Paratë e Kthimit i Ktheu për Vete e për Miqtë

Kur Auditori i Përgjithshëm kishte realizuar një auditim të përgjithshëm në Ministrinë e Komunitetit dhe Kthimit, në vitin 2006, kishte dalë se kontabiliteti i MKK-së kishte parregullsi. Në buxhetin e saj kishin mbetur edhe 1.1 milionë euro.

Kur i kishte parë këto rezultate, në atë kohë zyra e zëvendësit të parë të Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të bashkuara në Kosovë, kishte kërkuar që 1.1 milionët t’i transferohen Trupave të Mbrojtjes së Kosovës (TMK).

Por MKK-ja kishte njoftuar se paratë mungonin, pasi që gjoja i kishin harxhuar në ndërtimin e shtëpive për minoritarët e kthyer në Kosovë.

Pas kësaj, policia me sektorin për hetimin e krimeve ekonomike dhe kundër-korrupsionit realizon një bastisje në MKK dhe në Thesar, duke konfiskuar dokumente dhe kontrata që reflektonin renovimet që kushtuan 1.1 milionë euro.

Policia hetoi edhe në terren. Ajo shkoi në kompanitë që dyshoheshin dhe vizitoi vende të ndryshme për të parë nëse ishin realizuar renovimet dhe ishin përmbushur kontratat e ndërtimeve, të cilat MKK-ja kishte thënë se janë realizuar dhe se kontraktuesit ishin paguar respektivisht..

Policia nuk gjeti renovimet apo ndërtimet e përmendura në kontratat e shumta që ishin “kompletuar” nga kontraktuesit e angazhuar nga MKK-ja.

Nga hetimi Policia gjen se nga 1.1 milionët e munguar, kontratat e gjetura dhe shënuara kapin vlerën mbi 600 mijë euro.

Secili kontraktues në polici ka pranuar se nuk ka bërë punën e përmendur në kontratë, por në vend të kësaj ata ishin drejtuar nga personeli i MKK-së që të bëjnë punë tjetër duke përfshirë këtu renovimin e apartamentit të Nemanja Vujoviqit, ish-shef i prokurimit në MKK, dhe renovimin e apartamentit ku jetonin prindërit e tij, restorant “Tropicana” në Laplje Selo si dhe projekte të tjera.

Po ashtu, ishte renovuar shtëpia në emrin e Pavles, babait të ish-ministrit të MKK-së, Sllavisha Petkoviq dhe një shtëpi ishte ndërtuar për mikeshën e afërt të ish-ministrit Petkoviq, Marina Dimitrijevic, e cila punonte në UNMIK.

Një shtëpi tjetër ishte ndërtuar për Miroslav Trajkoviqin i njohur si Teca, punëtor në MKK.

Pas hetimeve, Prokuroria Speciale e Kosovës, në gusht të 2010-së ngrehë aktakuzë kundër Sllavisha Petkoviqit, ish-ministër në MKK, Branislav Grbiq, ish-sekretar permanent dhe ish-ministër në MKK, Nemanja Vujovic, ish punonjës në logjistik dhe ish-shef i prokurimit në MKK dhe më vonë zëvendës ministër në Ministrin e Shëndetësisë.

Muhamet Sadiku, i njohur si Piraci, pronar i firmave të ndërtimit 3 Labi dhe Art -Piraci, Ruzhdi Prebreza pronar i firmave të ndërtimit N.N.P. Era-M dhe Projekti Grup, Ismet Hasani pronar i firmës së ndërtimit N.N. Valoni, Rifat dhe Fidan Sadiku (babë e birë) pronarë të firmave të ndërtimit N.P.Sh. Riar-Alfisi dhe Riar, Shemsi Haliti pronar i firmës  së ndërtimit N.N.T. Brezi Kufitar, Gani Zeneli pronar i një firme ndërtimi N.Sh. Atdhetari dhe Driton Hamiti pronar i një kompanie për përpunimin e drurit N.N.P. Diti, po ashtu akuzohen.

