Pazari i fushatës, mal me konkurse nëpër ministri

Duke qenë para një vakuumi ligjor dhe në kohën kur partitë politike u bënë gati për fushatë, ekzekutivi në dorëheqje nuk qëndroi pasiv në kërkesën për punësimin e njerëzve. Sipas të dhënave zyrtare dhe publike. 201 vende pune u hapën nëpër 21 ministri në qeverinë Haradinaj , duke shtuar mundësinë e nepotizmit dhe punësimeve partiake.

Pak kush e dinte që më 19 korrik Ramush Haradinaj do të jepte lajmin për dorëheqje nga pozita e Kryeministrit të Kosovës.

Por, ish- komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga zona operative e Dukagjinit, tha se këtë veprim të pakthyeshëm po e bën për një arsye.

“Më lejoni të iu informoj se sot e kam marrë këtë vendim, pra jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Arsyeja e këtij vendimi që e kam marrë është për shkak të thirrjes së marrë nga dhomat e Specializuara si i dyshuar”, kishte thënë Haradinaj gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Që prej asaj kohe, kur dihej se zgjedhjet po afroheshin, në ministritë e ekzekutivit kosovar janë hapur dhjetëra konkurse publike e të brendshme për avancime.

Hulumtimi i KALLXO.com zbulon se në kohë parafushate dhe fushate në çdo ministri janë hapur konkurse. Derisa shumë prej tyre janë konkurse për kontrata të përhershme të tjerat janë për një kohë të caktuar (kontratë mbi vepër).

Shoqëria civile dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë kërkuar që të anulohen këto konkurse nga Qeveria e re e cila pritët të formohet së shpejti.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes “Fol” thotë se hapja e konkurseve ishte mundësi për punësimin e militantëve nëpër institucione publike.

“Shpallja e këtyre konkurseve përveç që bëhej gjatë një kohe kur kishim qeveri në dorëheqje dhe ishte mundësi e artë për partitë në pushtet që të punësojnë të afërm apo edhe militantë partiak në këto pozita. Po ashtu ishte edhe ana tjetër që ishin vetëm dy muaj para se të hynte në fuqi ligji i ri për zyrtarët publik”, thotë Demolli-Nimani për KALLXO.com.

Qeveria që udhëheq Haradinaj është më e madhja për nga zëvendëskryeministrat,  ministrat, zëvendësministrat e këshilltarët.

“Haradinaj II” numëronte 5 zëvendëskryeministra, 21 ministra e rreth 80 zëvendësministra.

Që prej kur dha dorëheqje i pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë kaluar gati katër muaj ndërkohë, në Kosovë janë mbajtur edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 6 tetor.

Gara e fundit elektorale nxori Lëvizjen Vetëvendosje si forcën më të madhe politike në vend. Kreu i kësaj partie, Albin Kurti pritët të jetë shefi i ri i ekzekutivit kosovar. Ai gjatë fushatës premtoi shkurtime të shpenzimeve publike.

Sipas drejtoreshës së Lëvizjes “Fol”, konkurset e shpallura pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt duhet të anulohen nga ekzekutivi i ardhëm i Kosovës.

“Qeveria e re ka premtuar zvogëlimin e numrit të ministrive andaj mendoj se kjo është një arsye më shumë që këto konkurse të anulohen. Përderisa do të kemi më pak ministri mendoj se stafi aktual do të riorganizohet dhe pa u bë një gjë e tillë me stafin e vjetër mendoj se nuk duhet të ketë staf shtesë, sepse kjo vetëm sa do ta vështirësonte zvogëlimin e numrit të ministrive”, thotë ajo.

Në fillim të muajit tetor ndaj konkurseve në institucione publike, siç janë edhe ministritë, kishte reaguar edhe Zyra e Bashkimit në Kosovë. Sipas këtij institucioni evropian, konkurset e shpallura javëve të fundit duhet të ndalen.

“Të gjitha konkurset për punësim në shërbimin civil të publikuara nga institucionet e administratës shtetërore, siç janë ministritë, agjencitë ekzekutive dhe rregullative, nuk mund të procedohen tutje”, thuhet në një përgjigje të Zyrës së BE-së në Kosovë për Radion Evropa e Lirë.

