Para koalicionit, VV dhe LDK ende 'përplasen' për pozitën e kryeministrit

Përderisa Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë duke zhvilluar takime përmes grupeve punuese, për përafrimin e programeve të tyre drejt mundësisë për bashkëqeverisje, zyrtarë të këtyre dy partive janë përfshirë në polemika sa i përket pozitës së kryeministrit.

Ndonëse zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit e nxorën të parën VV-në me kandidatin për kryeministër Albin Kurti, për ta renditur të dytën LDK-në me kandidate për shefe të qeverisë Vjosa Osmanin, nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri ka deklaruar  se “ajo që është e qartë është se emri i kryeministrit kalon nëpër zyre të LDK-së!”

Tashmë dihet që asnjë parti s’mund ta formojë qeverinë e vetme sepse sistemi zgjedhor në Kosovë nuk e mundëson këtë. Ky…

Publiée par Lutfi Haziri sur Samedi 2 novembre 2019

Në anën tjetër, të shpejta kanë qenë edhe reagimet nga ana e VV-së, zyrtarë të së cilës nuk e kanë kontestuar se udhëheqja e qeverisë u takon atyre.

Kandidati për deputet nga radhët e VV-së, Hekuran Murati ka thënë se këto deklarime “nuk i bëjnë nder një partie që pretendon të jetë institucionaliste e shtetformuese”, duke aluduar në LDK-në.

Lidhur me këto zhvillime, analisti politik Artan Murati vlerëson se deklaratat e Hazirit nuk paraqesin asgjë të re, e të cilat jo domosdo paraqesin qëndrimin e LDK-së.

“Në prononcimet e tij, z. Isa Mustafa si lider i partisë është më i matur në qëndrime. Po ashtu, zonja Vjosa Osmani ka shprehur gatishmëri të vazhdueshme për bashkëpunim me VV. Ekipet e ashtuquajtura teknike veçse janë në proces të punës, andaj konsideroj që këto deklarata nuk duhet të merren shumë seriozisht dhe puna të vazhdojë me seriozitetin maksimal për të arritur koalicionin e shumëpërfolur mes LDK dhe VV”, është shprehur Murati për Gazetën Jeta në Kosovë.

Analisti tutje konsideron që është e panevojshme të diskutohet rreth asaj se kush duhet të nominojë kandidatin për kryeministër.

“VV i ka fituar zgjedhjet, dhe si fituese i takon që të ketë mandatarin për krijimin e qeverisë së re. Faktin se kush duhet të jetë kryeministër e ka përcaktuar populli i Kosovës më 6 tetor. Ndonëse devijimi i vullnetit popullor dhe lojërat politike për pozitën e Kryeministrit tanimë janë bërë të rregullta në Kosovë, ky trend duhet të ndryshojë. Pavarësisht preferencave politike dhe dëshirave të ndryshme, rezultati i zgjedhjeve është i qartë”, ka thënë Murati.

VV dhe LDK deri më tani kanë mbajtur katër takime, me siç thonë ata ekspertë të fushave të ndryshme të të dyja subjekteve, ku mes tjerash kanë diskutuar për numrin e ministrive, ekonominë, drejtësinë e tema të tjera.

Pas takimeve të grupeve punuese, përfaqësues të tyre janë shprehur për një bashkërendim qëndrimesh dhe pajtueshmëri në shumë pika qeverisëse.

Deklarata te stilit “qe s’e shutoj une penallin, e marr topin e shkoj ne shpi”, nuk i bejne nder nje partie qe pretendon…

Publiée par Hekuran Murati sur Dimanche 3 novembre 2019

 

Analisti politik Artan Murati thekson se energjia e të dy subjekteve politike duhet të fokusohet në krijimin e programit të përbashkët qeverisës dhe të finalizojnë koalicionin pas certifikimit të zgjedhjeve.

“Ajo çfarë është e rëndësishme tani është që që të dy subjektet, VV dhe LDK, të vazhdojnë bashkëpunimin e nisur për të krijuar koalicionin e ri qeverisës”, ka theksuar ai për Gazetën JnK.

Ndërkaq, pavarësisht që vikendin e kaluan me polemika, përmes rrjeteve sociale, në ditën e parë të punës së kësaj jave, delegacionet e LDK-së dhe Vetëvendosjes janë bërë bashkë për të diskutuar për mundësinë e formimit të koalicionit.

Pjesë e këtij takimit të pestë me radhë ishin edhe Lutfi Haziri i LDK-së dhe Besnik Bislimi e Albulena Haxhiu të VV-së.

VV-LDK bëhen bashkë pas polemikave të vikendit

Qytetarët e Kosovës i janë drejtuar kutive të votimit më 6 tetor 2019, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj me 19 korrik të këtij viti.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese e zgjedhjeve, pasuar nga LDK-ja, duke e renditur të tretën PDK-në.