24 shtator 2020 - një fotografi e Hysni Gucatit, kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, teksa flet gjatë një interviste me AP.  -  The Associated Press.

Pas shtatë vitesh, nis punën një proces i rrallë gjyqësor i Gjykatës për krime të luftës e financuar nga BE 

Nëse bazohemi në shkallën e akuzave të ngritura nga gjykata e Kosovës për krimet e luftës kundër ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krimet e pretenduara të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj duket se janë të vogla.

Gucati dhe Haradinaj, kryetari dhe zëvendëskryetari i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së me seli në Prishtinë, akuzohen për rrjedhje të dokumenteve konfidenciale gjatë konferencave për media në Prishtinë në vitin 2020. Këta dy burra u akuzuan nga e njëjta gjykatë e cila kohëve të fundit e ka akuzuar edhe ish-presidentin Hashim Thaçi për krime lufte.

Midis datave 7 dhe 25 Shtator të vitit 2020, Gucati dhe Haradinaj mbajtën një sërë konferencash për media pasi pretenduan se kishin marrë dokumente konfidenciale që i përkisnin Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatës për krime të luftës me bazë në Hagë, Holandë, dhe krahut të saj hetues, Zyrës së Prokurorit Special.

Ata akuzohen se i kanë ofruar mediave dokumentet, të cilat përfshinin emrat, adresat dhe deklaratat e dëshmitarëve në rastet në proces e sipër, si dhe i cilësuan kosovarët shqiptarë etnikë që kanë bashkëpunuar me gjykatën si “tradhtarë”, “bashkëpunëtorë” dhe “spiunë” ”.

Në një deklaratë të bërë më 18 tetor, prokurori Jack Smith tha se Gucati dhe Haradinaj ishin pjesë e “një grupi të vogël por të fuqishëm personash në Kosovë që nuk duan që kjo gjykatë të ekzistojë”.

“[Ata] do të bëjnë gjithçka për ta dëmtuar atë në një përpjekje të kotë për të shpëtuar një histori të rreme se asnjë ushtar i UÇK-së nuk ka kryer asnjë krim gjatë luftës.”

Kjo deklaratë ka shkaktuar indinjatë tek ekipi mbrojtës i Haradinajt, me kryeavokatin Toby Cadman duke vënë në dukje të dielën se deklarata shkel prezumimin e pafajësisë të kërkuar nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut – për të mos përmendur ligjin vendor dhe ndërkombëtar.

Ai gjithashtu “avancon një tregim publik në kontekstin e rastit aktual që viktimat janë apo janë kërcënuar kur kjo nuk është dëshmuar,” tha ai.

Kërkesa e tij për ta larguar këtë deklaratë nga faqja e internetit të Dhomave të Specializuara u refuzua nga gjykatësi të hënën, tha një zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës për Euronews, në një vendim me gojë.

Shtatë vjet që kur Dhomat e Specializuara të Kosovës u themeluan përmes një vendimi të parlamentit të Kosovës në Prishtinë – pas një fushate të udhëhequr nga presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi – tani ka vetëm katër raste në vazhdim.

Deri tani rasti më i avancuar është ai i Gucatit dhe Haradinajt, i cili filloi javën e kaluar në Hagë.

I vetmi proces gjyqësor tjetër në vazhdim është ai i Salih Mustafës, i arrestuar në shtator të vitit 2020 dhe i akuzuar për paraburgim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje në kompleksin e paraburgimit Zllash në Kosovë. Procesi gjyqësor kundër tij filloi më 14 shtator të vitit 2021 ndërkohë që Mustafa është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Pjetër Shala, anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i stacionuar në Kukёs, Shqipëri, po përballet me gjyq për torturimin dhe vrasjen e të burgosurve midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 në Fabrikën e Metalit në Kukёs, atëbotë një bazë e përdorur nga UÇK-ja. Procesi gjyqësor ndaj tij nuk ka filluar ende.

Dhe pastaj është rasti i profilit më të lartë, ai i Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit – si dhe vetë Hashim Thaçit – i cili do të nisë në dhjetor.

Ky proces gjyqësor përfshin gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit dhe katër akuza për krime lufte.

Historia 

Në vitin 2008, ish-prokurorja speciale e OKB -së, Carla Del Ponte, pretendoi se anëtarët e UÇK-së, përfshirë Thaçin, kishin kryer mizori në Kosovën veriore dhe Shqipëri gjatë dhe menjëherë pas konfliktit me Serbinë.