“Kjo është e vetmja mënyrë e ligjshme dhe e shëndoshë që nuk i ekspozon institucionet para sfidave ligjore, përndryshe do të rrezikohej që institucionet dhe partitë politike të ekspozoheshin ndaj akuzave dhe kritikave për politizim të administratës publike… Ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Administratës Publike që t’i informojë institucionet publike, që konkurset për punësim të shpallura aktualisht nga institucionet e administratës shtetërore, nuk mund të vazhdojnë tutje deri kur qeveria t’i ketë aprovuar aktet përkatëse nënligjore dhe t’i ketë marrë vendimet e duhura”, thekson Zyra e BE-së.

Gjatë muajit shtator KALLXO.com kishte raportuar se si Shoqëria Aksionare “Trepça” kishte shpallur një konkurs për 220 vende të reja të punës.

Ky konkurs u hap vetëm disa ditë para se të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Drejtori i Trepçës, Basri Ibrahimi kishte thënë se ky konkurs nuk lidhet aspak me fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit.

“Na nuk po i pranojmë para fushatës, sikur t’i kishim pranu para fushatës, kish mujtë me pas spekulim se po blihen votë. Unë prej që jam ardhë në Trepçë kam pas kërkesë për rritje të numrit të punëtorëve. Asnjëherë, kurrë një jetë s’kam funksionu me këtë mentalitet. Mua nuk më interesojnë partitë politike”, kishte thënë i parti i Trepçës.

Për konkurset e hapura para fushatës elektorale ishte deklaruar edhe kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani.

DebatPernime, ajo tha se do të rishikohen të gjitha konkurset e hapura pas dorëheqjes së kryeministrit Hardinaj.

“Konkurset që me të drejtë po i quani “aksham Pazar” me tendencë që të blejnë vullnetin e qytetarëve, por të jeni të bindur se do të dështojnë, do të rishikohen menjëherë në ditët e para të qeverisë sime. Të gjitha këto konkurse dhe këto punësime tjera, edhe punësimet joligjore do të rishikohen”, kishte thënë Osmani.

Përveç “Trepçës” konkurs kishte shpallur edhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), për 133 vende pune.

KALLXO.com raportoi për këtë konkurs në fund të muajit shtator.

Më 20 shtator ishte shpallur konkursi për plotësimin e vendeve të punës, Teknik të makinerisë (30 kryerës); Teknik të elektroteknikes (20 kryerës); Manipulues te mekanizmit operativ (35 kryerës), Zjarrfikës (9 kryerës); Manipulues të shiritave transportues (25 kryerës); Inxhinier të makinerisë (3 kryerës); Inxhinier të Elektroteknikes (6 kryerës); Inxhinier i gjeologjisë (2 kryerës); Inxhinier i xehetarisë (2 kryerës) dhe Administrator i zyrës (1 kryerës).

Pak para ditës së zgjedhjeve, një konkurs ishte hapur edhe në Ministrinë e Mbrojtjes.

30 persona ishin punësuar me kontratë mbi vepër në ministrinë që udhëhiqet nga Rrustem Berisha i AAK-së.

Ministria e Administratës Publike e cila ka si fushë të përgjegjësisë menaxhimin e Zyrtareve Publik, i ka njoftuar të gjitha institucionet publike në lidhje me ligjin e ri, sipas MAP të gjitha konkurset e shpallura nga data 12 shtator duhet të pezullohen deri në plotësimin e legjislacionit përcjellës.

“Ministria e Administratës Publike të gjitha institucioneve ua ka dërguar një shkresë për pezullim të konkurseve, me Ligjin e Shërbimit Civil, pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për Zyrtarët Publikë. Fjala është për konkurset që i ka zënë Ligji i ri, pa u përfunduar procedurat e konkurseve të shpallura me LSHKC-në”, thuhet në një përgjigje nga MAP.

“Secili institucion është i obliguar ta zbatojë shkresën e marrë nga MAP-i, për pezullim të konkurseve të përmendura. Çështja e pezullimit rregullohet me ligj dhe me aktet nënligjore që pritet të miratohen nga Qeveria”, thuhet tutje në përgjigje.

“Ata që i kanë marrë aktet e emërimit vazhdojnë punën. Nëse institucionet kompetente vlerësojnë shkelje, përgjegjësia bie mbi institucionet që i kanë ndërmarrë ata hapa”, ka thënë Zeqir Bekolli.

