Pashë nga larg të vdisnin bashkëqytetarët e mi shqiptarë në Kosovë

I lindur në Britani pasi familja e tij iu largua persekutimit etnik në Kosovë, Arbër Gashi zbuloi se si vuanin bashkëkombësit e tij shqiptarë gjatë kohës së luftës kur shikonin imazhe të varreve masive në internet. Ai argumenton tani se viktimat meritojnë të trajtohen me më shumë kujdes dhe respekt.

Imazhet e publikuara të varreve dhe varrimeve masive që ndodhën për shkak të luftës në Kosovë formësuan lidhjet që krijova me Kosovën dhe identitetin tim.

Këto shoqata u mbështetën nga trauma ndër breza brenda komunitetit tim. “Lufta ka një efekt katastrofik në shëndetin dhe mirëqenien e kombeve”, shkruan psikiatrët ekspert R. Srinivasa Murthy dhe Rashmi Lakshminarayana në punën e tyre kërkimore “Pasojat e luftës në shëndetin mendor”. Besoj se kjo është e vërtetë edhe për ne që jetojmë në diasporë, por shprehet në një mënyrë tjetër.

Duke qenë se kam lindur në Londër, e pranoj plotësisht privilegjin që i është dhënë familjes sime dhe mua. Luftën e Kosovës nuk e kam përjetuar drejtpërdrejtë, por nuk mund të them se më la plotësisht të padëmtuar.

Kosovës iu revokua autonomia në vitin 1989 dhe sistemi i presidentit serb Sllobodan Millosheviç nxiti politika, duke shfuqizuar liritë sociale, ekonomike, politike dhe kulturore të njerëzve. Populli dhe autoritetet shqiptare të Kosovës rezistuan; megjithatë, situata u intensifikua, duke sjellë në fillimin e luftës së Kosovës në shkurt 1998.

Pikërisht në këtë sfond kontekstual, prindërit e mi vendosën të iknin. Dukej surreale që prindërit e mi të shihnin shtëpitë dhe qytetet e tyre, por më e rëndësishmja, njerëzit e tyre, teksa shkatërroheshin nga kjo luftë. Përshkrimet e lajmeve ndërkombëtare ishin një nga mënyrat e vetme që diaspora mund të lidhej me atdheun që kishte lënë pas.

Prindërit e mi më mbrojtën nga këto imazhe në fëmijërinë time të hershme, por unë pashë mënyrën se si njerëzit në shoqërinë britanike më përgjigjeshin si viktimë sa herë që përmendja trashëgiminë time shqiptare të Kosovës. Ata padyshim i kishin parë këto përshkrime katastrofike të luftës së Kosovës dhe varret masive të saj në lajme.

Unë iu drejtova internetit për të zbuluar Kosovën si një fëmijë tetë vjeçar, disa vite pas përfundimit të luftës, sepse kisha nevojë të dija më shumë. Një kërkim i thjeshtë i “luftës së Kosovës” në Google më futi në një botë me trauma të jashtëzakonshme.

Ky artikull tregon mënyrën se si këto imazhe ndikuan në identitetin tim dhe reflektimet e mia mbi sjelljet që unë besoj se komuniteti im, dhe rajoni i ish-Jugosllavisë në tërësi, duhet të kenë parasysh kur përballen me varre masive dhe trauma.

Gjithçka filloi me një foto

Ajo foto më tronditi shumë. Tregonte një shqiptar të moshuar i cili ishte vrarë në masakrën e Reçakut, ku u vranë 45 shqiptarë të Kosovës nga forcat serbe të sigurisë.

Ishte prekëse për mua që ky shqiptar ishte ende me plis, edhe në vdekje. Duke shërbyer si simbol i rezistencës, plisi ishte një pjesë e kulturës shqiptare që tregonte shumë për trashëgiminë time.

Bëra krahasime me fotot në albumet e fotografive të familjes sime të patriarkëve që mbanin këtë plis të bardhë. Kjo veçori e vogël, por domethënëse më lejoi të lidhem me këta individë – sikur të ishin anëtarë të familjes sime.

Ky do të ishte vetëm fillimi i asaj që u bë “detyrimi im obsesiv” për të ditur më shumë për luftën e Kosovës dhe varret e saj masive. Kam konsumuar çdo artikull, imazh, video dhe raport për të drejtat e njeriut që kam gjetur për varret masive të Kosovës. Psikologjikisht, lidhja mes Kosovës, varreve masive dhe traumave ekstreme ishte rrënjosur mirë brenda meje.