Kundër dy ish-ministrave Petkoviq e Gribiq rëndojnë akuzat për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, shpërdorim, mashtrim në detyrë, falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe falsifikim i dokumenteve. Të gjitha veprat, pos atë të shpërdorimit të pozitës ose autorizimit, i kishin kryer në bashkëkryerje me të pandehurit e tjerë.

Nemanja Vujoviq, pos që akuzohet për të gjitha ato vepra penale, ngarkohet edhe për marrje të ryshfetit nga Ruzhdi Prebreza, i cili akuzohet për dhënie të tij.

foto  
Ilustrim: mkk-ks.org  

 

Sipas aktakuzës, të pandehurit kishin vepruar në bashkëveprim për t’i kryer veprat penale. Ata kishin shfrytëzuar ligjin e prokurimit ku për kontratat deri në 10 mijë euro nuk kërkohej të hapej tender. Të gjitha faturat e kontratat e gjetura si të shpërdoruara, kishin shumat afër 10 mijë euro ose më pak se aq.

Se kontratat dhe faturat ishin false sipas aktakuzës tregon marrja në pyetje e më shumë se 20 dëshmitarëve, kryesisht zyrtarë komunalë që merren me çështjet e minoriteteve. Ata kanë treguar për organet e ndjekjes se asnjë projekt nuk është realizuar në komunën e tyre. Të njëjtit organeve iu kanë thënë se edhe kanë paraqitur kërkesa për ndërtim e renovim shtëpish në MKK, por se asnjëherë kërkesat e tyre nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

Sipas aktakuzës, Nemanja Vujovic në atë kohë si shef i prokurimit nënshkruante kontratat për ndërtim ose renovim të shtëpive të të kthyerve, por nuk specifikonte emrat dhe adresat se ku ishin kryer punët. Ai përmes këtyre veprimeve donte të legjitimonte paratë që janë dhënë për ndërtimin e shtëpive dhe renovimin e shtëpive të babait të ministrit Petkoviq, shtëpinë e nënës së tij, restorantin “Tropicna”, shtëpinë e Marina Dimitrijeviq e të tjera. Këto kontrata nënshkruheshin me të pandehurit e tjerë nga firmat e ndërtimit.

Këto kontrata e fatura nënshkruheshin e pranoheshin vetëm për ti përmbushur kërkesat ligjore. E i pandehuri Ruzhdi Prebreza kishte deklaruar se Nemanja i kishte thënë që të ekzekutonte kontrata dhe fatura për punë që nuk ishin kryer. Ai i kishte thënë Prebrezës që pasi t’i merrte paratë nga Thesari i Kosovës, përmes bankës t’i jepte atij 6 mijë euro. Prebreza kishte vepruar ashtu siç Nemanja e kishte udhëzuar.

Në aktakuzën e prokurores Maria Bamieh, që është protokolluar më 14 prill 2012 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, thuhet se ministri Petkoviq ishte plotësisht në dijeni për shpenzimet e buxhetit. Ai ishte në dijeni se edhe për renovimin e shtëpisë së tij, atë të punëtorëve si Nemanja Vujovic, Ensa Rexhepi dhe punëtores së UNMIK-ut Marina Dimitrijeviq.

Në aktakuzë po ashtu thuhet se edhe ish-sekretari pernament dhe ish-ministri Gribiq ishte në dijeni për projektet që po ndërmerreshin. Ai kishte detyrë t’i nënshkruante pagesat dhe të shikonte nëse procedura ndiqej sipas ligjit. Ai ka qenë në detyrën e mbikëqyrësit të Nemanja Vujoviqit dhe sipas aktakuzës ai mendohet se ka urdhëruar nënshkrimin e kontratave të falsifikuara.

Aktakuza specifikon edhe keqpërdorimin e faturave nga shefi i prokurimit, Vujoviq. Sipas një tabele të paraqitur në aktakuzë, shihet bilanci i gjendjes në kohën sa Vujoviq ishte shef i prokurimit në MKK-së. Aty paraqiten përshkrimet e kontratave të dyshimta e shuma e të cilave shkon në 433,110.00 euro.

Përkundër se ishte dashur të kontrollohen dhe të mbikëqyren punët që ishin kryer, nga aktakuza del se asnjëra nga kontratat e dhëna nuk ishin mbikëqyrur ose kontrolluar nga MKK-ja.