Ligji për zyrtarët publik (LZP) ka hyrë në fuqi me 12 Shtator 2019, mirëpo aktet nënligjore për zbatimin e tij ende nuk janë miratuar nga Qeveria e Kosovës për shkak të dilemave rreth vendimmarrjes së saj.

KALLXO.com ka vëzhguar të gjitha ueb faqet e ministrive të Qeverisë së Kosovës që nga 19 korriku, ditën kur dha dorëheqje Ramush Haradinaj.

Ministria e Administratës Publike

Ministria e Administratës Publike në ueb faqen e saj në internet, në rubrikën “Vende Pune” që nga dorëheqja e Ramush Hardinajt nga pozita e shefit të Qeverisë së Kosovës ka shpallur 11 konkurse për vende pune.

Këto konkurse janë hapur nga data 23 korrik, vetëm katër ditë pas dorëheqjes së Haradinajt, deri më datën 12 shtator të këtij viti.

Më 23 korrik në MAP publikoi konkursin për pozitën “Sekretar në Këshillin e Sigurisë së Kosovës- Zyra e Kryeministrit”.

Një konkurs i publikuar në faqen e Ministrisë së Administratës Publike është edhe ai për shërbime të veçanta i datës 15 gusht të këtij viti. Pozita kërkonte një përkthyes për shqip dhe serbisht.

Pas dy ditësh, në këtë ministri u hap edhe një konkurs tjetër publik. Më 17 gusht u kërkua një zyrtar ligjor për Departamentin e Organizatave Joqeveritare pranë MAP-it.

Më 7 shtator u hap një konkurs tjetër për pozitën Zyrtar i Mirëmbajtjes së Sistemeve. Ndërsa, më 11 shtator u hapën dy konkurse pune. Njëri për përkthyes shqip- serbisht e tjetri për zyrtar të lartë ligjor.

Ndërsa, sipas ueb faqes në MAP, më 12 shtator u hapën edhe 5 konkurse të tjera. Dy prej të cilave ishin për vendin e punës Zhvillues dhe Administrator i Lartë i Sistemeve Softuerike, një tjetër për pozitën Zyrtar i Sekretarisë për Emërime të Larta.më 12 shtator u kërkua edhe një Zyrtar i Lartë për Administrimin e Depos Qendrore dhe një Zyrtar i Prokurimi.

Ministria e Zhvillimit Rajonal

Konkurse pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj ishin hapur edhe në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal që drejtohet nga ministri në detyrë, Rasim Demiri.

Më 22 korrik në këtë ministri u hap konkursi me të cilin kërkohej një zyrtar për menaxhimin e projekteve. Konkursi ishte hapur për tre muaj me marrëveshje për shërbime të veçanta.

Më 2 gusht, Ministria e Zhvillimit Rajonal kishte njoftuar për vazhdimin e afatit të konkursit për pozitën “Udhëheqës i Divizionit për Teknologji Informative dhe Logjistikë”. Ky konkurs ishte hapur paraprakisht me datë 17 korrik.

Më 14 gusht ishte anuluar një konkurs i cili ishte shpallur më 16 korrik për pozitën “Zyrtar i lart për koordinimin e nismave rajonale”. Por, i njëjti konkurs ishte hapur më 23 gusht.

Më 23 gusht në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal ishte hapur edhe një konkurs tjetër. Këtë herë për pozitën “Udhëheqës i Divizionit për koordinimin e zhvillimit rajonal”.

Më 10 shtator, në këtë ministri u hap edhe një pozitë e re. U kërkua një “Nëpunës teknik i mirëmbajtjes dhe higjienës” me anë të shpalljes së konkursit me marrëveshje për shërbime të veçanta.

Më 10 shtator u hapën edhe dy konkurse të tjera. Njëri kërkonte “Zyrtar për Koordinim të Politikave” dhe tjetri “Zyrtar për Zhvillim Rajonal të Balancuar”.

Më 14 tetor, ministria njoftoi për anulimin e konkursit për pozitën “Zyrtar për zhvillim rajonal të balancuar” i cili ishte shpallur më 10.09.2019. siç njoftoi kjo ministri, konkursi u anulua për shkak “të një gabimi teknik tek detyrat dhe përgjegjësitë”.

