Pasojat e masmediave në zhvillimin e fëmijëve

Përdorimi i teknologjisë sot konsiderohet një ndër aktivitetet më të zakonshme të fëmijëve dhe jo vetëm. Sipas një ankete të realizuar nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, mbi 90 për qind e fëmijëve në Kosovë janë përdorues shumë aktiv të internetit, ndërsa 63% e tyre e përdorin internetin çdo ditë ose gati çdo ditë.

Tri pajisjet më kryesore që përdoren nga fëmijët për t’u kyçur në internet janë: kompjuterët personalë (PC-të) telefonat celularë dhe laptop-ët.

Sipas të anketuarve, ndër aktivitetet më të pëlqyera në internet janë rrjeti social Facebook, dëgjimi i muzikës në YouTube, lojërat online dhe Instagrami.

Sipas anketës së MAShT-it, prindërit duhet të marrin parasysh se ekzistojnë faqe të internetit me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët; të kuptojnë aftësitë dhe njohuritë e fëmijëve të tyre për përdorim të internetit; të kuptojnë se sa janë gjasat që ata mund të zvogëlojnë rreziqet, para se të vendosin se cili vend (ambient) dhe cila pajisje është e përshtatshme për përdorimin e internetit nga fëmijët e tyre.

Prindërit duke tentuar që t’i ndalin zhurmat e fëmijëve, apo në shumicën e rasteve edhe që ata të hanë ushqimin, ua japin telefonin ose tabletin që vëmendjen mos të kenë aty. Në këtë pikë, prindërit nuk janë mjaftueshëm të vetëdijshëm për efektet anësore që mund të ketë moskontrollimi i tyre.

Sipas psikologes, Nafie Sylejmani, nuk ka rëndësi se sa kohë kalohet në masmedia përderisa fëmijët nuk kontrollohen nga askush. Madje ajo ka thënë se në shumicën e rasteve, koha e gjatë në telefon apo mjete të tjera teknologjike ndikon që fëmijët të mos e perceptojnë edhe mënyrën se si e hanë ushqimin. Sipas saj, 30 minuta janë të mjaftueshme që fëmijët të qëndrojnë në pajisje teknologjike. Për më tepër, ajo sugjeron se kufizimi është gjeja e parë që duhet bërë.

“Na nuk mundemi me i distancu totalisht, por mjafton me ia ndërpre me një kohë të caktuar”, tha psikologia Sylejmani.

Ndërkaq, sociologu Labinot Kunushevci thotë se kontrolli i shtetit përmes kufizimeve në përmbajtje do të ishte zgjidhje adekuate, që ndihmon kështu në edukimin familjar dhe shkollor dhe përmirëson cilësinë e arsimit publik.

“Përmbajtja me stereotipe, dhunë, pornografi, konflikte, gjuhë të urrejtjes, hedonizëm, shkaktojnë pasoja socio-kulturore tek fëmijë, duke prishur ekuilibrin mendor dhe kulturor të tyre më ç ‘rast prodhon imitim të verbër social dhe e rritë kompleksin e inferioritet tek ta. Shkaktojnë iluzione mbi jetën”, tha Kunushevci.

Ekranet dhe fëmijët

Ekspozimi i lartë i fëmijëve para pajisjeve teknologjike – tabletë, kompjuter, telefon, televizor, ngrit alarmin tjetër edhe për gjendjen shëndetësore të tyre dhe zhvillimin motorik te tyre.

Fëmijët e vegjël deri në moshën 2-vjeçare nuk guxojnë të ekspozohen fare para ekraneve. Sepse kjo mund të shkaktojë ngecje në të folur si dhe të dëmtojë aspektin social tek ata, sepse nuk mësohen se si të vendosin kontakte me moshatarë dhe në të ardhmen ata bëhen fëmijë josocial.

Në anën tjetër, ekspozimi i lartë i fëmijëve para ekraneve është një prej shkaktarëve që ka efekte anësore edhe në shqisën e të pamurit. Sipas oftalmologut, Afrim Shabani, fëmijët në këtë rast rrezikojnë që mos të kenë të zhvilluar mjaftueshëm shqisën e të pamurit larg, pasi siç thotë ai, fëmijët mësohen të shikojnë për një periudhë të gjatë vetëm në një distancë të shkurtër.

Ekspertët rekomandojnë praktikimin e të ashtuquajturës “20-20-20”, që sipas tij i bije që, pas çdo 20 minuta koncentrim në ekran të bëhen 20 sekonda pushim duke shikuar në një pikë më të largët.

Kujdesi i mediave për përmbajtjen që e transmetojnë

Krahas kontrollit të fëmijëve nga ana e prindërve për kohën e lejuar që të përdorin mjetet teknologjike, prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm se çfarë po shikon fëmija e tyre gjatë asaj periudhe.

Ligji për mbrojtjen e fëmijës parasheh se mjetet e komunikimit masiv duke përfshirë këtu mediat e shkruara dhe ato elektronike, janë të obliguara që të kontribuojnë në mbrojtjen e fëmijës.

“Qeveria, përmes masave stimuluese, inkurajon masmediat që të kenë skema programore të dobishme për fëmijën, duke marrë parasysh edhe nevojat gjuhësore të fëmijës që ju takojnë minoriteteve”, thuhet në këtë ligj.

Emisionet p.sh filmat ku manifestohet dhuna dhe skena të dhunshme tek fëmijët mund të shkaktoj frikë, trauma ndërsa të disa fëmijë krijon shprehi për të manifestuar sjellje të dhunshme në familje dhe shkollë, si bullizmi etj.

Mes tjerash në Ligjin për mbrojtjen e fëmijës, mediat obligohen të raportojnë në mënyrë etike për të mbrojtur dinjitetin e fëmijës dhe të njëjtën kohë duke pasur parasysh interesin më të mirë të tyre.

Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit ‘’PROtectChild’’ nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC) që zbatohet bashkarishtë me Save the Children në Kosovë, dhe financohet nga Qeveria Suedeze. Përgjegjësia për përmbajtjen qëndron tek zhvilluesi i saj.