Pasojat nga vërshimet, drejtorët e komunave flasin për vlerësimet e dëmeve

Ende nuk ka kaluar një kohë e cila mund të tregonte saktë se sa është në total vlera e dëmeve që janë shkaktuar në komuna të ndryshme të Kosovë, pas vërshimeve e përmbytjeve të cilat ndodhën si pasojë e reshjeve të shiut e borës.

Komunat e Kosovës kanë angazhuar komisione të veçanta të cilët do të vlerësojnë dëmet e shkaktuara në ekonomi familjare, biznese, toka bujqësore e infrastrukturë.

KALLXO.com ka kontaktuar drejtoritë për emergjenca, mbrojtje e shpëtim në disa komuna të Kosovës.

Hafir Rexha drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Malishevës, ka thënë për KALLXO.com se vlerësimet priten të jenë gati brenda pak ditëve.

“Komisioni për vlerësimin e dëmit është në terren dhe presim që brenda dy ditëve të kemi komplet vlerësim të dëmeve që janë shkaktuar nga vërshimet”, tha Rexha.

Ai shtoi se një familje e cila është evakuuar për shkak të vërshimeve është vendosur në banesat sociale në Malishevë.

“Një familje pesë anëtareshe pra është evakuuar është menaxhuar nga stafi emergjent është siguruar gjithçka. Dëme materiale në ekonomi familjare, biznese, infrastrukturë kemi të konsiderueshme por pa pas një vlerësim total nuk mund të kemi shifër të saktë të dëmeve”, shtoi ai.

Pamje nga dëmet e shkaktuara nga vërshimet në Rahovec

Drejtori për Mbrojte dhe Shpëtim në Rahovec, Hasan Përboqi, tha për KALLXO.com se nata e parë ajo pra e fillimit të kësaj jave ka qenë kritike si pasojë e vërshimeve.

“Kemi pas familje të evakuuara, natën e parë që ka qenë vërshimi më i madh, i kemi pasur pesë familje nga disa fshatra që i kemi ndihmuar. Ne u kemi ofruar diçka por të njëjtit kanë preferuar të shkojnë te familjarët e tyre”, tha ai deri sa tregon edhe se dëmet janë të mëdha.

“Shifra nuk kemi ende, komisionet janë në terren është dita e tretë e komisionit që është në terren dhe janë duke bërë të pamundurën që të mblidhen të gjitha të dhënat dhe të kemi një shifër të saktë se sa është vlera e dëmit të shkaktuar. Pritet që brenda kësaj jave do të del komisioni me një raport. Kemi dëme në infrastrukturë, biznese, ekonomi familjare”, shton Përboqi.

Komuna e Vushtrrisë ka qenë një nga komunat e rrekura në masë të madhe nga vërshimet që ndodhën ditëve të ujit si pasojë e reshjeve të shiut e borës.

Vershimet në Vushtrri, Foto: KALLXO.com

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Vushtrrisë, Bajrush Kosumi në një deklaratë për KALLXO.com ka treguar se numri i familjeve të prekura nga vërshimet është i lartë.

“Kemi 500 shtëpi që janë përfshirë nga uji vetëm në qytet është fjala tani i kemi edhe fshatrat”, tha Kosumi.

Tutje ai tregoi se ende nuk janë bërë vlerësimet e dëmeve.

“Nuk mundemi me dhanë asnjë shifër të përafërt sepse tereni është i zgjeruar, kemi shumë fshatra deri në dalje të Vushtrrisë por kemi dëme edhe brenda qytetit, shtoi tutje drejtori.

Kosumi tregoi edhe se ka pasur familje të cilat janë evakuuar nga shtëpitë e tyre për shkak të përmbytjeve.

“Janë evakuuar familje dhe janë dërguar te të afërmit e tyre. Ne i kemi caktuar dy vende/ lokacione por familjet e evakuuara kanë zgjedhur që të shkojnë te familjarët e tyre. Vetëm dje që i kemi larguar janë diku 14 familje apo 48 familjarë/persona. Të gjitha këto janë shifra të përafërta sepse ekipet janë ende në terren”, shtoi Kosumi.

Kosumi thotë se kanë kapacitete për menaxhimin e situatave të tilla.

“Me këto kapacitete që i kemi është në rregull, ia kemi dalë por ka qenë uji aq i madh sa që jemi marrë më shumë me dëme edhe me shpëtim të qytetarëve në mënyrë që të mos kemi jetë të humbura. Po besoj që brenda javës të dalim me një raport të dëmeve”, tregon ai deri sa shton se nuk sheh rrezik që të ketë vërshime të tjera.

“Në qoftë se vazhdon të ketë të reshura dhe tash bora që është tu u shkri nëpër bjeshkë, mund të ketë rrezik sepse tash siç thonë e ka bërë vendin dhe pritet që pak me pas të reshura pritet me pas edhe vërshime. Ka ra niveli i ujit por për çdo gjë ne jemi të gatshëm të veprojmë”, përfundon Kosumi.

Nehat Bahtiri, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës tregoi se për shkak të vërshimeve janë evakuuar deri në gjashtë familje.

“Kemi pasur 5 apo 6 familje gjatë ditës së djeshme, ata po qëndrojnë te të afërmit e tyre. Ne si komunë nuk kemi arritur që tu sigurojmë strehim”, tha Bahtiri.

Ai shtoi se ende nuk kanë shira të përafërta të dëmit të shkaktuar nga vërshimet.

“Nuk kemi shifër, sepse fillimisht po presim me u largu uji nga zonat e prekura dhe kur hiqet uji mandej do të bëhet edhe vlerësimi”, shtoi ai.

Tutje Bahtiri tha se nuk mendon se ka rrezik nga vërshimet, ditëve të ardhshme.

“Nuk ka rrezik, ka ra bukur shumë niveli i ujit, nuk ka ndonjë rrezik. Moti është i mirë dhe po besoj që nuk do të ketë telashe”, tha tutje Bahtiri.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Vitisë, Nexhmedin Jakupi, dëmet kanë qenë minimale për shkak të pastrimit të lumit “Morava”.

“Ende nuk kemi shifër të saktë, komisioni është duke punuar në vlerësimin e dëmeve, kemi përmbytje në oborre të shtëpive, podrumeve. Jemi duke punuar në këtë drejtim, kemi toka bujqësore më shumë dëme, falë hapjes së pastrimit të lumit Morava, kemi pasur dëme minimale sivjet në krahasim me komunat e tjera”, tha Jakupi për KALLXO.com.

Tutje ai shtoi se kanë evakuuar 12 anëtarë të dy familjeve të cilat kishin nevojë.

“Vetëm një familje e kemi evakuuar, dy vëllezër me gjithsej 12 anëtarë dhe kanë shkuar të familjarët e tyre, pasi është qetësuar situata ata janë kthyer në shtëpitë e tyre. Nuk shohim rrezik tjetër të vërshimeve sepse situata është qetësuar dhe nuk kemi informata se do të ketë përkeqësim të motit”, shtoi  ai.

Zona të shumta të Kosovës janë prekur nga vërshimet që ndodhën si pasojë e reshjeve të shiut e të borës.

Një numër i madh i ekonomive familjare, bizneseve, janë dëmtuar si pasojë e vërshimeve dhe përmbytjeve.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me vërshimet të cilat ndodhën ditëve të fundit në Kosovë.