Paratë e Blerjes Vijnë nga Ishujt Cayman

Qeveria e Kosovës më 12 prill të këtij viti duhej të vendoste mes dy ofertave për blerjen e shumicës së aksioneve të ndërmarrjës publike të telekomit të nxjerra në shitje para pesë vitesh.

Ofertat vinin nga kompani që kanë krijuar njësi të tyre në vende që konsiderohen si parajsa tatimore dhe qendra të krijimit të kompanive  “offshore”. 

Kabineti i ministrave vendosi për ofertën e kompanisë gjermane e cila thotë se paratë i siguroi nga një entitet i saj me bazë në “Cayman Islands” që gjendet në Karaibe.

ACP Axos Capital Gmbh mposhti në garë M1 International Limited me bazë në British Virgin Islands po ashtu një vend që gjendet në Karaibe.  Kompania është pjesë e M1 Group që ka zyre në Liban e Londër.
 
Në tenderin e parë Komiteti për Privatizimin e PTK-së po priste ofertat e dy kompanive që ishin më të njohura në krahasim me ofertusit në tenderin e dytë që kanë njësi në vende që konsiderohen si “parajsa tatimore”.

Telecom Austria e Deutsche Telecom kishin mbetur të fundit në garë.

Por, tenderi u anulua pasi ishte tërhequr Deutsche Telecom duke arsyetuar vendimin e me faktin se krerët e ndërmarrjës publike të telekomit në Kosovë – Rexhë Gjonbalaj kryetar bordi dhe Shyqri Haxha shef ekzekutiv – akuzoheshin për korrupsion.

“Aranzhimet financiare nga Axos Cayman për transaksionin e PTK-së, në vlerë prej mbi 250 milionë dollarësh, janë kontrolluar dhe miratuar gjatë procesit të parakualifikimi. Jan Budden

Megjithatë, qeveria vendosi të shesë 75 për qind të aksioneve të PTK-së në këmbim të shumës prej 277 milionë eurosh të ofruar nga “ACP Axos”.

Oferta është për miliona euro më e ulët sesa pragu minimal i paracaktuar nga Qeveria e Kosovës më 2010. Ish-ministri i ekonomisë Ahmet Shala para deputetëve kishte pohuar se Qeveria nga shitja e aksioneve të  PTK-së priste një shumë nga 300 deri në 600 milionë euro. 

Konkurrenti i saj, ku ka hise kryeministri libanez Najib Mikati, M1 International Limited ofroi vetëm 150 milionë euro.

Në garë në tenderin e dytë kishte qenë edhe Albright Capital Menagment që udhëhiqet nga ish-sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright. Kompania ishte tërhequr nga gara vitin e kaluar.

ACP Axos Capital Partners, kompani kjo me seli në Hamburg, udhëheqës i konsorciumit që po blen 75 për qind të aksioneve në PTK, është duke i siguruar së paku 250  milionë dollarë për financimin e kësaj blerjeje përmes një entiteti të saj në Cayman.

Jan Budden, drejtor menaxhues i ACP Axos Capital Partners, e zbuloi këtë gjatë një interviste për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai ngul këmbë se çdo gjë është legjitime.

Budden tha se ACP Axos Capital kontrollon një entitet të quajtur Axos Cayman, i cili ka shërbyer si vegël për investime që nga viti 2007.

Ai tha se financime në Axos Cayman janë bërë edhe nga DCM, një firmë për kapital investues, dhe Columbia Capital, e cila më parë ishte në konsorcium me ACP Axos në tenderin për PTK-në.

Budden tha se ACP Axos ishte tërësisht transparente me zyrtarët e Kosovës sa i përket aranzhimit të financimit përmes kompanisë “offshore”.

“Aranzhimet financiare nga Axos Cayman për transaksionin e PTK-së, në vlerë prej mbi 250 milionë dollarësh, janë kontrolluar dhe miratuar gjatë procesit të parakualifikimit”, tha Budden.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik e cila udhëhoqi privatizimin refuzoi të diskutojë çështjen e financimit të blerjës së aksioneve të PTK-së nga ACP Axos.

Ministri Besim Beqaj po ashtu refuzoi të intervistohej për procesin e privatizimit të shumicës së aksioneve të ndërrmarrjës publike të telekomit.

