Pasuria e varrosur nëntokësore e Kosovës

Pasuritë nëntokësore të Kosovës gjithnjë janë parë si një motor i zhvillimit ekonomik, por disa mungesa legjislative dhe kujdesi qeveritar e ka bërë pothuajse të pamundur investimin në këtë industri.

 

Investitori nga Turqia “Li-Kos”, në vitin 2010, ishte pajisur me 10 licencat e lejet e nevojshme që të nisë prodhimin e tjegullave në fshatin Fortesë të Rahovecit. Ishte paraparë një investim prej 19 milionë euro dhe punësimin e 120 punëtorëve në fabrikën e tjegullave që do të shfrytëzonte si lëndë të parë dheun që do të nxirrej në afërsi të fshatit Fortesë.

Investitori turk i kishte përgatitur mullinjtë, shiritat transportues dhe pritej vetëm ndërtimi i fabrikës.

“Kur erdhi puna te ndërtimi i fabrikës, disa nga banorët e fshatit na sulmuan fizikisht në prezencë të Policisë, dhe më vonë askush nuk na doli në ndihmë”, kujton atë kohë Xhemil Luma, drejtor i kompanisë “Li-Kos”.

Fabrika nuk u ndërtua asnjëherë, ndërsa Luma përveç lejeve dhe licencave, para vetes ka edhe një raport të Policisë për sulmin që i është bërë dhe një padi që ka bërë në Gjykatë për të realizuar të drejtën në kompensim për investimet e bëra.

Në kohën kur pritej të bëhej investimi, importi i tjegullave nga Serbia në Kosovë ishte mbi 11 milionë euro.

Luma thotë se nuk ka parë vullnet te Policia e Komuna për ta ndihmuar atë investitor. Ai beson që banorët që kundërshtonin ndërtimin e fabrikës ishin të manipuluar.

“Kur e filluam punën, kam pasur sulm fizik dhe kërcënime me vdekje nga gjoja disa banorë të fshatit Fortesë. Ata kanë qenë të gjithë të organizuar, sipas të gjitha gjasave”, thotë ai.

Kryetari i Këshillit të fshatit Fortesë, Besnik Popaj, thotë se disa prej banorëve të fshatit kanë protestuar kundër investitorit turk me arsyetimin se projekti mund ta rrezikojë shëndetin e popullatës.

“Është e vërtetë që ky projekt ka kaluar në Kuvendin Komunal të Rahovecit, por banorët janë frikësuar nga ndotja e mundshme që mundet me e shkaktu ndërtimi i kësaj fabrike. Nga Ministria e Ambientit kur kanë ardhë në vendin e ngjarjes na kanë thënë që do të përdoret mazuti si lëndë djegëse dhe se investitori do t’i përdorë filtrat. Por as kjo s’i ka bindur banorët”, ka shpjeguar Popaj.

Ai ka thënë se banorët e fshatit kanë qenë të ndarë sa i përket projektit, disa pro e disa kundër. Ai gjithashtu e ka konfirmuar se përfaqësuesi i investitorit Xhemil Luma është rrahur nga disa banorë gjatë një proteste në fshat.

Xhemil Luma

Edhe në komunën e Rahovecit i kanë thënë BIRN-it se sa i përket komunës, investitori turk është pajisur me të gjitha lejet, por problemi sipas zyrtarit për informim, Haziz Krasniqi kanë qenë banorët e fshatit Fortesë.

“Ne si institucione komunale kemi punuar me banorët e fshatit Fortesë, duke bërë edhe takime në mënyrë që t’i bindim ata për lejimin e fillimit të ndërtimit  të fabrikës në këtë lokacion”.

Kompania turke përmes padisë kërkoi të drejtën e kompensimit për investimet e bëra, që sipas Lumës, kapin vlerën e gati gjysmë milioni euro.

Aktualisht, rasti është në Gjykatën e Apelit dhe përkundër faktit se kanë kaluar vite ende nuk e ka marrë epilogun.

Arbër Jashari, zëdhënës në këtë gjykatë, thotë se kjo lëndë ka ardhur në Apel në fund të vitit 2017, por që ende nuk i ka ardhur radha. Ai nuk ka treguar se kur do të kryhet ky rast, meqë në Departamentin Ekonomik të Gjykatës së Apelit punon vetëm një gjyqtar, dhe kjo ka ndikuar që lëndët të grumbullohen.

