Dëmet nga vërshimet në Skenderaj më 19 janar. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Pasuria e pasluftës e zhytur nën ujë (VIDEO)

Përmbytjet e shiut i kanë shkaktuar mijëra euro dëme familjeve në Skenderaj, Mitrovicë, Klinë dhe Istog – pasuri pronësore të krijuar prej fundit të luftës në Kosovë. Nën mëshirën institucionale banorët po presin ndihmë institucionale që të rikthehen në shtëpitë e tyre të paktën në fillim të pranverës. 

Një tavan i vogël në kulmin e shtëpisë në Llaushë të Skenderajt ishte bërë stehë shpëtimi për tre fëmijët e vegjël të familjes Geci.

Dyert e hekurit dhe muri i lartë përreth nuk kishin arritur të ndalonin vrullit e ujit që ka përmbytur oborrin dhe katin e vetëm të shtëpisë.

Me disa shkallë të drurit, babai i fëmijëve, kryefamiljari Agron Geci për t’i shpëtuar dy vajzat dhe djalin e tij nga uji që kishte përfshirë katin i kishte vendosur ata në një kënd të vogël në tavan.

Tavani i shtëpisë së Agron Gecit në të cilin i ka strehuar fëmijët më 19 janar për shkak të vërshimeve në Llaushë të Skenderajt. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Për të dita e parë ishte një tmerr që e kishte parë më sytë e tij. Agroni së bashku me bashkëshorten e tij, fmëijët dhe nënën e tij kishin mbetur të ngujuar brenda derisa pas disa orësh me eskavator i kishin tërhequr nga dritarja e dhomës së ndenjës.

“Por pas një kohe, t’u mundu disa sende me i rendit ka pak, ndërkohë ka ardhë vërshimi më i madh edhe u rritë niveli i ujit pjesa më e madhe e ujit ka ardhë këndej edhe i ka hapë dyert. Tu e pa që niveli i ujit po rritet i kam marrë fëmijët që mos me pa ata ujë që mos të frikësohen i kam marrë edhe i kam qitë në tavan nën kulm, puna që mos me pa këta ujë e mos me u frikësu,” rrëfeu Geci për BIRN. 

Edhe pse familjarët po rrinin në shtëpi duke u munduar t’i shpëtonin dhe pastronin sadopak disa pajisje, gjashtë anëtarët po strehohen tek disa të afërm deri t’i gjindet një zgjidhje. Ata nuk kanë shpresë që do të kthehen në shtëpi deri në pranverë.

“Dëme materiale ka të konsiderushme, por mbasi nuk ka pas viktima njerëz tjerat shnosh bëhen prapë. Në shtëpi krejt çka kemi punu prej pasluftës, para 5-6 vjete e kam rinovu edhe njëherë, por çfarë me ba,” tregoi ai.

Të gjitha mobiliet i kanë vendos në oborr, kurse pajisjet elektronike për shkak të ujit kanë dalë jashtë funksionit. Vija e nivelit të lartë të ujit vërehej në dyert e bardha të reja të cilat i kishte dëmtuar uji. Dyshemenë e kanë hequr pasi që është shkatërruar plotësisht. Ndërsa të vetmet gjësende që kanë arritur t’i shpëtojnë janë rrobat dhe librat e fëmijëve.

Është larguar dyshemeja për shkak se vërshimet e kanë dëmtuar nivelizimin e dhomave. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Shpresën për ndihmë po e mbajnë në komunën e Skenderajt, për të cilën Geci tha që iu ka premtuar që do t’iu ndihmoj ta tejkalojnë këtë situatë që ua ka shkatërruar të gjithë pasurinë që e kanë krijuar që nga paslufta.

Për shkak të përmbytjeve të 19 janarit, Komuna e Skenderajt kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Një ditë më pas, pamjet nga Skenderaj shpërfaqnin vetura të përmbytura, asfalt të çarë, lokale të demoluara dhe oborre të mbushura me ujë.

‘Lagjja e harruar’

I dëshpëruar, Ekrem Kuqi rrinte para dyerve të mobilerisë, punëtorisë dhe shtëpisë së tij, të shkatërruara nga vërshimet në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë.

65 vjeçarin po e dërrmon fakti që askush nga institucionet e Kosovës nuk i ka vizituar t’ua sjellë një pikë ujë, përderisa komshiun e tij të komunitetit serb kanë ardhur nga Komuna e Mitrovicës së Veriut për t’i ofruar ndihmë.

Dëmet që iu kanë shkaktuar nga shiu që i ka përfshirë të dy puntoëritë që i posedojnë së bashku me bashkëshorten, sipas tij, e kalojnë shifrën prej 20 mijë eurosh.

