Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, Foto: KALLXO.com
Përballja e Totajt me punësimet politike e familjare në Prizren
Punësimet politike dhe familjare gjatë mandatit të kryetarit Shaqir Totaj në Prizren ishin kryefjala e debatit mbi performancën e komunës që udhëhiqet nga PDK pas një mandati që Prizrenin e kishte nën udhëheqje Lëvizja Vetëvendosje.
Shaqir Totaj, në vitin e tretë të udhëheqjes së komunës u përball me pasqyrën e punës së tij pak para përfundimit të mandatit.
Të parit të Prizrenit iu kërkua llogari për premtimin që kryetari e kishte dhënë para tri viteve se nuk do të ketë drejtor shkolle me ngjyrime politike.
“Definitivisht, kjo as që diskutohet” – kishte qenë përgjigja e Shaqir Totaj më 16.09.2021 kur ishte pyetur se a do të vendoste kritere apolitike për drejtorët e shkollave.
Ekipi i “Jeta në Komunë” ka gjetur se Sali Ademaj, ish-kandidat për asamble nga PDK në Prizren tani është drejtor i Gjimnazit në këtë qytet; Florjan Cenaj, ish-drejtor i Arsimit në Dragash i PDK-së tani është drejtor në shkollën “Lidhja e Prizrenit”; Lumnije Rakaj, ish-kryetare e Forumit të Gruas në PDK është drejtoreshë në shkollën “Hysen Rexhepi”.
Mirëpo, sipas kryetarit kjo zgjedhje është bërë mbi bazën e kritereve ligjore e profesionale dhe është në rregull me këtë deri sa nuk është në kundërshtim me ligjin.
“Për sa i përket çështjes së zgjedhjes së drejtorëve, ekziston një procedurë ligjore ku përcaktohen kriteret ligjore dhe profesionale, ato kritere ligjore dhe profesionale janë respektu 100%, kurgjo nuk është në kundërshtim me ligjin këtu” – ka deklaruar kryetari Totaj.
Gjatë mandatit të Totajt edhe nusja e djalit të tij u punësua si edukatore në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Mati Logoreci” në Prizren.
Kur u pyet në lidhje me këtë punësim, kryetari Totaj kërkoi përgjigje nga drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj – Gutaj, pasi tha se nuk është marrë fare me këtë punë.
“Aty ka vlerësuar komisioni dhe organizata “Save the Children” dhe është një projekt i veçantë” – tha drejtoresha Luljeta Veselaj-Gutaj.
Përveç resë së tij, gjatë mandatit të Shaqir Totajt pati fatin të punësohet edhe djali i tij, Adonis Totaj në ndërmarrjen publike “Ekoregjioni”. Për këtë kryetari Totaj tha se nuk ka një konflikt interesi pasi që i është drejtuar Agjencisë Kundër Korrupsion.
“Për para së me hy djali në punë unë iu kam drejtu Agjencisë Anti-Kurrupsion, e kam përshkru rastin. Agjencia Anti-Kurrupsion ma ka kthy më shkrim që kjo nuk është konflikt interesi” – deklaroi Totaj.
Pozita e tij në këtë ndërmarrje është zyrtar tek sektori i pagesave të borxheve në ndërmarrjen “Ekoregjioni”.
Totaj përballë premtimeve – Ku e ‘kapi’ në rrenë Krypometri kryetarin e Prizrenit?
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, në debatet komunale që janë mbajtur gati tri vjet më parë kishte premtuar një mori projektesh të cilat thoshte se do t’i realizonte me ardhjen e tij në krye të Prizrenit që tash e qeverisë.
Ekipi i “Jeta në Komunë” ka matur disa nga premtimet që ai i kishte dhënë në vitin 2021 në kohën e zgjedhjeve lokale në të dyja rundet. Disa prej këtyre premtimeve Totaj i ka mbajtur e disa jo.