“Aktualisht kemi në punë rreth 450 lëndë të natyrës ekonomike, rreth 100 prej të cilave janë të vitit 2017. Gjithsesi, Gjykata e Apelit po punon intensivisht që  numri i lëndëve të pa zgjidhura të zvogëlohet, duke ju dhënë përparësi lëndëve të vjetra (si rasti në fjalë) dhe atyre që ligji ka paraparë procedura të përshpejtuara”, ka thënë Jashari.

Numër njëshifror i kompanive të huaja në sektorin minerar

Hulumtimi i BIRN-it ka gjetur se kompanitë e interesuara që të investojnë në eksploatimin e burimeve nëntokësore përballen me shumë probleme, duke iu pamundësuar investimi dhe krijimi i vendeve të reja të punës.

Janë 43 kompani të huaja që kanë nis të investojnë në Kosovë, mirëpo vetëm katër prej tyre kanë licencë për shfrytëzim të resurseve minerare: “SharrCem” dhe “Ferronikeli”, të cilat shfrytëzojnë mineralet industriale si dhe kompanitë “A-Z group” dhe “Esha Materials”. Të gjitha kompanitë tjera (39) janë ende në fazën e hulumtimit.

Ka edhe kompani që janë në Kosovë prej vitit 2008 duke kryer hulumtime, por pa mundësinë e sigurimit të lejeve dhe licencave për të shfrytëzuar (eksploatuar) pasuritë nëntokësore. Njëra ndër to është kompania “Peshter Mining JSC” me pronarë kanadezë dhe australianë, e cila deri më tani për hulumtim të plumbit, zinkut dhe argjendit thonë se kanë investuar 8 milionë euro.

Përfaqësuesi për Kosovë i kësaj kompanie, Gani Maliqi, i cili me profesion është gjeolog, si problem kryesor ka përmendur një vendim të vitit 2008, të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave për shpalljen e zonave me interes të veçantë.

Foto: Agon Sinanaj

“11 zona prej atëherë kanë mbetur të bllokuara dhe si pasojë askush nuk ka mundur me investu”, ka thënë Maliqi, i cili ka përmendur edhe afatet e shkurtra të licencave që lëshohen nga KPMM-ja.

Deri më tani, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) ka lëshuar 39 licenca për shfrytëzim të resurseve minerare, pjesa më e madhe për gurthyes, 57 për hulumtim dhe 88 licenca për aktivitete të veçanta.

Në anën tjetër, mungesa e investimeve në këtë sektor tregon për dështimin e qeverisë për të implementuar Strategjisë Minerare 2010-2025.  Sipas kësaj strategjie, të miratuar nga Qeveria në vitin 2010, shfrytëzimi i të gjitha resurseve minerale, brenda një periudhe prej 25 vjetësh, parashihet të jetë mbi 7.6 miliardë euro dhe paralelisht mundëson krijimin e 20 mijë vendeve të punës.

Shteti i bllokoi investimet 

Problemi kryesor ka të bëjë me legjislacionin e pafavorshëm. Ligji bazë për Miniera dhe Minerale dhe një vendim i vitit 2008 i Qeverisë së Kosovës për shpalljen e zonave me interes të veçantë në sektorin minerar, sipas Ramiz Krasniqit, Drejtor në KPMM, e pamundësojnë që të ketë investime.

KPMM është përgjegjëse për dhënien e licencave për hulumtim dhe shfrytëzim të resurseve minerare, por Krasniqi thotë se ligji aktual i jep kompetenca direkte Qeverisë së Kosovës për lejimin e një investitori të huaj.

Kosova ka dy ligje që e rregullojnë sektorin minerar: Ligjin për Miniera dhe Minerale dhe Ligji për Investime Strategjike. Ky i fundit ju mundëson investitorëve që kualifikohen si ‘strategjik’ të kryejnë investime edhe në sektorin minerar me procedura të thjeshtësuara.

