Vendi i terminalit të ri LNG në cepin verior të ishullit kroat të Krk. Foto: BIRN

‘Pavarësia Energjetike’: Kritikët ngrenë zërin kundër planeve kroate për gaz të lëngshëm

Mjedisorët dhe banorët vendës nuk e duan atë. Ekspertët e quajnë një shpërdorim të parave të taksapaguesve. Po pse Kroacia po shtyn përpara një projekt për të kthyer një destinacion turistik të cilësisë së lartë në një qendër për gazin natyral të lëngët?

 

“Obliti privatorum publica curate,” lexon shkrimi në latinisht mbi derën e bashkisë së qytetit – “E mira e përbashkët është më e rëndësishme se sa punët private.”

Për Mirela Ahmetović, kryebashkiake e qytezës bregdetare të Omisaljit në ishullin kroat Krk, kjo është një maksimë për të jetuar. Në një kohë kur ajo duhej të ishte me pushime, ajo është në zyrë duke diskutuar projektin energjetik që ajo ka qenë duke luftuar përgjatë tri viteve të fundit.

Ahmetović, 38, nuk përmbahet në të folur. Ajo organizon mendimet e saj në mënyrë metodike, si letrat e mbushura në një dosje të trashë të kuqe në tryezën para saj: letra ankesash të dërguara te ministrat dhe te institucionet e shtetit, shumica e të cilave kanë mbetur pa përgjigje.

“Për sa kohë do të jem kryebashkiake në Omisalj […] do të vijoj të kërkoj çdo rrugë ligjore të mundshme për ta mbyllur këtë projekt,” tha Ahmetović për BIRN. “Kjo është puna ime, detyra ime, kënaqësia ime. Unë do t’i shkruaj presidentit të botës nëse do të kem nevojë.”

Projekti kundër të cilit ajo po lufton është një terminal lundrues për gaz natyror të lëngëzuar (LNG), që do të ndërtohet në cepin veriperëndimor të Krk, ishulli më i madh i Kroacisë dhe destinacioni turistik më i rëndësishëm i vendit.

Konsideruar një “projekt interesi strategjik,” ky përfshin fiksimin e një tankeri nafte të përshtatur me gjatësi 280 metra në pamje të plotë të rrënojave të qytezës së lashtë romake të Fulfinum, fare pranë Omisaljit.  Kjo është pamja mbi Gjirin e Rijekës në Adriatikun e veriut.

Qyteza bregdetare e Omisalj në Adriatikun e veriut. Foto: BIRN

Me një kosto prej 234 milionë eurosh, terminali do të lejojë anijet e ngarkuara me LNG të shkarkojnë gazin e lëngshëm për një transformim në vend në gaz të zakonshëm, i cili do të shpërndarjet më pas përmes gazsjellësve të Kroacisë.

Nëse përdoret me kapacitet të plotë, terminale mund të përpunojë 2.6 miliardë metra kub gaz në vit – e barabartë me gati 80% të të gjithë konsumit vjetor të Kroacisë. Terminali pritet të jetë gati në vitin 2021.

Iniciativa ka përfituar financime të mëdha nga BE si një nga Projektet e Interesit të Përbashkët të bllokut, projekte kyçe ndërkufitare të infrastrukturës që lidhin sistemet e energjisë të vendeve anëtare.

Qeveria thotë se është “projekt i rëndësishëm për pavarësinë dhe sigurinë energjetike të Kroacisë” për shkak se do të ndihmojë në diversifikimin e burimeve të gazit – një mënyrë me edukatë për të thënë se Kroacia nuk do të varet më me tepri nga Rusia.

Kryebashkiakja e Omisaljit Mirela Ahmetović shfleton dosjet në bashkinë e qytetit. Foto: Jelena Prtorić

Por ekspertët, aktivistët dhe banorët vendës të intervistuar nga BIRN e shohin projektin si një përrallë edukuese të asaj që do të ndodhë kur aderimi i verbër te dogma e sigurisë energjetike thyen logjikën e shëndoshë.

Kritikët thonë se qeveria ka ecur përpara me planin pa transparencë dhe pa konsultime me personat që do të preken. Ata kundërshtojnë projektin edhe për arsye mjedisore, duke e përshkruar atë si një kërcënim për jetën detare në ujërat gurëkali të Krk.

Pastaj ka dyshime mbi leverdishmërinë ekonomike. Qeveria nuk ka bërë kurrë publike një analizë të plotë të kostove dhe përfitimeve, por BIRN mund të zbulojë se Kroacia po gabon duke ecur drejt një shpërdorimi masiv të parave publike.