MZhR njoftoi edhe për pezullimin e konkursit për pozitën “Zyrtar për koordinim të politikave”.

Në një përgjigje për KALLXO.com, kjo ministri konfirmoi se nga data 11 shtator nuk është hap asnjë konkurs.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

Edhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kishte hapur konkurse pasi kishte dhënë dorëheqje kryeministri, Ramush Haradinaj.

Më 7 gusht kjo ministri kishte hapur një konkurs publik ku kërkonte një “Asistent/e administrativ/e 3”.

Më 23 gusht Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimi Rural kërkonte  edhe një “Zyrtar/e për Integrim Evropian 2”.

Po ashtu, më 23 gusht kjo ministri hapi një konkurs për rekrutim për katër pozita të ndryshme me marrëveshje për shërbime të veçanta. Në këtë konkurs kërkoheshin, “Bashkëpunëtor për Arkiv I”, “Bashkëpunëtor për Arkiv IV”, “Bashkëpunëtor për Multimedia” dhe “Bashkëpunëtor për Komunitete”.

Më 11 shtator në Ministrinë e Bujqësisë u hap edhe një konkurs për pozitën “Asistent /e administrativ 4”.

Ndërsa, më 13 shtator në këtë ministri u hap konkurs i brendshëm për katër pozita.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal

Në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ishte hap një konkurs më 27 gusht për pozitën “Zyrtar për monitorimin e komunave”.

MAPL kishte hapur edhe një konkurs tjetër më 28 gusht. Pozita për këtë konkurs publik ishte “Zyrtar/e për Informim”.

Të njëjtën ditë u hap edhe një konkurs për pozitën “Zyrtar për përkthime”.

Më 5 shtator, MAPL hapi edhe dy konkurse të brendshme për avancim. I pari ishte për pozitën “Drejtor i Departamentit për Përformancë dhe Transparencë” dhe i dyti për pozitën “Zyrtar i Lartë Ligjor”.

Ndërsa, më 11 shtator MAPL hapi edhe katër konkurse të brendshme për avancim për pozita të ndryshme.

Më 12 shtator, kjo ministri hapi një konkurs publik për pozitën “Administrator/e i TI-së për Sisteme”. Edhe më 16 shtator, MAPL hapi dy konkurse, njërin për pozitën “Udhëheqës i Divizionit të Prokurimit” e tjetrin për “Asistent Administrativ 3”. Por, më 30 tetor, u njoftua se konkursi për pozitën “Udhëheqës i Divizionit të Prokurimit” u anulua për shkak të ndryshimit të legjislacionit.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor

Edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor u hapën konkurse pas datës 19 korrik, ditën kur dha dorëheqje kryeministri, Ramush Haradinaj.

Më 26 korrik në MMPH u hap një konkurs për pozitën “Zyrtar për Arkiva 1”.konkursi specifikonte se është i përhershëm por me një vit punë provuese.

Në këtë ministri u hap edhe një konkurs tjetër për pozitën “Rojtar i Natyrës në Parkun Kombëtar”. Ky konkurs ishte hap më 17 gusht.

Më 4 shtator, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor hapi një konkurs publik për pozitën “Zyrtar/e  për ruajtjen e biodiversitetit”. Siç u përshkrua në njoftim, vendi i punës është i përhershëm dhe me orar të plotë.

Ndërsa, më 10 shtator, kjo ministri hapi edhe një konkurs tjetër publik për pozitën “Zyrtar/e  për financa”.

Ditën e njëjtë, kjo ministri hapi po ashtu një konkurs tjetër për avancim në pozitën “Udhëheqës/e i/e divizionit për mbrojtje nga ndotja industriale”.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik

Ministria e Zhvillimit Ekonomik është njëri prej diagastereve më të rëndësishme në organizimin e Qeverisë së Kosovës.

Këtë ministri gjatë qeverisjes “Haradinaj II” e udhëhoqi Valdrin Lluka nga partia e Behgjet Pacollit, Aleanca Kosova e Re.

Më 30 korrik në këtë ministri ishte hapur një konkurs për pozitën “Zyrtar për Mirëmbajtjen e Ueb Faqes”.

Edhe në ditën e fundit të muajit korrik MZHE hapi një konkurs për pozitën “Udhëheqës i Divizionit të Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë, Efiçiencës dhe Bashkëprodhimit”.