Makinat me rrymë elektrike për përpunimin e drurit dhe të rrobaqepësisë kanë dalë jashtë funksionit. Kuqi thotë që nuk po kanë më as vullnet të mundohen ta largojnë ujin i cili i kishte përmbytur të dy objektet.

Banori i Lagjes së Boshnjakëve, Ekrem Kuqi. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

“Jemi mundu boll, po Zoti kur don i merr krejt. Tani dolëm na, pshtum. Unë me shoqen edhe me vëllaun kemi nejt në shpi krejt kohën, u mundojshim me u ngroh me nga nje qebe… S’kena pas ujë, s’kena pas me çka me u nxe, s’kena pas rrymë,” rrëfeu ai i mërzitur.

Sipas Kuqit, vetëm në ditën e parë disa përfaqësues nga Shtabi Emergjent i kishin vizituar dhe me pas KFOR-i turk të cilët ia kishin sjellë nga një litër ujë e vaj dhe një kilogramë sheqer.

“Po qitash u çel (rruga), tash mundemi me dalë e me ble. Po veç me ardhë  dikush prej Qeverisë, e prej komunës jo, kërkush jo. E kam fjalën prej Mitrovicës së Jugut,” shtoi ai.

Edhe pse punëtoritë dhe shtëpia e tyre gjendet shumë afër lumit, Kuqi thotë që asnjëherë nuk iu ka ndodhur që uji të mbërrijë deri në nivelin që të shkatërrojë të gjitha mobilit dhe pajisjet.

“Kështu unë i kam 65 vjet. Kështu nuk ka ndodhë kurrë me ardhë uji aq shumë. Para tri vjetesh ka ndodh, por nuk ka hi brenda në punëtori. Ka hyrë (uji) te shtëpitë më poshtë, a kështu unë se mbaj në mend,” shpalosi Kuqi.

Punëtoria e Ekrem Kuqit në Lagje të Boshnjakëve e shkatërruar nga vërshimet. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Rrugët e Lagjes së Boshnjakëve ishin mbushur përplotë me baltë sa që ishte pothuajse e pamundur të ecje pa qizme të gjata. Nëpër rrugë ishin vendosur mobilie të shkatërruara, tepihë, enë, pajisje, përderisa banorët qëndronin jashtë shtëpive duke i hedhur gjërat e dëmtuara.

Për të hyrë në oborrin e Hilmi Jusufit, banor i Lagjes së Boshnjakëve të duhen qizme të gjata që ta kalosh baltën e cila i pengonte të ecin lirshëm. Kryefamilari i papunë i familjes pesë antarëshe ishte i mërzitur sa që nuk mund të fliste. Shtëpinë e tij e kishte kapluar errësira, për shkak se nuk guxonin t’ ndeznin dritat nga frika se mos janë djegur pajisjet nga shiu.

“Çka kam ba që 20 vite më shkoj poshtë. Kur i bëj unë këto ma, kurrë. Të vjetra janë kanë (mobilet), po mu më kanë kry punë,” shprehet Jusufi për BIRN.

Dëmtimi gjërave personale në shtëpinë e Hilmi Jusufit në Lagjen e Boshnjakëve. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Edhe një lokal shumë të vogël që e kishin në lagje për çaja ishte shkatërruar nga përmbytjet.

Jusufi thotë aq shumë janë të anashkaluar në mes të dy institucioneve, sa që as nuk ka shpresë më që dikush mundet të iu dalë në ndihmë.

Tre ditë pas vërshimeve, kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte vizituar fshatin Lisicë të Mitrovicës, i cili kishte thënë që Qeveria dhe komunat janë duke punuar bashkë në mbështetjen e qytetarëve dhe tejkalimin e kësaj situate.

Dimër jashtë shtëpisë, pranvera si shpresë për rikthim në strofull 

Oborri i shtëpisë ishtë mbushur përplotë me drunj, orendi, tepihë e rroba të dëmtuara të cilat deri para dy jave gjendeshin brenda shtëpisë dykatëshe të Bedri Kaqkinit në Lagjen 3 të Skenderajt.

Tash, pensioneri, i vetëm mundohej t’i largonte këto mbetje nga shtëpia e ta pastronte objektin për ta rinovuar. Shtëpia në të cilën jetonin 12 anëtarë kishte mbetur bosh. Të gjithë ishin vendosur në një banesë në Skenderaj derisa të iu gjindet një zgjidhje.

Bedri Kaqkini duke pastruar pronën e tij në Skenderaj e cila është dëmtuar nga vërshimet. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Shpresat për t’u kthyer në shtëpi po i mbajnë për pranverë. Kështu mendonin edhe familjet tjera të dëmtuara nga reshjet, që deri në mars do detyrohen të strehohen kudo që kanë mundësi. Nëse institucionet i ndihmojnë të rimëkëmben, në pranverë të kthehen prapë në shtëpitë e tyre.

