Pasuria e ministrit Anton Quni

Anton Quni nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është emëruar përsëri në krye të Ministrisë së Mbrojtjes në kuadër të qeverisë së re të drejtuar nga Avdullah Hoti, që u votua sot në Kuvendin e Kosovës.

Quni është lindur në qytetin e Gjakovës. Ai ka përfunduar Akademinë Ushtarake në Kroaci.

Gjithashtu, ai është i martuar dhe ka katër fëmijë.

Pas përfundimit të studimeve në Kroaci, ai është angazhuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke marrë pjesë në Betejen e Kosharës.

Quni pas përfundimit të luftës angazhohet në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, e më vonë edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, pas transformimit të saj në vitin 2008.

Më pas Quni la ushtrinë për ta vazhduar karrierën politike në partinë të cilës i përkon sot, për të garuar në zgjedhje për postin e deputetit të Kuvendit të Kosovës.

Ai në zgjedhjet e brendshme të LDK-së në qershor të vitit të kaluar, është zgjedhur kryetari i LDK-së në Prizren.

Quni gjithashtu mori besimin e qytetarëve në disa palë zgjedhje parlamentare.

Në zgjedhjet e vitit të kaluar, në zgjedhjet e mbajtur me 6 tetor Anton Quni, doli edhe më i votuar se sa në tri mandatet e kaluara. Quni mori 31 mijë e 731 vota.

Në Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti bashkë me partnerin e koalicionit LDK, Quni u emërua ministër i Mbrojtjes.

Sa është i pasur Anton Quni?

Anton Quni në Agjencinë Kundër Korrupsionit vitin e kaluar ka deklaruar se posedon pasuri të paluajtshme në emër të përbashkët vlera e së cilës është 372 mijë euro.

Quni ka deklaruar edhe se kanë në emër të përbashkët edhe një BMW X5 vlera e së cilës është 7 mijë euro.

Gjithashtu Quni ka deklaruar se posedon para kesh në institucione financiare në vlerë të 7 mijë e 800 eurove.

Paga e tij në Kuvendin e Kosovës sipas deklarimit në AKK, është 1 mijë e 933 euro ndërsa ai vjetor 23 mijë e 198 euro.

Përveç pagës ai  merr edhe pension të TMK-së në vlerë të 3 mijë e 468 eurove.

Quni ka deklaruar edhe pagat e fëmijëve të tij. Njëri nga fëmijët merr 1 mijë e 100 euro pagë, një tjetër 1 mijë e 200 ndërsa edhe një pagë tjetër e fëmijëve është deklaruar si e hyrë vjetore në vlerë të 22 mijë e 200 eurove

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar sot qeverinë e re të përbërë nga koalicioni LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Për qeverinë e re kanë votuar 61 deputetë, 24 ishin kundër dhe 1 abstenoi. Në votim morën pjesë 86 deputetë

Votohet Qeveria e Avdullah Hotit