Më 23 gusht, ministria e Valdrin Llukës hapi një konkurs publik tjetër. Këtë herë kërkohej një person për pozitën “Zyrtar i Lartë për Komunikim me Publikun”. Sic përshkruaj në konkurs, kohëzgjatja e kontratës ishte e pacaktuar.

Më 11 shtator hapi edhe një konkurs. Në të kërkoje një person për pozitën “Udhëheqës Sektori për Promovimin dhe Zhvillimin e Projekteve”.

Në të njëjtën ditë u bë edhe një shpallje për rekrutim për pozitën “Zyrtar i lartë i prokurimit”.

MZHE më 11 shtator përmes një shpallje për rekrutim hapi vendin e punës “Zyrtar i Lartë Ekzekutiv”.

Më 12 shtator, kjo ministri hapi edhe një shpallje për rekrutim për pozitën “Zyrtari i Lartë për politika dhe strategji minerare”.

Por, së fundmi në ueb faqen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik u publikua një njoftim për pezullim të tri pozitave të larta që kërkonte kjo ministri.

“Me datën 07.10.2019 Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka pranuar njoftimin nga Ministria e Administratës Publike e cila ka si fushë të përgjegjësisë menaxhimin e Zyrtareve Publik në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e marr nga MZHE.

“MAP rekomandon se përderisa Qeveria t’i miratoj aktet e nevojshme nënligjore dhe të marr vendimet e nevojshme në përputhje me Ligjin Nr. 06/L – 114 për zyrtarët publik (LZP), të gjitha veprimet e institucioneve të administratës publike që kërkohet vendimmarrjen e Qeverisë në lidhje me pranimin (rekrutimin), ngritjen në detyrë dhe lëvizjen brenda kategorisë duhet të pezullohen”, thuhet në njoftim.

Ministria e Punëve të Brendshme

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme që udhëhiqet nga Ekrem Mustafa i partisë Aleanca Kosova e Re nuk ka të publikuar në rubrikën ‘Vende pune’ asnjë konkurs.

Por, në një përgjigje për KALLXO.com, kjo ministri tha se ka hapur dy konkurse të jashtme (publike) për shtatë pozita të punës.

Ndërsa, tha se ka pasur edhe konkurse të brendshme.

“Konkurse të brendshme në muajin korrik dhe gusht nuk ka, në muajin shtator është shpallur një konkurs me 11 pozita të vendeve të punës, procedura e rekrutimit është pezulluar, sepse i tërë procesi i rekrutimit nuk ka mundur te zhvillohet para hyrjes në fuqi të Ligjit nr.06/L-114 për Zyrtaret Publikë dhe me rekomandim te Ministrisë se Administratës Publike, pozitat e vendeve të punës janë pezulluar”, thuhet në përgjigje.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë drejtohet nga ministri në detyrë Endrit Shala nga Nisma Socialdemokrate. Që prej kohës kur kryeministri, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje në këtë ministri janë hapur disa konkurse.

Më 22 korrik të këtij viti, në këtë ministri u hap një konkurs për dy vende të punës për pozitën e njëjtë “Zyrtar i Metrologjisë për Metale të Çmuara”. Njëri prej punëtoreve kërkohej në Prishtinë ndërsa tjetri në Prizren.

Më 5 gusht, në MTI u hap edhe një konkurs tjetër për pozitën “Zyrtar i lartë për teknologji informative”. Kjo pozitë kërkoj për agjencinë KIESA që është në kuadër të kësaj ministrie. Më vonë, më 5 shtator, ky konkurs u rishpall.

Edhe me 23 gusht ministria e Tregtisë dhe Industrisë hapi konkurs për një për pozitën “Zyrtar për Metrologji”.

Ndërsa, më 28 gusht MTI hapi konkurs për pozitën “Zyrtar i lartë  për Teknologji Informative”.

Më 4 shtator MTI hapi edhe një konkurs tjetër për pozitën “Udhëheqës i Divizionit për Mallra Ushtarake, Transit dhe Brokerim”.

Në datën e njëjtë, MTI hapi edhe një thirrje për rekrutim për pozitën “Asistent administrativ 3”.

Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit pran MTI-së hapi thirrje për rekrutim për pozitën “Zyrtar për Mbrojtjen e Konsumatorit”.

Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve që është në kundër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë më 11 shtator hapi thirrjen për rekrutimin e një punojsi në pozitën “Zyrtar i bazës së të dhënave 2”.

Më 13 shtator, MTI hapi edhe një thirrje për punë për pozitën “Zyrtar i Lartë për Tregti”.

Ndërsa, më 17 shtator MTI kërkoi edhe katër punonjës në pozita të ndryshme. “Asistent administrativ 3”, “Zyrtar për zotimin e mjeteve buxhetore”, “Asistent administrativ 3” dhe një “Zyrtar i Lartë i Prokurimit”.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në MTI për të marr përgjigje nëse ndonjëri prej konkurseve është anuluar, mirëpo zyra për medie ka thënë që t’i referohemi veëm ueb faqës.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj, në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë u hapën disa konkurse për vende pune.

25 korrik ka hapur dy konkurse për “Marrëveshje për shërbime të veçanta. Ndërsa, më 26 korrik kjo ministri kërkoi edhe një punonjës për vendin e punës “Zyrtar i IT-së për ueb faqe”. Edhe ky konkurs ishte me kontratë mbi vepër.

Ministria e Arsimit hapi edhe tri konkurse tjera “Marrëveshje për shërbime të veçanta”. Më 27 gusht u kërkua një zyrtar ligjor, më 30 gusht u hapën edhe dy kokurse nëpërmjet një thirrje, e para kërkonte 8 ekspertë për vlerësimin e përformances së mësimdhënësve dhe 8 mbështetës teknik për vlerësimin e procesit të mësimdhënësve.

Më 5 shtator kjo ministri hapi edhe një konkurs për marrëveshje me shërbime të veçanta dhe kërkoi dy zyrtar për tekste shkollore.

Ndërsa, më 17shtator u hap një konkurs publik për përkthyes shqip- serbisht.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale

Edhe në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale janë hap disa konkurse që prej kohës së dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Ky dikaster që udhëhiqet nga ministri në detyrë, Skender Reçica, I partisë Nisma Socialdemokrate, nga 19 korriku deri msë tani ka hapur tri konkurse publike ku janë kërkuar pesë punonjës për pozita të ndryshme.

“Konkurs i jashtëm, shpallur më datë 24.07.2019 janë kërkuar tri pozita: “Udhëheqës i Zyrës së Pensioneve – Ferizaj, Zyrtar për Pensione në Zyrën e Pensioneve –Prizren, Zyrtar për Pensione në  Zyrën e Pensioneve – Shtërpcë”, thuhet në një përgjigje të ministrisë.

“Konkurs i jashtëm, shpallur më datë 16.08.2019, Zyrtar për Pensione në Zyrën e Pensioneve – Shtime, Konkurs i jashtëm, shpallur më datë 26.10.2019, Mjek i Praktikës së Përgjithshme në Shtëpinë e Personave të Moshuar në Prishtinë”, ka thënë Musa Demiri nga zyra për medie e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies sociale.

Sipas tij, procedurat për dy konkurset e para janë kryer ndërsa për të fundit janë në process.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë

Si nëpër ministritë tjera, edhe në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë janë hapur konkurse për punësime. Kjo ministri që ishte njëra nga më të rejat në Qeverinë Haradinaj udhëhiqet nga PDK dhe ministri i kësaj partie, Muzafer Shala.

Më 10 tetor kjo ministri njoftoi se janë pezulluar shtatë konkurse të jashtme dhe tri konkurse për avancim.

Siç u njoftua në ueb faqen e ministrisë, ky pezullim kishte ardh me urdhër të ministrisë së Administratës Publike në bazë të ligjit për zyrtarët publik. Pezullimi përfshinte konkurset e shpallura ndërmjet datave 2 shtator dhe 16 shtator të këtij viti.

Ndërsa, siç e ka publikuar vetë ministria në ueb faqe, më 16 gusht ishte hapur një konkurs publik për pozitën “Bashkëpunëtor Administrativ” me marrëveshje për shërbime të veçanta.

KALLXO.com ka dërguar kërkesë për informacione shtesë në lidhje me konkurset e hapura dhe anulimet në këtë ministri, por kabineti i ministrit Shala dhe zyra për medie nuk kanë dhënë ende përgjigje.

