Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

Paniku nga rritja e çmimeve rrezikon të pengojë tranzicionin e energjisë në Ballkanin Perëndimor

Politikëbërësit rajonal po bëjnë një gabim, nëse po përdorin rritjen e çmimeve të energjisë në BE për të justifikuar një angazhim të vazhdueshëm për lëndët djegëse fosile dhe për të devijuar nga angazhimet drejt një energjie të rinovueshme.

Kriza energjetike në Evropë po përcjell një mesazh të qartë në mbarë botën: varësia nga lëndët djegëse fosile duhet të marrë fund.

Rritja e vazhdueshme e çmimeve të gazit që nga janari 2021, e nxitur nga kërkesa në rritje dhe një furnizim i kufizuar, kanë bërë që çmimet e energjisë elektrike të rriten.

Dume u përgatitur për dimrin, furnizuesit e mëdhenj si Rusia, po i japin përparësi tregjeve të tyre të brendshme. Nga ana tjetër, kjo i ka lënë vendet evropiane si Italia dhe Spanja, në një pozicion shumë të pasigurt pasi këta të fundit mbështeten shumë te gazi për të plotësuar nevojat e tyre të brendshme për prodhimin e energjisë elektrike.

Ndërsa gazi i prodhuar nga fosilet përbën vetëm 20 për qind të energjisë elektrike të Evropës, termocentralet me gaz po rrisin çmimin e energjisë elektrike, falë kërkesës më të lartë, furnizimeve të ulëta me energji të rinovueshme dhe rritjes globale të çmimit të qymyrit.

Por, prodhimi i energjisë nga burimet me zero emetim karboni ka ulur kostot e kësaj krize dhe ka kufizuar faturën e përgjithshme të gazit në BE në 7 miliardë euro, në vend të 33 miliardë eurosh të mundshme.

Ky duhet të jetë një paralajmërim i qartë për vendet që konsiderojnë të mbështeten te gazi si lëndë djegëse ose që synojnë të zgjasin përdorimin e qymyrit nga ana e tyre.

Kostoja e vërtetë e energjisë elektrike është e fshehur

Në gjysmën e parë të vitit 2021, çmimet e energjisë elektrike në Ballkanin Perëndimor ishin relativisht të ulëta, duke filluar nga 0.0605 euro në Kosovë deri në 0.0980 për kËh në Serbi, shumë nën mesataren e BE-së prej 0.2192 euro për kËh.

Prodhimi i energjisë elektrike në Ballkanin Perëndimor mbështetet kryesisht në termocentralet me qymyr. Kjo flotë e vjetruar dhe joefikase impiantesh është përgjegjëse për shumicën e emetimeve të gazeve serrë në sektorin e energjisë, duke përbërë 75 për qind të emetimeve të përgjithshme të gazeve serrë në rajon.

Për më tepër, këto termocentrale janë në përputhje as me kufijtë e tyre të ndotjes kombëtare, duke emetuar sasi vdekjeprurëse lëndësh ndotëse helmuese, si SO2, deri në gjashtë herë më shumë se limitet kombëtare.

Politikëbërësit në rajon po përdorin çmimet e larta të energjisë që po prekin BE-në për të justifikuar angazhimin e tyre të vazhdueshëm në përdorimin e lëndëve djegëse fosile në rajon, duke pretenduar se energjia elektrike e prodhuar në vend nga impiantet e qymyrit është arsyeja kryesore pse kriza e energjisë nuk ka ndikuar – ende – në çmimet e brendshme.

Ndërsa kjo mund të jetë e vërtetë, në një farë mase, ajo është shumë ndryshe nga realiteti. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha së fundi se ndërsa çmimet e energjisë elektrike me shumicë në treg janë të larta, kostoja e energjisë elektrike për qytetarët serbë është e ulët, për shkak të subvencioneve. Kjo tregon qartë se kostoja e vërtetë e qymyrit në Serbi dhe Ballkanin Perëndimor është e fshehur.

Ndërsa Vuçiç i sheh subvencionet për qymyrin si një masë mbrojtëse, kostoja e tyre ka rënduar drejtpërdrejt qytetarët serbë me vite. Nga viti 2015 deri në vitin 2019, kostoja totale e subvencioneve direkte për sektorin e qymyrit në Serbi ishte 388.11 milionë euro. Qytetarët e të gjithë rajonit, përveç Shqipërisë, e cila nuk ka qymyr në përzierjen e saj të energjisë, paguan 662.91 milionë euro.

Një tjetër kosto që liderët e Ballkanit Perëndimor nuk e faktorizojnë në koston reale të biznesit të qymyrit, është kostoja për shëndetin.

