqës i partisë Nacional-Liberale në opozitë dhe admirues i Kovesit, fillimisht refuzoi ta shkarkojë atë. Në maj, Gjykata Kushtetuese vendosi se presidenti  nuk kishte fuqi për të ndaluar kërkesën e Ministrit të Drejtësisë. Me ngurrim, Ioannis firmosi për shkarkimin e saj.

Kovesi, një 45 vjeçare ish basketbolliste, është bërë diçka si gjigante në sytë e shumë rumunëve që janë të lodhur nga korrupsioni i gjithëpërhapur. Vitin e kaluar, vetëm Bullgaria dhe Hungaria ishin më poshtë se Rumania në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International.

Që kur u krijua në vitin 2003 në pritje të anëtarësimit të Rumanisë në BE më 2007, DNA ka kryer më shumë se 43 mijë hetime dhe ka marrë të pandehur mbi 12,300 njerëz mes të cilëve edhe 23 ministra e ish-ministra. Ajo ka dënuar me burg ish-kryeministrin Adrian Nastase.

“Diçka të tillë nuk do ta gjeni në vendet e tjera në tranzicion të tilla si Ukraina, Moldavia apo Bullgaria,” thotë Hartmut Rank, kreu i programit për sundimin e ligjit për Europën Juglindore në Fondacionin Konrad Adenauer në Bukuresht. “Numri i rasteve tregon se është marrë seriozisht këtu.”

Kovesi — e cila ishte 33 vjeç kur u bë prokurorja e përgjithshme më e re në Rumani dhe 40 vjeç kur mori përsipër DNA-në më 2013 – mbikëqyri rreth 4 mijë hetime si drejtuese e agjencisë, duke e bërë mandatin e saj më prodhimtarin mes të gjithë drejtorëve.

Ajo kishte një nuhatje për dramacitet. Më 2014, policia me maska hyri në një restorant në qytetin e Kostancës në lindje të Rumanisë për të arrestuar ish-kryebashkiakun Radu Mazare. Dy vjet më parë, oficerët bënë paradë me Ministrin e Punës Lia Olguta Vasilescu, e cila gjendej me pranga jashtë zyrës qendrore të DNA-së ndërsa fotoreporterët shijuan spektaklin.

Mazare u dënua me gjashtë vite e gjysmë burg në maj për abuzim me detyrën, akuza të lidhura me shitjen e një prone publike në breg të detit, përmes ish-kryebashkiakut që është arratisur për në Madagaskar.

Vasilescu u akuzua për marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm por gjyqtarët e liruan atë dhe e dërguan dosjen pas te DNA për hetime të mëtejshme. Ajo pretendon se DNA është duke komplotuar për ta akuzuar atë për një duzinë çështje ryshfeti.

Kovesi refuzoi që të intervistohej pas shkarkimit të saj nga detyra por diskutoi punën e saj në një intervistë me BIRN në maj.

“Nëse shikon kategorinë e njerëzve që ne hetuam, ne kishim kryebashkiakë, kryetarë këshillash qarqesh, deputetë, një varietet kategorish profesionale,” tha ajo, duke u ulur në zyrën e saj të dekoruar me piktura shenjtorësh dhe një top basketbolli në një banak xhami, rikujtuese për të shkuarën e saj atletike.

“Ne kishin njerëz nga parti të ndryshme. Por pavarësisht kësaj, gjithmonë thuhej se DNA hetonte vetëm një parti të caktuar. Hetimet e DNA përfshinin pothuajse të gjithë institucionet shtetërore.”

Në vitin 2015, një sondazh kombëtar tregoi se rumunët besonin te Kovesi më shumë se sa te kreu i Kishës Ortodokse – dhe në mënyrë domethënëse, shumë më tepër se sa përfaqësuesit e tyre të zgjedhur.

Po atë vit, një vrojtim Flash Eurobarometer përmes telefonit me 300 njerëz mbi biznesin dhe korrupsionin, kryer nga Komisioni Europian, sugjeroi se ndërsa rumunët ishin më pesimistë se sa popujt e tjerë të BE-së dhe se besonin se korrupsioni ishte edhe më i përhapur se në vende të tjera, ata ishin gjithsesi më të lumtur për mënyrën se si ai po luftonte.

