Pastrimi i shtëpive, punë mbijetese për shumë gra

Gra të shumta që punojnë në sektorin e mirëmbajtjes, marrin pagesa minimale, me kushte të këqija të punës, keqtrajtime dhe pasiguri për të ardhmen.

Lumja* ka rreth tre vjet që merret me pastrimin e shtëpive dhe kohe pas kohe edhe një qendër fitnesi në rajonin e Gjilanit. Nga puna që bën, ajo paguhet deri në 20 euro në ditë dhe nuk figuron askund si e punësuar.

Me këto të holla, Lumja* ndihmon bashkëshortin e saj që të paguajnë këstin e kredisë tash e disa vite që e kishin marrë për ndërtimin e një shtëpie të përbashkët.

“150 euro qysh i marr, qashtu direkt i çoj në bankë, veç vendin me ua ndërru”, thotë ajo për BIRN.

Në bazë të një raporti të Agjencisë së Statistikave së Kosovës (ASK) të  vitit 2018, rreth 61 për qind të ekonomive familjare e konsiderojnë barrë të rëndë rikthimin e kredive të tyre.

Lumja* është një nga të shumtat punëtore që pastrojnë shtëpitë e lokalet afariste, por numri i saktë është i panjohur pasi nuk ka asnjë të dhënë rreth kësaj kategorie të punëtoreve.

 

Pagesa për shërbimet e pastrimit bëhet me para të gatshme dhe në bazë të marrëveshjeve verbale. Për një ditë të plotë pune, këto punëtore si Lumja* paguhen nga 15 deri në 20 euro në ditë dhe shumica e të intervistuarve nga BIRN, punojnë nën pagën minimale 170 euro e pa kontrata.

“Pagesa nuk është e mjaftueshme, veç kam dasht që paga të m’dal përmes bankës, se nuk e kam ditë që po i marrin këto paratë përmes Trustit, edhe thojsha herë do kurdo më gjinden në pleqni”, thotë ajo duke aluduar në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, në të cilin nuk ka të kursyer asnjë cent.

Sidoqoftë, pasiguritë e së ardhmes për Lumen* shpeshherë bëhen të dorës së dytë me keqtrajtimet, punët e rënda e jashtë marrëveshjeve që ajo duhet t’i bëjë në shtëpi të ndryshme.

Në një rast ajo tregon se si pronarja e kishte detyruar të kryente punë të rënda për një muaj e nuk e kishte paguar sipas marrëveshjes gojore që e kishin arritur.

“Pronarja filloi tani të më thotë ‘lajmi tepihët’, krejt ditën me detyronte një tepih me e la. Por, OK thash, meqë u morëm vesh me pagesë mujore”, rrëfen ajo, duke sqaruar se marrëveshja përfshinte një pagë 180 euro, por që në fund pronarja e kishte paguar vetëm 140 euro.

“Duke duruar unë, tri ditë kam la tepihë. Nuk e ke idenë, as natën s’mund të flija prej këmbëve”, rrëfen ajo.
“Edhe në fund m’i ndali 40 euro e për atë dhe ia lash punën”, tregon ajo.

Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Kosovës, thotë se nuk kanë pranuar asnjëherë ankesë nga punëtoret e këtij sektori për shkelje të të drejtave të tyre, por që nuk e mohojnë faktin se të drejtat e kësaj shtrese iu shkelen sistematikisht.

“Nuk kemi pasur ndonjë ankesë përveçse në raste individuale në jetën e përditshme që kemi hasur, që janë keqtrajtuar nga pronarët e shtëpive, sepse ato këqyrin fëmijë, pleqtë, mirëmbajnë gjithë objektin, do të thotë bëjnë gjithçka brenda atij orarit që shpesh mundet me vazhdu edhe pas orarit, e çdo gjë që u bie ndërmend pronareve, ajo duhet t’i kryej”, thotë Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës.

Dita Dobranja, ekonomiste thotë se ka mungesë të të dhënave për këtë sektor, duke e bërë të vështirë edhe shkallën e shkeljeve të të drejtave të grave që punojnë në sektorin e pastrimit.

Mirëpo ajo thotë se punëtorët në tregun e zi për shkak të mungesës së mundësive, janë më të ekspozuar më shumë ndaj shkeljeve të të drejtave të punëtorëve.

“Është e ditur që në sektorët joformal është më e lehtë të bëhen shkelje, duke qenë që është tejet e vështirë ose e pamundur të raportohen këto shkelje”, thotë ajo.

Sipas një raporti të ASK-së të vitit 2020, punësimi formal te gratë është 14.1 për qind.

‘Veç prej zorit’

Flora*, 52 vjeçare nga Prishtina thotë se gjatë vitit 2019, pastrimi i shtëpive ishte bërë aq i lodhshëm sa ka përjetuar ankth të vazhdueshëm, por pamundësitë financiare e kanë detyruar atë të vazhdonte punën e mundimshme.

“Jam lodhë aq shumë sa që thosha, ‘qysh du me u çu nesër me shku përsëri në punë’”, rrëfen ajo.

Atë kohë, rreth katër muaj të ardhurat e vetme ishin 120 euro në familjen e Florës* e cila pagoi faturat e energjisë elektrike, të ujit dhe pjesën tjetër të parave e kishte për ushqim.