Më pak se një vit para se terminali të fillojë të operojë, të gjitë treguesit sugjerojnë se projekti ka pak shpresa të dalë me fitim. Ai as nuk do të ndihmojë shumë në uljen e çmimeve të gazit për konsumatorët kroatë.

Në fakt, ekspertët thonë se taksapaguesit kroatë do të paguajnë faturën për rreth 100 mijë tonë panoramë të prishur përkundrejt vlerës së dyshimtë të pavarësisë energjetike të vendit, nga e cila do të përfitojnë më shumë vende të tjera në rajon.

Ndërtimi i një doku për të lidhur terminalin e ardhshëm të LNG-së në brigjet e Omisaljit. Foto: BIRN

Ortodoksi energjetike e BE-së

Për shkak të depozitave të gazit në Adriatik dhe në rajonin lindor të Sllavonisë, Kroacia është në pozicion më të mirë se shumë vende të tjera të BE-së sa i përket pavarësisë energjetike.

“Ne aktualisht prodhojmë mjaftueshëm gaz sa të plotësojmë pothuajse gjysmat e nevojave tona,” tha Katarina Simon, një specialiste e gazit në Fakultetin e Minierave, Gjeologjisë dhe Inxhinierisë së Naftës në Universitetin e Zagrebit.

“Por për shkak se prodhimi ynë kombëtar është në pakësim, ne biem në varësi më të lartë nga importet.”

Si gjithkund tjetër në Europë, Kroacia importon gaz nga Rusia – rreth 2.04 miliardë metra kub (bcm) më 2018, ose sa dy të tretat e konsumit vjetor të vendit, sipas shifrave nga gjiganti rus i gazit, Gazprom. Sa për krahasim, Gjermania importoi 58.5 bcm në të njëjtin vit, duke e bërë këtë blerësin më të madh të Gazprom në Bashkimin Europian. Sllovakia, popullsia e së cilës është vetëm pak më e madhe se sa ajo e Kroacisë, importoi 5.8 bcm.

Pas një serie mosmarrëveshjesh mes Rusisë dhe Ukrainës për çështje të gazit, të cilat ndërprenë furnizimin e Europës me gaz disa herë gjatë dekadës së fundit, BE-ja filloi të shikojë për burime alternative gazi, dhe gazi natyror i lëngëzuar (LNG) u bë tema qendrore e politikës së saj energjetike.

LNG është akronimi që thotë shumë mbi mënyrën e transportimit të gazit po aq sa edhe për vetë gazin.

Për të minimizuar kostot e transportit të gazit nëpër distanca të mëdha, gazi natyror ftohet deri në minus 162 gradë Celsius, pikë në të cilën kthehet në lëng. Kjo e kompreson atë me deri në 600 herë.

Gazi natyror transportohet pas kësaj në terminalet për importimin e LNG-së – të tilla si ky që është planifikuar në Omisalj – ku ai rigazifikohet para se të pompohet në gazsjellësa dhe të shpërndahet te konsumatorët.

Terminale të tilla të importimit të LNG-së bëhen për rrjedhojë dyer për furnizime jo-Ruse të gazit në Europë. LNG-ja shihet gjithashtu si një “energji fosile tranzicionale”, pjesë e një strategjie të BE-së për të nxjerrë nga përdorimi qymyrin dhe naftën.

më 2016, Komisioni Europian zbuloi një strategji të BE-së për magazinim të LNG-së dhe gazit që përfshin ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme “për të plotësuar krijimin e një tregu të brendshëm të energjisë dhe për të identifikuar projektet e nevojshme për t’i dhënë fund pavarësisë së shteteve të caktuara anëtare nga furnizimet e gazit me një burim.”

Pascoe Sabido, një kërkues në Observatorin Corporate Europe, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Bruksel që monitoron efektet e lobimit të korporatave në politikat e BE-së, tha se shtytja për më shumë infrastrukturë LNG vjen nga industria e gazit dhe e gazsjellësve, si dhe nga sektori i bunkerizimit që ofron LNG për anijet për lëndë djegëse.

“Kjo infrastrukturë është ndërtuar për të jetuar gjatë,” i tha ai BIRN në një intervistë telefonike

“Në 20 vjet, do të jetë më e lehtë për këto kompani për të ngadalësuar procesin e nxjerrjes nga përdorimi të gazit natyror me argumentin se ne kemi ndërtuar gjithë këtë infrastrukturë dhe nuk duhet ta braktisim atë.”