Neni 18 i Ligjit për Miniera dhe Minerale thotë se “të gjitha Licencat për Hulumtim ose Shfrytëzim të një Minerali Energjetik ose një minerali i cili ndodhet në një zonë e cila është përcaktuar si “Zonë me Interes të Veçantë” në përputhje me paragrafin 2. të këtij neni do të jepen vetëm pas ushtrimit të një procesi të hapur, transparent dhe konkurrues të tenderimit”.

Pra, investimet në këto zona të interesit mund të ndodhin pas një tenderi që duhet të hap qeveria e Kosovës. Sipas të njëjtit nen, “procesi konkurrues i tenderimit do të ushtrohet nga një komision i tenderimit që përbëhet nga pesë ministri: Ministri e Energjisë dhe Minierave, sot Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale”.

Foto: Agon Sinanaj

Ky nen i ligjit bëhet pengesë për investime në sektorin minerar kur dihet që qeveria e Kosovës 11 lokalitete i kishte shpallur “zona me interes të veçantë për investime”. Ky vendim është marrë në vitin 2008 nga Ministria e Energjisë dhe Minierave, tash ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Zonat me interes të veçantë, në të cilat mund të ketë investime vetëm pas një tenderi të hapur nga qeveri janë: Vllahi-Zjacë e pasur me plumb/zink; Gumnishtë– Plumb/Zink; Karacë – Plumb/Zink; Baks – Nikel; Terstenik – Nikel; Bushincë- Bolec e pasur me Plumb e Zink; Bresalcë – Plumb/Zink; Zhegovcë – Plumb/Zink; Deve- Krom.

Këto zona janë shpallur me interes të veçantë pas supozimeve të mbështetura në fakte dhe hulumtime të mëparshme rreth potencialit të tyre minerar. Të gjitha së bashku, këto zona përbëjnë pothuajse të gjithë potencialin minerar në vend. Kështu, çfarëdo investimi në to, duhet ta marrë miratimin e Qeverisë së Kosovës, siç saktësohet në nenin 18 të Ligjit bazë për Miniera dhe Minerale.

BIRN-i ka siguruar dokumente ekskluzive që dëshmojnë për mungesën e vullnetit politik që këto zona të hapen për investime. Dokumentet që përfshijnë një letërkëmbim mes Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZhE) tregojnë se në fillim të vitit 2018, ministri i MZHE-së, Valdrin Lluka, kishte bërë një përpjekje te shefi i tij në qeveri, kryeministri Ramush Haradinaj, që një pjesë e këtyre zonave të hapeshin për investime.

Në propozim-vendimin e tij, të datës 23 shkurt 2018, Lluka i kërkonte kryeministrit Haradinaj që të zhbllokoheshin së paku katër prej 11 zonave të mbrojtura.

“Të hapen për procedura konkurruese, Zonat me interes të veçantë: të shpallura sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 27.02.2008, për këto zona: 1. Zona me interes të veçantë mineral Vllahi-Zjacë (Pb-Zn) Mitrovicë; 2. Zona me interes të veçantë mineral Gumnishtë (Pb-Zn) Vushtri; 3.Zona me interes të veçantë mineral Karaqë (Mn-Pb-Zn) Vushtri; 4. Zona me interes të veçantë mineral Bresallc (Mn-Pb-Zn) Gjilan”, thuhet në këtë dokument.

Pesë ditë më vonë, më 28.02.2018, propozimi i ministrit Lluka ishte bërë pikë e rendit të ditës në mbledhjen e qeverisë me titullin “Shqyrtimi i Propozim-vendimit për hapjen e procedurave konkurruese për “zonat me interes të veçantë” (MZHE)”.

Por, sipas proceverbalit të kësaj mbledhjeje, të cilin e ka siguruar BIRN-i, kryeministri Haradinaj kishte kërkuar që kjo pikë të shtyhet për votim në mbledhjen e radhës.

Kryeministri shtyrjen e kësaj pike të rëndit të ditës e kishte bërë me arsyetimin se për të njëjtën duhet të ketë përkrahjen e gjithë kabinetit qeveritar.

“Jemi në pikën 15 të rendit të ditës, por para se ta shqyrtojmë, kam dy kërkesa për ta shty këtë pikë për një takim të radhës. I nderum zëvendësministër Zariqi, Ministri s’është këtu. Por e konsideroj të nevojshme që këtë pikë ta shtyjmë për mbledhjen e radhës. Propozoj që ta kemi dakordimin e të gjithëve, pra të kabinetit”, thotë Haradinaj me këtë rast.