Njerëzit që ishin vrarë në këto varre masive kishin emra si unë, hanin të njëjtat ushqime, kërcenin me të njëjtën muzikë dhe festonin të njëjtat festa. Por kishte një ndryshim thelbësor. Ata kishin vdekur në rrethanat më të tmerrshme të mundshme, ndërsa ne në diasporë duhej t’i shikonim këto vdekje të përshkruara nga larg.

Prandaj e ndjeva të nevojshme t’i ndërthurja këto përvoja të varreve masive dhe këto imazhe me identitetin tim. Dikush mund të argumentojë se po përjetoja një lloj forme faji të të mbijetuarit, duke i dhënë kuptim një lufte nga e cila isha shkëputur fizikisht, por isha i lidhur me të në nivel kulturor.

Kjo u përkeqësua nga pozicioni i politizuar që kishte identiteti im ndërkombëtarisht. Njerëzit, politikanët dhe vende të tëra kishin një mendim për një identitet që nuk e kishin. Kjo u bë më e vështirë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Sloganet ultra-nacionaliste, si “Kosova është Serbi”, synonin të minonin vetë ekzistencën e vendit, luftën e tij për vetëvendosje dhe krimet e luftës që ishin kryer atje.

Jetesa në Perëndim dukej gjithashtu e parehatshme. Mediat perëndimore pothuajse tërësisht e zhvendosën fokusin e tyre në rajone të tjera në konflikt. Ndihej kaq mbytëse përpjekja për t’ia paraqitur atë që kishte ndodhur në Kosovë një bote që ndihej sikur nuk i interesonte më, sepse rajoni i ish-Jugosllavisë nuk ishte më “i rëndësishëm”.

Por fakti ishte se më shumë se 1,600 njerëz ishin dhe janë ende të zhdukur nga lufta e Kosovës, dhe ishin në varre masive, ishte i rëndësishëm për mua.

Prandaj ua prezantova këtë temë atyre që më rrethonin. Ndjeva se faktori tronditës i këtyre imazheve shkatërruese mund t’i bënte njerëzit t’u interesonte ajo që kishte ndodhur. I mbaja këto imazhe në telefonin tim, të shoqëruara me tregime të varreve masive, gati për t’i treguar sa herë që dikush më pyeste për Kosovën, luftën ose identitetin tim. Por fillova të vërej se sa problematike ishte bërë sjellja ime.

Vura në dyshim logjikën time

E njoha lidhjen e pashëndetshme që kisha krijuar me Kosovën, luftën dhe traumën brenda vetes, duke dëmtuar vetëvlerësimin tim kulturor. Logjika ime u vu në dyshim nga prindërit e mi: “A është Kosova vetëm luftë dhe varre masive?” më pyetën. Ndërsa trauma ishte e rrënjosur thellë brenda identitetit tim komunitar, trauma nuk ishte gjithçka që ne ishim.

Studiuesja e së drejtës ndërkombëtare Melanie Klinkner ka shkruar se nevojitet një qasje shumë e ndjeshme kur merremi me çështjen e varreve masive: “Në kontekstin e varreve masive, siguria, dinjiteti, privatësia dhe mirëqenia e viktimave dhe familjeve të tyre duhet të jetë një shqetësim kyç për të gjithë aktorët pa dallim”, tha ajo.

Megjithatë, kjo qasje nuk u ndërmor nga komuniteti rreth meje – apo hapësirat e mediave sociale që unë ndiqja. Këto hapësira ishin të mbushura me imazhe dhe video të varreve masive. Njerëzit që e bënin këtë nuk e njihnin shkallën e plotë të dëmit të mundshëm që po shkaktonin, jo vetëm në zvogëlimin e traumave të Kosovës, por edhe në dehumanizimin e atyre individëve që ishin vrarë dhe varrosur në këto varre masive – duke i parë ata si një numër, dhe jo si individët që ishin.

Këta njerëz që ishin vrarë kishin ambicie, emocione, përvoja dhe jetë. Reduktimi i substancës së jetës njerëzore në një imazh të një varri masiv tani më duket disi jopërfaqësuese.

Kjo nuk thuhet se minon ndikimin e mënyrave në të cilat vdiqën këta individë. Ne duhet të jemi të fokusuar në kërkimin e drejtësisë, duke u siguruar që ata që kryen këto krime të ndëshkohen. Megjithatë, besoj se duhet të ketë një introspeksion kulturor në lidhje me mënyrat se si përdorim dhe prezantojmë përvojat e atyre që humbën jetën në këtë mënyrë.