Në familjen e saj katër anëtarësh, ishte e vetmja që punonte pasi bashkëshortin e saj, e kishin larguar nga puna, në një biznes të ndërtimtarisë diku në periferi të Prishtinës.

“Mezi i’a kemi dalë, se tash me i thanë dikujt që më 120-150 euro kemi mund m’i kalu katër muaj, s’besojnë”, shton ajo duke buzëqeshur e treguar me krenari duart e saj që sigurojnë mbijetesën e familjes.

Përgjatë pesë viteve punë, ajo shprehet se disa herë e kishte menduar të lërë punën, pasi thotë se është shëndetligë dhe ngjitja në katin e gjashtë pa ashensor ishte jo aq e lehtë.

“Lift nuk kish, në katin e 6 me ec, për zotin problem, edhe të rinjtë lodhën e jo unë, se kur jam kanë ma e re, 40 vjet atëherë, jam anku shumë edhe prej unazave të shpinës, edhe jam operu, por po mundohem me shty kështu edhe ndonjë vit me punu sa të mundem”, rrëfen ajo.

Pamundësitë financiare i kanë shtyrë edhe gra të tjera të migrojnë brenda Kosovës dhe pastrimi i shtëpive ka qenë mundësia edhe për Valdeten* dhe familjen e saj nga Skenderaj.

Për shkak të pamundësive për të gjetur punë, familja 6-anëtarëshe e Valdetes* nga një fshat i Skenderajt, u detyruan që të shpërngulen në qytetin e Klinës.

Sot, me pagën e saj dhe të bashkëshortit, shkollojnë dy vajzat e tyre dhe 54-vjeçarja tregon se në Klinë punon si pastruese nëpër disa shtëpi, e që disa herë i merr edhe vajzat e saj për t’i ndihmuar.

Ajo thotë se nisja e një jete të re larg fshatit e paragjykimeve nuk ishte e lehtë, por e domosdoshme. Me paratë që ajo merr kontribuon herë pas herë edhe në mbulimin e qirasë së banesës në të cilën gjenden tash e disa vite në qytetin e Klinës.

“Unë kam pas qejf gjithë me punu, po normal që prej një fshati ku kam jetu unë me familjen tem, u kanë e pamundur unë me udhëtu çdo ditë me shku në qytet me punu, sado që kanë ndryshu kohërat përsëri njerëzit flasin”, thotë ajo.

Pagesat për Valdeten janë minimale.

“Paguhna herë 10 deri në 15 euro në ditë. I marr edhe çikat me ndihmojnë kur e di që s’muj ja dal vetë, po shyqyr deri tash me ka ra në familje të mira edhe jemi shoqëru, e ndjehemi mirë”.

“Muji me dilke diku 150 euro nashta edhe najkun tjetër një herë në mujt me fshi, edhe me ato, 50 euro ja jepsha burrit, për me pagu qiranë, se 200 euro e kemi, edhe tjerat i nalsha për ushqim, e për fëmijë me ua dhanë për shkollë”, rrëfen tutje ajo.

Barra e pagesës së qirasë e ka përcjellë edhe Afërditën* nga Gjilani e cila që nga mosha 18-vjeçare është aktive në tregun e punës. Ëndrra që të jetë e pavarur, e ka shtyrë Afërditën* që të punojë, fillimisht në një parukeri të një familjareje e në të tjera parukeri.

“Na jetojmë me një shtëpi me qira, nuk e kemi shtrenjtë, po në fund të muajit mblidhen boll. Kam qejf edhe djalin me shkollu, me qu nëpër kurse, e me angazhu ma shumë”, thotë Afërdita.

Ajo jeton vetëm me bashkëshortin dhe djalin e saj në një shtëpi me qira në periferi të qytetit të Gjilanit. Tash e shtatë vite ajo pastron disa shtëpi në rrethinë të Gjilanit, e prej tyre edhe villave që gjenden në një fshat turistik të kësaj komune.

Me shumë entuziazëm, ajo tregon se punën e pastrimit e bënë më qejf dhe se disa herë qëndron edhe pas orarit për t’i kompletuar punët, ani pse puna pas orarit nuk paguhet.

“Unë gjithë jetën kam dashtë veç me kanë e pavarur, me pas paren time, që mos me pas nevojë burrit tem me ia lyp 1 euro për sendin ma të vogël”, shprehet ajo.

“Edhe me fshi, nuk përtoj hiç, bash me qejf, unë me fshi, fshi edhe në shpi, bile aty edhe paguhna deri në 180 euro, jo që janë shumë, po në fund të ditës janë të mijat e i ndihmojë edhe burrit me fatura”.

Papunësia e lartë e grave i ka lënë shumë gra pa mundësi për t’i realizuar ëndrrat e tyre, duke punuar në pastrimin e shtëpive si mjetin e fundit të mbijetesës.

“Edhe sot shumë mërzitna kur t’i shoh shoqet e mia, janë shku nëpër shkolla, nëpër fakultete, janë sot tash avokate, mësuese. Kur i shihja ato, beso që zemra më kajke”, përfundon Lumja*.

Emrat e punëtoreve janë ndryshuar me kërkesë të tyre për ta ruajtur anonimitetin.