Në Tetor, Observatori Europian i Korporatave u bashkua me grupet mjedisore, përfshirë Miqtë e Tokës de Greenpeace për të publikuar një studim që tregon se që nga viti 2010, vetëm pesë gjigantë të naftës dhe gazit –  Shell, BP, Total, ExxonMobil dhe Chevron — shpenzuan së paku 250 milionë euro për të lobuar në BE.

Raporti vëren gjithashtu se BE-ja, pavarësisht objektivit të saj për të luftuar ndryshimet në klimë, ka qenë duke subvencionuar në mënyrë bujare infrastrukturën e gazit.

“Mbi 1.6 miliardë euro kanë ikur në projektet e gazit që nga viti 2014 kur ne e dimë se çdo infrastrukturë shtesë do të na bllokojë ne në një të ardhme me energji fosile,” shkruhet në raport.

Sipas një studimi tregu nga konsulenti gjerman i energjisë Team Consult, deri në fund të vitit 2017, kapaciteti total i rigazifikimit të 24 terminaleve të përmasave të mëdha të LNG-së në Europë, ishte 146 bcm, në krahasim me 90 bcm më 2007.

Kjo shifër pritet të rritet në mënyrë domethënëse, me 22 terminale të mëdha importi LNG që janë ose të planifikuara ose duke u menduar në Europë (në 17 vendet e BE-së), sipas organit të kësaj industrie Gas Infrastructure Europe. []

Ky bum infrastrukture në LNG është mikpritur ngrohtësisht në anën tjetër të Atlantikut, ku Shtetet e Bashkuara janë bërë një nga eksportuesit më të mëdhenj të gazit në botë. Administrata e SHBA-së për Informacionin Energjetik parashikon që viti 2019 të jetë vit rekord për eksportet e gazit natyror.

Në një takim me Presidentin e SHBA Donald Trump më 2018, ish-presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker premtoi që “Europa do të importojë më shumë gaz nga SHBA”.

Mike Fulwood, një kërkues në Institutin e Oksfordit për Studime të Energjisë, tha se deklarata të tilla krijojnë një panoramë çorientuese mbi atë se si funksionon tregu.

“Junckeri nuk blen gaz dhe Trumpi nuk e shet,” tha ai në një intervistë telefonike. “Tregu po blen dhe po shet gaz.”

Për Fulwood, një nga avantazhet më të mëdha të terminaleve LNG është fakti që ato mund të përdoren si mekanizëm për pazar me Rusinë.

“Me një burim alternativ të furnizimit me gaz, është më e lehtë të negociosh një çmim më të ulët me Gazprom,” tha ai.

Por ky nuk është shumë opsion i vlefshëm për Kroacinë, së paku jo shpejt – pavarësisht nëse ka apo jo një terminal gazi.

Më 2017, një nga ofruesit kryesor të gazit në vend, Prvo plinarsko društvo, firmosi një kontratë 10-vjeçare me Gazprom duke fiksuar çmimin për një miliardë metra kub gaz në vit deri në vitin 2027.

“Kroacia kthehet të Gazprom,” ishte titulli kryesor i të përditshmes ruse Kommersant kur lajmi u bë i ditur.

‘Gërryes në det’

LNG Hrvatska (LNG Kroacia), kompania shtetërore përgjegjëse për zbatimin e projektit në Krk, nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për intervistë apo pyetjeve me email.

Por kritikët e planit për LNG thonë se një aderim i verbër ndaj strategjisë së BE-së për energjinë e ka bërë të lehtë për qeverinë të injorojë çështje që do të kishin sjellë rrëzimin e projekteve të tjera infrastrukturore.

Vjeran Piršić, presidenti i organizatës mjedisore Eko Kvarner me bazë në Krk, është një nga kundërshtarët më të zhurmshëm të terminalit.

Vjeran Piršić me gruan e tij Marijana në dhomën e tyre të ndenjes që shërben gjithashtu si zyrë në Njivice, Krk. Foto: Jelena Prtorić

Piršić është një burrë i bëshëm me një të folur të butë. Kur i bie celulari, ai nxjerr një këngë qetësuese të oriolës së artë të Euroazisë, ose bengut, një zog që jeton në këto anë.

Në parvazin e dritares në shtëpinë e tij zyrë në Njivice, një fshat pak më në jug të Omisaljit, ai mban tre shpata japoneze. Piršić tregoi se si ai i mban shpatat gjatë meditimit, duke çliruar tensionin në kohën kur aktivizmi bëhet shumë stresues.