Ministria e Drejtësisë

Ministria e Drejtësisë gjatë qeverisjes Haradinaj u udhëhoq nga Abelard Tahiri i PDK-së.

Si në ministritë e tjera edhe në këtë ministri u hapën disa konkurse për rekrutim të punonjësve.

Por, më 7 tetor kjo ministri kishte pranuar një njoftim nga Ministria e Administratës Publike e cila e ka fushë të përgjegjësisë menaxhimin e zyrtarëve publik në Kosovë, e cila kishte rekomanduar pezullimin e katër konkurseve të brendshme.

Në këtë ministri, siç është përshkruar edhe në ueb faqe, nga data 19 korrik e këtij viti deri më tani janë hapur edhe 11 konkurse publike, dy prej të cilave me marrëveshje për shërbime të veçanta.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit udhëhiqet nga Pal Lekaj i AAk-së, parti kjo që udhëhoqi edhe me Qeverinë e Kosovës.

Edhe në këtë ministri janë hap shumë konkurse që prej dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

ueb faqen e kësaj ministrie, nga data 12 shtator deri më 28 shtator janë publikuar 30 thirrje për konkurse publike e për avancim.

Vetëm për për një ditë, më 12 shtator janë publikuar nëntë konkurse për pozita të ndryshme.

Kjo ministri nuk e ka publikuar një rekomandim të Ministrisë së Administratës Publike e cila i kishte njoftuar institucionet publike për pezullimin e konkurseve deri në miratimin e legjislacionit nga Qeveria.

Ministria e Mbrojtjes

Ministria e Mbrojtjes udhëhiqet nga Rrustem Berisha i AAK-së. Në këtë ministri janë hapur disa konkurse të brendshme që prej kur dha dorëheqje Ramush Haradinaj.

Vetëm gjatë muajit shtator në këtë ministri u hapën 12 konkurse të brendshme për avancim.

As kjo ministri nuk ka publikuar në ueb faqe ndonjë njoftim të MAP-it për pezullim të konkursve, ashtu siç kanë vepruar disa ministri.

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike

Ministria e Diasporës gjatë mandatit të kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj u drejtua nga Dardan Gashi.

Edhe në këtë ministri, sikur në të tjerat, pati disa konkurse të cilat u hapën prej kohës që dha dorëheqje Haradinaj.

“Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike nga data 10 korrik 2019 i ka shpallur gjashtë konkurse të jashtme. Prej tyre, një është anuluar dhe një është pezulluar. Ndërkaq, konkurse të brendshme kanë qenë gjithsej gjashtë, prej tyre dy janë anuluar”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për KALLXO.com.

Ministria për Kthim dhe Komunitete

Ministria për Kthim dhe Komunitete që udhëhiqet nga ministri serb, Dalibor Jevtic nga Lista Serbe, nuk ka publikuar asnjë konkurs në ueb faqe që nga nëntori i vitit 2018.

Ministria e Punëve të Jashtme

Ministria e Punëve të jashtme që u drejta nga Behgjet Pacolli nuk i ka publikuar në ueb faqe konkurset për punë.

Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë u drejtua nga nënkryetari i PDK-së, Uran Ismajli.

Kjo ministri ka hapur gjashtë konkurse nga data 19 korrik deri në këtë kohë. Siç u njoftua në ueb faqe, një konkurs për pozitën “Zyrtar i Lartë Ligjor në Inspektoratin Shëndetësor”, u anulua.

Ministria e Integrimit Evropian

Ministria e Integrimit Evropian u drejtua nga Dhurata Hoxha e PDK-së.

Siç është njoftuar në faqen e internetit, në këtë ministri që prej dorëheqjes së Ramush Haradinajt më 19 korrik e deri më tani janë hapur shtatë konkurse. Pesë prej tyre publike ndërsa dy të brendshme.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është udhëhequr nga Kujtim Gashi i PDK-së.

Në këtë ministri që prej dorëheqjes së Ramush Haradinajt janë shpallur 21 pozita, prej të cilave 3 me kontratë mbi vepër.

Kërkimi ka përfshirë vetëm publikimet nga ministritë në ueb faqet e tyre në internet, ndërsa siç është parë edhe në hulumtim, ka ministri të cilat nuk i kanë publikuar fare konkurset në vitin e fundit.