Paqartësia e BE-së për Kosovën në metodologjinë e zgjerimit të bllokut evropian

Nën kritikat se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet “t’i kryejnë detyrat e shtëpisë” që të jenë pjesë e mekanizmave evropiane, Bashkimi Evropian është duke punuar në atë që quhet ‘metodologjia e zgjerimit të bllokut’.

Megjithëkëtë, duket se dy prej vendeve të Ballkanit Perëndimor do të kenë mundësi “më të shpejtë” drejt aspiratave evropiane. Bëhet fjalë për Malin e Zi dhe Serbinë. Kosova në anën tjetër, sipas raportimeve nuk është përmendur zyrtarisht për progresin e mundshëm në ecjen drejt BE-së.

Njohës të integrimeve evropiane dhe zhvillimeve politike në Kosovë, kanë pikëpamje të ndryshme rreth kësaj metodologjie të re të BE-së dhe qasjen ndaj Kosovës.

Para disa ditësh, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se në BE janë duke vazhduar përgatitjet që Mali i Zi dhe Serbia të përfshihen në metodologjinë e re të zgjerimit të bllokut, që ishte miratuar në shkurt të vitit 2020.

Siç raporton REL, në një dokument të brendshëm, të përgatitur nga Komisioni Evropian për shtetet anëtare, janë paraqitur hapat përmes së cilave Mali i Zi dhe Serbia do të përfshihen në këtë metodologji.

“Në parim, metodologjia e re aplikohet ndaj shteteve, të cilat, në kohën e miratimit të saj, nuk kishin nisur negociatat e anëtarësimit, në këtë rast Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Por, që prej se ishte miratuar kjo metodologji ishte thënë se edhe këto dy shtete mund të përfshihen në këtë metodologji të re ‘me kusht që edhe ato të pajtohen me këtë’”, thuhet në këtë artikull.

Sipas raportimit, metodologjia e re e zgjerimit parasheh grupimin e disa kapitujve në një tërësi dhe hapjen dhe mbylljen e tyre në të njëjtën kohë. Po ashtu, parashihet edhe dinamizmi i kontakteve politike, por edhe fokusimi më i madh në kapitujt që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.

Në këtë dokument po ashtu, thekson REL, propozohet që Mali i Zi dhe Serbia nuk mund të mbyllin asnjë kapitull të ri negociues, nëse nuk vërtetohet se i kanë përmbushur të gjitha kushtet kalimtare nga kapitujt 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me gjyqësorin, të drejtat themelore dhe rendin e ligjin. Po ashtu, këta kapituj do të mbyllen vetëm në fund të procesit.

Tutje thuhet se në këtë dokument, në rastin e Serbisë përmendet kusht edhe progresi në normalizimin e raporteve me Kosovën, në kuadër të dialogut të cilin e lehtëson BE-ja.

“Në rastin e Serbisë, progresi në normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve me Kosovën mbetet element kyç, në përputhje me kornizën negociuese për Serbinë”, thuhet në dokument, citon REL.

KALLXO.com, të mërkurën më 17 mars, i ka dërguar pyetje me shkrim Zyrës së BE-së në Kosovë, për të marr përgjigje se pse Kosova nuk përmendet në këtë metodologji, edhe pse procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve përfshinë Kosovën, ashtu si edhe Serbinë?.

Në po të njëjtën ditë, Zyra e BE-së në Kosovë, në një përgjigje me shkrim, pos që ka bërë të ditur se ka pranuar pyetjet, deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer ndonjë përgjigje tjetër.

Lidhur me këto çështje, analistja politike Donika Emini thotë për KALLXO.com se BE ende është në faza të hershme të përpilimit të metodologjisë së re e cila nga kapitujt e kthen procesin e integrimit në BE në faza – duke e vënë atë të sundimit të ligjit si top prioritet për BE-në dhe fazë me rëndësi të veçantë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas Eminit, nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia dhe Mali i Zi janë në proces të negocimit për anëtarësim në BE.

“Andaj, pikërisht për këto dy vende ka pasur dilema se a do të vazhdojnë me metodologjinë e vjetër apo do të ndryshojnë atë në mes të rrugës. Këto dy vende kanë treguar vullnet politik që të ndryshojnë metodologjinë, gjë që ende nuk dihet se si do të procedohet tash e tutje në këtë drejtim. Duke qenë si vende në proces, normalisht që nga BE u është dhënë rëndësi e veçantë, kjo për shkak edhe të kompleksitetit për përshtatje të metodologjisë së re”, theksoi ajo.

Sa i përket vendeve në pritje për negociata, Emini shton se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë gjithashtu vende të cilat pritet të aplikojnë metodologjinë e re.

“Kurse për Bosnjën e Hercegovinën dhe Kosovën, duke qenë se të dyja vendet kanë të ardhme të paqartë në BE dhe ende nuk janë afër hapjes së negociatave, teknikisht nuk u është dhënë rëndësi në këtë fazë”, shprehet ajo.

Mirëpo, mos përmendja e Kosovës, sipas Eminit, megjithatë çon mesazh që BE-ja ende është e paqartë në raport me procesin e zgjerimit me Kosovën.

“Edhe pse në proces dhe me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të nënshkruar tashmë, BE heziton të tregoj vullnet politik në raport me Kosovën, kjo reflektohet gati se në secilin dokument ku qartazi thuhet që për Kosovë gjërat do të lëvizin kur rrethanat të lejojnë duke iu referuar dialogut me Serbinë dhe mos-njohjet e pesë vendeve të BE-së, si pengesa politike në këtë drejtim”, vlerëson analistja.

Sipas Eminit, deri tash Kosova shihet vetëm përmes “procesit të Dialogut dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit – procese të dyja që nuk janë menaxhuar aspak mirë nga Kosova dhe për të cilat BE ka pasur qasje të vakët politike”.

Pak më ndryshe mendon drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha. Ai vlerëson se Metodologjia e re e zgjerimit do të aplikohet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë uniforme, përfshirë Kosovën.

“Pra, BE-ja nuk ka qasje përjashtuese ndaj Kosovës apo cilit do vend të Ballkanit Perëndimor”, tha ai në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com.

Shasha ka shtuar se në shkurt të vitit 2020, Komisioni Evropian publikoi metodologjinë e re për procesin e zgjerimit, e në cilën Komisioni Evropian sqaroi se ajo do aplikohet për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që ende nuk kanë filluar procesin e negociatave të anëtarësimit.

“Pra, me fjalë të tjera për Bosnjën, Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sa i përket Serbisë dhe Malit të Zi, Komisioni Evropian në atë kohë tha se ato mund të përfshihen në metodologjinë e re me dakordimin e tyre”, thekson ai.

Në këtë kontekst, Shasha thotë se në ndërkohë duket se Serbia dhe Mali i Zi kanë shfaqur interesim që metodologjia e re e zgjerimit të aplikohet edhe në procesin e tyre negociator.

“Rrjedhimisht është e pa saktë të thuhet se Serbisë dhe Malit të Zi i është ofruar rrugë më e shkurtër për në BE. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do kanë një rrugë të vetme të anëtarësimit në BE, në përputhje me metodologjinë e re të zgjerimit të shkurtit 2020”, konkludon njohësi i integrimeve evropiane.