PDK-ja - e vetmja mundësi për shpëtimin e Qeverisë Hoti

Përfshirja e PDK-së në koalicionin qeverisës ose edhe mundësia që kjo parti të propozojë kandidatin për president të vendit pas dorëheqjes së Hashim Thaçit po shihet si skenar mjaft i mundshëm nga njohësit e çështjeve politike në vend.

Diskutimit për çështjen e presidentit i ka paraprirë dorëheqja e Hashim Thaçit pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

E për ulësen e presidentit, në të cilën aktualisht është kryeparlamentarja Vjosa Osmani, kreu i LDK-së Isa Mustafa ka deklaruar se ky post i takon PDK-së, ndërsa dje deklaroi se për presidentin duhet marrëveshje që siguron 80 votat e kërkuara ose vendi shkon në zgjedhje.

Nga partia më e madhe opozitare në vend, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kanë deklaruar se në situatën aktuale zgjidhja e vetme janë zgjedhjet.

E nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk kanë dhënë përgjigje për mundësinë e futjes në Qeverinë Hoti ose edhe eventualisht mundësinë që të jenë pjesë e ndonjë marrëveshjeje politike për pozitën e presidentit.

LVV kërkon zgjedhje, PDK hesht

Zgjedhja e presidentit të ri sipas Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) duhet të bëhet nga një Kuvend i ri dhe jo nga pazaret politike.

Kështu ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës i LVV-së në një prononcim për KALLXO.com, duke theksuar se Kuvendi i cili ka rrëzuar Qeverinë Kurti e ka të pamundur të zgjedhë presidentin e cili përfaqëson unitetin e plotë politik.

“Presidenti i ri i vendit duhet të dalë nga Kuvendi i ri pas zgjedhjeve të reja, e jo nga pazaret në Kuvendin e vjetër e me vullnet të deformuar. Ai duhet të përfaqësojë një unitet të plotë politik, të jetë unifikues si dhe i paanshëm. Tipare e vyrtyte këto të cilat deri tash vërehen të mos jenë fare në konsideratë, duke u bazuar në emrat të cilët po lakohen nga koalicioni qeverisës. Në këto rrethana dhe me këtë përbërje, ky kuvend e ka praktikisht dhe logjikisht të pamundur që të zgjedhë një president me ato kualitete”, ka thënë ai.

As nga kjo parti nuk kanë dhënë emrin e ndonjë kandidati të përshtatshëm për president, përderisa kanë theksuar se pas zgjedhjeve të reja ‘ulësja’ e presidentit nuk do ta paraqiste problem.

“Në Kuvendin e ri pas zgjedhjeve të reja çështja e presidentit nuk do të jenë më ndonjë nyje problematike, për shkak se përbërja do të jetë e re dhe balanci forcave do të jetë i ndryshëm. Në fakt, në ato rrethana, çdo përpjekje për ta trajtuar atë të atillë, pra nyje e patejkalueshme, nga forcat tjera politike në Kuvend ashtu që të provokojnë përsëri zgjedhje do të merrej nga qytetarët si një tjetër përpjekje nga klubi i vjetër politik për ta rrëzuar përsëri Qeverinë Kurti”, ka thënë ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe zyrtarë nga PDK për të marrë një qëndrim të kësaj parti për zgjedhjen e presidentit si dhe mundësinë që kjo parti t’i bashkohet Qeverisë Hoti, mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kishin negociuar për më shumë se 3 muaj duke mos arritur marrëveshjen për Qeverinë Kurti pikërisht për shkak të ulëses së presidentit të cilën e kërkonte LDK.

Këto dy parti kishin arritur marrëveshjen për Qeverinë Kurti duke u dakorduar që çështja e presidentit të diskutohej më prill të 2021 atëherë edhe kur ishte paraparë t’i përfundonte mandati tashmë ish-presidentit Hashim Thaçi.

‘Skenarët’ e mundshëm politikë në situatën aktuale

Për Albert Krasniqin nga organizata ‘Demokraci Plus’, në situatën aktuale për partitë politike në vend janë dy skenarë që mund të ndodhin.