Një nga projektet që konsiderohej madhor i prezantuar nga Totaj në kohë fushate edhe në debatet zgjedhore ishte ndërtimi i nënkalimit nga ish-BVI deri te “Shtëpia e Bardhë”, aty ku gjendet edhe Kuvendi Komunal i Prizrenit edhe zyra e kryetarit.
Sipas Totajt, aty do të kishte rreth 700 parkingjeve kurse hapësira mbi nënkalim do të shndërrohej në hapësirë të gjelbëruara.
Dy vjet e gjysmë pas këtij premtimi, Totaj ende nuk e ka realizuar këtë premtim. Studimi i fizibilitetit për ndërtimin e nënkalimit, ia rrëzoi premtimin se Prizreni do bëhet më nënkalim.
“E kemi bërë një studim të fizibilitetit. Jemi konsultu me profesionistë dhe profesionistët na kanë dhënë zgjidhje tjetër ideore e cila nuk nënkupton nënkalimin por zgjerimin e rrugës. Qysh bëhet zgjerimi i rrugës? Bëhet me ndërtim të një objekti të madh që do të përfshijë të gjithë ato shtëpi e lokale që janë aty, do t’u kompensohet një koeficioent dhe rruga do të zgjerohet dhe do të lidhet me rrugën nga Bazhdarhane përreth komunës dhe deri te ish- BVI për inkuadrim”- tregon ndryshimin e projektit që tashmë duket se ka marrë kahje tjetër nga ideja fillestare.
Atij iu kërkua llogari për ndërtimin e 700 parkingjeve te parku i qytetit në Prizren.
“Të parku i qytetit nuk jemi marrë hala me ata se nuk kemi pas kohë”- është përgjigjur kryetari Totaj.
Në debatin “Jeta në Komunë” ai e përsëriti edhe një herë këtë premtim, por kësaj radhe u tregua më i kujdesshëm duke njoftuar vetëm për kohën se kur do të fillojë realizimi i këtij projekti. Totaj tha se do të fillojë në vitin 2025.
As premtimi për t’i emëruar 50% gra në pozita udhëheqëse të drejtorive komunale nuk u përmbush nga kryetari i Prizrenit. Arsyetimi ishte mungesa e përformancës së grave që kanë qenë në këto pozita. Totaj nuk e ka parë të arsyeshme të “rrezikojë” përformancen për shkak të kuotës ligjore për barazi gjinore.
Reagimet nga opozita nuk munguan as për mungesën e grave drejtoresha në Komunën e Prizrenit, dukë përmendur shkarkimin e një drejtoreshe për shkak së nuk kishte pranuar të nënshkruaj një faturë, kërkesë kjo nga shefi i kabinetit të kryearit.
Asamblistja e LVV-së, Dafina Alishani akuzoi kryetarin se në përbërje të kabinetit ka drejtorë burra që nuk kanë performancë të mirë por që vazhdojnë t’a ushtrojnë detyrën e tyre.
Shkarkimi i ish-drejtoreshës së Shëndetësisë që vinte nga radhët e AAK-së gjatë kohës sa ishin në koalicion nuk kaloi pa u komentuar nga ish-partnerët e koalicionit.
Asamblisti i AAK-së, Agim Muqaj, këtë shkarkim e quajti të qëllimshëm dhe se është shpifje që shkarkimi erdhi në mungesë të performancës, pasi sipas tij puna e ish-drejtoreshës ka qenë më e mirë se e kësaj aktuale.
Kryetari Totaj akuzës për shkarkimin e kësaj drejtoreshe iu përgjigj me arsyetimin se nuk u tregua performancë e mirë as gjatë afatit që iu dha për korrigjim.
“Kur bëhet vlerësimi i performancës i një personi i jepet një afat për me u përmirësu edhe në qoftë se edhe brenda atij afati nuk ka përmirësim atëherë nuk mund të jemi peng i një marrëveshje me një parti tjetër të koalicionit, përveç tjerash që kemi pasë një konflikt interesi se kish qenë motra e kryetarit të degës” – deklaroi Totaj në “Jeta në Komunë”.