“Mbas vërshimeve kanë qenë inspektorët komunalë që e bëjnë vlerësimin e dëmeve. Kanë konstatu që plotësisht shtëpia është e pabanueshme dhe më kanë pyet a do ndihmë materiale edhe i kam thënë jo se kam mundësi. Strehimin, edhe për ata kam bo zgjidhje,” rrëfeu pensioneri.

Sipas llogaritjes së tij, vetëm për rindërtiminin e shtëpisë rreth 130 metra katrorë të dëmtuar i duhen 15 mijë euro.

Brenda shtëpisë së Bedri Kaqkinit në Skenderaj. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

“Krejt orenditë brenda, me mobileri, me televizor, me teknikë të bardhë diku për 12 anëtarë sa jemi krejt kanë shku dëmë. Kam pas problem se kam dashtë me shku te mjeshtri me pyet për me i provu ato edhe më ka thënë që në momentin që i ka marrë uji, mos më hajde se për ato zgjidhje nuk ka. Edhe kam dalë me kërku punëtorë për me më ndihmu por për momentin nuk kështu që jam vet tu mundu me qito punë që po shihen krejt llom,” tha kryefamiljari.

Skenderaj ka qenë njëra prej komunave më të prekura nga vërshimet e javës së fundit. Shtëpi, biznese, rrugë, ura, vetura, janë dëmtuar nga vërshimet. Në disa prej fshatrave më të prekura nga vërshimet për disa ditë nuk është mbajtur as mësimi.

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që të krijojë një fond emergjent për komunat e prekura nga vërshimet. Bordi ka kërkuar që fondi emergjent të menaxhohet nga vetë komunat e prekura nga vërshimet.

Pak kilometra nga shtëpia e Kaqkinit, në lagjen 3 gjendet shtëpia një katëshe e Sami Vojvodës të cilën para pak vitesh e kishin rinovuar, ndërsa pas vërshimeve të fundit të gjitha mobiliet dhe pajisjet janë të papërdorshme.

Brenda shtëpisë dukej sikur kishin nisur një shtëpi të re, ngase edhe garnishtet e perdeve i heqnin për t’i zëvendësuar me të reja.

“Dëme vërshimet na kanë shkaktu boll, teknikën e bardhë, laminatin, nivelizimin mu ka dashtë me hek krejt se u kanë lloq e përafrësisht aty 8-9 mijë euro janë dëme,” tregoi ai teksa punonte në të njëjtën kohë.

Shtëpia e Sami Vojvodës në Skenderaj e dëmtuar ngha vërshimet. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Meqë shtëpia nuk përmbush kushtet elementare për banim, familja pesë anëtarëshe kanë gjetur strehë të përkohshme në djali i axhës së tij.

Dëme të mëdha sidomos ia janë shkaktuar pajisjeve elektrike pasi që niveli i ujit ka arritur mbi kutitë e energjisë elektrike. 

Për të parë dëmet që janë shaktuar në elektronikë, BIRN ka vizituar dyqane për shitjen e pajisjeve elektrike në Skenderaj, ku u tha që janë shkaktuar dëme të mëdha materiale të cilat kushtojnë me mijëra euro.

Pasi që edhe qendrën e Skenderajt e ka kapluar uji mbi 40 cenimetra,  sa që mos të mund të kalojnë as automjetet, në lokalin e e hkrarisë, rrymës elektrike, ujësjellësit dhe pajisjeve të kanalizmit të Valon Behramit janë shkaktuar dëme që i afrohen 60 mijë,  sipas tij.

Dyqani i pajisjeve elektronike e Valon Behramit në Skenderaj. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

“Të enjten diku mas 10, 11 ia kanë nisë vërshimet. Këtu tek ne (në dyqan) diku në orën 4 ia kanë nisë vërshimet që na kanë hyrë në lokal, prej mbrapa na ka hy uji edhe ka dalë jashtë dere. Vërshimet janë kanë të mëdha edhe dëmet shumë të mëdha,” tha Behrami për BIRN.

Ujin që kishte dalë nga kanalizimi dhe nga jashtë ai së bashku me fmailjen e tij dhe vullnetarë e kishin hequr e me pompa zhytës të ujit e me pajisje vetanake.

“Përmbi 50 mijë euro kanë shku në dom që është dashtë me i gjujt krejt, i kemi me dokumenta. Krejt me kamionë i kemi gjujt si bërllog se janë ndryshk e janë prishë,” tha ai.

Behrami tha që komuna i ka premtuar që do iu ndihmoj, kështu që po presin mëshirën e tyre.

Komuna e Skenderajt ka hapur një fond për dëmet e shkaktuara nga vërshimet. Po ashtu, komuna ka krijuar 11 komisione komunale me nga 5 anëtarë terreni për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.