Analizat e fundit tregojnë se kostot e vlerësuara për shëndetin publik në vitin 2020 nga termocentralet me qymyr varionin nga 6 miliardë në 12.1 miliardë euro. Kjo kosto përballohet jo vetëm nga qytetarët e Ballkanit Perëndimor, por edhe nga BE-ja, për shkak të natyrës ndërkufitare të ndotjes nga impiantet e qymyrit.

Tranzicioni i ngecur i energjisë elektrike

Traktati i Komunitetit të Energjisë i lidh ligjërisht të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, si Palë Kontraktuese, në përpjekjet për të ndërtuar një treg pan-evropian të energjisë.

Ky Traktat, deri më tani, ka qenë forca shtytëse e tranzicionit të energjisë në rajon, sepse nëpërmjet tij shtetet e Babllkanit Perëndimor angazhohen ta fusin acquis legjislativ përkatës të BE-së në legjislacionin kombëtar. Në këtë drejtim, Ballkani Perëndimor është zotuar të bashkëpunojë midis vendeve të tij dhe BE-së.

Rëndësia e këtij Traktati është mbështetur më tej me nënshkrimin e Deklaratës së Sofjes për Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor në vitin 2020, në të cilën shtetet e Ballkanit Perëndimor u angazhuan për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2050, si kontribut i tyre në arritjen e Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së.

Megjithatë, Gjurmuesi i fundit i Tranzicionit të Energjisë Elektrike tregon se Ballkani Perëndimor ka mbetur pas në përpjekjet e tyre për tranzicionin e energjisë.

Ndërsa BE-ja ka vendosur një sistem rregullator, EU ETS, në emetimet e saj, vendet e Ballkanit Perëndimor ende nuk kanë një mekanizëm për t’i vënë një çmim karbonit, gjë e cila do t’i detyronte ndotësit e mëdhenj të mjedisit të paguajnë për emetimet e tyre.

Emetimet e përllogaritura të CO2 nga rajoni do të përbëjnë 1.2 miliardë euro me mesataren e çmimit ETS të BE-së për vitin 2020. Kjo po shtrembëron fushën e lojës së barabartë midis tregjeve të energjisë elektrike të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke vendosur ndërprerje të mëtejshme në integrimin e tregut.

Ka ende shumë punë për të bërë në krijimin e kushteve, dhe çlirimin e potencialit për efikasitet dhe kursim të energjisë, dhe rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme.

Një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet prezantimit të politikave dhe masave brenda Planeve Kombëtare të Energjisë dhe Klimës, një dokument-plan dhjetëvjeçar që vendet në rajon të arrijnë nivele ambicioze të reduktimit të gazrave serrë deri në vitin 2030, si dhe objektiva të besueshme përsa i përket çështjes së energjisë së rinovueshme.

Rritja e prodhimit të qymyrit nuk është zgjidhja e duhur

BE-ja aktualisht po kërkon zgjidhje afatshkurtra dhe afatmesme për të kufizuar ndikimin e rritjes së çmimeve të energjisë tek familjet dhe bizneset për dimrin e ardhshëm, duke identifikuar masa për të siguruar elasticitetin dhe fleksibilitetin e sistemit energjetik të BE-së.

Është e qartë që burimet e rinovueshme, të cilat kanë kosto të ulët operative dhe nuk kanë kosto karburanti, janë zgjidhja e vetme.

Ndërsa rritja e prodhimit të qymyrit për këtë dimër mund të duket si një lloj shpëtimi për të shmangur rritjen e faturave të energjisë elektrike për qytetarët, këtu duhet të marrim në konsideratë edhe subvencionet e mëdha dhe kostot shëndetësore dhe varësia nga lëndët djegëse fosile duhet të marrë fund.

Paqëndrueshmëria dhe mosbesueshmëria e gazit fosil thekson rëndësinë e tranzicionit të pastër dhe të drejtë të energjisë, jo vetëm nga perspektiva mjedisore, por edhe për efikasitetin e kostos, për shkak të subvencioneve të larta dhe humbjeve të fitimit që përjetojnë kompanitë e shërbimeve në rajon.

Është koha që Ballkani Perëndimor të përqafojë teknologjinë, të përkushtohet ndaj strategjive dhe planeve të tij të politikave dhe të përdorë zgjidhjet e tregut për të vënë në rrugën e duhur tranzicionin e tij energjetik – për të mirën e qytetarëve të tij- dhe kështu të qëndrojë në rrugën drejt dekarbonizimit deri në vitin 2050./Reporter.al

Autori Viktor Berishaj është Koordinator i Politikave të Energjisë dhe Klimës për Evropën Juglindore në Rrjetin për Veprimi Klimatik (CAN) Europe.

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.