PDK-ja Hap Solemnisht Kongresin. "Harrohet" Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi, në hapje të Konventës së Gjashtë Zgjedhore, ka thënë se PDK-ja nuk është lodhur me qeverisje dhe se do të vazhdojë ta qeverisë Kosovën edhe në të ardhmen.

Duke përshëndetur delegatët dhe mysafirët e shumtë, përfshirë përfaqësues të partive politike nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë, kryetari i PDK-së, Thaçi, tha se bashkimin e kombit e kanë vulosur dëshmorët e lirisë nga Ismail Qemali deri te dëshmorët e UÇK-së, ndërsa bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë në Bashkimin Evropian.

“Shteti i Kosovës dhe unë do të vazhdojmë të mbesim gardian të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, Luginë të Preshevës e në Mal të Zi”, u shpreh kryeministri i Kosovës.

Gjatë fjalimit të tij, ai falënderoi gjithë bashkëpartiakët që kanë punuar për këtë parti, dhe me këtë rast nuk harroi ta përmendë nënkryetarin e parë të PDK-së, Fatmir Limaj, i cili po mbahet në paraburgim, nën akuza për krime lufte. Por, ai nuk e ka përmendur fare sekretarin e partisë, Jakup Krasniqi.

“Në momente të caktuara janë larguar padrejtësisht nga puna e përbashkët edhe bashkëpunëtorët e mi, bashkëluftëtarët e mi dhe tuaj, si Fatmir Limaj dhe shokët e tjerë, por, gjithmonë kemi besuar në drejtësi, në Zot, në të ardhmen dhe në pafajësi”, tha Thaçi.

Ai gjatë fjalimit të tij në kongres e ka vlerësuar subjektin e tij politik si subjekt të vlerave demokratike.

“PDK-ja nuk është parti e individit, nuk është parti e liderit, por është parti e vlerave demokratike”, tha ai.

Një ditë më herët, sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi, e kishte quajtur PDK-në parti të kthyer në pronë personale të “liderit të gjithëpushtetshëm” Thaçi. Krasniqi ka bojkotuar hapjen e kongresit.

Liderë dhe përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike nga vendi dhe rajoni kanë përshëndetur hapjen e kongresit.

Kongresi që nisi 35 minuta me vonesë, fillimisht e ka përshëndetur nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi. Përfaqësues të partive opozitare kryesore në vend morën pjesë në hapjen solemne. Punimet e Kuvendit i përshëndetën Teuta Sahatçija nga LDK-ja, Avni Arifi nga AAK-ja, Ibrahim Makolli nga AKR-ja, Nexhat Daci nga LDD-ja; ndërsa munguan përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Skender Destani, nënkryetar i Luginës së Preshevës, në fjalën e tij ka kërkuar që shteti i Kosovës të kujdeset për të drejtat e shqiptarëve në Luginë. “Na ndihmoni t’i realizojmë të drejtat, ashtu siç realizojnë të drejtat e veta të gjitha minoritetet në Kosovë”, tha ai.

Kurse, kryetari Ragmi Mustafa, ka uruar që Thaçi të rizgjidhet kryetar i PDK-së, kryeministër i Kosovës dhe “të jetë personi që do ta nënshkruajë Bashkimin Kombëtar”.

Kreu i Partisë Socialistë, Edi Rama, në fjalën e tij përshëndetëse tha se në Konventën e PDK-së “është e pamundur të mos kujtohet UÇK-ja dhe dëshmorët”.

Rama tha se PDK-ja është në rrugë të drejtë, ndërsa përmendur edhe dialogun me Serbinë, të cilin e vlerësoi si mënyrë për rregullim marrëdhënieve me fqinjët. “Ata që ditën të bëjnë luftën, kanë dëshmuar të ndërtojnë edhe paqen”, u shpreh ai.

Edhe përfaqësues të subjekteve të tjera politike kanë përshëndetur kongresin. “Mbase kur të jemi të bashkuar,do të kemi më pak përshëndetje, do të jemi më pak parti”, u shpreh Rama.

Konventa zgjedhore e PDK-së do t’i vazhdojë punimet të dielën, kur pritet të zgjidhet kryetari dhe Këshilli Drejtues i PDK-së.