Këto mizori përfshinin vrasjen e civilëve serbë, romë dhe pakicave të tjera, si dhe shqiptarëve etnikë të akuzuar për bashkëpunim me forcat serbe.

Ndër akuzat e Del Ponte ishte se UÇK ishte angazhuar në trafikimin e organeve, një pretendim senzacional i cili çoi në një hetim në vitin 2011 nga ligjvënësi zviceran Dick Marty në emër të Këshillit të Evropës.

Gjetjet e Martyt u vunë përkrah gjetjeve të Del Pontes, duke drejtuar gishtin edhe tek Thaçi, i cili, në vitet 1998 dhe 1999, ishte udhëheqësi politik i UÇK-së.

Ky raport i dytë rezultoi me një raport të tretë, nga një Task Forcë Hetimore Speciale (SITF) e krijuar nga BE dhe SHBA posaçërisht për të hetuar pretendimet se organet e të burgosurve të UÇK-së ishin hequr dhe më vonë u ishin shitur klinikave private në Kosovë dhe Shqipëri.

Raporti i tretë doli në përkrahje të raporteve paraprake të Del Ponte dhe Marty, megjithëse tha se trafikimi i organeve kishte ndodhur vetëm në një “shkallë shumë të kufizuar”.

Hysni Gucati, kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shoqërohet nga policë të sigurisë të Bashkimit Evropian.The Associated Press.

Gjithashtu u raportua se UÇK-ja kishte kryer një fushatë persekutimi pas luftës, e cila ishte organizuar dhe sanksionuar nga “nivelet e larta të udhëheqjes së UÇK-së”.

Deri në vitin 2015, Prishtina ishte nën presion në rritje mbi gjetjet e Task Forcës, Del Pontes dhe Marty nga SHBA dhe Evropa, të cilët ishin nën presionin e Beogradit.

Serbia i kishte gjykuar gjashtë figura të larta politike dhe ushtarake të burgosura nga 15 deri në 27 vjet për mizoritë e kryera në Kosovë. Tani, ajo donte që lidershipi i Kosovës të ballafaqohej gjithashtu me drejtësinë.

Kështu në vitin 2015, Thaçi arriti t’i bindë mjaft ligjvënës që ta mbështesin themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të cilat do të ishin pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, por do të ishin me seli në Holandë dhe të punësuar tërësisht nga personeli jo-kosovar.

Parlamenti i Kosovës votoi me 82 në favor dhe 5 vota kundër, për amandamentimin e kushtetutës së Kosovës me qëllim themelimin e gjykatës, me 33 vota abstenimi.

Përgjatë pesë viteve të fundit, kjo gjykatë ka funksionuar në kompleksin/ndërtesën e saj të re prej 8 milionë eurosh në Hagë, të paguar nga qeveria norvegjeze, dhe me një buxhet total prej 150 milionë eurosh midis viteve 2016 dhe 2020 nga BE.

Ajo gjithashtu ka marrë fonde nga qeveria zvicerane, e cila në vitin 2018 dhe 2019 dhuroi mbi 180,000 euro për punë në terren në Kosovë, sipas raporteve të fundit vjetore të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Zyra e Prokurorit Special, krahu hetues i gjykatës, ka dorëzuar gjithsej shtatë aktakuza, të gjitha gjatë vitit 2020. Ato përfshijnë Thaçin dhe ish-kryeparlamentarin, Kadri Veseli.

Thaçi, i cili ishte president i Kosovës në kohën kur u ngrit padia kundër tij në muajin tetor, dha dorëheqjen dhe u dorëzua në Hagë, ku është duke qëndruar edhe aktualisht.

Pavarësisht se është themeluar nga parlamenti i Kosovës, gjykata është jashtëzakonisht jopopullore në Kosovë. Kjo Gjykatë shihet si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj një organizate ushtarake dhe politike që jo vetëm shpëtoi shumicën etnike shqiptare të Kosovës nga forcat e Sllobodan Millosheviqit dhe i dha fund një fushate brutale të spastrimit etnik, por hapi rrugën për një shtet të pavarur.

