ILUSTRIM - Rrjetet sociale foto REL AFP

Pasojat e nxitjes së urrejtjes sociale në kohë pandemie

Që nga 13 marsi kur edhe u vendosën masat e para kundër përhapjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë, në Policinë e Kosovës janë iniciuar 10 raste për postime e komente në rrjete sociale të cilat përmbanin nxitje të urrejtjes, përçarje dhe mos durim.

“Bazuar ne te dhënat e Sistemin Informativ te PK-se, për numrin e rasteve nga neni 141 ‘Nxitja e përçarjes dhe mos durimit’, për periudhën nga 13 marsi 2020 deri më sot janë te raportuara 10 raste. Pra, janë 10 raste në përgjithësi, pavarësisht a kanë ndodhur përmes rrjeteve sociale apo në forma tjera”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, neni 141 nxitja e urrejtjes, përçarjes e mos durimit është e dënueshme deri në pesë vjet burg.

“Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet”, thuhet në Kodin Penal.

Arrestime të shumta janë bërë për personat që kanë qenë të përfshirë ose kanë nxitur urrejtje apo përçarje në rrjete sociale apo edhe në mënyrë direkte.

Shpat Balaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në disa përgjigje për KALLXO.com ka thënë se izolimi i qytetarëve gjatë kohës së pandemisë COVID-19 ka ndikuar në rritjen e nxitjes së urrejtjes në rrjete sociale.

“Megjithatë, unë besoj që kjo më tepër është rezultat i zhvillimeve politike në këtë periudhë, se që lidhet drejtpërdrejtë më konceptim e izolimit si të tillë. Gjithashtu, frustrimi i qytetarëve e si rrjedhojë nxitja e urrejtjes e dhunës, është rritur edhe nga analizat e ndryshme nga persona jo relevant për pandeminë, zhvillimet politike, shëndetin mendor etj.. Përderisa qytetarët e kanë pranuar karantimin dhe në një masë tejet të kënaqshme e kanë zbatuar atë, konotacioni politik që i është dhënë e ka thyer atë qasje”, ka thënë Balaj.

Ai përmendi edhe arrestimet për kërcënimet ndaj figurave të ndryshme publike.

“Ka pasur disa raportime për arrestime, megjithatë ato kryesisht kanë qenë të fokusuara në kërcënimet kundrejt figurave të ndryshme publike përmes platformave të ndryshme online. Me aq sa ka informacion publik, fenomeni i nxitjes së urrejtjes përmes rrjeteve sociale mbetet pak a shumë i pa adresuar nga institucionet përgjegjëse”, shton ai.

Balaj shton se nuk ka iniciativa shtetërore sa i përket trajnimeve mbi përdorimin e rrjeteve sociale apo ruajtjen e të dhënave.

“Aktualisht trajnime mbi përdorimin e rrjeteve sociale, identifikimin e fake-news, ruajtjen e të dhënave etj. ka mjaftueshëm, por nuk janë iniciativa shtetërore dhe bazohen kryesisht në vullnetin e organizatave dhe bizneseve të ndryshme. Është tejet e rëndësishme që të ketë trajnime të shtuara në këtë aspekt dhe iniciativa vetëdijësuese të iniciuara nga institucionet e vendit”, shton tutje Balaj.

Madje Balaj thotë se lëndët shkollore duhet të ri-organizohen sa i përket kësaj çështjeje.

“Në këtë aspekt, ministritë relevante duhet të ofrojnë grante të ndryshme për organizata lokale në këtë temë dhe siguria kibernetike në përgjithësi duhet të integrohet në kurrikulat mësimore. Për më tepër, lëndët shkollore si TIK duhet të ri-organizohen dhe përveç të tjerash të orientohen edhe në zhvillimet e reja sikur rrjetet e ndryshme sociale”, tha Balaj për KALLXO.com.