Ai ka luftuar me sukses shpimet për naftë në Adriatik, prodhimin e qymyrit në gadishullin kroat të Istrias dhe një projekt për të zgjeruar një naftësjellës rus drejt Adriatikut. Këto dite, ai është më shumë i shqetësuar me ndikimin që pritet të ketë terminali i LNG-së për mjedisin e zonës.

Në Nëntor 2017, LNG Kroacia bashkëorganizoi një prezantim publik në Omisalj me EKONERG, kompaninë që kreu studimin e ndikimit në mjedis, gjë që është kërkesë ligjore.

Rreth 400 vendës nga një bashkësi me 2,500 njerëz morën pjesë në këtë aktivitet, i cili përfshiu një seancë pyetjesh dhe përgjigjesh që zgjati për pothuajse pesë orë.

Në një regjistrim audio të seancës së pyetjeve dhe përgjigjeve, menaxherët dëgjohen duke dhënë përgjigje konfuze dhe jokoherente ndërsa dëgjuesit, gjithnjë e më shumë armiqësorë, ngrinin zërin për shqetësimet e tyre.

Në një pikë, një vendës që prezanton veten si Branko Ban fillon të pyesë mbi ndotjen nga sodiumi i hipokloritit i përdorur për të pastruar komponentët industrialë.

Ekspertët e EKONERG përpiqen të ndryshojnë temë por Ban i kishte bërë llogaritjet bazuar në shifrat e raportit të ndikimit. Duke vërejtur se sodiumi i hipokloritit është në thelb një gërryes, ai deklaron: “Ju do të zbrazni 376 mijë kilogramë gërryesi në det çdo vit!”

Drejtuesit e projektit nuk e mohuan këtë hapur, megjithëse një vit më vonë, në Nëntor 2018, LNG Krocia tha në faqen e vet të internetit se anija LNG që ajo ka blerë do të përdorë “pastrimin mekanik” dhe jo hipokloritin për të pastruar komponentët e saj industrialë.

Për Piršić, i gjithë prezantimi ishte një “dështim” për LNG Kroacia.

Ai tha se kompania dështoi të trajtonte shqetësimet e vendësve, përfshirë ndikimin negativ mbi turizmin, rreziqet për jetën detare dhe rreziqet e lidhura me ekspozimin e terminalit ndaj erërave të forta, për të cilat rajoni është i famshëm.

Skuadra e komisionerit të BE-së për energjinë i tha BIRN përmes një emaili se “të gjitha projektet infrastrukturore të përmasave të mëdha duhet të zbatohen në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet vendëse dhe qytetarët që jetojnë pranë zonës së projektit”.

Por sipas Piršić dhe kryebashkiakes Ahmetović, një operacion i tillë ka munguar tërësisht.

Vendësit nuk joshen as nga perspektiva e vendeve të punës për shkak se terminalet e këtij lloji zakonisht kanë nevojë për vetëm 30-40 njerëz. Ata do të punësohen nga Golar Power, një kompani norvegjeze që do të ketë detyrën të operojë dhe mirëmbajë terminalin.

Ndërkohë, Ahmetović pretendon se Ministri i Energjisë dhe Mjedisit  Tomislav Ćorić u përpoq ta bindte atë të mos e kritikonte projektin në media duke i premtuar financime për një projekt të infrastrukturës së ujit për Omisaljin – por me kushtin që ajo të heshtte.

Duke rikujtuar takimin e Nëntorit 2017 me Ćorić, ajo i tha BIRN: “Unë kuptova se praktikisht po më ofronin ryshfet nga paratë publike.”

Ćorić nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për intervistë apo pyetjeve të dërguara me email. Pyetur mbi akuzën, zyra e shtypit e ministrisë refuzoi të “komentojë mbi pretendime të tilla të pabaza”.

Ahmetović është anëtar i Partisë Social Demokrate (SDP) të qendrës së majtë, opozita kryesore ndaj koalicionit qeverisës që udhëhiqet nga konservatorët e Bashkimit Demokratik të Kroacisë (HDZ), në të cilën Ćorić është anëtar.

Por ajo mohoi që kundërshtimi i saj ndaj terminalit shkaktohet nga politika partiake, duke vërejtur se anëtarët e këshillit vendës nga të dyja krahët, si SDP ashtu edhe të HDZ-së, votuan unanimisht kundër projektit në Nëntor 2017 (megjithëse këshilltarët e HDZ-së abstenuan gjatë debatit pasardhës që u zhvillua pesë muaj më vonë).

