PDK Mban Sekret Financat

Partia Demokratike e Kosovës nuk pranon të bëjë publike detaje financiare të konventës së gjashtë zgjedhore të saj në të cilën u rizgjodh kryetar partie kryeministri Hashim Thaçi. 

Partia më e madhe në vend, më 26 e 27 janar, rezervoi sallën e sporteve në Pallatin e Rinisë e sallën e konferencave në “Hotel Emerald” për të mbajtur takimet finale të zgjedhjeve të brendshme. 

Po ashtu kjo parti për tre muaj rresht, nga data 1 nëntor e vitit 2012 deri më 27 janar të vitit 2013, organizoi zgjedhjet e brendshme në të gjitha degët dhe nëndegët e saj. 

Të fundit zgjedhje të brendshme në PDK janë mbajtur më 2010, tri vite më parë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar koston financiare të zgjedhjeve të fundit partiake të PDK-së dhe prejardhjen e të hollave.

Bazuar në ligjin për qasje në dokumente publike, gazeta ka kërkuar dokumente që dëshmojnë alokimin e buxhetit për zgjedhje, ndarjen e buxhetit nëpër degë, pagesat e bëra për përdorimin e sallave dhe hoteleve, shpenzimet e bëra për mysafirët nga jashtë vendit, kompanitë e angazhuara në organizinimin e konventës, procedurat për përzgjedhjen e kompanive etj. 

Partia Demokratike e Kosovës nuk ka bërë publike të dhënat që dëshmojnë shpenzimet e bëra gjatë zgjedhjeve të saj të brendshme. 

Ky veprim i PDK-së është në kundërshtim me ligjin për qasjen në dokumente publike dhe kërkesën e Komisionit Europian për më shumë transparencë nga partitë politike.

Kjo ndodhë një muaj pas publikimit të studimit të fizibilitetit i cili ka paraparë si kriter transparencën e financimit të partive politike.

“Financimi i partive politike nuk është transparent sa duhet”, konstaton ky studim.

Ditën e publikimit të studimit të Fizibilitetit, Kryeministri Thaçi kishte deklaruar se “kriteret teknike të mbetura do të përmbushen në afat rekord”.

 
Hajredin Kuçi, Nënkryetar i PDK-se | Foto: md-ks.org  

 

Zyrtarët e PDK-së thonë se nuk kanë informata për financat e partisë 

Zyrtarët më të lartë të kësaj partie ose refuzuan të përgjigjen ose thonë se nuk kanë njohuri se sa kanë kushtuar zgjedhjet. 

Përgjigja më e shpeshtë që ka marrë gazeta është: “Unë nuk i kam ato informata”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i kontaktuar disa herë nga gazeta përmes postës elektronike dhe thirrjeve telefonike nëpërmjet këshilltarëve të tij politikë, nuk është përgjigjur në pyetjet se sa kanë kushtuar zgjedhjet në PDK.

Basri Musmurati, i zgjedhur nga ky subjekt politik si koordinator për të organizuar zgjedhjet e brendshme, thotë se nuk merret me anën financiare të zgjedhjeve.

“Zgjedhjet na kanë kushtuar aq sa kemi dashtë ne vet”, thotë Musmurati për Gazetën Jeta në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministri Memli Krasniqi po ashtu nuk janë në dijeni se si menaxhohen financat dhe prejardhjen e të hollave të partisë ku ata kontribuojnë.

“Më vjen keq, por për çështje financiare të PDK-së asnjëherë nuk kam pasur informata e as nuk kam”, thotë Kuçi.

Ndërsa Krasniqi u përgjigj: “Unë s’i kam këto informata”. 

Ministri Krasniqi, tash edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të PDK-së, nuk i ka treguar gazetës së kush është përgjegjës për aspektin financiar të partisë së tij.

Gazeta ka kontaktuar edhe me ministrin e Bujqësisë, Blerand Stavileci, njëkohësisht edhe zëdhënës i PDK-së, por ai nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërsa këshilltari politik në Ministrinë e Bujqësisë, Adil Behramaj, i cili ka pasur përgjegjësi mediale në organizimin e kongresit të kësaj partie, thotë se nuk ka informata për këtë çështje. 

“Unë jam marrë vetëm me pjesën mediale”, tha ai.

Për të kuptuar për shpenzimet e bëra gjatë zgjedhjeve, gazeta ka kontaktuar edhe me Ramadan Avdiun, ish-kryetar i degës së PDK-së në Prishtinë.

“Nuk flas me gazetarë në telefon dhe sot jam shumë i zënë”.

Avdiu nuk i ka kthyer përgjigje gazetës as në pyetjet e dërguara në postën elektronike të degës së PDK-së në Prishtinë.

Kryeministri Thaçi është kritikuar se ka lënë pa zëdhënës qeverinë, por e njëjta situatë duket se është edhe brenda partisë së tij.

Nga hulumtimi i gazetës del se ani pse ka 13 vjet që kur se është themeluar, PDK-ja ende nuk ka website e as e-mail zyrtar. 