Media ndërkombëtare u magjeps me Kovesin. The Economist shkroi më 2016 se ajo po “pastronte” politikën e Rumanisë. Guardian e quajti atë “kryqëtare” kundër korrupsionit. Për BBC, ajo ishte një “yll kontrovers” që fitoi besimin e publikut dhe ndoshta shumë tepër pushtet.

Laura Codruta Kovesi duke folur para gazetarëve pak pasi u shkarkua si drejtuese e agjencisë antikorrupsion. Foto: Octav Ganea

‘Bjeri me grusht tavolinës’

Nuk ishte surprizë që Kovesi bëri armiq. Shumë u ngjitën në pushtet në zgjedhjet parlamentare më 2016, kur PSD fitoi shumicën e parë komode që nga viti 2004 si partneri kryesor në një qeveri koalicioni.

“Pasojat e [luftës kundër korrupsionit] janë që ju prekni shumë interesa politike dhe ekonomikë në vend,” tha Mark Gitenstein, ambasadori i SHBA në Rumani mes viteve 2009 dhe 2012.

“Disa nga të akuzuarit kanë akses në firma marrëdhëniesh publike dhe lobimi, kanë nën pronësi televizione dhe objektivi i tyre bazë është që të përpiqen të diskreditojnë integritetin e sistemit.”

Gitenstein, i cili është i diplomuar në drejtësi, vijoi: “Ne kemi një shprehje në shkollën e ligjit: kur faktet janë kundër jush, vë në diskutim ligjin; kur ligji është kundër jush, vë në diskutim faktet; kur që të dyja janë kundër, bjeri me grusht tavolinës. Kjo është ajo që po bëjnë sot të akuzuarit.”

Në fillim të vitit 2017, qeveria e udhëhequr nga PSD filloi të shtyjë përpara për reforma kontroverse në drejtësi përmes parlamentit, duke shkaktuar protesta masive antiqeveritare dhe dënime ndërkombëtare.

Qeveria i justifikoi reformat duke thënë se Rumania kishte nevojë për të afruar veten me direktivat e BE-së mbi prezumimin e pafajësisë së të akuzuarve si dhe për shkak se i duhej të mposhtte “shtetin e thellë” i cili po minonte demokracinë.

Kritikët thonë se ata hodhën në erë pavarësinë e gjyqësorit dhe kërcënuan sistemin e sundimit të ligjit.

Në janar 2017, qeveria u përpoq të anashkalonte parlamentin duke miratuar një dekret emergjence që në praktikë dekriminalizonte shkeljet e vogla korruptive. Më shumë se gjysmë milioni njerëzish dolën në rrugë të zemëruar, duke e detyruar qeverinë të tërheqë dekretin.

“Kur ata panë se kjo taktikë nuk funksionoi, ata menduan, ‘le të rrëzojmë shefin – është më e lehtë,’ dhe i drejtuan armët nga Kovesi,” thotë drejtuesi i podkastit Vrabie.

Artilerinë e drejtoi Dragnea dhe ligjvënës të tjerë të njohur të PSD-së, përfshirë ish-ministrin e Drejtësisë Florin Iordache, i cili kishte propozuar dekretin e jashtëzakonshëm që zemëroi rumunët, si dhe Liviu Plesoianu, një ligjvënës në dhomën e ulët të parlamentit.

Vitin e kaluar, Plesoianu organizoi një protestë para zyrave qendrore të DNA-së, duke u tallur me “tempullin antikorrupsion” dhe duke kërkuar shkarkimin e Kovesit, të cilën e akuzoi se kishte plagjarizuar tezën e saj të doktoraturës dhe kishte abuzuar me pushtetin.

‘Korrupsioni mund të mposhtet. Mos u dorëzoni’

  • Laura Codruta Kovesi, pak pasi u shkarkua si drejtore e agjencisë antikorrupsion

Catalin Radulescu, një ligjvënës që mori dënim të pezulluar prej një viti e gjysmë më 2016 pasi një hetimi të DNA për ryshfet, ishte gjithashtu shumë kritik ndaj agjencisë. (Një dënim penal nuk është pengesë për të qenë deputet në Rumani, megjithëse një person i tillë nuk ka të drejtë të jetë anëtar i këshillit të ministrave.)

Dragnea, Iordache, Plesoianu dhe Radulescu nuk iu përgjigjën kërkesave për intervistë apo pyetjeve të dërguara me email.