Firma N.N.P. Diti në MKK kishte paraqitur faturat e datave 28 qershor deri 31 korrik 2006 duke përfituar gjithsej 47,311.00 euro, dhe atë për rindërtimin e katër shtëpive si dhe një kontratë mbi 9 mijë euro pa ndonjë përshkrim të projektit. E njëjta firmë kishte përfituar plus 21,312.24 euro në një kontratë tjetër e cila nuk kishte përshkrim.

Firma Era-M, më 20 qershor të 2006-së kishte dorëzuar në MKK faturat për realizimin e kontratave. Dy kontratat për renovim shtëpish kishin vlerën totale prej 18,043.80 eurove. Projekti Grup, me pronar të njëjtë si ajo e Era-M, kishte përfituar edhe katër kontrata të tjera dhe për ato faturat mbanin datat nga 24 deri me 26 qershor të 2006-së, vlera e përgjithshme e të cilave ishte 38,006.25 euro. Totali i përfituar nga Ruzhdi Prebreza, si pronar i këtyre firmave ishte 56,050.05 euro.

3-Labi, ishte firma tjetër që kishte përfituar tri kontrata për rindërtim shtëpish në disa vende. Faturat për këto kontrata mbanin datën nga 17 deri në 21 qershor 2006, ndërsa vlera totale e faturave ishte 17,428.75 euro. Firma tjetër e ndërtimit, Art Piraci, në MKK kishte dorëzuar fatura të datave 26 e 27 qershor 2006 për kompensimin në katër projekte që kishin të bënin me renovimin dhe rindërtimin e shtëpive. Vlera e faturave ishte 39,072.84 euro. Të dy firmat kishin të njëjtin pronar dhe shuma totale ishte 56,501.59 euro.

Firma e ndërtimit Atdhetari kishte fituar katër projekte dhe në MKK kishte sjell faturat e datave në mes 21 qershorit dhe 7 gushtit të 2006-së. Sipas faturave, firma kishte përfituar 37,999.05 euro.

Valoni, ishte një tjetër  firmë fituese e tenderëve në MKK. Valoni kishte dorëzuar fatura nga data 15 qershor deri më 31 korrik të 2006-së me një vlerë totale 105,127.40 euro. Kjo firmë kishte fituar 11 projekte të rindërtimit të shtëpive anë e mban Kosovës.

Ndërmarrja Brezi Kufitar në MKK kishte paraqitur fatura nga data 16 qershor deri 31 korrik të 2006-së, vlera e të cilave ishte 41,522.85 euro. Këto ishin fatura për pesë projekte.

Përfituesi më i madh ishte Riar-Alfisi, e cila nga MKK-ja kishte përfituar 15 projekte të renovimit, rindërtimit dhe restaurimit të shtëpive në disa pjesë të Kosovës. Faturat e paraqitura nga kjo firmë në MKK ishin nga datat 18 korrik deri 31 korrik të 2006-së, vlera totale e të cilave ishte 145,494.36 euro.

Të gjithë të pandehurit nga firmat e ndërtimit para prokurorisë dhe para policisë kishin deklaruar se për vlerat që i kanë marrë edhe aq kanë kryer punë, por që punët për ta i ka caktuar Ministria e jo sipas kontratave dhe faturave.

Në javën e fundit, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, është mbledhur sërishtë kolegji i gjykatësve për këtë rast. Të pandehurit së bashku me mbrojtësit e tyre janë paraqitur në seanca, por asnjë nga seancat nuk është mbajtur, kjo për shkak të mungesë së dëshmitarëve të prokurorisë. Dëshmitarët e prokurorisë gjenden në Mal të Zi dhe në Serbi e të njëjtit nuk kanë vullnet të vijnë për të dëshmuar.

Kolegji i gjykatësve ka caktuar seanca edhe për muajin tetor, ku janë ftuar prapë të njëjtit dëshmitarë, ndërsa kryetari i kolegjit ka kërcënuar prokuroren se nëse nuk do të paraqiten dëshmitarët atëherë gjykata do të vazhdojë më tutje.