Mirëpo, ky propozim i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka që vjen nga partia Behgjet Pacollit, AKR, nuk ka hyrë më asnjëherë si pikë e rendit të ditës në mbledhjen e qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

BIRN-i ka pyetur në Zyrën e Kryeministrit se pse nuk ka kaluar propozimi i ministrit Lluka. Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë, vetëm ka rekomanduar që t’i referohemi përgjigjes zyrtare të dhënë nga kryeministri në mbledhjen e qeverisë.

Trepça dhe minierat e fjetura të Kosovës

Ndërkohë, BIRN-i ka gjetur se qeveria e Kosovës disa prej zonave të interesit i kishte bërë pjesë të Trepçës.

“Trepça” me ligj është bërë shoqëri aksionare, ku 80 për qind të aksioneve i mbesin Qeverisë, dhe 20 për qind punëtorëve. Ndërkohë është miratuar edhe statuti i Trepçës, në të cilin disa prej këtyre zonave të interesit i kalojnë nën menaxhim kësaj ndërmarrjeje. Madhe, në bazë të statutit, Ndërmarrjes Aksionare “Trepça” mund t’i bashkohen edhe miniera tjera në të ardhmen.

“Mbështetur në studimin e fizibilitetit mund të themelohen edhe njësi të tjera biznesore për përpunimin e metaleve, produkteve dhe shërbimeve tjera”, thuhet në nenin 6 të statutit, pika 5.

Po ashtu, nga ky statut i kërkohet Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) të mos u lëshojë asnjë licencë operatorëve ekonomikë në minierat e Trepçës.

Trepça, potencial dhe pengesë për investime

Sipas njohësve të sektorit minerar, problemi i Trepçës është duke i bllokuar investime edhe në pjesë tjera të Kosovës ku ka pasuri nëntokësore.

Gani Maliqi, gjeolog dhe profesor në Fakultetin e Gjeoshkencave në Mitrovicë, thotë se deri më tani pasuria nëntokësore e Kosovës ka qenë e fjetur. Ai e vë theksin sidomos tek ndërmarrja Trepça, nën menaxhimin e së cilës janë zonat me potencialin më të lartë minerar në vend.

“Sektori minerar për me pas sukses duhet me u zgjedh problemi i Trepçës që është boshti kurrizor i minierave në Kosovë, në aspektin e prodhimit. Nëse pasuritë minerare nuk i vë në shërbim të ekonomisë, ato janë të fjetura”, thekson Maliqi.

Foto: Agon Sinanaj

Përkundër faktit se është zgjidhur çështja e pronësisë, “Trepça” vazhdon të kalojë në një periudhë të vështirë financiare. “Trepça” që nga paslufta asnjëherë nuk ka mbijetuar nga prodhimi të cilin e ka realizuar. Që nga viti 2007, ndërmarrja për çdo vit ka marrë subvencione nga Qeveria e Kosovës, 8 milionë euro vetëm për minierën e Stan Tërgut. Ndërkohë, që ndërmarrja nuk ka investuar në e minierave dhe të flotacioneve, që janë të amortizuara dhe shkaktojnë kosto shtesë prodhuese.

Qymyr, plumb, argjend e ari 

Strategjia Minerare e Kosovës 2010-2025 ka dhënë disa të dhëna për pasurit nën-tokësore të Kosovës. Vetëm resurset e qymyrit të vlerësuara në gjithë Kosovën janë 12.5 miliardë tonë, prej të cilave 8.6 miliardë tonë janë rezerva të shfrytëzueshme.

Baseni i Kosovës, i Dukagjinit dhe ai i Drenicës, janë basenet më të rëndësishme qymyrmbajtëse dhe vlerësohen si shumë të nevojshme. Aktualisht, KEK-u shfrytëzon qymyrin për prodhimin e energjisë elektrike në dy termocentrale: Kosova A dhe B. Kurse, nëpër vende të caktuara, qytetarët vazhdojnë të nxjerrin ilegalisht qymyrit dhe më pas ta shesin për ngrohje.

