Përballja e Shpejtim Bulliqit me opozitën, akuza për punësime e hakmarrje politike

Punësimet me lidhje familjare e shoqërore ishte kryefjala e opozitarizmit të partisë Vetëvendosje, kritika ndaj ish-pushtetarëve për punësime politike ishin shembujt që sipas VV-së nuk duhej ndjekur si model qeverisës.

Hulumtimi i ekipit “Jeta në Komunë” gjatë punës për debatin me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka identifikuar raste në të cila dyshohet të jenë punësuar duke shfrytëzuar lidhjet familjare e shoqërore me komunarët në Podujevë.

Një diskutim i gjatë në emisionin “Jeta në Komunë” ishte çështja e punësimeve politike gjatë mandatit të Shpejtim Bulliqit në Komunën e Podujevës.

Akuza të shumta pati për punësime e hakmarrje politike nga opozita e LDK-së e kundërakuza nga pushteti i VV-së, së e njëjta gjë kishte ndodhë edhe gjatë qeverisjes së tyre të mëparshme.

Sekretari i degës në LDK-së, Besim Latifi madje ushtroi kallëzim penal ndaj drejtorit të Arsimit, Avni Fetahu, për dy shkelje të punësimeve pa konkurse dhe si shkak i kësaj asamblisti i LDK-së Qendrim Softolli, thotë së kanë bërë hakmarrje politike duke e transferuar me punë nga një shkollë në Podujevë në një fshat të largët të kësaj komune.

“Ndaj Besim Latifit (sekretari i degës së LDK-së) ka pas hakmarrje politike pasi që ai ka bërë kallëzim penal ndaj drejtorit të Arsimit (Avni Fetahu) për dy shkelje, drejtori i Arsimit ka bërë dy punësime pa konkurse”- deklaroi asamblisti Softolli.

Lidhur me këtë çështje u përgjigj drejtori i Arsimit, Avni Fetahu. Sipas tij transferimi i sekretarit të shkollës Besim Latifi ka qenë vetëm për dy ditë për të mbuluar pjesën administrative në shkollën e fshatit Kerpimet.

“Sekretari shkollës, Besim Latifi është transferuar për dy ditë punë, pra jo komplet dhe ai vendim është bërë me vendim të drejtorisë komunale me arsyetimin që në shkollën në Kerpimet nuk ka aktualisht sekretar dhe drejtori është në prag të pensionit dhe e kemi dërguar atje për të mbuluar fushën administrative dhe tani së fundi kanë pushuar hetimet për rastin që e kanë ngritur këta”- ka thënë drejtori Fetahu.

Asamblisti i LDK-së, Qendrim Softolli, përmendi edhe dështimin për funksonalizmin e këshillave lokal nëpër fshatrat, që sipas tij kjo ka ndodhë pasi kryetari Bulliqi nuk ka mundur të emëroj aty njerëzit e vet.

“Funksionalizmi i këshillit të fshatrave është një proces që ka nisë, por që është ndal pikërisht nga kryetari pasi ka dështuar të zgjedhë njerëzit e vetë nëpër disa tubime të cilat i ka organizuar”- ka thënë Qendrim Softolli.

Kryetari Bulliqi e konfirmoi së ka filluar formimi i këshillave lokal dhe së ka ngecje në këtë proces, mirëpo sipas kryetarit nuk është ndal procesi i këshillave për shkak se aty nuk ka mundur të punësohen njerëzit e tyre pasi që zgjedhja në këtë proces është e lirë dhe rregullorja që është formuar nga MAPL-ja ka disa mangësi që ka krijuar ngecje.

“Është e vërtetë që këshillat e fshatrave kanë filluar, nuk ka vazhduar më tutje është një komision që e ka formuar Kuvendi Komunal dhe duket që ka pas telashe në terren, ka pas disa probleme disa incidente sepse edhe rregullorja që është bërë është një rregullore jo e përshtatshme, aty njerëzit zgjedhen me votë të lirë nuk ka mundësi në secilin fshat me pas këshillin e vetë sepse rregullorja  e parasheh ashtu”- ka thënë kryetari Shpejtim Bulliqi.