Përveç kësaj, i pari i Prizrenit në fushatën e vitit 2021 kishte premtuar edhe ndërtimin e strehimores. Por fatkeqësisht ky projekt nuk u realizua për shkak se nuk ka pasur një Udhëzim Administrativ që lejonte fillimin e procedurave për këtë projekt.
Pushteti ne Prizren ka ndarë buxhet në vlerë 220 mijë eurove nga totali prej 660 mijë euro sa pritet të kushtojë ky projekt projekt. Sipas Totajt, projekti do të përfundojë në vitin 2026.
Premtimi tjetër i kryetarit të Prizrenit ka qenë edhe funksionalizimi i parkut të biznesit në Prizren brenda gjashtë muajve të parë të mandatit.
Ky premtim nuk u realizua brenda 6-mujorit të parë të mandatit të Totajt mirëpo ai thotë së është optimist që parku do të funksionalizohet në fund të vitit 2024.
Dafina Alishani, asambliste nga radhët e VV-së u përkujdes që t’i kujtojë kryetarit Totaj se kur ka qenë në rend të ditës diskutimi për zonën ekonomike, kryetari e ka lënë sallën duke e bllokuar dhe mos e votuar këtë çështje.
“Pas shiritit” – Cila është cilësia e punimeve të promovuara nga kryetari Totaj?
Fotografi, video-incizime, përurime, ndërtime, renovime të objekteve të ndryshme, janë disa prej materialeve të cilat përshkojnë rrjetet sociale të kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj. Megjithëse në këto postime nuk mungojnë as lëvdatat dhe kritikat.
Ekipi i “Jeta në Komunë” në Prizren zgjodhi disa nga postimet të cilat ishin publikuar nga kryetari Totaj për projekte që morën ‘vulën’ si të përfunduara por në terren u vërtetua se në këto projekte ende ka punë për t’u kryer.
Më 01.07.2024, Totaj, në rrjetin e tij social në Facebook kishte publikuar një video-material në të cilin promovonte investimet në një aks rrugor nga Qafa e Kushninit deri te Stanet e Struzhës.
“U asfaltua rruga nga Qafa e Kushninit deri në Stanet e Struzhës, një aks i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në këtë zonë të bukur malore të Komunës së Prizrenit”- thuhej në materialin që Totaj kishte shpërndarë me ndjekësit e tij në Facebook.
Ekipi i “Jeta në Komunë” në terren gjeti fakte të tjera për këtë rrugë. Ndonëse rruga ishte e asfaltuar, ende nuk kishte përfunduar. Pamjet që u shfaqën në Debatin për Prizrenin, tregonin se anësoret e kësaj rruge nuk ishin të ndërtuara të gjitha sipas standardit, kjo për faktin se disa anësore mungonin e disa nuk ishin të vendosura në mënyrë të barabartë.
Një tjetër fakt ishte se pusetat përgjatë kësaj rruge ende ishin të hapura, pra të papërfunduara, si dhe mungonte ndriçimi dhe sinjalizimi vertikal e horizontal.
Çelë Lamaj, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit mori fjalën për të arsyetuar postimin në të cilin Totaj promovoi përfundimin e aksit rrugor.
“Rruga ende nuk ka pranim teknik, ende nuk ka përfundu edhe pak ndriçimi, dilet komisioni, bën pranimin teknik. Nëse nuk bëhet pranimi teknik i jepen vërejtje operatorit dhe duhet me pru në gjendjen e projektit që u kërku nga komuna”- tha drejtori Lamaj.
Ai u arsyetua se projektet që promovohen në rrjete sociale janë projekte që janë duke u punuar në vazhdimësi.
Edhe kryetari Totaj pati një përgjigje për këtë.