Armiqtë e Kovesit u rritën bashkë me numrin e lartë të hetimeve që ajo nisi gjatë dy mandateve të saj – shumë drejtuar kundër politikanëve të PSD – të cilët u ankuan për gjueti shtrigash.

“Është si një ari që gjen një koshere me mjaltë,” tha Calistru nga Funky Citizen, duke përshkruar karakterin e ligjvënësve të PSD-së kur ata u përgatitën për luftë.

Ndërsa kritikët iu vunë punës për ta prezantuar Kovesin si urdhëruese që bënte çdo gjë për të kapur peshqit e mëdhenj, ata u ndihmuan nga përgjimi i rrjedhur nga një takim i stafit të DNA-së në të cilin ajo dëgjohet duke i bërtitur prokurorëve se po punojnë tepër ngadalë.

“Unë dua që ne të kapim kryeministrin, i cili firmosi këto kontrata,” dëgjohet ajo duke thënë me zë të lartë në bisedën e regjistruar që u transmetua në Antena 3, një televizion pranë PSD-së. Kovesi tha se përgjimi ishte redaktuar në mënyrë që fjalët e saj të nxirreshin nga konteksti.

Përgjime të tjera të rrjedhura u publikuan nga stacioni televiziv pak muaj më vonë që tregonin se prokurorët e DNA në dukje po i bënin presion një dëshmitari për t’i ndihmuar ata të falsifikonin prova dhe televizioni thoshte se Kovesi e dinte këtë ngjarje. Prokurorët janë akuzuar ndërkohë për falsifikim provash.

Pastaj ishte zbulimi se Kovesi kishte nënshkruar një protokoll sekret me shërbimet sekrete më 2009, kur ajo ishte prokurore e përgjithshme, protokoll që lejonte prokurorët antikorrupsion të përfitonin nga ekspertiza e shërbimeve sekrete në kryerjen e përgjimeve.

“Ata përzjenë shërbimet sekrete me sistemin e drejtësisë, edhe pse njerëzit po thoshin mos e bëj këtë, është një idiotësi e madhe,” tha Ovidiu Budusan, i cili u emërua kryeprokurori i parë antikorrupsion në vitin 2000, një njësi që ishte paraardhëse e DNA.

Kritikët e akuzuan Kovesin edhe për “abuzim me detyrën” si një person i gatshëm për të bërë gjithçka për të çuar një çështje në gjykatë.

Më 2015, 25% e akuzave të DNA-së ishin për abuzim me detyrën – 601 nga më shumë se 2,374 çështje, tregojnë statistikat e agjencisë. Përqindja e kësaj akuze ra në 16% më 2016 dhe 13% vitin e kaluar.

“Interpretimi i abuzimit me detyrën nga DNA është tepër i gjerë, në opinionin tim,” thotë Laura Stefan, një ish-drejtor në ministrinë e drejtësisë e cila bën studime mbi sistemin e drejtësisë në Expert Forum, një organizatë studimore politikash publike.

Stema e agjencisë antikorrupsion të Rumanisë. Foto: Octav Ganea

‘Teprime dhe dështime’

Sugjerimet se Kovesi ishte tepër e nxituar në ngritjen e akuzave u përforcuan nga disa raste të profilit të lartë që përfunduan me pafajësi, përfshirë përndjekjen e ish-kryeministrit dhe personit kryesor të PSD-së, Victor Ponta, i cili u gjet i pafajshëm për marrje ryshfeti dhe evazion fiskal këtë verë.

Dy muaj para se Kovesi të shkarkohej, ish-ligjvënësi i PSD-së dhe financuesi i partisë Sebastian Ghita u shpall i pafajshëm në mungesë, për akuzat e blerjes së ndikimit, shantazhit, dhënies së makinës pa patentë dhe përfitimit nga informacioni konfidencial. Në një gjyq më të hershëm, në shtator 2017, ai ishte shpallur i pafajshëm për akuzat e ryshfetit dhe pastrimit të parave.

Ghita u përball me pesë hetime për korrupsion, dy prej të cilave vijojnë, pas hetimeve të DNA-së mbi dyshimet se ai ka dhënë ryshfet në shkëmbim të kontratave shtetërore dhe ka financuar në mënyrë të paligjshme fushatën presidenciale të Pontës më 2014. Ghita u arratis në Serbi më 2016 dhe po lufton kërkesën për ekstradim. Ai mohon akuzat.