Psikologë  të intervistuar nga KALLXO.com, gjatë kohës së pandemisë, kanë theksuar se izolimi apo karantinimi i tyre gjatë kohës së COVID-19, ndikon tek personat në disa mënyra edhe në aspekt psikologjik e mendor.

Në fund të marsit të këtij viti, KALLXO.com kishte raportuar për një person i dyshuar në afërsi të shtëpisë së Presidentit Hashim Thaçi.

I njëjti sipas policisë ka qenë në gjendje të dehur dhe dyshohet se kishte kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe provokim.

Gjithashtu Kryetari i Komunës së pjesës jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri, është intervistuar në lidhje me deklaratën e tij për “vllavrasjen”. Prokuroria e ka intervistuar si të dyshuar për veprën penale “Nxitje të urrejtjes”.

Përveç veprës penale të nxitjes së urrejtës, arrestime e intervistime nga ana e Policisë së Kosovës ka pasur edhe për vepra të tjera penale. Kërcënime, shtytje në vrasje janë disa nga veprat tjera penale per te cilat jane arrestuar persona gjate këtij viti.

Në muajin janar ishte arrestuar qytetarja I.H., për shkak të një postimi në Facebook në përkrahje të gjeneralit të vrarë iranian, Sylejmani. Ajo u arrestua dhe vepra e saj u trajtua në seanca gjyqësore nga ana e prokurorisë si shtytje në kryerjen e veprave terroriste që sipas nenit 134 të KPK-së dënohet nga 1 deri në 5 vite burg.

Në prag të vitit të ri 2020, ish kandidati i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti u arrestua pas një postimi në Facebook ku krijonte asociacione në mes vrasjes së presidentit të ShBA-së, Xhon Kenedit dhe kryeministrit Albin Kurti. Sipas prokurorisë, ai kishte kryer veprën: “shtytje në vrasje”, që sipas nenit 32 të KPK-së, nëse vepra kryhet, dënohet njëjtë si kryesi i veprës, pra dënohet si vrasësi apo si ai që tenton ta kryej një vepër të tillë.

Vitin e kaluar, në një emision “Drejtësia në Kosovë” kishte transmetuar reportazhin për një djalosh nga Bajinca e Komunës së Drenasit i cili u përball me sistemin e drejtësisë për shkak të një postimi në rrjete sociale ku kishte kërcënuar kryeministrin e atëhershëm Ramush Haradinaj. Kërcënimin B. E. E kishte bërë në emër të ISIS-it e njohur si një nga organizata më e madhe terroriste.

Autori është profesor i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli në një shkrim të publikuar në KALLXO.com në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, ka përshkruar se si teknologjia në përgjithësi është kthyer si armik i lirisë së shprehjes.

“Vetëm në katër muajt e parë të këtij viti në Kosovë janë arrestuar më shumë se shtatë persona për shkak të postimeve në rrjete sociale. Normalisht, asnjëri i arrestuar nuk është akoma i fajshëm. Por, këtu ka një paradoks. Teknologjia do të duhej të ndihmonte njerëzit të shpreheshin më lirshëm, e jo t’i privonte ata nga të drejtat e tyre. Shprehja e mendimeve e interpretimi si ngjarje ishte arsye pse njerëzit shpikën shkrimin e të gjithë këtë teknologji për mijëra vjet. Megjithatë, nëse nisemi nga fakti i përhapjes së madhe të gjuhës së urrejtes, mosdurimit, thirrjes në vrasje e përkrahje të terrorizmit, tashmë teknologjia ka arritur në atë pikë që është kthyer në antipod të lirisë së shprehjes. Teknologjia e lirë dhe e qasshme nga shumica e qytetarëve pavarësisht shkollimit, përgatitjes e përvojës së tyre jetësore u mundëson që pavetëdijshëm të bëhen subjekte të hetimeve penale për shkak të postimeve në rrjete sociale”, kishte shkruar Zeneli.