Një nga resurset e tjera që përmendet në Strategjinë Minerare është nafta dhe gazi, bazuar në hulumtimet e kryera në vitin 1963 nga Nafta-Gas i Novi Sadit. Ato kanë rezultuar me përcaktimin e gjashtë njësive tektoniko-faciale, si potenciale për paraqitjen e hidrokarbureve. Sipas Strategjisë, posaçërisht është veçuar njësia e pjesës veriore të basenit të Dukagjinit, ku është konstatuar se duhet të vazhdojnë hulumtimet, për mundësinë e pranisë së naftës dhe gazit në Kosovë.

Ndërkaq, sa u përket mineraleve metalore, vendburimet me të rëndësishme të plumbit dhe zinkut gjenden në të ashtuquajturin “Brezi metalogjenik i Trepçës”. Në këtë mes hyjnë miniera “Trepça”, në Stantërg, Badovci, Kishnica, Artana, Bellobërda dhe Cërnaci. “Miniera e Stantërgut me vendbanimet që e rrethojnë, ka rezerva të metaleve në xehe, 1,542,990 tonë plumb, 1,248,672 tonë zink dhe 2,634,294 kg argjend.

Po ashtu, kompleksi i minierave Artanë-Hajvali, thuhet se karakterizohet me përbërje të lartë të metaleve të çmueshme të arit dhe argjendit.

Në minierën e Artanës, përmbajtja e arit është më e madhe dhe kjo minierë njihet si vendburimi me përbërjen më të lartë të arit në Kosovë. “Resurset e arit në minierën e Artanës vlerësohen të jenë 2,700 kg”, konstatohet në këtë strategji.

Zero investime përmes Ligjit për Investime Strategjike

Gjeologu Mentor Demi, i cili është Anëtar i Federatës së Gjeologëve Europian, thotë se në parim struktura ligjore për këtë sektor është e mirë, mirëpo sipas tij problemi qëndron tek mosrespektimi i tyre si dhe te pengesat që ligjet i bëjnë njëra-tjetrës.

“Kur flasim për mosrespektim të ligjeve, kemi parasysh Ligjin për Zonat e Interesit në mënyrë specifike. Që nga viti 2007-2008, 11 zona prosperuese janë bllokuar përmes këtij ligji, mirëpo me qëllim që në mënyrë grupore ose individuale të shpallen në tender. Asnjë nga këto 11 zona, që nga viti 2007-2008, nuk është shpallur në tender”, ka thënë Demi për BIRN.

Një problem i ri që i është shtuar sektorit, sipas Demit, është Ligji për Investime Strategjike. Ani pse përmes këtij ligji mund të shmanget legjislacioni aktual dhe t’u hapet rrugë investimeve në këtë sektor, Demi thotë se ligji ka mangësitë e tij dhe si pasojë akoma asnjë investitor nuk ka mundur të kualifikohet si ‘strategjik’.

Me këtë ligj secilit investitor në sektorin minerar i kërkohet garancioni maksimal bankar prej 10 për qind të shumës totale të investimit, dhe i cili parashihet të negociohet me qeverinë.

“Kjo lë hapësirë edhe për manipulime”, vlerëson Demi, derisa shton se me të njëjtin ligj investitorëve do t’ju kërkohet që shuma minimale e investimit  të jetë prej 30 milionë euro për 5 vite, e që sipas tij është kushtëzim i panevojshëm.

Këto kritere duket se kanë dekurajuar investitorët potencial. Të dhënat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë tregojnë se deri më tani për t’u kualifikuar si investitor strategjik kanë aplikuar gjithsej 26 kompani. Prej tyre, nga sektori minerar janë vetëm katër sosh.

Foto: Agon Sinanaj

“Statusi i investimit strategjik ose projektit investues strategjik që kanë aplikuar për përfitimin e statusit të investitorit strategjik nga sektori i Minierave janë 4 subjekte”, kanë thënë nga Zyra për Informim në MTI, mirëpo pa e sqaruar nëse ndonjëri prej tyre e ka fituar këtë status, përkundër insistimit për ta sqaruar këtë gjë.