Kjo është e rëndësishme pasi gërshetimet dhe kthesat e politikës ballkanase përcjellin se këto përvoja mund të përdoren për përfitime personale, nacionaliste ose politike. Prandaj është në këtë kontekst që ne duhet të bëjmë një kujdes të veçantë kur merremi me këto çështje.

Shtimi i “pornografisë së traumës”

Kam vënë re ngritjen e një çështjeje problematike tani të njohur si “pornografi e traumës”. Termi fillimisht u zhvillua në përgjigje të mënyrës se si media amerikane dhe media sociale përcillnin vdekjen dhe dhunën brenda kontekstit të tyre. Shkrimtarja Sonia Kovacevic argumentoi se “pornografia traumatike jo vetëm që është e paefektshme në inkurajimin e njerëzve për të vepruar… por ajo është gjithashtu jashtëzakonisht çnjerëzore… duk i zhveshur ata nga dinjiteti i tyre”.

Ndërsa konteksti amerikan dhe ai ish-jugosllav janë krejtësisht të ndryshëm, pornografia e traumës shfaqet gjithashtu përmes mediave ballkanase dhe platformave të mediave sociale.

Lundrimi në hapësirat e mediave sociale në Ballkan mund të jetë dërrmuese, pasi ato mund të jenë të mbushura me sarkazëm të të gjitha llojeve. Por kam vënë re një trend në rritje në mënyrën se si imazhet, videot dhe narrativat e atyre që humbën jetën dhe u varrosën në varre masive, gjatë luftës së Kosovës dhe luftërave më të gjera në Jugosllavi, po përdoren në mënyrë problematike si armë.

Ndërkohë që jam dakord me nevojën për të njohur përvojën e dikujt, dua të kritikoj mënyrën aktuale në të cilën disa nga ata nga rajoni i Ballkanit dhe diaspora e tij paraqesin përvojat e varreze masive dhe traumave.

Ata ndonjëherë mund t’i ripaketojnë përvojat, të përqendruara në sensacionalizimin e diskursit dhe të mos informojnë si duhet të tjerët për komponentët kontekstualë të asaj që ndodhi.

Mund të hysh në platforma si Instagram dhe TikTok dhe të gjesh imazhe dhe video të panumërta të bashkuara në mënyrë arbitrare nga ngjarje të ndryshme gjatë luftës së Kosovës, të shoqëruara me muzikë zie. Një video 20 sekondëshe, e bërë ndoshta në më pak se një orë, nuk mund të përshkruajë shtrirjen e madhe të ngjarjeve që kanë ndodhur me të gjitha nuancat e tyre.

Këtu vjen edhe çështja e pëlqimit. Për shkak se ata nuk janë më gjallë, këta individë që janë vrarë në rrethana kaq të tmerrshme nuk kanë dhënë pëlqimin që njerëzit në platformat e mediave sociale të përdorin narrativat e tyre në çfarëdolloj mënyre që ata e shohin të arsyeshme.

Duhet të ketë një lloj detyrimi moral. Respektimi i kujtesës së një personi dhe identitetit të tij si një individ i pavarur që ai kishte dikur është jetike. Nuk besoj se përshkrimi i narrativave të njerëzve të vrarë në këtë mënyrë, të hequr nga qasjet etike lidhur me varret masive dhe masakrat, nuk është i saktë. Le të mos harrojmë gjithashtu të pranojmë dëmet e mundshme që mund t’i shkaktohen komuniteteve për shkak të kësaj.

Implikimet e prezantimit me të tilla materiale në fëmijërinë time patën shumë ndikim në formimin e identitetit tim si shqiptar i Kosovës. Mësova për tmerret e luftës së Kosovës përmes imazheve ndaj të cilave besoj se fëmijët nuk duhet të ekspozohen, veçanërisht kur ata nuk kanë kapacitet për ta kuptuar atë ose kur nuk edukohen për kontekstin, historinë dhe humanizmin brenda këtyre përvojave.

Unë besoj se kjo është amplifikuar pasi mediat sociale u dhanë miliona njerëzve akses në imazhe dhe përvoja eksplicite dhe intime që shumë nuk kanë aftësinë t’i kuptojnë plotësisht. Unë besoj se kjo i zvogëlon përvojat e atyre që u vranë dhe u varrosën në varre masive dhe nuk e njeh plotësisht se sa e rëndë ishte ajo që ndodhi.