Ishte Thaçi ai që, në vitin 2008 si kryeministër, e çoi Kosovën drejt pavarësisë, dhe partia e tij, Partia Demokratike e Kosovës (DPK), dominohet nga ish-luftëtarët dhe udhëheqësit e UÇK -së.

UÇK-ja është pjesë legjendare e themelimit të shtetit kosovar.

Albin Kurti

Përkundër faktit se Albin Kurti erdhi në pushtet në mars të vitit 2021 në kundërshtim të drejtpërdrejtë me gardën e vjetër të dominuar nga UÇK-ja, të tillë sikurse Thaçi, kryeministri i ri i Kosovës ka pak konsideratë nda gjykatës në Hagë, duke deklaruar për Euronews në fillim të këtij viti se ai do të preferonte që rastet gjyqësore të mbaheshin në Kosovë.

Dhe, në muajin shkurt, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjyqtarja Ekaterina Trendafilova paralajmëroi se gjykata po përballet me përpjekje të shtuara nga brenda Kosovës për të penguar procedurat ligjore në vazhdim.

Në një transkript të një njoftimi konfidencial, të marrë nga Euronews, Trendafilova tha se tashmë po bëheshin përpjekje për të kundërshtuar ligjin që themeloi gjykatën në vitin 2015, dhe mund të përfshijë përpjekje ose për të falur të dënuarit për krime ose madje për ta parë të gjithë gjykatën – dhe të dhënat e saj të mëdha konfidenciale – të zhvendosur nga Haga, ku aktualisht është vendosur, në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.

“Kjo me siguri do të vë në rrezik jetën, mbrojtjen dhe sigurinë e njerëzve që kanë ose do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me ne. Ndryshime të tilla, sigurisht, do të kishin një efekt rrëqethës mbi dëshmitarët, të cilët mund të mos duan të paraqiten, duke e bërë të pamundur që Prokurori Special të vazhdojë me çështjet e tij”, tha Trendafilova.

Trendafilova, e cila është bullgare, paralajmëroi gjithashtu për sigurinë e dëshmitarëve që paraqiten në prokurori në rastet në vazhdim dhe u bëri thirrje vendeve evropiane ta marrin në konsideratë një “marrëveshje gjithëpërfshirëse bashkëpunimi” përmes së cilës marrëveshje dëshmitarët dhe familjet e tyre do të kishin mundësinë të zhvendosen në Evropë.

‘Klimë e frikësimit’

Gucati dhe Haradinaj kishin qenë kritikë ndaj gjykatës shumë kohë para konferencave të tyre famëkeqe për media në shtator të vitit 2020.

Në atë konferencë të parë, pretendimet e aktakuzës, dokumentet konfidenciale me emrat, adresat dhe numrat e telefonit të dëshmitarëve serbë, romë dhe shqiptarë etnikë, të përfshirë në rastet para gjykatës në Hagë, u bënë të njohura për publikun.

Një javë më vonë, më 16 shtator, Gucati dhe Haradinaj, mbajtën një konferencë tjetër për media, duke pretenduar se kishin marrë serinë e dytë të dokumenteve konfidenciale. Gjatë ditëve të ardhshme, këta dy burra pohuan publikisht se nuk e njihnin gjykatën speciale dhe se kishin për qëllim të pengonin punën e saj.

Më 22 shtator, Gucati dhe Haradinaj rrezikuan edhe më shumë përmës një konference të tretë për media, kur Gucati mbante në dorë një kopje të një dokumenti të rrjedhur, duke treguar logon e Dhomave të Specialuzura të prokurorit special. Dokumentet, të cilat përfshinin informacione konfidenciale të dëshmitarëve, u kapën më vonë nga policia e Dhomave të Specialuzura.

Në deklaratën e tij të 18 tetorit, Smith tha se veprimet e Gucatit dhe Haradinaj ishin pjesë e arsyes pse selia e gjykatës ishte e vendosur të jetë në Hagë – dhe jo në Kosovë – ishte për shkak të një “klime kërcënimi ndaj dëshmitarëve dhe ndërhyrjes në procese”.

“I akuzuari e njeh shumë mirë këtë histori dhe shpresonte të përdorte të njëjtën strategji këtu për t’i frikësuar dëshmitarët sepse një gjë e tillë kishte funksionuar në të kaluarën,” tha ai.

Gjyqi vazhdon.

Përgatiti: Nuhi Shala