Të tjerë të shpallur të pafajshëm për akuza të lidhura me korrupsionin gjatë drejtimit të Kovesit përfshinë Calin Popescu Tariceanu, udhëheqës të Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve, ALDE, partia e dytë më e madhe në koalicionin e udhëhequr nga PSD; ish-presidentin e Gjykatës Kushtetuese Toni Grebla; dhe Sorin Blejnar, ish-kryetar i autoritetit fiskal të Rumanisë.

“Teprimet nuk janë të shëndetshme,” tha Stefan. “Dhe unë shoh teprime në çështjet e dështuara.”

Sot, ngarkesa me punë e DNA është gjithçka tjetër por jo e tepërt.

Agjencia raportoi se ka hapur tre çështje të reja në shtator, që të gjitha relativisht të vogla.

Në të njëjtin muaj të vitit 2016 ajo regjistroi 32 çështje dhe filloi të hetojë Pontën Ghitën, zëvendëskryeministrin Gabriel Oprea dhe Ministrin e Brendshëm Petre Toba e katër kryebashkiakë, të gjithë të dyshuar për forma të ndryshme korrupsioni. Përveç rastit Ponta, i cili përfundoi në shkallë të parë me pafajësi dhe është në pritje të apelit, si dhe të Opreas i cili u mor i pandehur, të gjitha hetimet e tjera janë duke vijuar. Të akuzuarit deklarohen të pafajshëm.

Kreu i përkohshëm i DNA-së, Anca Jurma, ish-këshilltare e Kovesit për marrëdhëniet ndërkombëtare, ka zgjedhur të mbajë profil të ulët ndërkohë që agjencia pret drejtorin e ri.

Ministri i Drejtësisë Tudorel Toader ka mbikëqyrur një numër reformash në drejtësi të cilat kanë shkaktuar zemërim në shtëpi dhe janë dënuar në arenën ndërkombëtare. Foto: George Calin

Në korrik, Ministri i Drejtësisë Toader refuzoi gjashtë kandidatë të nominuar për këtë punë, përfshirë zëvendësin e Kovesit, Marius Iacob, si dhe kreun e njësisë së DNA-së për hetimin e korrupsionit në drejtësi, Florentina Mirica.

Që nga ajo kohë, gjashtë të tjerë kanë hyrë në garë. Vetëm njëri prej kandidatëve të rinj ka punuar për DNA-në.

Mes të nominuarve të rinj është edhe personi i preferuar nga Toader, Adina Florea, një 52 vjeçare prokurore në qytetin e Kostancës në Detin e Zi dhe vajza e një këshilltari bashkiak të PSD-së.

Toader tha se ai mund të dërgojë te Presidenti Iohannis propozimin e tij për të emëruar Florean si drejtor të ri të DNA-së edhe nëse Këshilli i Lartë Gjyqësor, CMS, organi i pavarur që rregullon gjyqtarët dhe prokurorët, nuk e miraton atë.

Më 19 tetor, CMS e refuzoi kandidaturën e Floreas, e cila së fundmi doli si dëshmitare në një çështje gjyqësore që lidhet me protokollin e deklasifikuar mes zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm dhe shërbimit sekret, i cili u bë publik në vjeshtë.

Duke mbajtur fjalën e vet, Toader propozoi emrin e saj pavarësisht refuzimit nga CMS. Ai nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Duke argumentuar se pse ajo duhej të emërohej, Florea dorëzoi një raport me kritika të ashpra ndaj DNA, raport i publikuar në faqen e internetit të ministrisë së drejtësisë.

Shumica e dokumentit përsërit kritikat që ka bërë Toader në vlerësimin e Kovesit në shkurt, kur ai bëri thirrje për shkarkimin e saj.

Kritikat përfshijnë pretendimet se Kovesi veproi në mënyrë diskrecionare dhe tejkaloi fuqitë ligjore të saj; që ajo dështoi të veprojë kur prokurorët u akuzuan për shkelje etike; që ajo favorizoi disa prokurorë duke i dhënë famë përmes ngarkimit të çështjeve të profilit të lartë; që ajo ndoqi hakmarrje personale më shumë se sa hetime të forta.