Asamblisti tjetër i LDK-së, Valon Demolli akuzoi pushtetin në Podujevë se u hakmorën ndaj tij duke shpallur vend pune për pozitën që ka qenë gruaja e tij gjatë kohës kur ajo ishte shtatzënë, pasi që i njëjti ka kërkuar dokumente për disa punësime që janë bërë për gratë e asamblistëve të VV-së në këtë komunë.

Akuzë tjetër në këtë proces sipas Demollit është edhe ndërhyrja e drejtorit të Arsimit në dosjen e bashkëshortes së asamblistit të LDK-së dhe pasi e ka iniciuar këtë çështje përmes avokatit të tij gruaja i është kthyer në punë.

“Shpallja e vendit të punës së bashkëshortes sime në kohë shtatzënie për hakmarrje politike për shkak se drejtori më ka dërguar njerëz që të hesht, mos të kërkoj dokumente publike për disa gra të asamblistëve të punësuar pa konkurs dhe ky ka qenë edhe kallëzimi në prokurori”- ka deklaruar asamblisti Demolli.

Sipas Demollit, hakmarrja ndaj tij nuk ka përfunduar as pas kthimit në punë të bashkëshortes së tij, pasi që kur është bërë shpërndarja e orëve mësimore ja kanë zvogëluar normën e orëve dhe këto orë i janë ndarë bashkëshortes së drejtorit të Inspeksionit.

“Hakmarrja tjetër është para dy muajve, kur është bërë shpërndarja e orëve, bashkëshortja ime ka qenë e punësuar e para dhe i takon norma e plotë, mirëpo drejtori në shenjë hakmarrje i’a zvogëlon normën e orëve dhe ja kalon orët bashkëshortes së kolegut të tij, drejtorit të Inspeksionit”- ka thënë asamblisti Valon Demolli.

Drejtori i arsimit, Avni Fetahu këtyre akuzave i’u përgjigj me kundërakuzën se në kohën kur është punësuar bashkëshortja e asamblistit të LDK-së janë refuzuar katër kandidatë tjerë më të përgatitur dhe pavarësisht kësaj edhe tani i është vazhduar kontrata.

“E vërteta qëndron së vërtetë janë eliminuar katër kandidatë me master të fushës, shumë të përgatitur kur është pranuar në kohën e LDK-së, bashkëshortja e tij, mirëpo ne e kemi vazhduar kontratën dhe asnjë pengesë për këtë çështje nuk e ka pas. Nuk është e vërtetë që është shpallur konkurs për vendin e saj të punës nëse ka argumente sjellin dhe pak a shumë (bashkëshortja e drejtorit të Inspeksionit) ka qëllu si e këtyre”- ka deklaruar Fetahu.

Ndërsa, drejtori i Inspeksionit, Alban Zeka tha se në kohën kur është punësuar gruaja e tij ai nuk ka qenë në pozitën e drejtorit dhe se gruaja i ka përmbushur gjitha kriteret e konkursit.

“Në atë periudhë kohore në maj të vitit 2022 unë kam qenë mësimdhënës në shkollën “Aleksandër Xhuvani”, ka qenë një konkurs i rregullt, bashkëshortja ime është magjistër e farmacisë ka kaluar të gjitha procedurat e rekrutimit dhe është përzgjedh”- thotë drejtori Zeka.

Punësimet politike në Komunën e Podujevës gjatë mandatit të Shpejtim Bulliqit kanë qenë jo të pakta, gratë e asamblistëve të VV-së ishin target i punësimeve nga pushteti në këtë komunë.

Bashkëshortja e asamblistit të VV-së, Xhevdet Malokut, Artrit Mulliqit dhe Kasim Bashotës, janë tri punësime që kanë ndodhur gjatë mandatit të kryetarit Bulliqi, gratë e këtyre asamblistëve janë punësuar të gjitha si mësimdhënëse në shkollat e komunës së Podujevës.

Edhe një mësimdhënëse tjetër nga radhët e VV-së ju shtua arsimit në Podujevë, kësaj radhe asamblistja e VV-së, Qëndresa Hajrizi.

Kryetari Bulliqi këto punësime nuk i konsideron si politike pasi që sipas tij, kërkohet që këta të punësuar të jenë të përgatitur në fushat që kërkohen dhe nëse rastis të jenë të LDK-së apo VV-së nuk është ndonjë problem.