MZHE-ja në një përgjigje të mëhershme pohoi se të dy ofertuesit kishin plotësuar kriteret teknike e financiare. Ministria që udhëhoqi procesin e privatizimit të PTK-së thotë se nuk mban përgjegjësi nëse ofertuesit kanë dorëzuar ndonjë dokument që përmban informata mashtruese.

“Ofertuesit shprehimisht kanë pranuar mundësinë e sanksioneve penale ose civile dhe gjobave për dorëzimin e ndonjë dokumenti ose deklarate, me dashje ose pa dashje, që përmban informata të gabueshme ose mashtruese”, thuhet në përgjigjen e MZHE-së.

Ministria nuk pranoi të ofrojë dokumentet që dorëzoi konzorciumi fitues.

Subjekti opozitar Vetëvendosje publikoi dokumente të faqës zyrtare të regjistrimit të biznesit në Gjermani ku thuhej se kompania Axos Capital kishte një kapital themelues në vlerë prej vetëm 25 mijë eurosh dhe se nuk kishte pasur qarkullim të madh viteve të fundit.

 

 

“Ofertuesit shprehimisht kanë pranuar mundësinë e sanksioneve penale ose civile dhe gjobave për dorëzimin e ndonjë dokumenti ose deklarate, me dashje ose pa dashje, që përmban informata të gabueshme ose mashtruese. MZHE

 

ACP Acoss tha se Vetëvendosja botoi të dhëna të një kompanie tjetër me zyrë në të njëjtin abjekt dhe që është përdorur prej saj vetëm për “disa shërbime administrative”.

“Ky proces është ende në procedurë dhe autoriteti kontraktues ka kufizime ligjore dhe nuk mundet tani që të zbulojë dokumentet – disa prej të cilave edhe mund të kenë kufizime në kuptim të konfidencialitetit – përderisa të mos ketë përfunduar procesi i tenderimit”, thuhej në përgjigjen e MZHE-së.

Sipas kësaj ministrie, të gjitha kontratat dhe dokumentet tjera do të jenë të qasshme për publikun pas nënshkrimit të kontratës mes konzorciumit fitues e Qeverisë së Kosovës.

Kontrata mes palëve pritet të nënshkruhet më 16 qershor të këtij viti. 

Qeveria po shet 75 për qind të aksioneve në Vala e Telekom, dy njësi biznesi të PTK-së, duke ruajtur vetëm 25 për qind. Njësia postare do të mbetet 100 përqind në pronësi publike. 

Operimi i bizneseve në ishujt Cayman

Me mijëra kompani nga e tërë bota operojnë entitete në ishujt Cayman. Ky territor britanik në zonën e Karaibeve nuk imponon tatim në të hyra të korporatave dhe nuk i bën publike madje as informatat bazike të kompanive, siç janë emrat e drejtorëve të kompanisë.

Ishujt Cayman u kanë mundësuar kompanive që të operojnë me entitete të cilat kryesisht janë të themeluara në letër, për t’iu shmangur tatimeve miliardëshe, duke i kanalizuar profitet e veta përmes entiteteve të tilla vartëse.

Kjo praktikë është e zakontë – duke qenë se shumë korporata të mëdha botërore, përfshirë Microsoft dhe Exxon Mobile, përdorin aranzhime të tilla me kompani “offshore”.

Por ishujt Cayman dhe qendrat tjera të financimit “offshore” gjithashtu janë shfrytëzuar për qëllime shumë më të dyshimta.

Kompania energjetike amerikane, Enron, i kishte shfrytëzuar ishujt Cayman për të fshehur keqpërdorimet e veta.

“Por ishujt Cayman dhe qendrat tjera të financimit “offshore” gjithashtu janë shfrytëzuar për qëllime shumë më të dyshimta.

Si pasqyrim i mungesës së transparencës në ishuj, në regjistrin e bizneseve atje gjenden vetëm informatat bazike: emri i kompanisë, lloji i kompanisë, data e regjistrimit dhe formimit, numri i regjistrit dhe adresa e tij. Për marrjen e informatave të tilla nga regjistri duhet paguar rreth 28 euro. 

Regjistri i bizneseve të Ishujve Cayman nuk liston një kompani me emrin “Axos Cayman”.

Në të megjithatë gjendet Axos Limited.

Axos Limited, i krijuar në vitin 2007, është me adresë të regjistruar në një firmë të quajtur Campbells Corporate Services Limited, e cila është e specializuar për t’i siguruar kompanive të huaja prani në Ishujt Cayman.