“Edhe në nivelin më të lartë, ne shohim një lloj sjelljeje që ishte larg të qenit të balancuar dhe profesionale,” shkroi Florea.

Gjatë një interviste me Antena 3 në shtator, Toader tha se mënyra se si Florea “ekspozoi të mirën dhe më pak të mirën në DNA” në raportin e saj e kishte bindur një komision në ministrinë e drejtësisë se ajo ishte personi i duhur për këtë detyrë.

Presidenti Iohannis refuzoi Florean si drejtuese e DNA vonë në shtator, duke përdorur një teknikalitet ligjor. Ai tha se ajo nuk kishte kaluar ende kontrollin e pastërtisë së figurës, një proces që tregon nëse ajo ka bashkëpunuar ndonjëherë apo jo me policinë sekrete Securitate në kohën e komunizmit – një kërkesë ligjore për të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që kërkojnë pozicione të larta.

Toader argumentoi se një teknikalitet i tillë nuk ishte në fuqitë e Iohannis që të përdorej, duke thënë se ishte CSM dhe jo presidenti institucioni që kontrollon prokurorët. Bllokimi vijon.

Çfarëdo që të ndodhë me nominimin e Floreas, perspektiva e saj për punësim duket e sigurt.

Në mes të tetorit asaj iu dha posti si zëvendësdrejtuese në një njësi të re speciale në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, njësi e krijuar për të hetuar prokurorët dhe gjyqtarët.

Departamenti u krijua si pjesë e reformës në drejtësi nisur nga koalicioni PSD-ALDE. Më herët, prerogativa për të hetuar gjyqtarët dhe prokurorët i përkiste DNA-së.

Florea dhe drejtori i departamentit, Florena Esther Sterschi, synojnë ta transformojnë njësinë në një drejtori, njësoj si DNA, status që e bën atë të pavarur nga prokurori i përgjithshëm.

Adina Florea refuzoi të komentojë por shumë media vendëse e kanë cituar atë duke thënë se do ta pranojë punën si drejtuese e DNA nëse presidenti ia ofron atë asaj.

Adina Florea, e zgjedhura personale e ministrit të drejtësisë për postin e drejtuesit të agjencisë antikorrupsion. Foto: Octav Ganea

‘Problemi i pavarësisë’

Aktivistja e transparencës Calistru e përshkroi procesin e përzgjedhjes për zëvendësuesin e Kovesit si një “lloj spektakli organizuar nga Tudorel Toader për të treguar se ministri i drejtësisë është shefi i të gjithë prokurorëve”.

“Ne kemi një problem të madh me pavarësinë e prokurorëve,” tha ajo. “Nëse ne shohim nga Hungaria, ku [kryeministri Viktor] Orban gjithashtu e reformoi sistemin e drejtësisë, problemi më i madh është që numri i rasteve që mbërrijnë në gjykatë është pakësuar.

“Ti mund të kesh gjyqtarët më të pavarur dhe më të aftë në të gjithë botën por për sa kohë ti nuk i heton dot çështjet, je i bllokuar. Kjo është arsyeja se pse prokurorët kanë një rol themelor.”

Në një vrojtim Flash të Eurobarometrit me 201 njerëz në janar mbi perceptimin e sistemeve të drejtësisë, Rumania ishte më poshtë se sa mesatarja e BE-së për të gjithë drejtuesit.

Rumunët nuk mendojnë më se gjyqtarët kanë garanci të mjaftueshme për pavarësi dhe i shohin ata si persona nën presionin e qeverisë, politikanëve dhe grupeve të interesit.

Në mitingun e tij në qershor, njeriu i fortë i PSD-së Dragnea i siguroi mbështetësit e tij se reformat e drejtësisë të ndërmarra nga qeveria do të vijojnë siç janë planifikuar, pavarësisht se çfarë mendojnë “përfituesit e këtij sistemi ilegal pushteti”.

Ndërkohë, kritiket e qeverisë thonë se thikat janë jashtë për ish drejtuesin dhe aleatin e Kovesit, Prokurori i Përgjithshëm Augustin Lazar, të cilin e shohin si pengesa e fundit mes parlamentit të drejtuar nga PSD dhe një sistemi drejtësie nën rrethim.