“E kemi pas një rast kur rruga nuk është kry si duhet. Janë bërë kontrollimet teknike, janë marrë mostrat, është kërku me u punu mirë rruga dhe ka raste kur kemi ndërpre kontratat për shkak të punëve që nuk janë kryer si duhet”- tha Totaj.
E drejtori i shërbimeve publike tha se për çështje të punimeve jo të mira në terren të kryera nga kompanitë janë ndërprerë 6 kontrata të punës.
Një tjetër projekt i cili u tha se kishte përfunduar ishte ai në fshatin Zym në Prizren. Në postimin e datës 19.08.2024, në profilin e kryetarit Totaj në Facebook thuhej “janë përmbyllur me sukses punimet në Shtëpinë e Kulturës në Zym të Hasit – projekt i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që tashmë ofron hapësira të reja për aktivitetet kulturore dhe sociale të komunitetit”.
E kur ekipi i “Jeta në Komunë” shkoi në Zym, Qendra e Kulturës ishte e mbyllur dhe e papastruar – pra nuk ishte funksionalizuar.
Adem Morina, drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prizrenit tha se hapja e kësaj qendre do të bëhet në muajin tetor.
“Fatmirësisht të gjitha punimet kanë përfunduar në këtë Shtëpi të Kulturës. Po më vjen keq që s’e keni gjendjen e mëparshme të këtij objekti. Ka përfunduar objekti thuaja tërësisht, ndërsa pjesa e inaugurimit do të jetë më 26 tetor. Me datë 26 tetor bëhet edhe inaugurimi, dhe do të mbahen edhe takimet, është kthy në një objekt të kulturës e gjithashtu është edhe bibloteka”- shtoi Morina.
Një tjetër material i publikuar nga Shaqir Totaj ishte edhe renovimi i parkut te ish-Pazari i Bulmetit që gjendet te rruga “Mbretëresha Teutë” në Prizren.
“Rregullimi i parkut te ish-Pazari i Bulmetit në Prizren ka qenë i domosdoshëm për ta rigjallëruar këtë hapësirë të gjelbër në qendër të qytetit, që me dinamikën aktuale të punëve, do të jetë në dispozicion për qytetarët së shpejti”- thuhej në postimin e Totajt më 15.07. 2024.
E në terren ekipi “Jeta në Komunë” shkoi më 11.09.2024 dhe aty pa që ende punimet nuk kishin përfunduar. Njëri nga banorët tha se punimet kishin nisur tash e katër muaj dhe ende nuk ishin finalizuar.
Punët me të cilat krenohet kryetari Totaj
Në debatin “Jeta në Komunë”, kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, iu dha mundësia që të shpalosë disa nga projektet që ka arritur t’i realizojë për gati tri vjet dhe për të cilat ndihet krenar.
Ai ka përmendur zhbllokimin e rrugës e cila ka qenë e bllokuar për 15 vjet.
“Zhbllokimi i kësaj rruge ka sjellë shumë risi për qytetin e Prizrenit, e ka kriju mundësinë për një zhvillim ekonomik më të madh andej” – theksoi Totaj gjatë 3-minutëshit të prezantimit të projekteve me të cilat krenohet.
Pas zhbllokimit të rrugës ai përmendi edhe projektet që lidhen me shatërvanin.
“Kemi një projekt shumë të rëndesishëm, shatërvanit bashkë më trotruaret ku veç në shatërvan janë zhvillu diku rreth 10 projekte” – vazhdoi Totaj.
Ndër projektet e tjera që përmendi janë rruga unazore e Prizrenit, ndërtimi i terreneve sportive e çerdhet e reja.
“E kemi shtru me asfalt rrugën unazore të Prizrenit, renovimi i tërësishëm i qendrës sportive, kemi ndërtu 13 terrene të reja sportive, dy stadiume të reja në Has edhe në Zhur, renovimi i tërësisihem i Shtëpisë së Kulturës. Te arsimi kur dalim i kemi gjashtë shkolla të reja të ndërtuara, një çerdhe e re në Bajram Curr, në ndërtim janë katër çerdhe të reja kurse në plan janë dy çerdhe të reja” – tha Totaj në “Jeta në Komunë”.
