Pas raportimit të KALLXO.com, Auditori konfirmon parregullsitë në konkursin për inspektorë tatimorë

Auditori i përgjithshëm ka konstatuar se procesi i rekrutimit të 20 inspektorëve tatimorë nga Administrata Tatimore e Kosovës është përcjellë me shumë paqartësi, parregullsi dhe anashkalim të procedurave.

Një vit me parë, KALLXO.com kishte raportuar se në mesin e 20 inspektorëve të punësuar kishte një numër të madh të atyre që kishin lidhje me partitë politike dhe lidhje familjare me zyrtar të lartë të ATK-së.

Pas gjetjeve për të punësuar politik, KALLXO.com zyrtarisht kishte kërkuar qasje në dosjet e të kandidateve dhe rezultatet e testimit mirëpo ATK kishte vendosur që të njëjtat ti mbajë sekrete.

Pasi ATK kishte mbyllur dyert për hulumtuesit tanë në këtë proces rekrutimi, Zyra Ligjore e KALLXO.com, ishte drejtuar tek Zyra Kombëtare e Auditimit me kërkesë që ky konkurs të kishte një auditim special.

Zyra Kombëtare e Auditimit në një raport të veçantë të Auditimit ka konstatuar se Administrata Tatimore e Kosovës gabimisht e ka hapur konkursin bazuar në rregulloren për shërbyesit civil.

“Mos aplikimi i rregullores së MF Nr. 01/2015 për Rregullat dhe Procedurat e Rekrutimit, Zhvillimit, Transferimit dhe Shkarkimi i Stafit të ATK-së. Konkursi i ATK-së ishte shpallur bazuar në rregulloren e MAP Nr. 02/2010 për procedurat e rekrutimit në shërbyes civil”, thuhet në raportin e Auditorit.

Tutje, Auditori ka thënë se ATK-ja si arsyetim kishte thënë se rregullorja e ministrisë së Financave ishte shfuqizuar.

“Kemi kërkuar edhe aktin e shfuqizimit te kësaj rregullore, por nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje nga ana e tyre, përderisa sipas zyrës ligjore të ZKA-së, kjo rregullore është ende në fuqi”, thuhet në konstatimet e Auditorit.

ZKA ka gjetur se komisioni përzgjedhës nuk i ka respektuar kriteret e konkursit pasi gjashtë kandidat që ishin përzgjedhur inspektor nuk i kishin të bashkangjitura referencat të cilat kërkoheshin me konkurs.

Përpos mungesës së referencave Auditorët kanë konstatuar se në dy raste kandidatet e kishin dëshmuar përvojën e punës vetëm përmes trustit dhe në dosjet e tyre mungonin kontratat e punës me të cilat do të dokumentoj se a kishin përvojë adekuate të punës si në kriteret e Konkursit.

Auditori ka gjetur edhe se një kandidat me datë 1 prill 2019 kishte paguar trustin pensional për tre vite dhe në dosjen e nuk figuronte ndonjë kontratë e punës për vetëm letër referencë.

“Në një rast kemi identifikuar se pagesa e trustit nga kompania për një kandidat sipas pasqyrës se trustit shihet se është bërë më 01.04.2019 për vitet 2016, 2017, 2018 dhe një pjesë të vitit 2019 prandaj komisioni edhe në këtë rast ka vlerësuar se kandidati i plotëson kriterin e përvojës dhe me ç’rast ka arritur pikët optimale për listë të ngushtë, në dosje nuk ka kontrate të marrëdhënies së punës, por vetëm letër referencë”, thuhet në raportin e Auditorit.

Përpos këtyre rasteve auditorët nuk kanë arritur që vlerësojnë nëse një kandidate ka pasur përvojë të mjaftueshme profesionale për tu zgjedhur inspektorë në ATK.

Në këtë konkurs kishte pas shumë ankesa nga kandidatët e pasuksesshëm, mirëpo ATK-ja i kishte refuzuar të gjitha si të paqëndrueshme.

Pas refuzimit të ankesave nga ATK-ja kandidatët, sic kërkohet me ligj, kishin parashtruar ankesa në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civil.

Por, siç përshkruhet në raportin e Auditorit, ankesat nuk kanë marrë përgjigje meqë KPMSHC-ja nuk ishte funksionale për shkak të mungesës së bordit.

“Menaxhmentin e ATK-së që të vazhdoj procedurat e shqyrtimit bashkë me KPMSHC dhe pas shqyrtimeve të përbashkëta, të nxjerrë konkluzionet dhe vendimet përfundimtare lidhur me rregullsinë e procesit dhe të merr masat përmirësuese nëse kjo kërkohet nga KPMSHC”, thuhet në rekomandimin e dhënë nga Auditori.

KALLXO.com kishte gjetur se në krye të komisionit për rekrutimin e stafit të ri të ATK-së ishte vendosur Ukshin Rrecaj i cili në të kaluarën kishte qenë themelues i degës së PDK-së në Mitrovicë,

Bashkë me Rrecajn, anëtar të komisionit për përzgjedhjen e inspektoreve ishin edhe Arben Istogu, Teuta Morina, Magbule Shala dhe Tatjana Bojkovic.

Gjatë vitit të kaluar KALLXO.com kishte raportuar se në procesin e përzgjedhjes së inspektorëve të kryesuar nga ish anëtari i PDK-së, ishin punësuar disa zyrtar që kishin lidhje me këtë parti.

Disa nga të punësuarit kishin lidhje direkte me Partinë Demokratike të Kosovës :

Kishte të punësuar edhe persona të afërm me partitë e tjera, përkatësisht AAK-në dhe LDK-në. Ishte punësuar Veton Ademi, ish-kandidat i AAK-së për asamblist të Drenasit në zgjedhjet e vitit 2017.  E punësuar si inspektore ishte edhe Ilona Osmani- Mrasori, motra e deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani .

Konkursi për inspektorët e rinj ishte shpallur në mars të vitit 2019, në këtë konkurs kishin aplikuar rreth 2,000 kandidatë.

Ky nuk është i vetmi konkurs i ATK-së, ku institucionet mbikëqyrëse e konsiderojnë si të parregullt.

Kjo pasi i parregullt ishte vlerësuar edhe procesi i punësimit të 30 inspektorëve të ATK-së, i cili ishte zhvilluar gjatë vitit 2017.

Në lidhje me këtë konkurse kishte vendosur edhe Gjykata e Prishtinës. Kjo Gjykatë e kishte cilësuar të kundërligjshëm procesin e përzgjedhjes së 30 inspektorëve tatimor.