Për të sjellë investitorë seriozë, një delegacion nga KPMM-ja çdo vit udhëton në Toronto të Kanadasë dhe në Londër, për të marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare. BIRN-i e ka pyetur Drejtorin e KPMM-së se sa investitorë i kanë sjellë në Kosovë si rezultat i pjesëmarrjes në këto konferenca. Ai ka përmendur emrin e vetëm një kompanie.

“Pas këtyre konferencave kemi pasur vizita nga ndërmarrjet e interesuara për investime në Kosovë (shiheni edhe në ueb faqen e KPMM-së). Ka kompani të cilat kanë bërë hulumtime dhe vazhdojnë të bëjnë. Licencë shfrytëzimi momentalisht ka “New Co Ferronikeli”, ka thënë Krasniqi.

Kriteret ‘krye në vete’ të Agjencia Pyjore e Kosovës

Kur një investitor e merr licencën në KPMM, atij i duhet të pajiset me leje edhe nga Agjencia Pyjore e Kosovës. BIRN ka gjetur se dy ligjet që i zbatojnë KPMM-ja dhe APK-ja kanë diskrepancë të madhe sa i përket sipërfaqes dhe kohëzgjatjes së lejeve që lëshojnë.

Në bazë të Ligjit bazik për Miniera dhe Minerale, licencat e shfrytëzimit për mineralet energjetike mund të lëshohen për një periudhë prej 30 viteve me mundësi vazhdimi edhe për 15 vite tjera, kurse për të gjitha mineralet tjera kanë kohëzgjatje prej 25 vite dhe mund të vazhdohen edhe për një periudhë prej 25 viteve.

Por, BIRN ka gjetur se Agjencia Pyjore e Kosovës zbaton kritere tjera. Në bazë të një udhëzimi administrativ, ky institucion, ndryshe nga KPMM-ja, e ka kufizuar kohëzgjatjen e lejes në vetëm 5 vite. Po ashtu, investitorin e pajisë me leje për një sipërfaqe vetëm prej 5 hektarësh.

Sipas drejtorit të KPMM-së, Ramiz Krasniqi, kjo çështje është duke shkaktuar shumë probleme për investitorët, sepse siç thotë ai, nuk mund të zhvillohet një minierë në një sipërfaqe prej 5 hektarësh.

“Shumë ndërmarrje janë detyruar të hapin biznes të ri vetëm për faktin se nuk ju lejohet sipërfaqja e një subjekti- ndërmarrje  të jetë më e madhe se 5 hektar kur sipërfaqja menaxhohet nga APK-ja”, thotë ai.

Besim Zogu, Drejtor i Drejtorisë Qendrore të Inspeksionit në këtë Agjenci, ka pranuar se ky kufizim i lejes për vetëm 5 hektarë është i pafavorshëm për investitorët por është arsyetuar se Agjencia vetëm është duke e zbatuar ligjin.

“Kufizimi i dhënies së kontratave jo më shumë se hektarë vite dhe që jemi të bindur se nuk mund të jetë i favorshëm për investitorët buron nga Ligjit për Tokën Bujqësore”, ka thënë ai.

Këtë çështje e ka ngritur disa herë Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), duke konstatuar se janë duke u dëmtuar kompanitë vendore që kanë realizuar investime në sektorin minerar.

Nga Oda e Afarizmit, i kanë ofruar BIRN-it të gjitha shkresat që i kanë dërguar tek institucionet lidhur me këtë problem. Përveç dallimeve në kritere, në shkresat e këtij institucioni thuhet se bizneset vendore kanë paraqitur edhe një mori problemesh tjera.

Çdo miniere i nevojitet minimumi 20 deri në 25 hektarë, dhe për këtë hapësirë bizneset duhet të paguajnë 40 mijë deri në 100 mijë euro në vit në formë të qirasë.

“Duke u nisur nga fakti që këto biznese nuk e shfrytëzojnë këtë hapësirë duke e punuar, por duke nxjerrë minerale të ndryshme dhe për këto paguajnë në KPMM në bazë të nxjerrjes, konsiderojmë se qiraja është e panevojshme dhe jashtëzakonisht e lartë”, thuhet në shkresën e kësaj ode të datës 21/06/2019, drejtuar institucioneve shtetërore.

 

Ky botim është mundësuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Agon Sinanajt dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së.