Kur Budden i ACP Axoss-it u pyet nga gazeta se a është Axos Cayman të cilin ai e përmend i regjistruar si Axos Limitted, ai tha se për shkak të ndjeshmërisë nuk dëshiron të komentojë.

Shefi i Axos nuk tregon se nga kush i morri paratë 

Lëvizja opozitare Vetëvendosje shprehu dyshime  lidhur me vendimin e Qeverisë që transferoi aksionet tek konzorciumi i udhëhequr nga kompania me bazë në Hamburg.

VV-ja dyshon se ACP Axos mund të jetë thjeshtë paravan për interesa të dyshimta vendore.

Lideri i kësaj lëvizje Albin Kurti pohoi se biznesmenë lokalë të afërt me pushtetin janë pjesë e blerjës së aksioneve të PTK-së.

Ai bëri me gisht kah një kompani që fiton tenderë nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Kurti tha se bëhej fjalë për kompaninë “Zhugolli”.

Zhugolli është mbiemri i pronarit të kompanisë “Eco Trade” e cila fitoi dhjetëra miliona euro nga KEK-u.

Mehdi Zhugolli thotë se Kurti nuk kishte përmendur emrin e tij e as të kompanisë së tij.

Sipas tij, Kurti mund të jetë i informuar për mundësinë e ekzistimit të një kompanie të quajtur “Zhugolli”.

Thotë se vetë nuk është i informuar nëse ekziston një e tillë.

Kurti më vonë në një opinion të tij pohoi se bëhej fjalë pikërisht për një apo më shumë kompani të vëllëzërve Zhugolli të cilët janë biznesemnë të afërt me pushtetin që kanë fituar miliona prej prokurimeve publike të KEK-ut.

Kurti tha se vëllëzërit Zhugolli po shpërlajnë milionat e përvetësuara pas luftës dhe se privatizimi i PTK-së do të mbahet mend si “shpërlarja e shekullit”.

Budden i mohoi pretendimet e tilla.

“Reagimet negative në media dhe mes disa politikanëve bëjnë që investuesit e huaj të kenë më pak interes për të ardhur në Kosovë,” tha Budden.

Ai tha se kompania i përmbahet në mënyrë strikte Ligjit për Praktikat Korruptive Jashtë Vendit.

“Në këtë transaksion nuk ka pasur dhe nuk ka korrupsion. Populli i Kosovës duhet të jetë krenar që përfundimisht ka fituar një investitor si ne”, shtoi Budden.

Edhe pse Budden ka deklaruar se ACP Axos “nuk është paravan për ndonjë investues nga Ballkani”, ai dha informata të pakta për burimet e financimit.

“Struktura përfundimtare është duke u vlerësuar me partnerët tanë në investim, bankat dhe këshilltarët tatimorë. Paratë do të vijnë nga investues nga SHBA-të dhe Europa”, tha Budden.

Budden, nga ACP Axos, tha se PTK-ja e re do të udhëhiqet nga Prishtina, me ndihmën e Telecom Italia dhe BT Group nga Britania. Kompania ka theksuar se do të krijojë 1000 vende pune, pjesërisht përmes qendrave të thirrjeve të cilat do t’u shërbejnë kompanive jashtë Kosovës.

Carlo De Martino përgjegjës i Zyrës për Komunikim me Publikun në “Telecom Italia” konfirmoi se kompania është duke e këshilluar Axos-in.

Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi përgjigje nga baza e British Telecom në Londër.

Boris Kapke menaxher i Zyrës për Komunikim me Publikun i degës së British Telecom në Gjermani konfirmoi se dega e kompanisë britanike në Poloni ka ofruar shërbime këshilluese për “ACP Axos Capital Gmbh”, e cila udhëheq konzorciumin që është shpallur blerës i PTK-së.

Ai konfirmoi se kompania do të vazhdojë të ofrojë shërbime konsulente edhe në të ardhmen për kompaninë gjermane “Axos”.

“Ne aktualisht jemi duke punuar me Axos-in për të definuar fushëveprimin e saktë të punës”, tha Kapke.

ACP Axos, me seli të regjistruar në një shtëpi në Hamburg, ofertoi për PTK-në në konsorcium me Najafi Companies, një firmë private investuese amerikane.