Në Qershor 2018, parlamenti miratoi “Lex LNG”, një ligj që i hapi rrugën terminalit dhe pastroi problemet e të drejtave të pronësisë për një ndërtim të shpejtë.

Një pamje nga ajri e kantierit të ndërtimit të terminalit LNG. Foto: BIRN

Shumë pak, shumë vonë

Pavarësisht se cilat janë shqetësimet mbi mjedisin dhe transparencën, persona me njohuri nga industria e gazit kanë frikë se projekti i LNG-së thjeshtë do të rezultojë i paqëndrueshëm.

Daria Karasalihović-Sedlar, një specialiste në ekonomitë e naftës dhe gazit në Departamentin e Inxhinierisë së Naftës në Universitetin e Zagrebit, tha se Kroacia ishte tepër vonë në lojën e LNG-së për të qenë një lojtar i besueshëm.

“Dhjetë vjet më parë, tregu nuk ishte i ngopur me gaz natyror,” tha ai. “Atëherë ne mund të ishim bërë qendër gazi.”

Jo vetëm që numri i projekteve për LNG gjithkund tjetër në Europë është rritur shumë gjatë viteve të fundit, por edhe Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP) që lidh Greqinë e veriut me Italinë përmes Shqipërisë do të fillojë të punojë më 2020.

TAP është pjesë e të ashtuquajturit Korridori Jugor i Gazit që premton të sjellë gaz natyror nga rajoni i Kaspikut për në Europë përmes Ballkanit dhe Europës Qendrore.

Ideja e ndërtimit të një terminali LNG në Omislj u hodh për herë të parë në mes të viteve 1990 kur kompania shtetërore e naftës INA e propozoi fillimisht atë, por plani fillestar nuk e kaloi kurrë fazën eksploruese.

Koncepti u rishfaq në fillim të viteve 2000 me krijimin e Adria LNG, një konsorcium ndërkombëtar kompanish energjie që përfshinte E.ON Ruhrgas nga Gjermania, Total nga Franca, OMV nga Austria, RWE që është çeko-gjermane dhe Geoplin nga Slovenia.

Plani i Adria LNG për një terminal me kapacitet 10 bcm në vit synonte të krijonte një qendër gazi për rajonin dhe do të ndërtohej në partneritet me Dina Petrokemija, një impjant kimik kroat që operonte në atë kohë në kepin pranë Omisaljit.

Që të rigazifikohet, LNG ka nevojë të nxehet deri te një temperaturë më e lartë se sa zero gradë Celsius. Adria LNG kërkonte të përdorte ujin e nxehur që ishte produkt anësor i prodhimit kimik në Dina Petrokemija.

Josip Šepčić, një ish specialist kërkimi dhe zhvillimi në Dina Petrokemija, e rikujton atë si një “projekt serioz”.

“Administrata jonë po binte pas dhe kompanitë e huaja humbën durimin,” tha ai.

Më 2010, Adria LNG mbylli zyrën në Zagreb. BIRN pyeti të gjitha kompanitë e përfshira në projekt për t’i pyetur se pse ai u ngri, por ata refuzuan të komentonin.

‘Udhëtim pa biletë për të tjerët’

Duke përdorur shifrat e vetë qeverisë, BIRN analizoi terminalin nga pikëpamja e të bërit biznes.

Kokstoja prej 233.6 milionë eurosh për terminalin LNG përfshin 159.6 milionë euro për të blerë një tanker norvegjez të ndërtuar më 2005 dhe për ta rikonvertuar atë në një Magazinë Lundruese dhe Njësi Rigazifikimi, siç njihet impianti.

Nga shpenzimet totale kapitale, Bashkimi Europian po mbulon 101.4 milionë euro.

Qeveria e Kroacisë do të paguajë 100 milionë euro nga buxheti i shtetit. Në Korrik, Komisioni Europian miratoi këtë përdorim të parave të taksapaguesve si “në përputhje me rregullat e BE-së për ndihmë shtetërore” kundër konkurrencës së parregullt.

Ajo që mbetet prej 32.2 milionë eurosh do të vijë nga kompanitë pronare të LNG Kroacisë: kompania e energjisë elektrike HEP dhe operatori i gazsjellësve Plinacro, që të dyja nën pronësi shtetërore.