Lazar, 63, njihet se ka nisur hetime kundër ish-presidentit Ion Iliescu dhe ish-kryeministrit Petre Roman për krime kundër njerëzimit gjatë kryengritjes antikomuniste të Rumanisë më 1989, në të cilën vdiqën më shumë se 1 mijë vetë.

Zyra e tij ka hetuar gjithashtu edhe veprimet e policisë speciale pasi autoritetet iu përgjigjën protestave antiqeveritare më 10 gusht 2018 me gaz lotsjellës dhe zjarrfikëse. Një person vdiq disa ditë më vonë nga ngjarja ndërsa 400 të tjerë u plagosën.

Ministri i Drejtësisë Toader njoftoi në Facebook vonë në gusht se ai po dërgonte një komision vlerësimi për të parë punën e Lazar si prokuror i përgjithshëm – i njëjti proces që solli shkarkimin e Kovesit.

Fillimisht, Toader citoi zbulimin e një protokolli, që duket se është firmosur nag Lazar më 2016, mes zyrës së prokurorit të përgjithshëm dhe shërbimeve sekrete që lejonte prokurorët të aksesonin të dhëna sekrete përgjimi për hetimet e tyre.

Më 24 tetor, gjithsesi, Toader njoftoi se ai po niste zyrtarisht procedurën e shkarkimit për Lazar me argumentin se ai nuk kishte pasur një vlerësim personal para se të hynte në zyrën e prokurorit të përgjithshëm. Duke nënkuptuar se Lazar e ka marrë këtë post në mënyrë mashtruese, Toader i kërkoi Presidentit Iohannis shkarkimin e tij.

‘Si mund të ndërtosh çështje kur çdo gjë mbi të cilën ne po punojmë po çmontohet?’

  • Prokurori i Përgjithshëm Augustin Lazar

Në një konferencë plot emocione për shtyp atë mbrëmje, Lazar tha se ministria po përpiqej të destabilizonte sistemin e drejtësisë.

“Si mund të ndërtosh çështje kur një herë çdo pak muaj gjithçka mbi të cilën po punon, një skuadër profesionistësh, shpërbëhet?” pyeti Lazar.

“Ju lutem më falni për gjendjen time emocionale, por unë po ju them se tani po ndjej se po përjetoj një moment shumë të veçantë, jo vetëm për karrierën time, por edhe për Rumaninë.”

Pak ditë më vonë, Lazar njoftoi se do të hidhte në gjyq Toader për shkarkim të padrejtë nga puna.

Lazar refuzoi kërkesën për intervistë duke argumentuar se ishte i zënë.

Komisioni Europian ka qenë një kritik i ashpër i sulmeve të udhëhequra nga PSD ndaj sistemit të drejtësisë.

Në një raport të publikuar në nëntor, komisioni nxiti Rumaninë të “pezullonte menjëherë” zbatimin e ligjeve të reja të drejtësisë, ndryshimeve në kodin penal dhe dekreteve të jashtëzakonshme, të cilat përbëjnë paketën e partisë në pushtet për reformën.

Komisioni bëri thirrje gjithashtu të ndërpritet shkarkimi apo emërimi i kryeprokurorëve dhe që ministria e drejtësisë të rinisë procedurën për emërimin e kreut të DNA.

Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian Frans Timmermans tha në një konferencë për shtyp se presionet mbi sistemin e drejtësisë në përgjithësi “dhe DNA-së, në veçanti, si dhe një seri masash të tjera që minojnë përpjekjet për të luftuar korrupsionin, kanë sjellë forma regresi dhe janë për të ardhur keq”.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm përfitoi nga kjo mundësi për të publikuar një deklaratë ku premtonte angazhimin e vet në përpjekje për të përmbushur rekomandimet e komisionit.

Analistët thonë se fjalë të tilla mund të mos kenë shumë rëndësi.

“Mendo për drejtësinë si një xhaketë dimri,” tha eksperti i sistemit të drejtësisë Vrabie. “Ajo të rrinte pak shkurtër në krahë, por në vend që ta rregullonte këtë, politikanët e Rumanisë kanë zgjedhur të zëvendësojnë zinxhirin me kopsa. Kopsat nuk përputhen dhe xhaketa nuk mbyllet, kështu që është ftohtë ndërkohë që mëngët vijojnë të jenë tepër të shkurtra.”

