Paqe me Gra

Çmimi Nobel për Paqe 2011 do të ndahet nga tri gra. Komiteti Norvegjez i Nobelit nderoi sot Tawakkul Karman, Ellen Johnson dhe Leymah Gbowee, për betejën e tyre jo të dhunshme, në sigurinë për gratë dhe për të drejtat e grave në pjesëmarrje të plotë në ndërtimin e paqes.

“Nuk mund të arrijmë demokracinë dhe paqen afat-gjate në botë, nëse gratë nuk kanë mundësitë e njëjta sikur burrat, për të ndikuar zhvillimet në të gjitha nivelet e shoqërisë”, thuhet në arsyetimin për ndarjen e çmimit.

Johnson është presidentja e parë femër e zgjedhur me vota demokratike në Afrikë. Gbowee ka mobilizuar gratë e të gjitha etnive dhe besimeve në Liberi, për t’i dhënë fund luftës atje. Kurse Karman ka pasur rolin kyç në betejën për të drejtat e grave dhe për paqe e demokraci në Jemen.