Për të përfituar financime nga BE, projektet e infrastrukturës duhet të tregojnë se ato do të jenë me leverdi ekonomike. Kjo bëhet duke nisur një “Sezon të Hapur” një pranim ofertash për të përcaktuar interesat e tregut dhe për të identifikuar konsumatorë potencialë.

Gjatë “Sezonit të Hapur”, LNG Hrvatska mori oferta të detyrueshme nga vetëm dy blerës. Një ishte nga grupi shtetëror i naftës dhe gazit INA ndërsa tjetra ishte nga HEP. Që të dyja, ato ranë dakord të blinin 520 milionë metra kub gaz në vit.

Kjo është shumë larg kuotës prej 1.5 bcm gaz që Komisioni Europian tha se do të nevojitej që terminali të rikuperojë kostot mbi investimin.

Pavarësisht aritmetikës jopremtuese, qeveria vendosi në fillim të vitit 2019 që ta financojë projektin.

E përditshmja me bazë në Rijeka Novi list citoi drejtoreshën e LNG Kroaci Barbara Dorić duke thënë se “testi ekonomik i terminalit ishte pozitiv” dhe “çmimet e LNG-së mund të jenë konkurruese”, duke nënkuptuar se blerësit do të tërhiqen nga çmimet më të ulëta të gazit dhe për rrjedhojë terminali do të dalë me fitime.

Por analistët thonë se besimi i saj mund të jetë i ekzagjeruar.

Sa për fillim, LNG Kroaci nuk ka kontroll mbi çmimet e gazit që do të qarkullojë përmes terminalit, për shkak se kontratat negociohen drejtpërsëdrejti mes blerësve (kompanitë që shesin gazin te konsumatorët finalë) dhe shitësit (kompanitë eksportuese të LNG-së).

Për shkak se LNG Kroacia është në thelb një ofrues shërbimesh palë e tretë, roli i së cilës është që të rigazifikojë LNG-në e sjellë dhe e shitur nga të tjerët, i vetmi çmim që ajo mund të përcaktojë është tarifa e operimit.

“Nuk ka rëndësi se sa të ulët ti e përcakton tarifën, asnjë kompani nuk do të blejë LNG-në tënde nëse ato mund të marrin gaz më të lirë përmes gazsjellësve,” tha Karasalihović-Sedlar nga Universiteti i Zagrebit.

Komisioni Europian tha në Korrik se në bazë të ofertave të marra në “Sezonin e Hapur”, “Kroacia pretendon se hendeku i pafinancuar mund të sjellë një humbje prej 193 milionë eurosh”.

Dhe edhe nëse perspektiva e blerjes së LNG-së nga eksportuesit nëpër botë mund të shërbejë si mekanizëm presioni kur të negociohen çmimet e gazit me Rusinë, shanset janë që nuk do të jenë kroatët që do të shohin ulje të faturave të gazit, tha Fulwood nga Instituti i Oksfordit për Studime të Energjisë.

“Për shkak se terminali do të paguhet me para publike, taksapaguesit kroatë në thelb po i japin një udhëtim falas të gjitha vendeve të tjera që mund të përfitojnë prej tij,” tha ai.

Hungaria është një nga këto vende.

Në Prill, Ministri Kroat i Mjedisit dhe Energjisë njoftoi se Hungaria ishte e interesuar për blerjen e 25% të aksioneve në LNG Kroacia (Shiko kutinë).

Pal Sagvari, ambasador special për marrëdhëniet ndërkombëtare të energjisë në Ministrinë Hungareze të Punëve të Jashtme, i tha BIRN në një intervistë telefonike se negociatat po vijonin.

“Hungaria ka qenë gjithmonë e interesuar për këtë terminal për shkak se po shikojmë të diversifikojmë burimet tona të gazit,” tha ai.

Më 2017, Gazpromi furnizoi 7 bcm nga 10.3 bcm gaz që Hungaria konsumoi atë vit, sipas eksportuesit rus të gazit.

Ndërsa një kontratë e madhe gazi mes Hungarisë dhe Rusisë pritet të skadojë më 2021, Budapesti po shpreson të rinegociojë kushtet dhe çmimet.

“[Terminali kroat] mund të jetë një mjet shumë ndihmës negociues për ne,” tha Sagvari.

Pavarësia në stilin Balltik

Për të kuptuar se çfarë do të thotë të kesh një terminal LNG në prag të derës, nuk duhet të shkosh më tutje se sa porti i Klaipedës në Balltik, qyteti i tretë më i madh i Lituanisë.