“Ne punësojmë njerëz që janë profesionalisht të përgatitur për fusha të caktuara, a rastisin që të jenë të VV-së a të LDK-së, fare nuk është problem për arsye së unë ju jap shumë shembuj me këta këtu që i kemi (LDK-në) që kanë bërë akuza të tilla të cilët për 20 vite i kanë punësuar krejt të vetë”- ka thënë kryetari Bulliqi.

Ndër të tjera kryetari Bulliqi përmendi edhe punësime tjera që kanë ndodhur gjatë mandatit të tij e që janë familjarë të asamblistëve të LDK-së e një nga to ishte edhe punësimi i nënës së asamblistes Donjetë Sheqiri.

Mirëpo, asamblistja e LDK-së, Donjeta Sheqiri tha së nëna e saj është larguar një vit nga puna për hakmarrje politike dhe për inskenim në këtë konkurs janë punësuar edhe dy familjarë të pushtetit në Podujevë.

“Ky e ka largu pas nëntë (9) vite pune, një vit e ka lënë pa punë për hakmarrje politike, e në atë konkurs është punësuar po ashtu edhe reja e motrës së drejtoreshës së Shëndetësisë dhe kunata e drejtorit të QKMF-së në punë dhe kjo ka qenë për inskenim për me marrë vëmendje punësimi i nënës time”- ka thënë asamblistja Sheqiri.

Punësimin e resë së motrës e pranoi drejtoresha e Shëndetësisë, Adelina Stublla, duke u arsyetuar së është punësuar edhe nëna e asamblistes së LDK-së.

“Reja e motrës është punësuar, por faktikisht është punësuar edhe nëna e saj, Podujeva është vend i vogël dhe nuk munden me rastisë që krejt punësimit me qenë me familjarizim. E rëndësishme është që të dyjat punojnë”- tha drejtoresha Stublla.

Asamblistja e LDK-së, Arjeta Abazi ngriti një shqetësim në fushën e arsimit për mbarëvajtjen e mësimit në shkollën “Isa Boletini”. Sipas saj, në këtë shkollë që nga pandemia orët mësimore zgjasin vetëm 30 minuta dhe kjo shkollë vazhdon të punojë më tri ndërrime mësimore.

“Problemi shumë i madh është në shkollën ‘Isa Boletini’ që nga pandemia orët mësimore në atë shkollë mbahen vetëm 30 minuta dhe mësimi mbahet me tri ndërrime. Për ironi të fatit numri i nxënësve ka rënë në 700 ndërsa numri i mësimdhënësve është rritur nga 90 në 130 mësimdhënës kjo situatë tregon që ka keqmenaxhim”- tha asamblistja Abazi.

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, gjithashtu foli për një varg projektesh që ka arritur t’i kryej gjatë mandatit.

“Kemi funksionalizuar tri çerdhe të reja në Podujevë, një në qytet, njëra në Lluzhanë dhe njëra në Sfeçël, ndërkohë kemi në ndërtim tri çerdhe tjera. Sa i përket arsimit kemi përfunduar ndërtimin e shkollave në Vranzhë dhe Dumosh, në shëndetësi kemi sjellë shërbimin paliativ, shërbimin shtëpiak i cili kryen mbi 1000 mijë vizita në muaj për pacientë me nevojë, kemi ndërtuar urgjencën e qytetit, kemi ndërtu stacionin e autobusëve”- ka thënë kryetari Shpejtim Bulliqi.

Ndërsa, Bashkim Syla asamblist nga radhët e PDK-së përmendi disa projekte infrastrukturore që janë vonuar nga kryetari për t’u përmbushur e që paraqesin problem për qytetarët e Podujevës.

“Premtim edhe i kryeministrit edhe i kryetarit ka qenë ndërtimi i Spitalit të Podujevës, gjithashtu mosrealizimi i projektit të shkollës ekonomike po detyron nxënësit të mbajnë mësime me tri ndërrime, vonesa e ndërtimit të rrugës që lidh lagjen Vëllezërit Fazliu deri të rruga Prishtinë-Podujevë dhe mosfillimi i punimeve në rrugën Podujevë-Kerpime deri të rruga Shaban Shala” – tha asamblisti Syla.

Kryetari Bulliqi për ndërtimin e Spitalit të Podujevës tha se kanë ardhur në një përfundim me Ministrinë e Shëndetësisë se më funksionale do të ishte ndërtimi i një poliklinike që ofron shërbime specialistike për qytetarët ndërsa shërbimet më të avancuara do t’i marrin në Prishtinë.

“Kemi ardh në një konkludim bashkë më Ministrinë e Shëndetësisë që për Podujevën do të ishte shumë më funksionale një poliklinikë që do ofronte të gjitha shërbimet specialistike të nevojshme për qytetarët e Podujevës dhe shpresojmë shumë që para vitit të ri kemi më fillu funksionalizimin, jo me gjitha shërbimet por me disa”- ka thënë kryetari Bulliqi.

Problemet me infrastrukturën rrugore në Podujevë ka qenë ankesa tjetër nga asamblistit i LDK-së, Ekrem Rrahmani, më saktësisht për vonesën e ndërtimit të Rrugës Skënderbeu, i cili ka dyshime për keqpërdorim në këtë tender të kësaj rruge.

“Rruga Skënderbeu është tenderuar më 9 qershor 2022, ka pas me u krye për 210 ditë, që i bie në janar të 2023 me përfundu. Rruga nuk ka përfunduar, ka dhënë punë shtesë, pyetja është për drejtorin e Infrastrukturës, qysh ka mundësi me dhanë punë shtesë 98 mijë e 500 euro dhe brenda ditës e ka marrë tenderin, e ka nënshkruar kontratën edhe e ka marrë faturën dhe e kanë devijuar projektin”- ka thënë Rrahmani.

Përgjigje për këto vonesa e telashe dha drejtori i Urbanizmit, Leutrim Krasniqi, i cili tha se investimi në këtë rrugë është 1.3 milionë euro, ndërsa punët shtesë kanë qenë të nevojshme.

“Rruga Skënderbeu një prej arterieve më të rëndësishme të Podujevës kemi lidhur kontratë në vlerë prej 1.3 milionë euro për shkak të nevojave që kanë dalë gjatë këtij procesi dhe ka qenë e rëndësishme për më vazhdu edhe me një pjesë të punës shtesë që ka qenë për gërmim dhe mbushje të materialit”- ka deklaruar drejtori Krasniqi.

Premtimet e Shpejtim Bulliqit nën llupën e Krypometrit

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi në debatin “Jeta në Komunë” para tri vitesh kishte premtuar investim në fushën e arsimit, kështu duke përmirësuar infrastrukturën në shkolla të caktuara e në disa vende premtoi edhe për ndërtimin e shkollave të reja.

Premtimi i kryetarit Bulliqi më 28.09.2021 ishte së shkolla fillore në fshatin Llugë dhe shkolla fillore në Obranqë do të përmbyllen si projekte në vitin 2022.

Ndërtimi i shkollës në Obranqë u përfundua nga Komuna, mirëpo renovimi në shkollën e fshatit Llugë nuk ka përfunduar ende dhe gjendja e kësaj shkolle vazhdon të jetë e rëndë.

Nga verifikimet në terren të ekipit “Jeta në Komunë”, është parë së muret e kësaj shkolle ishin tejet të dëmtuara dhe të qara, gjendja e banjove ishte po ashtu e rëndë dhe pa mirëmbajtje e në gjendje jo të mirë ishin edhe bankat e karriget e klasave, kishte mungesë edhe të hapësirave të gjelbra në oborrin e shkollës fillore në Llugë.

Përgjigja e komunës për gjendjen e kësaj shkollë ishte së kjo shkollë nuk është rinovuar pasi që kanë vendosur ndërtimin e një objekti të ri shkollor dhe ky objekt është projekt i Ministrisë së Arsimit në të cilin punimet ende po vazhdojnë.

Nga ajo çfarë ka verifikuar ekipi i “Jeta në Komunë” tregon së nxënësit e shkollës “Ilir Konushevci” do vazhdojnë edhe për një kohë të gjatë mësimet në shkollën e vjetër pasi që punimet duken të jenë larg përfundimit.

Ndërsa kryetari për gjendjen e shkollës nga fshati i cili vjen vetë tha së nuk e kemi parë të arsyeshme me investu në një objekt përderisa është duke u ndërtuar objekti tërtër i ri.

“Duke pasë përsyshë faktin që ne presim shumë që do të ecë më shpejtë procesi i ndërtimit të shkollës së re, nuk e kemi parë të rrugës me investu në një objekt i cili për pak kohë do të largohet nga përdorimi”- thotë kryetari Bulliqi.

Në fushën e arsimit kryetari Bulliqi kishte thënë së ka për synim që në mandatin e tij katër vjeçar të gjitha shkollat në komunën e Podujevës do t’i pajisë më projektorë, ditarë digjital, laboratorë të informatikës e shkencave natyrore si dhe internet.

Pas verifikimeve në 38 shkolla që janë realizuar nga ekipi “Jeta në Komunë” është vërtetuar se në tetë (8) shkolla të Podujevës nuk ka asnjë projektor, ndërsa në dhjetë (10) shkolla nuk ka internet.

Në shkollën fillore “Drita” në fshatin Majacë, drejtori dhe arsimtarët kanë treguar së janë detyruar t’a paguajnë vetë internetin e shkollës që të kenë qasje në internet.

Ndërsa projekti për ditarët digjital është konfirmuar edhe nga Komuna dhe shkollat së nuk është implementuar fare si projekt.

Shkolla në fshatin Llugë, Dobordol, Pollatë, Dobratin, Dumosh dhe Herticë, janë gjashtë shkollat që nuk kanë laborator të shkencave natyrore.

Mungesa e internetit në 10 shkollat në Podujevë sipas kryetarit është për shkak të rrjetit jo të mira të Telekomit të Kosovës.

“Kemi qenë të preokupuar më këtë çështje, fatkeqësisht Telekomi i Kosovës nuk ka një shtrirje të mirëfilltë në krejt hapësirat tona dhe aty ku kemi pas mundësi për me zgjeru e kemi bërë”- ka thënë kryetari Bulliqi.

Shpejtim Bulliqi u zotua së me marrjen e mandatit, njësinë e mbeturinave do t’a kthejë në ndërmarrje publike komunale duke e pavarësuar nga njësia regjionale e mbeturinave kështu duke zgjeruar edhe aktivitete e kësaj ndërmarrje.

Ky premtim është përmbushur nga kryetari, sepse komuna e Podujevës tani më ka nën kompetencat e saj, Ndërmarrjen e re lokale për grumbullimin e mbeturinave “Eko Llapi”.

Planifikimet e kryetarit Bulliqi ishin që brenda mandatit qyteti i Podujevës t’a ketë zonën industriale më qëllim të lehtësimit të punës së bizneseve duke u koncentrua në një pjesë të caktuar.

Për tri vite mandat krejt çka ka bërë komuna për këtë projekt është së ka ndarë pronën, ndërsa qeveria ka marrë vendimin për formimin e Zonës Industriale, por punimet për këtë projekt në terren ende nuk kanë filluar.

Nga komuna thonë së punimet do fillojnë këtë vit dhe së janë ndarë 3.5 milionë euro për realizimin e këtij projekti me përkrahjen e Ministrisë së Tregtisë.

“Zona industriale është themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës. Për këtë zonë janë shpronësuar prona të AKP-së afro 30 hektarë. Këtë vit fillon investimi prej 3.5 milionë euro në infrastrukturë me përkrahje të Ministrisë së Tregtisë”- thuhet në përgjigjen e komunës.

Përkrahje i’u premtua edhe bujqve që do marrin kredi për punimin e tokave të tyre për prodhim, kryetari kishte premtuar së këtyre bujqve do ju paguhet 50% e kamatës së kredisë që ata marrin.

Mirëpo, një ndihmesë e tillë nuk i’u është ofruar ende nga komuna bujqve në Podujevë dhe nga përgjigja e komunës thuhet së do fillojë të zbatohet nga viti 2025.

“Gjatë kësaj periudhe është bërë subvencionimi me subvencionim direkt si dhe me pajisje për biznes, ndërsa me programin e mbështetjes se kredive do të fillojmë nga viti 2025”- thuhet në përgjigjen zyrtare të Komunës së Podujevës.

Projektet e Shpejtim Bulliqit pas “shiritit”

Hapësirë të madhe promovimi në faqen e Facebook-ut të kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi gjejnë investimet komunale në infrastrukturën rrugore, madje këto postime marrin qindra pëlqime e komente nga qytetarët.

Mirëpo, fotografitë e projekteve që promovohen nga komunarët jo gjithherë janë në gjendje të njëjtë siç promovohen pas verifikohen në terren.

E njëjta ndodhi edhe më postimin e kryetarit Bulliqi në gusht të vitit 2022, i cili kishte ndarë disa fotografi të asfaltimit të rrugës që lidhë fshatin Buricë dhe Konushecë, mirëpo pas dy vite përurim në këtë rrugë është intervenuar prapë për sanimin e gropave që janë krijuar.

Kryetari për ketë gjendje tha së ka rrëshqit dheu dhe për sanimin e problemit do merret kompania e kontraktuar pasi që ende kjo rrugë ka garancionin.

“E kemi rregulluar rrugën, ka rrëshqit rruga, operatori e ka kontratën edhe e ka garancionin bankar që është brenda që është i obliguar për me e sanu problemin”- ka thënë Shpejtim Bulliqi.

Para një viti kryetari Bulliqi kishte ndarë edhe një postim tjetër për asfaltimin e rrugës Bellopojë-Gordocë e këtë herë pamjet e xhiruara nga droni shfaqnin edhe më mirë punën e këtij projekti.

Mirëpo, pas një viti pamje të njëjta të marra nga droni i KALLXO.com, shpërfaqin një realitet ndryshe. Në këtë aks rrugor tani më gjejmë deformime të asfaltit dhe krijimi i gropave të para veç se ka filluar.

Arsyetimi i kryetarit Bulliqi për gjendjen momentale të këtij projekti, ishte së e trashëgoi në gjendje shumë të keqe nga pushteti i kaluar dhe plani i fizibilitetit nuk ka qenë i duhuri sipas kryetarit.

“Rruga në Bellopojë kur e kemi marrë mandatin e kemi gjetë një gjendje jashtëzakonisht të shkatërruar dhe ka rrëshqit komplet pjesa e terrenit nuk është bërë fizibilitet i mirëfilltë”- ka thënë kryetari Bulliqi.

Promovim të projekte ideve për investime në infrastrukturë kishte promovuar edhe faqja zyrtare e Vetëvendosje, kjo ndodhi me rrugën Skënderbeu në Podujevë.

Projekt idenë për rikonstruktimin e rrugës Skënderbeu që shpërndau faqja zyrtare e Vetëvendosjes kishin paraparë hapësira të gjelbra e shtigje të biçikletave dhe investime tjera të planifikuar në këtë rrugë.

Ndërsa pas realizmit të këtij projekti nga komuna e Podujevës, ekipi i “Jeta në Komunë” ka vërejtur së punët nuk janë kryer siç ishin paraparë në projekt.

Punimet në këtë rrugë nuk janë kryer sipas planit pasi që hapësirat e trotuareve janë të ngushta dhe qytetarët detyrohen të ecin në shtegun e biçikletave, madje në pjesë të caktuara trotuari ka filluar edhe të dëmtohet.

Ndërkaq gjelbërimi përgjatë kësaj rruge siç parashihte projekti mungon pas finalizimit të këtij projekti.

“Kemi pas disa neglizhenca në këtë rrugë, kanë qenë shumë arsye të cilat na kanë detyru neve si institucione me banë ndryshime në projekt, arsyeja e parë ka qenë, ke telashe me qytetarë me i vendosë drunjtë “jo mos e le para shtëpisë tem, jo mos e le para derës tem, jo më pengon dhe në një fare forme po duhet më ju përshtatë kushteve, sa kemi pasë hapësira publike është ndërtuar trotuari – është përgjigjur kryetari Shpejtim Bulliqi.

Projekti i radhës që u vëzhgua nën llupën e hulumtuesve të ekipit “Jeta në Komunë” është projekti i stadiumit të fshatit Peran në Podujevë.

Në korrik të 2024 kryetari Bulliqi përmes postimit në rrjetin social Facebook njoftoi së stadiumi i fshatit Peran veçse ishte gati për futbolldashësit, mirëpo e njëjta gjë nuk mund të thuhet pasi kanë kaluar katër muaj nga përurimi i këtij projekti.

Më 09.09.2024 gjendja e këtij stadium nuk është as afër asaj së çka prezantoi kryetari Bulliqi, mungesa e mirëmbajtjes, dëmtimi i rrjetave të portës, dëmtimi i rrethojave të stadiumit dhe një puseta i hapur janë problemet e para që bien në sy.

Ndërsa më 08.10.2024 me të kuptuar se Komuna ka ndërhyrë në këtë stadium për përmirësimin e gjendjes, ekipet e “Jeta në Komunë” kanë dalur në terren për të parë edhe njëherë gjendjen e stadiumit.

Nga vizita e herës së kaluar gjendja e stadiumit ishte më mirë, një pjesë e mbeturinave ishin larguar edhe pse ende jo të gjitha, rrjetat e portave ishin ndërruar dhe puseta e hapur ishte mbyllur. E për gjithë këtë kryetari i hedhë fajin njerëzve të papërgjegjshëm. “Njerëzit e papërgjegjshëm i kanë shkatërruar”- tha Bulliqi.

Ndërsa gjatë korrikut të vitit 2023 kryetari Bulliqi, promovoi projektin e Kinemasë verore e tipit e hapur në parkun ‘Manchester’ në Podujevë.

Pas një viti që u investua në këtë projekt gjendja del të jetë tepër e rëndë, hapësira e parapara të shfrytëzoheshin janë të dëmtuar dhe vërehet mungesa e mirëmbajtjes.

Kryetari këtë investim e quajti si projekt shumë të mirë dhe së kanë vendosur kamera në këtë hapësirë për të evituar mundësinë e dëmtimit të parkut nga persona të caktuar, por përkundër kësaj nuk është parandaluar pasi që qasje në këto kamera kanë vetëm Policia e Kosovës dhe se kjo mbetet në përgjegjësinë e tyre.

“Kinemaja e shkatërruar, ju e patë, ka qenë një investim jashtëzakonisht i mirë. Ne e kemi vendosë një kamerë të sigurisë për me mujt me i evitu sepse kjo është bërë për komunitetin, kemi intervenuar në atë park më një shumë mjetesh që ja kemi kthy vërtetë freskinë atij parku, kamerat janë në kompetenca të Policisë së Kosovës dhe ne nuk kemi të drejtë t`i hetojmë këto kamera”- ka thënë kryetari Bulliqi.

Ankesa nga qytetarët e kësaj komune kishte edhe për projekte tjera infrastrukturore.

Në fshatin Sibovc të Epërm, rruga Sejdi Sejdiu, e cila u asfaltuar para dy vite dhe tani në këtë rrugë gjejmë gropa të hapura në të cilat ka nisur të rritet edhe bari.

Për ketë gjendje të rrugës folën edhe banorët e kësaj zone që frekuentojnë çdo ditë këtë rrugë.

“Rruga Sejdi Sejdiu është rregullu në 2022, kanalizimin e kanë vendosë edhe se kanë rregullu qysh duhet me e ngjeshë dhe kadal dale ka fillu me shku dheu të poshtë, kualiteti i dobët nuk e kanë rregullu siç duhet qaty është krejt problemi”- ka deklaruar banori Sylejman Sejdiu.

Kryetari edhe këtë herë akuzoi kompaninë që se ka kryer punën siç duhet, por nuk la pa përmendur edhe fajin e drejtorisë se vetë e cila nuk i ka mbikëqyrur punimet.

“Ne kemi telashe me gjitha kompanitë në kuptim të punëve që po i kryejnë, janë qito kompani që i kemi ne, nuk mundemi më i bo as më të fortë as më të mira ka probleme. Mendoj është pa përgjegjësi e drejtorisë që se ka mbikëqyrë këtë projekt dhe duhet me e gjetë rrugën kompania me u sanksionu për formën qysh kanë punuar”- ka deklaruat kryetari.

Në vazhdën e promovimeve nuk munguan as projektet në fushën e arsimit.

Rinovimi i shkollës fillore “Kongresi i Manastirit” në fshatin Sekiraqë u realizua në tetor të 2023, por projekti i komunës për rinovim nuk kishte paraparë qasje për personat me aftësi të kufizuar, madje shkolla nuk ka as lift që do mund të shfrytëzohej nga këta persona.

Përveç mungesës së qasjes për këto kategori edhe pas një vit renovimi në hapësirat e shkollës janë parë pjesë në të cilat muri është mykur.

Ndërsa për gjendjen e shkollës “Kongresi i Manastirit” dhe mungesën e qasjes kryetari Bulliqi dha një përgjigje.

“Duhet me investu në këtë aspekt edhe po besoj që drejtoria e arsimit do t’a bëjë një gjë të tillë, fatmirësisht në atë shkollë ende nuk kemi nxënës të kësaj kategorie, por sidoqoftë duhet me ekzistu pjerrinat”- është përgjigjur kryetari Shpejtim Bulliqi.

Ankesa nga qytetarët e Podujevës kishte edhe për derdhjen e kanalizimit në liqenin e Batllavës 

Liqeni i Batllavës është një akumulacion në mbrojte të Ministrisë së Infrastrukturës, nëse nuk gaboj në vitin 2017 pushteti i kaluar ka fillu një impiant me ndërtu nuk e di a e ka financu Ministria apo dikush nga OJQ-të ndërkombëtare. Ka mundësi edhe sot me u derdh kanalizimi (në Liqenin e Batllavës) për arsye së ka problem ai impiant për arsye së projekti nuk është krye si duhet”- ka thënë kryetari Bulliqi.

Raporti i Performancës për Podujevën

Vlerësimi i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal përmes vlerësimit të performancës nëpër komuna të Kosovës, rendit komunën e Podujevës jo mirë në fusha të caktuara.

Funksionimi i këshillave lokal si për shumë komuna tjera edhe në Podujevë vazhdon të mbetet sfidë, sipas MAPL-së vlerësimi i komunës në përmbushjen e këtij kriteri është vetëm 0.02%.

Ndërsa kriteri për realizimin e planit komunal të transportit lokal publik sipas raportit nuk është përmbushur fare dhe këtë e vërteton raporti i performancës që ka vlerësuar me 0%.

Vijueshmëria e fëmijëve në çerdhe është kriteri tjetër që rendit poshtë komunën e Podujevës, vlerësimi për përmbushjen e këtij kriteri është 4.5%.

Punësimi për personat me nevoja të veçanta mbetët gjithashtu një ndër sfidat e komunave në Kosovë, komuna e Podujevës në bazë të vlerësimit të raportit të performancës vetëm 23.07% përmbush këtë kriter.

Ndërkaq, niveli i mbledhjes së tatimit në pronë, sipas raportit të performancës është vlerësuar me 29.25%, prapë një performancë e ulët për të përfituar garantët e MAPL-së.

Kryetari, Shpejtim Bulliqi derisa foli për gjendjen së si e ka trashëguar pushtetin tha së tani ka rezultate në këtë drejtim, por për rezultate faktike ja kaloi fjalën drejtorit të Financave, Fatlum Osmanit.

“Komuna e Podujevës për gjatë këtyre vite ka pas dyfishim të hyrave nga mbledhja e tatimit në pronë, e kemi gjet komunën me të hyra nga tatimet në pronë me afër 300 mijë euro, ndërsa në vitin 2023 kemi realizuar të hyra 800 mijë euro të tatimit në pronë”- është përgjigjur drejtori Osmani.

Ndërsa në fund të emisionit, kryetari Bulliqi foli për volumin e projekteve që sipas tij janë kryer e që në disa mund të ketë defekte por që sipas tij është normale.

Në krejt këtë volum të projekteve që janë ka realizohen në komunën e Podujevës me mbi 130 km rrugë të asfaltuara, edhe mund të gjendet një 500-600m që ka telashe, mbi 70 km rrjet të shtrirjes së rrjetit të kanalizimit edhe këtu mund të gjendet ndonjë defekt e që është normale, mbi 150 km gjatësi të trotuareve, mbi 30 ura edhe mund të paraqiten defekte, por krejt këto janë normale sepse na për këtë jena”- ka thënë ai.