Një website i krijuar gjatë fushatës së zgjedhjeve të vitit 2010 pdk49.com duket se nuk përdoret më. Të rejat e fundit në këtë website figurojnë nga viti 2010, ndërsa aty figuron e-maili i cili është përdor gjatë fushatës zgjedhore [email protected] 

Gazeta nuk ka mundur të gjejë ndonjë website zyrtar në të cilin figuron adresa, kontaktet dhe personat e punësuar në Selinë e Partisë Demokratike të Kosovës.

 
Basri Musmurati, Kordinator i Zgjedhjeve te Brendshme te PDK-se  

 

PDK zbulon vetëm një faturë 14 mijë euroshe  

Gazeta Jeta në Kosovë ka kuptuar që personi përgjegjës për ekzekutimin e faturave për shpenzimet e bëra në Partinë Demokratike të Kosovës është Selim Halili, administrator në këtë parti.

Por pyetjet që ka dërguar gazeta lidhur me shpenzimet e bëra në parti gjatë këtyre zgjedhjeve nuk hyjnë në “gamën e tij”. 

“Çdo degë ka përgjegjësinë e organizimit të aktiviteteve partiake dhe shpenzimeve që bartin ato të cilat raportohen në raportet e rregullta financiare”, thotë Halili.

Ai nuk ka ofruar raporte të degëve dërguar selisë qendrore të PDK-së. Selimi tha se kordinatori Basri Musmurati është përgjegjës për tërë procesin e zgjedhjeve.

“I gjithë procesi është zhvilluar nën mbikqyrjen dhe organzimin e kryetarit dhe kryesisë, përmes koordinatorit”, shtoi Halimi.

Kur është kontaktuar nga gazeta, Musmurati ka thënë se përgjegjës për financa është administratori i PDK-së Selim Halili.

Që nga nëntori, kur edhe kanë filluar zgjedhjet e brendshme, Halili ka paguar vetëm një faturë.

“Shpenzime konkrete që janë faturuar nga mbajtja e Konventës Qendrore dhe janë paguar nga administrata jonë qendrore janë 14.804.40 euro.”

Sipas tij, këto janë shpenzimet e faturuara nga hotel Emerald dhe që përfshijnë të gjitha shpenzimet përcjellëse të mbajtjes së Konventës.

Halili thotë se në këtë faturë hyn edhe sistemimi i mysafirëve, por gazetës nuk i janë ofruar të dhëna për numrin e mysafirëve dhe çmimin e akomodimit.

Shuma prej 14 mijë eurosh nga një përllogaritje që ka bërë Gazeta Jeta në Kosovë del se mbulon vetëm darkën për rreth 700 të ftuar e mbajtur në “Emerald”, më 26 janar pas mbajtjes së ceremonisë festive në të njëjtën ditë në pallatin e rinisë në Prishtinë. 

Në “Emerald”, ku partia ka mbajtur konventën, anëtarët e PDK-së kanë qëndruar edhe më 27 janar por atë ditë partia nuk ka paguar drekë apo darkë për pjesëmarrësit. 

 
Kongresi i PDK-së në Hotel Emerald  

 

Bazuar në një ofertë të Hotel Emerald, të cilën e posedon Gazeta Jeta në Kosovë, një shujtë e përbërë nga paragjella, sallata, ushqimi kryesor, ëmbëlsira dhe kafja kushton së paku 20 euro.

Kështu i bie që për 700 të ftuar të jenë paguar 14 mijë euro për vetëm një shujtë. 

Por ky çmim nuk përfshin edhe shpenzimet për marrjen me qira të sallës më të madhe të këtij hoteli për mbajtjen e punimeve, akomodimin e mysafirëve dhe shpenzimet tjera që kanë mundur të bëhen gjatë ditës së dytë të Konventës – ku rreth 700 delegatë kanë qëndruar.

Një prej mysafirëve që ka ngrënë darkën e shtruar nga PDK-ja, më 26 janar në Emerald, është Skender Destani, nënkryetari i komunës së Preshevës.

“Pas mbylljes së Konventës kemi shku dhe kemi ngrënë darkë në hotel Emerald. Unë nuk kam pagu për atë darkë dhe nuk e di kush e ka bërë pagesën”, tha Destani për Gazetën Jeta në Kosovë.

Hotel Emerald nuk ka treguar nëse Partia Demokratike e Kosovës ka bërë ndonjë pagesë.

Në ditën e parë të konventës, PDK ka shfrytëzuar sallën sportive të Pallatit të Rinisë për të shënuar fillimin e saj. Ajo ishte e ndriçuar dhe e stolisur gjithandej.

Halili dhe të gjithë zyrtarët e tjerë të kontaktuar nga gazeta nuk kanë treguar nëse kanë paguar sallën e sportit të Pallatit të Rinisë.

Si është ndarë buxheti për degët e PDK-së?

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur që nuk ka pasur një sistem të njëjtë të ndarjes së buxhetit nga qendra për të mbuluar shpenzimet e organizimit të zgjedhjeve.