Asamblisti i AAK-së, Agim Muqaj, e pyeti kryetarin Totaj, se për cilat zotime do të mbahet mend këtë mandat.
“Qe veç një punë të madhe po e përmendi, zhbllokimi i rrugës së tranzitit që lidh lagjen “Dardania” me lagjen “Arbana” që ka lehtësuar lëvizjen e qytetarëve të territorit të Prizrenit, ndërtimi i rrugës nga “Tehaja” deri te “Arbëria” edhe ndërtimi i një rruge tjetër që ndërlidhet me këtë rrugë që del te lagjja “Arbana”, ka fillu zhvillimi ekonomik, kanë fillu ndërtimet” – deklaroi Totaj.
Komuna e Prizrenit nën lupën e Auditorit dhe performaca komunale
Në “Jeta në Komunë” kryetari i Prizrenit u përball edhe me gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportet e vitit 2022 dhe 2023.
Në vitin 2023 Komuna e Prizrenit e bindi Zyrën Kombëtare të Auditimit se i qeverisi financat më mirë se në vitin 2022. Raporti konstatoi se Komuna përmbushi kriteret financiare, por në disa mostra u zbuluan parregullsi.
Auditori zbuloi se në një tender për blerjen e druve, munguan 5 metra dru.
U zbulua po ashtu se Komuna nuk i menaxhonte të gjitha kontratat përmes platformës E-Prokurimi, ndërsa probleme serioze Auditori gjeti se ka pagesa të parregullta.
Sipas procedurave, komunat para tenderimit duhet t’i kenë projektet ekzekutive, por Auditori konstatoi se në një projekt 3.4 milionësh për asfaltim të rrugëve, nuk kishte projekt ekzekutiv.
Komuna vendosi që t’i kompensonte kompanitë e tenderëve për shkak të inflacionit, por në një rast Auditori gjeti se përfituesi nuk i kishte realizuar punët sipas kontratës.
“Gjetjet dhe rekomandimet që na i ka dhënë Auditori i marrim shumë seriozisht sepse nuk ka perfeksionizëm, suksesi nuk është një objektive që mundemi me e arritë është një proces i cili kërkon vëmendje, përkushtim të vazhdueshëm” – ka thënë Totaj.
Përveç gjetjeve dhe rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Prizrenit në raportet e viteve 2022 dhe 2023, i pari i Prizrenit u përball edhe me renditjen dhe pikët nga Raporti i Performancës Komunale.
Komuna e Prizrenit në raportin e performancës ka shënuar një ngritje krahasuar me vitin e paraprak, por në fusha të caktuara vazhdon të mos ketë performancë të mirë.
Vlerësim me zero pikë nga ky raport del të jetë për mosfunksionalizimin e Këshillave Lokale dhe realizimin e planit komunal për transportin publik.
Ndërsa vlerësim negativ nga ky raport del të jetë edhe punësimi i personave me nevoja të veçanta, vlerësuar më 20.4 pikë. Numri i fëmijëve që vijojnë kopshtet në këtë komunë u vlerësua me vetëm 24 pikë.
Kryetari Totaj vlerësimin me zero pikë për planin komunal për transportin publik e quan “një gabim teknik ndoshta në plotësimin e formularit të MAPL-së”.
Ndërsa për mungesën e Këshillave Lokale drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Edin Shehu, ka thënë se janë zgjedhur këshillat lokale në ketë komunë, por më herët nuk ka mund të behët për shkak të një udhëzimi administrativ të ministrisë.
“Me datën 02.05.2024 i kemi dhënë vendimet atyre kryetarëve të bashkësive lokale dhe momentalisht Komuna e Prizrenit ka 40 bashkësi lokale” – deklaroi Shehu.