Dua të sqaroj se në asnjë mënyrë nuk po kontrolloj shprehjet personale të njerëzve, veçanërisht atyre që kishin lidhje me viktimat. Secili ka procesin e tij për të përballuar traumën.

Por nga respekti që kam për ata që humbën jetën në këtë mënyrë, nuk dua më t’i përdor këto imazhe dhe narrativa në një mënyrë arbitrare që disa e përdorin për të nxitur më shumë urrejtje brenda klimës socio-politike të rajonit tonë, duke përdorur këto përvoja për të ndezur luftëra në mediat sociale në vend që të fokusohen te viktimat dhe familjet e tyre dhe të punojnë drejt kërkimit të drejtësisë tranzicionale.

Të mësuarit nga të tjerët

Së fundmi vizitova ekspozitën “Seeing Auschëitz” në Londër, e cila kishte në qendër humanizmin e atyre që humbën në Holokaust. Duke parë mënyrën se si ishte kuruar kjo ekspozitë, më bëri të mendoj për luftën e Kosovës. Si mund t’i përdorin këto përvoja njerëzit, që ndonjëherë janë krejtësisht të shkëputur nga këto përvoja dhe nga viktimat në të gjithë rajonin e ish-Jugosllavisë, për t’i shërbyer agjendës së tyre?

Pse ata që humbën jetën dhe përshkruhen në këto imazhe reduktohen në mënyrat se si vdiqën dhe nuk na prezantohen për jetët që jetuan? Pse vdekja e këtyre njerëzve po kthehet në një lloj arme në një mënyrë që besoj se nuk përfaqëson humanizmin e nevojshëm në këtë temë?

Kjo ekspozitë ishte kaq prekëse, sepse pikërisht këto koncepte të njerëzimit, lidhjes dhe dinjitetit ishin tema qendrore. Ndërsa tmerret e këtyre ngjarjeve ishin përshkruar – siç duhet të përshkruhen, ne duhet të mësojmë nga këto ngjarje – në kontekstin e tyre të plotë, dhe unë mësova detaje të rëndësishme për ata që u vranë, për historitë e tyre, prejardhjen e tyre dhe humanizmin e tyre. Këtyre njerëzve iu kthye identiteti i tyre si individë të pavarur dhe unë u largova nga ekspozita i pajisur me njohuri për të edukuar të tjerët, jo vetëm me një ndjenjë të thellë trishtimi.

Kjo është diçka që unë mendoj se duhet të jetë e rrënjosur në mënyrat për të cilat flasim dhe prezantojmë narrativat nga Kosova dhe ish-Jugosllavia. Ndërsa të gjithë e kemi për detyrë t’u japim përfaqësim këtyre përvojave, është e nevojshme t’i qasemi me sa më shumë kujdes dhe ngjyrim të jetë e mundur.

Këto imazhe të varreve masive janë pikturuar në mendjen time. Ato shërbejnë si një kujtesë e traumës së pranishme në vendin tim të origjinës. Por nuk dëshiroj më t’i përdor për vlerën e tyre shokuese. Ndonëse është e rëndësishme që këto imazhe të ekzistojnë, për të dokumentuar këto përvoja dhe krimet e kryera në to, këto imazhe nuk duhet të paraqiten në mënyrë të bujshme, pasi kjo në thelb i dehumanizon viktimat.

Unë besoj se duhet të ketë një qasje më të përgjegjshme kur merremi me çështjet e varreve masive. Në mënyrë që të ketë gjithmonë një fokus te dinjiteti, respekti dhe kujdesi. Shpresoj që komuniteti im dhe i gjithë rajoni i ish-Jugosllavisë ta pranojnë se këto çështje janë të rrënjosura thellë brenda komuniteteve tona dhe përdorimi i pakujdesshëm i këtyre imazheve mund të ketë një efekt të rëndë në vetë-perceptimin tonë kulturor – ndërkohë që në të njëjtën kohë nuk i bëjmë nderimin e duhur atyre që vdiqën.

Le të përpiqemi të bëjmë më mirë dhe të kultivojmë një hapësirë që nderon kujtimet e njerëzve, kërkon të vërë në zbatim lloharidhënien dhe krijon dëshirën për drejtësi tranzicionale.

Arbër Gashi është një aktivist dhe etnograf i cili ka një diplomë bachelor në Histori nga Goldsmiths, Universiteti i Londrës dhe një Master në Gjini, Seksualitet dhe Kulturë nga Birkbeck, Universiteti i Londrës.

Opinionet e shprehura janë ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.