Disa degë, me kërkesën e tyre, kanë përfituar të holla nga selia qendrore, disa të tjera nuk kanë bërë shpenzime e në disa të tjera kryetarët kanë paguar nga “xhepi i tyre”.

Dega e PDK-së në Viti ka kërkuar pesë mijë euro nga qendra për organizimin e aktiviteteve zgjedhore.

“Ne kemi marrë nga qendra rreth pesë mijë euro për organizimin e zgjedhjeve. Disa prej organizimeve i kemi bërë nëpër lokale dhe këto kanë kushtuar”, tha Daut Xhemaili, kryetar i degës së PDK-së në Viti.

Përfaqësues të degëve të Drenasit, Mitrovicës, Gjilanit, Malishevës dhe Vitisë nuk kanë bërë shpenzime për zgjedhje. 

Në Dragash e Prizren shpenzimet janë paguar nga buxheti personal i kryetarëve të këtyre komunave, Selim Januzi dhe Ramadan Muja.

 
Vjosa Damoni Rugova, IKS | Foto: Pamje nga emisioni i mëngjesit në RTK  

 

“Mostransparenca është shndërruar në shprehi”

Bërja publike e fondeve të partive politike është thelbësore për të kuptuar ndikimet e mundshme në politikat e tyre. Ato financohen nga burime anonime prandaj fshehin të ardhurat e tyre. Dhe partitë demokratike janë ato që raportojnë financimin e tyre. Nëse nuk raportojnë nuk duhet të certifikohen.

Këto janë konstatimet e analistëve të ndryshëm të cilët përcjellin zhvillimet politike të Kosovës.

Tim Judah, i cili raporton zhvillimet në Ballkan për The Economist, thotë se është e qartë që në demokracitë moderne europiane transparenca e financimit të partive politike është thelbësore. 

“Në të kundërtën, kush e di se çfarë lobime, kompani, individë apo interesa mund të përfshihen për të ndikuar? Nëse këto gjëra nuk qartësohen atëherë nuk ka demokraci”.

Judah shton se shoqëria civile duhet të flasë për financimin e partive politike, të shkruajë, të pyes politikanët tërë kohën se kush është duke paguar kampanjat dhe partitë e tyre. 

Sipas tij, “duhet të bëhet presion dhe të sigurohemi që kjo çështje do të diskutohet në domenin publik”.

Fshehja e burimeve të vërteta të financimit është arsyeja që i shtynë partitë politike të mos flasin për shpenzimet, sipas Vjosa Damoni Rugovës, koordinatore e programit në Iniciativën Kosovare për Stabilitet (IKS).

IKS është institut kërkimor i pavarur që fokusohet në hulumtime empirike dhe analiza të zhvillimeve shoqëroro-ekonomike në Kosovë.

Ajo thotë se “nuk është sekret që partitë politike në Kosovë financohen edhe nga burime private dhe anonime. Fakti që PDK nuk ka treguar për shumën e shpenzuar dëshmon edhe një herë për mungesën e transparencës së partive politike në Kosovë”. 

Për Ardian Arifajn nga Institui Kosovar për Zhvillimin e Politikave “partitë politike e kanë bërë shprehi që të mos jenë transparente për shpenzimet madje edhe gjatë zgjedhjeve”. 

“Transparenca e partive politike është qenësore për të vendosur besimin në partitë dhe funksionimin e tyre demokratik“, thotë Arifaj.

Arifaj mendon se kjo është arsye për të fuqizuar Zyrën për Regjistrim dhe Çertifikim të Partive Politike që vepron në kuadër të KQZ-së, e që përcjell punën e partive politike dhe që ka fuqinë që të mos çertifikojë për pjesëmarrje në zgjedhje partitë që shkelin statutin e vet apo rregulloren për funksionim të partive politike.

Partitë që nuk deklarojnë të hyrat e tyre nuk janë parti demokratike.

Besa Luzha nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung ka thënë se partitë që karakterizohen si demokratike, paraqesin raporte te rregullta për të hyrat, shpenzimet si dhe donacionet.

“Këto deklarime nuk janë bërë nga Partia Demokratike e Kosovës”, tha Luzha. 

Edhe dy përfaqësues të opozitës konsiderojnë që partitë duhet të jenë transparente.

Ardian Gjini, deputet në Kuvendin e Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se “deklarimi i të hyrave është obligim ligjor”. 

“Mediat dhe shoqëria civile duhet t’i kontrollojnë partitë politike”, tha Gjini.

Lutfi Haziri nga radhët e LDK-së i tha gazetës se koston e shpenzimeve që bëjnë partitë politike gjatë fushatave zgjedhore i detyron ligji ta tregojnë. 

“Partitë politike janë të detyruara të tregojnë për paratë që harxhojnë sepse ato i marrin nga buxheti”, tha Haziri 

“Duhet të ketë raporte të rregullta se çka ndodhë më atë buxhet, përpos nëse paratë merren në forma jo të ligjshme”.