Pritshmëri të Mëdha

Drejtoria Kombëtare Antikorrupsion, DNA, është produkt i aspiratave të Rumanisë për anëtarësim në BE. Ndërsa vendi filloi bisedimet e anëtarësimit në fillim të viteve 2000, kryeministri i asaj kohe Adrian Nastase mori detyrë nga Brukseli: lufto korrupsionin në mënyrë serioze ose rri jashtë BE-së.

Nastase krijoi institucionin pararendës të DNA-së pothuajse brenda një nate me dekret të jashtëzakonshëm.

“Kjo ndodhi në vitin 2002, kur Rumania kishte plot ligje dhe institucione që ishin ndërtuar siç duhej por që nuk funksiononin në praktikë,” rikujton Laura Stefan, drejtoreshë e politikave antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë mes viteve 2005 dhe 2007.

“Kur ata ndërtuan institucionin, ata menduan se nuk do të funksiononte kurrë. Ajo që ne kishim nevojë të kuptonim është se lufta kundër korrupsionit nuk është një gjë konsensuale për politikanët. Ata e shohin atë si mjet për një qëllim, zakonisht në termat e anëtarësimit në BE.”

Ndodhi pasi Liberal Demokrati Traian Basescu u bë president më 2004 kur DNA filloi të ketë dhëmbë. Nën Ministren e Drejtësisë Monica Macovei, një ish aktiviste e të drejtave të njeriut, agjencisë iu dha mandati për të hetuar korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe keqmenaxhimin e fondeve Europiane.

‘Dua një vend pa kriminelë të dënuar’ lexon një pankartë në protestën antiqeveritare në Bukuresht më 18 gusht 2018. Foto: Octav Ganea

Ndërkohë, pavarësia e prokurorëve u fuqizua përmes tre “ligjeve të drejtësisë,” siç i quajnë ekspertët. Macovei publikisht nxiti DNA-në të mos kishin frikë nga njerëzit e fuqishëm që po hetonte.

“DNA u ngrit pas kësaj,” thotë Roxana Bratu, autore e Korrupsioni, Informaliteti dhe Sipërmarrja në Rumani. “Ai u bë një institucion jashtëzakonisht i fuqishëm me jashtëzakonisht shumë mbështetje politike dhe me shumë para.”

Laura Codruta Kovesi mori pozicionin e drejtueses së DNA në vitin 2013, gjashtë vjet pasi Rumania u anëtarësua në BE. Hetimet lulëzuan nën udhëheqësinë e saj.

“Një institucion si DNA tregoi se askush nuk është mbi ligjin,” tha Elena Calistru, themeluese e organizatës mbikëqyrëse Funky Citizens, duke shtuar se shumë njerëz panë te Kovesi një lloj superheroine antiryshfet.

“Rumunët, pavarësisht çdo gjëje që është thënë kundër tyre, duan të ndjejnë se drejtësia është vënë në vend. Ata kërkojnë heronj. Kjo është kultura në të cilën ne jetojmë dhe ata kanë nevojë të shikojnë se gjërat po ecin përpara.”

Pasi një zjarr vdekjeprurës në një klub nate në Bukuresht tronditi kombin më 2015, shumë njerëz panë nga DNA për drejtësi. Prokurorët hapën hetime për të parë nëse korrupsioni administrativ ishte përgjegjës për të, por nuk dolën dot në përfundime.

Në janar 2017, më shumë se 500 mijë njerëz protestuan kundër qeverisë pasi një dekret i jashtëzakonshëm dekriminalizoi disa lloje abuzimi me detyrën. Protestuesit brohorisnin “DNA duhet të vijë për ju!”

Prokurorët hapën një hetim për të parë nëse zyrtarët kishin marrë ryshfet për të ndryshuar ligjin, por Gjykata Kushtetuese vendosi se nuk i përkiste DNA-së të hetonte “mundësitë politike”.