“Kur kemi parasysh situatën aktuale politike, zgjedhjet nuk duken një skenar i dëshiruar për shumicën e partive politike. Andaj, përfshirja e PDK-së në koalicion qeverisës, apo që të votohet një kandidat për president i propozuar nga PDK, është një skenar mjaft i mundshëm”, tha ai.

Edhe për njohësin e çështjeve politike në vend, Artan Muhaxhiri, tema e zgjedhjes së presidentit tashmë është domosdoshmëri, dukë theksuar se PDK ka përparësi morale në këtë proces.

“Nëse kryeministri është i LDK-së, ndërsa posti i kryeparlamentarit i takon Lëvizjes Vetëvendosje do të kishte sens që PDK-ja të konsiderohej paksa më e avancuar në rrugën drejt postit të presidentit. Mirëpo, kjo assesi nuk nënkupton që një gjë e tillë të ndodhë me automatizëm dhe pa balancime të interesave”, ka thënë ai.

Sipas Muhaxhirit ‘mungesa e një marrëveshjeje për presidentin do të çojë në zgjedhje të reja, sepse paqartësia e identitetit partiak të u.d. Presidentes Osmani nuk do të mund të zgjasë edhe gjashtë muaj’.

Në anën tjetër në prononcimin e tij për  KALLLXO.com, Albert Krasniqi  ka vlerësuar se ky është një momentum mjaft i përshtatshëm nëse shfrytëzohet për të mbarë që të zgjidhet një president i cili ushtron mandatin përtej agjendave ditore partiake.

“Për ta bërë këtë, është mirë që kandidati për president të vijë jashtë kryetarëve aktualë të partive politike, të jetë i dëshmuar në politikën e jashtme, të ketë integritet moral e profesional, i lirë nga përfshirja në afera korruptive e keqmenaxhimi me institucionet publike. Një president i tillë do të ishte i nevojshëm për të afruar ndasitë në mes të partive politike dhe për të përfaqësuar vendin në politikën e jashtme.”, ka thënë ai.

Edhe analisti Muhaxhiri ka treguar versionin e tij se si mund të zgjidhjet pasardhësi i Hashim Thaçit.

“Çështje e rëndësishme do të jetë nëse zgjedhja e presidentit do të jetë në një pako të përbashkët me caktimin e zgjedhjeve të reja paspandemike, ose këto do të trajtohen si dy tema të ndara. Version shumë më i mirë për stabilitetin institucional është që presidenti të zgjidhet përpara mbajtjes së zgjedhjeve”, ka thënë Muhaxhiri.

Duke përmendur shpalljen e kandidaturës për president nga ana e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj si dhe mundësinë që të ketë krizë politike, Albert Krasniqi nga Demokraci Plus ka  vlerësuar se AAK-së nuk i konvenon shkuarja në zgjedhje.

“Nuk e shoh në interes të AAK-së shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, ku mund të tkurret ende, dhe as që AAK do të ketë më shumë ndikim në Qeveri në çfarëdo konstalacioni të ardhshëm pas zgjedhor. Kërkesat maksimaliste të AAK-së mund të jenë pjesë e strategjisë së saj për ta materializuar me favore tjera që mund t’i bëhen pas heqjes dorë nga kërkesa për postin e presidentit”, theksoi ai.

Ndërsa analisti Artan Muhaxhiri ka vlerësuar se për shkak të pandemisë nuk është koha e duhur për të shkuar në zgjedhje, duke shtuar se kandidatura e Ramush Haradinaj më shumë është presion medial.

“Është më shumë presion medial sepse nuk i përmban parakushtet pragmatike për t’u shqyrtuar. Fillimisht, ai e ka të domosdoshme të ofrojë garanci qartësuese për raportin e tij me Gjykatën Speciale dhe potencialitetin e ngritjes së aktakuzës. Pas kësaj i duhet shumë punë dhe premtime për t’i bindur tri partitë tjera më të mëdha që ta përkrahin në Kuvend, së bashku me aleatët ndërkombëtarë”, ka theksuar ai.

Më 12 gusht të këtij viti, ish-kryeministri njëherësh edhe partneri i koalicionit në Qeverinë Hoti, Ramush Haradinja ka shpallur kandidaturën e tij për president të vendit.