Në qendrën e mirëmbajtur të Klaipedës, vazot me lule zbukurojnë dritaret e shtëpive me stil nordik ndërsa pallatet e kohës së sovjetikëve dominojnë shumicën e pjesës tjetër të qytetit.

E ankoruar në mes të portit të zhurmshëm të Klaipedës është anija Pavarësia, terminali i parë dhe i vetëm LNG i Lituanisë.

I cilësuar si një shembull i një terminali të mirëplanifikua që ka bërë një ndryshim real për pavarësinë energjetike, ekspertët thonë se suksesi i Pavarësisë reflekton një qartësi në qëllim, gjë që po mungon te planet e LNG Kroacia.

Terminali u ndërtua me pothuajse 450 milionë euro nga paratë e taksapaguesve, sipas Komisionit Europian, i cili miratoi ndihmën shtetërore më 2013, me arsyetimin se ky projekt “përparon objektiivat energjetikë të BE-së pa shkaktuar çrregullime në konkurrencë”.

Nga fillimi deri në përfundim, projekti Pavarësia u plotësua në më pak se sa katër vjet. Kjo krahasohet me rreth 15 vjet që kaloi që nga planifikimi me ndalesa të gjata nga aktorë të ndryshme për një terminal në Omisalj.

Me gjatësi 294 metra, tankeri i naftës i konvertuar është vetëm pak më i gjatë se sa ai që po përshtatet në Krk, por mund të procesojë deri në katër bcm gaz natyror në vit – pothuajse dy herë më shumë se sa kapaciteti i terminalit kroat.

Rytis Savickis, një zëdhënës për Klaipedos Nafta, operatori shtetëror i terminalit, tha se vetëm në Korrik, Pavarësia rigazifikoi mjaftueshëm gaz për të prodhuar 2.4 teravatorë energji – afërsisht e barabartë me konsumin e energjisë për atë muaj nga të treja shtetet e Balltikut, Estonia, Letonia dhe Lituania.

Para se Pavarësia të fillonte operimin më 2014, popullsia prej 3 milionë banorësh e Lituanisë ishte 100 për qind në varësi të gazit rus. Kishte një gazsjellës përmes Bjellorusisë dhe një furnizues, Gazprom.

Deri në vitin 2018, Lituania pothuajse i përgjysmoi importet e gazit nga Rusia, duke blerë 1.4 bcm në krahasim me 2.7 bcm më 2013, para se të ndërtohej terminali.

“[Ndërtimi i terminalit] ishte një vendim politik dhe ekonomik,” i tha BIRN Albinas Zananavičius, zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Lituanisë, gjatë një interviste në Vilnus, kryeqyteti i Lituanisë.

Me bimët e harlisura, tavolinat e ulëta të kafesë dhe karriget e bardha prej lëkure, zyra e Zananavičius kishte përshtypjen e një dhome ndenjeje – me përjashtim të flamurit lituanez dhe portretit të presidentit në mur.

“Ne po paguanim një nga çmimet më të larta të gazit në BE,” tha Zananavičius.

Autoritetet e konceptuan Klaipedos Nafta si operator ndërsa kompania shtetërore e tregtimit të gazit Litgas (pjesë e kompanisë shtetërore Lithuanian Energy) nënshkroi një marrëveshje pesëvjeçare me kompaninë norvegjeze të energjisë Statoil (tashmë Equinor) për të importuar 540 milionë metra kub gaz çdo vit.

Sipas Andrius Šimkus, një jurist energjie i ngarkuar me hartimin e legjislacionit të parë për LNG-në më 2010, ndërtimi i infrastrukturës nuk mjaftonte për të thyer monopolin rus në tregun e gazit.

Për ta bërë këtë, ligjvënësit imponuan një detyrim special kontraktual për termocentralet elektrike që prodhonin nxehtësi dhe elektricitet dhe që operonin me gaz.

“Ne zbatuam një instrument ligjor për të imponuar një prokurim të detyruar të 25% të gazit të konsumuar përmes terminalit LNG,” tha Šimkus.

Më 2014, menjëherë pas përfundimit të terminalit, Lituania ishte në gjendje të rinegocionte kontratat me Gazpromin. Media, përfshirë shtetëroren Sputnik, raportoi se Gazprom i kishte ulur çmimet për këtë vend me më shumë se 20 për qind.

Në verën e vitit 2016, presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitarović vizitoi terminalin Klaipeda. Dy fotografi të saj janë vënë në kornizë dhe janë varur në dhomën e konferencave të anijes, duke e treguar atë duke pozuar me ekuipazhin.