“Kjo është pika kur shoqëria civile duhet të dalë në skenë dhe të mos i shtyjë njerëzit të besojnë se çdo gjë mund të zgjidhet me një dosje penale,” tha Stefan. “Ka pasur shumë presion mbi DNA që të përpiqet të zgjidhë çdo problem të vendit. Përgjigjja e drejtë prej tyre mund të jetë, ‘kjo nuk është puna jonë.’ Por se si mund të pritet kjo nga një shoqëri që pret çdo gjë nga drejtësia penale?|

‘Kovesi e Serbisë’

Rumania fitoi anëtarësinë në BE duke miratuar një strategji antikorrupsion që varet nga puna e agjencisë së prokurorisë që trajton korrupsionin e nivelit të lartë dhe keqmenaxhimin e fondeve të BE-së. Modeli është frymëzuar nga institucione të ngjashme në Spanjë, Belgjikë dhe Norvegji.

Serbia fqinje, e cila ka gjithashtu aspirata për anëtarësim në BE, mori një përqasje tjetër, duke krijuar dy organe kundër mitëmarrjes por pa pushtet për të ngritur akuza: Agjencia AntiKorrupsion, ACA dhe Këshilli AntiKorrupsion.

Në një vend të zhytur në “korrupsion endemik”, siç e quan Transparency International, ekspertët në dy institucionet e Serbisë kanë pak mjete për të vepruar.

Liviu Dragnea, udhëheqës i partisë SocialDemokrate të Rumanisë në pushtet po përshëndet turmën në një miting në Bukuresht në qershor 2018. Foto: George Calin

Për shembull, ACA ka detyrën që të sigurohet që zyrtarët publikë janë transparentë mbi asetet e tyre. Megjithatë ajo nuk ka sanksione në dispozicion me përjashtim të aftësisë për të paralajmëruar zyrtarët ose për të rekomanduar pushimin e tyre nga puna.

Mbështetësit e transparencës thonë se ndërhyrjet politike nga Partia Progresive e Serbisë në pushtet është një pengesë tjetër. Drejtori i ACA është ish-anëtar dhe donator i partisë.

As Progresistët dhe as ACA nuk iu përgjigjën pyetjeve.

Nemanja Nenadic, drejtor programi në Transparency Serbia, tha se Këshilli AntiKorrupsion nuk ka “fuqi për asgjë”.

“Është një institucion i çuditshëm, pak a shumë unik në planet,” tha ai. “Ata kanë një reputacion të mirë për shkak se kanë qenë aktivë dhe kanë hetuar disa raste të vetat, por kjo duket gjithçka që edhe një gazetar i mirë mund të bëjë – të mbledhë dhe analizojë të dhëna.”

Këshilli supozohet të ketë 13 anëtarë, përfshirë një kryetar, por aktualisht ka shtatë. Anëtarët nuk janë domosdoshmërish ekspertë ligjorë megjithëse ata janë “njerëz me besim të lartë publik që nuk kanë lidhje politike apo axhendë politike,” thotë zëvendëskryetari Miroslav Milicevic, një kirurg në pension.

Përmes hetimit të vet, këshilli ka zbuluar më shumë se 20 raste privatizimesh të paligjshme në Serbi dhe ka hedhur dritë mbi ndikimin politik në pronësinë e medias, thonë ekspertët.

Por shumë ia atribuojnë këto suksese një personi në veçanti: Verica Barac, e cila shërbeu si kryetare e këshillit nga viti 2003 deri më 2012, kur vdiq nga kanceri.

“Ajo ishte një luftëtare shumë trime për të drejtat e njeriut, e cila dikur protestonte kundër luftës dhe [diktatorit serb] Slobodan Milosheviç, si dhe kundër mogulëve,” tha Milicevic, i cili ishte edhe mik dhe mjek i saj.

SHumë njerëz e panë Baracin si ekuivalentja serbe e Laura Codruta Kovesi, ish-shefja e Drejtorisë Kombëtare Antikorrupsion të Rumanisë. Që të dyja kishin reputacione për ndjekjen agresive të zyrtarëve të lartë të qeverisë.

Fotografia e Barac qëndron në një tavolinë të vogël në zyrën e Miliocevic te Këshilli, pranë një buqete trëndafilësh të errët.

“Ajo ishte një person që mund të frymëzojë të tjerë,” tha ai. “Ajo shpenzoi të gjithë energjinë e saj dhe të gjithë shëndetin për këtë. Dhe kjo është çfarë na dhëmb ne sot: ne kemi punuar shumë por ku janë rezultatet?”

 

Ioana Burtea është një gazetare rumune që mbulon drejtësinë për revistën DoR, një botim tremujor. Redaktimi u bë nga Timothy Large. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative.