Për Mitrovicën Këndej Ibrit

Milioneri në Politikë

Agim Bahtiri, 53, AKR

Milioneri nga përpunimi i kërpudhave në vendin europian, Agim Bahtiri i ka hyrë garës për kryetar të Mitrovicës, i veshur me petkun e AKR-së. Edhe këtë parti e drejton biznesmeni shumëmilionësh Behgjet Pacolli.

Zhvillimi ekonomik me investime të partnerëve nga jashtë është atuja kryesore e Bahtirit. Ai ka premtuar punësimin e 15 mijë qytetarëve të komunës së tij, brenda tre vjetëve të ardhshme, ndërsa 1.500 që në ditët e para të fitimit të besimit të tyre. Kompania Green Mooshroms Farm, ku ai është drejtor i përgjithshëm, u raportua se do të investojë në Kamenicë prej shtatë deri në katërmbëdhjetë milionë euro për kultivimin e kërpudhave.

Arsyen pse nuk investoi në komunën e tij, Bahtiri e lidhë me refuzimin për bashkëpunim të autoriteteve komunale. Thotë se i trokiti në derë disa herë Avni Kastratit, duke i kërkuar kushte për hapje biznesi, në mënyrë që ai të investojë me kapital të partnerëve ndërkombëtarë, por ato dyer nuk iu hapën.

“Ti gjej tokë publike për t’i sjellë investitorët dhe [unë] t’i hap ato vende të punës”, thotë t’i ketë thënë Kastratit, por nuk ka marrë mbështetjen e tij, e as të pushtetarëve lokalë. Kastrati në debatin Zgjedhjet Lokale 2013 pohoi se Bahtiri kërkonte që toka t’i ndahet në procedurë të shpejtë.

“Ti [Agim Bahtiri] së bashku me invesitorët tjerë keni ardhur dhe keni kërkuar që komuna të gjejë tokë brenda dy ditëve dhe për shkak të procedurave ligjore komuna nuk ka mundur tu jap tokë për të investuar”, deklaroi Kastrati.

Ndërkohë Bahtiri deklaroi se nuk kërkoi që toka të merrej në shfrytëzim brenda dy ditësh. “Nuk kanë qenë në pyetje dy ditë – por i kam thënë Avni Kastratit: po citoj: “garantona neve si investitor se Komuna brenda tre muajve do t’i përfundoj procedurat e nevojshme për ato investime dhe ne po presim, por Avni Kastrati nuk deshi të na mirëpret për të investuar miliona euro në Mitrovicë”, deklaroi Bahtiri gjatë debatit.

Pas këtij pohimi kryetari i Mitrovicës nuk komentoi më gjatë debatit. Bahtiri i diplomuar për xehetari, ka gjashtë fëmijë, katër djem e dy vajza dhe shumë nipa e mbesa, që të gjithë të përfshirë në biznesin e kërpudhave.

Ai eksporton kërpudha nga Koreja e Jugut, Kina dhe Japonia drejt BE-së dhe ShBA-së, ndërsa për punën e tij është shpërblyer në vitin 2009 në Seul. Agim Bahtiri i ka hyrë garës me seriozitet, ndërsa për shkak të premtimeve të tij të punësimit, mendon se do ta fitojë garën pa balotazh.

Ai premton se nëse zgjidhet kryetar i Mitrovicës, nuk do ta marrë pagën që i takon për këtë post, ndërsa në punë do të shkojë me makinën e tij private. Thotë se veturën e kryetarit do t’ua dhurojë shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Paratë e pagës së tij zyrtare, gjithmonë nëse zgjidhet kryetar, tashmë ka në plan t’ua ndajë studentëve me gjendje të rëndë materiale, për shkollim. Në Emisionin Jeta në Komunë, të premten me 11 tetor, kur u mblodhën kandidatët për Mitrovicën, ai e tejkaloi premtimin tashmë të dhënë për punësim. Tha se do të punësojë dhjetëfishin e 1 mijë e 500-it, ose 15 mijë punëtorë.

“Unë premtoj se me biznesmenët e mi nga Europa do të hapim fabrika milionëshe dhe do t’i punësojmë 15 mijë veta të moshës së punës, për këtë u garantoj”, tha Bahtiri. Njeriu që i do më së shumti veturat e tipit BMV dhe vozit një të tillë, u porosit nga nëna e tij që të punojë ndershëm.

Teksa tregoi se jetojnë shumë mirë, nuk i dua paratë e haramit në shtëpi, tha ajo.

Gjakovari i pensionuar

Avni Kastrati, 65, PDK

Kryetari Avni Kastrati jeton në një lagje pranë komunës që jozyrtarisht konsiderohet më e qeta e Mitrovicës, ndërsa ka epitetin e lagjes së intelektualëve.

Me prejardhje nga Gjakova, njeriu që në ditën e nisjes së fushatës për zgjedhjet e tre nëntorit, mbushi 65 vjet dhe moshën e pensionimit (i lindur më 3 tetor 1948), ende nuk konsiderohet i Mitrovicës, pasi e quajnë Avni gjakovari.

Në emisionin Jeta në Komunë, të premten e 11 tetorit, Kastrati më së shumti u kap me fjalë me Nexhmedin Spahiun, kandidatin e të Pavarurve të Mitrovicës. Kastrati e Spahiu kanë një histori të vështirë ndërpersonale.

Spahiu gjatë debatit akuzoi rëndë Kastratin dhe partinë e tij, ndërsa kryetari i Mitrovicës ia ktheu atij se “duhet shikuar kush flet, e jo çfarë flet”.

Kastrati është në një beteje gjyqësore për ca lokale që shfrytëzon Spahiu, por e ka mposhtur atë në balotazhin për zgjedhjet lokale të vitit 2009, edhe pse Spahiu thotë se e ndjen veten kryetar legjitim- ngase atij në një qendër votimi në vendin e quajtur Tuneli i Parë në Mitrovicës- “i janë vjedhur votat”. Ndërsa për këtë rrethanë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë është duke bërë hetimet dhe pritet që të fillojë procesi gjyqësor.

Kastrati, më pas kur konsolidoi pushtetin, në vitin vijues pas balotazhit, gjatë 2010-ës, i ofroi bashkëqeverisje partisë së njeriut që mundi në balotazh, duke i dhënë AKR-së tri drejtori: atë të Administratës, të Bujqësisë dhe Drejtorinë e Mbrojtjes së Ambientit.

Kastrati, para se të bëhej kryetar i Mitrovicës, njihej më tepër si biznesmen. Ai zotëronte dy kompani Eko-Kosovën për prodhimin e konstruksioneve metalike dhe Oil-Trade-n për tregti me karburante dhe lëndë djegëse të gazta e të lëngëta, pronësinë ndaj të cilave nuk e kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, me pretekstin se ka shuar aktivitetin afarist, ndërsa kompanitë me emrin e tij figuronin në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve.

Kastrati i tha në maj të vitit të kaluar Gazetës Jeta në Kosovë se bizneset në emër të tij nuk ishin çregjistruar për shkak të neglizhencës së ARBK-së. Ai ka deklaruar detyrime financiare (kredi) në shumën prej 54 mijë eurove në dy banka kosovare, 30 mijë në TEB dhe 24 mijë në Bankën Ekonomike.

Edhe gruaja e tij Afërdita, kur foli për bashkëshortin e saj në Emisionin Jeta në Komunë të premten e 11 tetorit, deklaroi se përpara, kur Kastrati nuk ishte i pari i Mitrovicës, jetonin më mirë.

Inxhinieri i makinerisë në Universitetin e Prishtinës, që u dha ndër të parët mësim në gjuhën shqipe nxënësve të shkollave profesionale të Mitrovicës, pasi braktisi arsimin në vitin 1976, gjithmonë mbajti poste udhëheqëse.

Kaloi nëntë vjet punë në periudha të ndryshme kohore, nëpër pjesë të ndryshme prodhuese të Kompleksit Trepça, ndërsa në vitet 1992-1999 drejtoi ndërmarrjen “Noring” në Mitrovicë.

Kastrati ka një shtëpi prej 400 metrash katrorë, të cilën vetë e ka vlerësuar në vlerën e 350 mijë eurove.Ai vozit Citroen C3.

Avniu dëshiron të mbahet mend për ato që ka bërë si kryetar i Mitrovicës, tha gruaja e tij Afërdita për Jetën në Komunë.

Ambientalisti protestues

Faruk Mujka, 46, Lëvizja Vetëvendosje

Faruk Mujkën, ata që e njohin, e përshkruajnë si të urtë, të qetë, të butë, e të kulturuar, ndërsa thonë se janë çuditur se si një njeri i tillë ka pranuar të garojë me Vetëvendosjen, pasi karakteri i tij nuk përputhet me atë të subjektit politik të njohur për protesta të zhurmshme dhe shpesh edhe agresive.

Mirëpo Mujka thotë se pikërisht gjendja e rëndë ekonomike dhe padrejtësitë e pushtetarëve ia kanë mbushur mendjen që të kandidojë për kreun e Mitrovicës me LVV-në.

Faruk Mujka në vitin 2007 kandidoi për kryetar komune me Partinë Ekologjike, duke qenë nënkryetar i saj në nivel qendror dhe kryetar lokal për Mitrovicë në periudhën 2007-2010.

Edhe në Vetëvendosje nuk e ka ndërruar karakterin e tij mjedisdashës ai është zëvendëskryesues i Këshillit të Përgjithshëm të VV-së dhe kryetar i Komitetit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në Emisionin Jeta në Komuna, Mujka premtoi një ambient të këndshëm për jetë, një qytet të lirë, me sundim të ligjit dhe më shumë të punësuar.

Ai tha se LVV-ja me politikat e saj do të rigjenerojë 2 mijë e 500 vende të punës, kryesisht me zhvillimin e sektorit të bujqësisë.

Qyteti i Mitrovicës është nga më të ndoturit në Kosovë dhe këtu gjithmonë ka punë për një njeri të orientuar nga mbrojtja e ambientit.

Mujka paralelisht me veprimtarinë e tij politike, ka zhvilluar edhe aktivitete tjera. Nga viti 1993 deri në vitin 1998 është marrë me ndërtimtari, tregti e hoteleri, ndërsa në vitet 1998-2010 ka punuar në OSBE, në menaxhimin e objekteve të këtij misioni.

Që nga viti 2011 vazhdon të punojë si inxhinier në kompaninë ndërtimore “Linprojekt”, me seli në Mitrovicë.

Në zgjedhjet e vitit 2010, ai ka qenë kandidat për deputet i LVV-së, ndërsa ka të kaluar të bujshme të aktiviteteve sportive. Në vitet 2002-2011 ishte nënkryetar dhe sekretar i Klubit Hendbollistik “Trepça”, ndërsa nga viti 2003 punoi si zyrtar për marrëdhënie me federatat tjera.

Mujka është pjesëmarrës i shumë kongreseve dhe kampionateve të organizuara nga Federata Europiane ose Botërore e Hendbollit në: Portugali, Spanjë, Itali, Gjermani, Danimarkë, Austri, Kroaci, etj.

Ai para luftës ka pasur makinë të tipit Zastava 126, ndërsa momentalisht vozit BMW 520 të vitit 1989.

Bashkëshortja e tij Semihaja e lavdëroi Faruk Mujkën për njohjen e shumë gjuhëve të huaja. Mujka sipas saj, përveç shqipes, flet edhe anglisht, serbisht, turqisht e greqisht.

Refugjati pranë shtëpisë

Mehdi Januzi, 60, LDK 

Edhe LDK-ja ka zgjedhur që në Mitrovicë të përfaqësohet nga një njeri me dije financiare, pasi premtimi për zhvillim ekonomik u intereson më së shumti mitrovicasve që jetojnë përditë në ambientet e ndotura nga kompleksi Industrial Trepça, ndërsa për shkak të mosaktivizimit të tij të plotë, e kanë më vështirë të gjejnë punë.

Januzi në debatin e Jetës në Komunë të premten e 11 tetorit tha se në katër vjetët e ardhshëm, nëse qytetarët vendosin që ai të bëhet kryetar, do ta bëjë Mitrovicën qendër të zhvillimt ekonomik regjional, duke ia kthyer asaj namin e dikurshëm.

Ai përmendi edhe krijimin e kushteve për ambient më të favorshëm biznesi.

Bankieri, udhëheqës i Bankës NLB në Mitrovicë, ka kryer edhe funksione publike në komunë gjatë së kaluarës.

Ai në vitet 2001-2003 ishte kryeshef ekzekutiv i komunës, ndërsa për tri mandate kreu detyrën e asamblistit të LDK-së në Mitrovicë.

Por në zgjedhjet e fundit lokale Mehdi Jonuzi i LDK-së kishte marrë vetëm 115 vota për asamble komunale, të cilat nuk ishin të mjaftueshme për ta fituar ulësen e kuvendarit.

Ai ka një karrierë jetësore në fushën e financave. Për 11 vjet, nga viti 1990 deri në 2001-ën, ishte udhëheqës në operativat profesionale dhe kontabilitet në biznese private, ndërsa nga vitit 1986- 1990, drejtor i Qarkullimit të Pagesave të Kombinatit Trepça.

Ai para luftës ka jetuar në veri të qytetit, duke e pasur një banesë përtej urës së Ibrit, nga e cila është larguar dhe nuk mund ta shfrytëzojë.

Januzi është refugjat në liri, ose refugjat pranë shtëpisë. Jeton në Vushtrri, ndërsa kandidon për Mitrovicën.

Ai nga viti 2008 drejton banken NLB- në Mitrovicë, dhe dy degët e saja, në Vushtrri dhe Skënderaj.

Bashkëshortja e Januzit për Emisionin Jeta në Komunë, zbuloi një detaj interesant për burrin e saj. Tha se kohëve të fundit nuk po i pëlqen që Mehdiu po vozit më shpejt makinën, duke treguar se për këtë edhe ka marrë gjoba.

Kosovari kontrovers

Nexhmedin Spahiu, 48, Lista Të pavarurit e Mitrovicës

Nexhmedin Spahiu, analisti politik që në nivel vendi njihet si njëri nga mbështetësit e kombit kosovar, që do të kishte festë kombëtare 10 qershorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe himn këngën e asaj kohe me titull: “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”, në nivel lokal përballet me probleme të natyrave të ndryshme, të “padenja” për të.

Fjalia “askush nuk mund të bëhet profet në vend të vet”, i përshtatet edhe Spahiut, megjithëse gati u bë kryetar i Mitrovicës, kur garoi me AKR-në në vitin 2009.

Ai atëherë grumbulloi 9 mijë e 708 vota, ose vetëm 1 mijë e 291 më pak se kryetari aktual i Mitrovicës Avni Kastrati, kur u përball me të në balotazh.

Prandaj për publicistin Nexhmedin Spahiu, gara e dytë për kreun e Mitrovicës nuk është vetëm garë, por edhe përballje personale me të parin e komunës Kastratin dhe partinë e tij.

Spahiu garon për Iniciativën Qytetare të Pavarurit e Mitrovicës, ndërsa pretendon se PDK-ja ia ka vjedhur disa vota te Tuneli i Parë duke i shkaktuar humbje të padrejtë.

Por nuk është vetëm kjo, fusha ku Spahiu shtyhet me zyrtarët komunalë.

Ai me vendim gjykate vitin e kaluar e fitoi kontestin me komunën për zyrat që shfrytëzon mediumi i drejtuar prej tij. Gjykata ia njohu komunës pronësinë e zyrave, por edhe Spahiut legjitimitetin e qëndrimit në to. 

Mirëpo, një vendim i vitit të kaluar, i lëshuar për këto zyra, nga Gjykata Komunale e Mitrovicës, që tash është shndërruar në gjykatë themelore, nuk ia kontestonte pronësinë e tyre komunës, por lejonte shfrytëzimin e lokaleve nga RTV “Mitrovica”.

Drejtoria për Planifikim dhe Urbanizëm me një udhëzim administrativ në shkurt të këtij viti, tentoi t’i rikthejë zyrat, por çështja ka shkuar në Gjykatën e Apelit.

Spahiu drejton RTV Mitrovicën, një medium të vendosur në një ndërtesë shumëkatëshe të qytetit, ndërsa zyrat e organizatës joqeveritare “Mitrovica” i ka në një vend krejt tjetër.

Pasja e televizionit, ku shpesh shfaqet me predikimet e tij edhe hoxha kontrovers Shefqet Krasniqi, vlerësohet përparësi e “Nexhit”, si e quajnë lajkatuesit, përballë kandidatëve tjerë.

Edhe nëna e tij Abidja thotë se djalin e ka të mençur.

“Nexhmedini në rini ka marrë pjesë në shumë kuize të diturisë”, thotë ajo.

Komandanti i papunë

Shaban Dragaj, 55, AAK-LDD

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës,betejën për Mitrovicën ka vendosur t’ia besojë Shaban Dragajt, një ushtaraku të ish-armatës jugosllave, më pas të luftës për liri të Kroacisë dhe Kosovës.

Dragaj, dëshirën për rend dhe qetësi që i karakterizon ushtarakët e shprehu haptas në debatin e Mitrovicës të Emisionit Jeta në Komunë, kur kërkoi përballje të qytetëruar me kundërkandidatët, mes zhurmës së madhe të publikut.

Dragaj aktualisht thotë se është i papunë, ndërsa deri në vitin 2002 ka qenë punëtor i kompanisë “Dragaj & co”, të cilën e drejton djali i tij.

Ai si të ardhura ka përmendur vetëm pagën e gruas që punon si infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare të Mitrovicës dhe ndonjë të ardhur tjetër nga puna e përkohshme e djemve të tij.

Dragaj, nëse zgjidhet në krye të Mitrovicës, garantoi se do t’u ofrojë qytetarëve ndershmëri, siguri dhe profesionalizëm, tri gjëra që sipas tij garantojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Ai premtoi ngritje të nivelit të vendimmarrjes së qytetarëve dhe zbutje të papunësisë, edhe pse vetë u takon të papunëve.

Dragaj iu bashkua UÇK-së në fillim të vitit 1998, duke vepruar në tri zona ku luftimet ishin nga më të ashprat. Në fillim në zonën e Dukagjinit, pastaj në të Pashtrikut dhe në fund në të Drenicës.

Ai ishte zëvendëskomandant në Brigadën 121 që drejtohej nga Fatmir Limaj.

Edhe pas luftës, kreu detyra ushtarake, duke qenë epror i gardës në vitin 2000, ndërsa gjatë dy vjetëve vijues u angazhua për formimin e Departamentit të mbrojtjes, pasi punonte në Mbrojtjen Civile dhe Gatishmërinë Emergjente.

Dragaj në shtator dhe tetor të vitit 2002 ishte kryetar i degës së PDK-së në Mitrovicë. Në vitin 2004, një parti të themeluar nga njerëzit e UÇK-së, e ndërroi me partinë tjetër të krijuar prej tyre- AAK-në.

Në akademinë e kryer në Beograd, Dragaj studioi në shërbimin financiar të ushtrisë, prandaj edhe premtoi mirëqenie për mitrovicasit.

Dragaj thotë se jeton në pronë familjare të trashëguar në fshatin Shipol, përkatësisht në shtëpinë e vëllezërve të tij.

Ai tregon se ka dhënë kontribut edhe në sportin mitrovicas, duke u ndihmuar klubeve të futbollit dhe atletikës në këtë qytet. Dragaj në vitin 2003 ka vozitur makinën e tipit BMW 240, ndërsa tash e ka një Pezho 405.

Ai nuk pranoi që t’i intervistohen familjarët nga gazetarët e Emisionit Jeta në Komunë, pasi me fjalë të mësuara në ushtri, tha se nganjëherë duhet të bëhet përjashtim nga rregullat.

Asistenti i përjashtuar

Vesel Neziri, 45, Partia e Drejtësisë

Kandidati i PD-së është lindur në fshatin Tërstenë të Mitrovicës, por jeton në lagjet prapa stacionit mitrovicas të autobusëve.

Republikani i paraluftës që kandidoi për kryetar të Mitrovicës me Partinë Republikane edhe në zgjedhjet e vitit 2009, thotë se ka qenë një ndër shokët më të mirë të dëshmorit Artim Jashari.

Pas vrasjes së Adem Jasharit në vitin 2008, mitrovicasi Artim Jashari sulmoi policinë serbe në stacionin e autobusëve, duke vrarë dy prej tyre, derisa edhe vetë u vra nga të shtënat kthyese.

Edhe vetë Neziri ishte pjesë e UÇK-së në Koshare, ku njihej me nofkën “Doktori”. Ai në zgjedhjet e 2009-ës, sipas KQZ-së fitoi vetëm 110 vota.

Neziri si platformë të tij zgjedhore ka paraqitur: ruajtjen e pasurisë kombëtare veçmas të pasurisë nëntokësore, ruajtjen e vlerave të luftës, si dhe kthimin e pronave.

Neziri premton ngritjen e të ardhurave dhe kapaciteteve blegtorale, përmes turizmit malor në rajonin e Shalës së Bajgorës.

Ai ka kryer dy fakultete, një magjistraturë dhe është pranë doktorimit. Është inxhinier i metalurgjisë në Kosovë dhe inxhinier i mekanikës nga Universiteti i Tiranës.

Në Universitetin e Tiranës është bërë magjistër i inxhinierisë mekanike, dega e materialeve. Ai në vitet 2003-2006 ka punuar si asistent i Fakultetit Xehetaro-Metalurgjik të Mitrovicës, por është përjashtuar nga kjo pozitë, ngase i kanë thënë se nuk i ka të nostrifikuara diplomat e Universitetit të Tiranës. Ndërsa edhe pasi i ka nostrifikuar diplomat, ai thotë se nuk e kanë lejuar të jetë asistent universitar.

Në Emisionin Jeta në Komunë, Neziri tha se është i vetmi që ka respektuar kriterin e organizatorëve të debatit, për sjelljen e vetëm njëzet mbështetësve të tij dhe Partisë së Drejtësisë, duke shtuar se ashtu si ka mbajtur këtë premtim të vogël, do t’i mbajë edhe premtimet për mitrovicasit, nëse vota e tyre e bën kryetar.

Mujka duke iu referuar Partisë së Drejtësisë që në program i kushton rëndësi edhe religjionit, tha se kështu bëjnë [premtimet i mbajnë] vetëm ata që i frikohen Zotit.

Ai aktualisht është profesor në shkollën e mesme teknike të Mitrovicës, ndërsa më parë ka punuar edhe në gjimnazin “Frang Bardhi”.

Neziri ka si pronë të veten shtëpinë ku jeton dhe vozit makinë të tipit Golf 3.

Bashkëshortja e Vesel Nezirit, Rabia, tha se është e lumtur dhe e kënaqur me jetën e përbashkët, ndërsa shtoi se nuk është interesuar për programin që u ofron Neziri mitrovicasve.