 

 

“Ne aktualisht jemi duke punuar me Axos-in për të definuar fushëveprimin e saktë të punës. Boris Kapke

 

Najafi, që nuk deshi të flasë për Gazetën Jeta në Kosovë, është një kompani mjaft e mbyllur e cila deklaron se “bën investime tejet selektive në kompani me ekipe të fuqishme menaxhuese në industri të ndryshme, shpesh në fusha që karakterizohen me ndryshime të shpejta teknologjike”.

Në muajin shkurt, Najafi bleu operatorët europianë Cinram të cilët prodhojnë disqe Blu-Ray, CD dhe DVD.

“Ne e kemi njohur Najafin për një kohë të gjatë – dhe është një investitor i mirë nga SHBA-të”, tha Budden.

“Ata duhet ta lënë Cayman-in”

Andrea Capussela, ish-udhëheqës për çështje ekonomike në Zyrën Ndërkombëtare Civile (eng. ICO), thotë se përdorimi nga Axos i një kompanie me bazë në Cayman do të bëjë të pamundur për të ditur se kush janë pronarët realë të shumicës së aksioneve në PTK.

“Ata  (Axos) duhet ta lënë Cayman dhe të përdorin një kompani që është e inkorporuar në një juridiksion që garanton transparencë. Pikë së dyti, duhet dhënë më shumë informacion për ofertën e dytë dhe shtyrjen e fundit”, thotë ai.

Capussela dyshon se oferta që humbi është vënë vetëm sa për të lejuar që procesi i shitjës të ecë para pasi që, sipas tij,  me vetëm një ofertë privatizimi do të duhej të anulohej.

“Shqetësimi që kam unë për procesin është mungesa e konkurrencës: vetëm dy oferta dhe një prej tyre është pothuajse sa gjysma e ofertës që fitoi. Gjithashtu, është prezantuar pas një shtyrje të fundit, pasi shtypi raportoi se vetëm një investitor ishte i interesuar”, thotë Capusela.

Ish-shefi i Njësisë për Ekonomi në ICO  thotë se çmimi prej 242 milionë (277 minus 35 milionë kesh në kompani) nuk është aq i ulët sa duket.

“…çmimi është i ulët. Por, ndoshta nuk është jashtë mase i ulët. Fakti që është kaq i ulët i duhet atribuar kryesisht mënyrës se si është menaxhuar PTK-ja që nga viti 2008”, thotë ai.

Capussela thotë se PTK-ja përballej me probleme dhe se Kosova nuk ka arritur të ndërtojë një klimë të mirë për investime.

“…çmimi është i ulët. Por, ndoshta nuk është jashtë mase i ulët. Fakti që është kaq i ulët i duhet atribuar kryesisht mënyrës se si është menaxhuar PTK-ja që nga viti 2008. Andrea Capussela

“I referohem, në veçanti, kontratës Dardafon, që mund të largojë përfitimet nga kompania: kjo është arsyeja pse ajo kontratë dëmtuese është në fokus të një rasti korrupsioni”, thotë ai. 

Më 2008 Postë-Telekomunikacioni i Kosovës kishte nënshkruar kontratë me Dardafone, një konzorcium i Devolli Group dhe Unitel-it me bazë në New York.

Në lidhje me të, në qershor 2011 prokurori Joachim Stollberg nxori aktakuzë me dyshime kundër Rexhë Gjonbalajt e Shyqri Haxhës, kryetarit të bordit dhe kryeshefit të PTK-së, si dhe ndaj Blerim e Shkëlqim Devollit nga “Devolli Group”.

Gjonbalaj e Haxha dyshoheshin për hyrje në kontrata të dëmshme dhe abuzim të detyrës zyrtare. Devollët akuzohen për mashtrim, kontrata të dëmshme, abuzim me besimin, falsifikim të dokumenteve dhe krim të organizuar.

Capusela thotë Qeveria e Kosovës veproi arsyeshëm kur vendosi të pranojë edhe oferta të investitorëve financiarë e jo vetëm oferta të investitorëve industrialë që merren me telekom.

Ky veprim mund të rriste konkurrencën por, sipas tij, kjo nuk ndodhi në rastin e Kosovës.

“Problemi, sidoqoftë, është se justifikimi kryesor pse u pranuan kompani me kapital investues u rrëzua menjëherë kur pati kaq pak konkurrencë”, thotë Capusella.