Pas në Omisalj, vendësit ankohen se Grabar-Kitarović nuk e ka vizituar ende terminalin LNG që do të ripërcaktojë qytezën e tyre.

Gjatë një udhëtimi në ishull në mes të Korrikut, ajo gjeti kohë për të diskutuar turizmin me kryebashkiakun e qytetit Krk dhe për t’u takuar me prodhuesit vendës të verës, djathit dhe vajit të ullirit. Por ajo nuk shkoi në Omisalj.

Ishulli i Krk ka në plan të bëhet neutral sa i përket co2 deri në vitin 2030. Qytezat e saj janë pionierë në riciklim dhe në përdorimin e energjive alternative të tilla si energjia diellore. Vendësit kanë frikë se projekti i terminalit do të jetë tallje me aspiratat e tyre për ekonomi të gjelbër.

Në kantierin e ndërtimit vonë në vjeshtë, zhurma e çekiçëve mbushte zonën ndërsa dhjetëra punëtorë derdhnin çimento, mbushnin shtylla betoni dhe shtronin rrjeta hekuri. Bankina që do të lidhë anijen me bregun po merrte formë.

Në pamje të plotë nga ana tjetër e gjirit të ngushtë, rrënojat romake të Fulfinum — një vend i parapëlqyer për koncerte muzike klasike apo xhazi kur koha është e mirë – duket se del nga lëndina që zgjatet deri te një plazh me guralecë.

Gjatë verës, gjiri është popullor me vendësit dhe turistët që vijnë për të notuar apo për të pushuar nën hijen e pishave të larta.

Për së paku një prej banorëve të Omisaljit, sheh se mund të ketë një anë pozitive me ndërtimin e terminalit.

“Ndoshta është një mënyrë jopopullore e të menduarit por Omisalji ka qenë për një periudhë kohe të gjatë një qytezë industriale,” tha Ivan Leko, një 34 vjeçar specialist marketingu dixhital, taraca e të cilit gjendet drejtpërsëdrejti mbi kantierin e terminalit të ri. “Me gazsjellësit, së paku nuk ka ndotje aktive.”

Duke parë nga kantieri ai shtoi: “Industria e Omisaljit është arsyeja se pse turizmi masiv nuk mbërriti kurrë këtu. Nëse ata do të sjellin anijet, së paku ne do të jemi të mbrojtur nga mbi-turizmi.”

 Deja Vu?

Për shumë në Kroaci, lajmi se Hungaria është e interesuar në blerjen e një pakete aksionesh në LNG Kroacia ndjehet si një rast deja vu i keq.

Më 2002, qeveria filloi privatizimin e kompanisë shtetërore të energjisë INA. Brenda një dekade, grupi hungarez i energjisë MOL mori kontrollin e firmës si aksioneri kryesor. Deri më 2012, ajo kishte pronësinë e 49% të INA, ndërsa qeveria e Kroacisë kishte 45%.

Më 2011, zyra anti-korrupsion e Kroacisë akuzoi ish-kryeministrin Ivo Sanader se ka marrë 10 milionë euro ryshfet nga MOL më 2008 për të “shitur INA.”

Sanaderi u dënua me tetë vjet e gjysmë burg, por vendimi u përmbys më pas nga Gjykata Kushtetuese që urdhëroi një gjyq nga e para. Rigjykimi nisi në shkurt 2019 ku drejtuesi ekzekutiv i MOL, Zsolt Hernadi, është i bashkëakuzuar me Sanader dhe do të gjykohet në mungesë.

Ryshfeti që aludohet se mori Sanaderi u vu në llogarinë bankare të Robert Ježić, një sipërmarrës zvicerano-kroat dhe ish pronar klubi futbolli e mediaje, sipas prokurorëve.

Ježić bleu më herët DINA petrochemical në Omisalj kur u bë pronar maxhoritar në një konglomerat të quajtur Dioki d.d. më 2005.

Një plan për një terminal LNG në tonë në Omisalj i zhvilluar nga konsorciumi Adria LNG e kompanive ndërkombëtare të energjisë në vitet 2000 planifikoi ta vendoste projektin në pronë të Diokit.

Por Dioki falimentoi në këtë kohë dhe Ježić u bë dëshmitari kyç në gjyqin kundër Sanaderit.

 

Jelena Prtoric është një gazetare e lirë që shkruan në anglisht, frëngjisht dhe në kroatisht që e ka gjuhë të lindjes. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative. Redaktimi u bë nga Timothy Large.