Pasqyrimi i demokracisë nga zgjedhjet e 6 tetorit

Qytetarët e Kosovës të dielën e 6 tetorit iu drejtuan kutive të votimit në një proces zgjedhor të vlerësuar për organizim dhe pjesëmarrje, e që rezultoi edhe me përmbysjen e subjekteve politike që ishin në pushtet, duke konfirmuar fitoren e opozitës së deritashme.

Përkundër mbarëvajtjes në përgjithësi, as në këto zgjedhje nuk munguan incidentet dhe një sërë parregullsish që përfunduan edhe me persona të arrestuar.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile në vend, thonë se procesi i djeshëm i ka plotësuar në masë të kënaqshme standardet ndërkombëtare dhe ato vendore për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve.

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim (DnV) thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se të dielën nuk është raportuar gati asnjë shkelje e cila do të cenonte tërë integritetin apo besueshmërinë  e publikut ndaj procesit zgjedhor.

“Megjithatë ka sfida të cilat janë përsëritur nga proceset e kaluara zgjedhore për të cilat duhet përkushtim më i madh i institucioneve që merren me procesin e administrimit të zgjedhjeve në mënyrë që ato të mos përsëriten në zgjedhjet pasuese”, ka theksuar Cakolli.

Kurse, Jetmir Bakija nga Demokraci Plus (D+), ka thënë për Gazetën JnK, se procesi i djeshëm zgjedhor për nga aspekti i organizimit ishte tejet profesional marrë parasysh që zgjedhjet janë një operacion tejet i madh në çdo cep të territorit të Kosovës.

“Materiali zgjedhor ishte i mjaftueshëm dhe funksional. Rol pozitiv ka luajtur edhe përvoja që tashmë institucionet zgjedhore kanë bërë në këto 20 vitet e kaluara. Në anën tjetër qytetarët e Kosovës treguan mjaft maturi duke votuar qetë”, vlerëson ai.

Por, sipas tij, këtu bënë përjashtim procesi zgjedhor në komunat e veriut të Kosovës, “i cili prapë u përcoll me presion dhe disa përleshje në mes të komisionerëve, gjë që e tensionoi situatën”.

Dalja në zgjedhje, shton Bakija, ishte nga më të mëdhatë që nga pavarësia.

“Pas votave me kusht dhe ato me postë ka gjasë të jetë edhe më e lartë se dalja në zgjedhjet e vitit 2010, që kishte dalje të madhe në zgjedhjet qendrore, edhe pse ishin ndër zgjedhjet më të dobëta në Kosovë”, thotë ai për Gazetën JnK.

Sa u përket parregullsive në zgjedhje, vëzhguesit e këtij procesi kanë konstatuar se ndër rastet më të shprehura kanë qenë votimet e palejuara me asistencë.

Eugen Cakolli nga DnV-ja thotë se ka pasur raste kur më shumë se një person ka asistuar më shumë se një votues apo kur komisionerët apo vëzhguesit kanë asistuar në votime.

“Megjithatë sërish kemi pasur edhe shkelje më të rënda apo më serioze në kuptimin e ndjekjes penale, duke qenë se kemi pasur një numër të shtuar të rasteve të fotografimit të votës, që paraqet vepër penale, si dhe raste të tjera kur votues të caktuar kanë tentuar të votojnë më shumë se një herë”, thotë ai për Gazetën JnK.

Mirëpo, sipas Cakollit, të gjitha këto raste kanë qenë të kufizuara dhe të lokalizuara në rajone të caktuara, e që siç thotë ai, kjo nënkupton se nuk ka pasur ndonjë shkelje në nivel të përgjithshëm që ka mundur të dëmtojë pasqyrën e mirë që kanë dhënë këto zgjedhje.

Edhe Jetmir Bakija (D+) shton se votimi i parregullt me asistencë është identifikuar nga vëzhguesit e kësaj organizate.

“Në vendvotimet që kemi vëzhguar me disa ekipe kemi parë që votimi me asistencë i parregullt paraqet problem ende në disa vendvotime si dhe disa vendvotime u vërejt presione të partive dhe kandidatëve për votues duke transportuar ata. Megjithatë, kryesisht proces i qetë dhe këshillat e vendvotimeve ishin dukshëm më të përgatitur kësaj radhe”, përfundoi ai për Gazetën JnK.

Një ditë pas votimeve, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), janë numëruar më shumë 98 për qind të votave, përderisa deri në certifikimin e rezultateve përfundimtare duhet numëruar edhe ato me kusht dhe përmes postës.