Paneli Zgjedhor Lejon Përdorimin e Posterëve B2

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të enjten i dha përgjigje pozitive ankesës së Koalicionit Vakat.

Vakat-i u ankua në PZAP më 28 maj, ditën e parë të fushatës kundër vendimit të KQZ-së për ndalimin  e posterëve të formatit B2.

Rasim Demiri, kryetar i Vakat-it i tha Gazetës Jeta në Kosovë ditën e ankesës se ky subjekt tashmë ka porositur posterë të këtij formati për fushatën.

“Ne kemi kërkuar nga KQZ-ja t’i pranojë këta posterë (B2) ose të na i kompensojë paratë e shpenzuara për posterë”, tha Demiri.

KQZ-ja vendosi të ndalojë posterët e dimensioneve 500 me 707 milimetra me arsyetimin e mbrojtjes së ambientit. Këtë vendim, institucioni që organizon zgjedhjet e mori pasditen e së martës shtatë-tetë orë para se të niste fushata zgjedhore.
 
Neni 44, paragrafi 1, pika b e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme përcakton se subjektet politike kanë të drejtë të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore.

Pikërisht në këtë nen dhe në këtë pikë të ligjit bazohet edhe vendimi i PZAP-it për lejimin e posterëve.

“Në kuptim të nenit 44, par 1, pika b të LZP-së… subjektet politike kanë të drejtë të publikojnë dhe shpërndajnë afishe çfarëdoqofshin ato, pa ndonjë kufizim përkitazi me madhësinë”, thuhet në vendimin e PZAP-it që ankesën e Vakat-it e konsideron të bazuar.

Rasim Demiri, drejtues i Koalicionit “Vakat” u shpreh i kënaqur që “PZAP-i miratoi ankesën e Vakatit dhe që posterët e madhësisë B2 përsëri mund të shtypen”.

Por ai u ankua se pas vendimit të KQZ-së subjekti që ai drejton ka pësuar humbje materiale, pasi është dashur të porosisë material të ri zgjedhor pa formatin e ndaluar të posterëve, ndërkohë ë posterët  B2 tashmë i kishte porositur.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se institucioni që drejton do ta respektojë vendimin e PZAP-it.

“Ne e respektojmë vendimin e PZAP-it, pasi ai ka vendosur të anulojë vendimin tonë për ndalimin e publikimit të posterëve të formatit B2”, tha Valdete Daka, duke shtuar se vendimet e tilla nuk interpretohen.

Vendimin e PZAP-it e kundërshtoi Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën”- që organizon grumbullimin e mbeturinave anembanë vendit më 24 maj.

“Është e pakuptueshme që PZAP-i të marrë një vendim të tillë kur dihet për dëmin e madh që do t’i bëjnë natyrës  mijëra posterë që do të ngjiten gjithandej vendit tonë…ka qenë shumë më e dobishme të mbetet në fuqi vendimi i KQZ-së”, thuhet në reagimin e kësaj iniciative.

45 mijë qytetarë morën pjesë në aksionin e para gjashtë ditëve të kësaj iniciative duke hequr 305 deponi. 

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi të mërkurën për Partinë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) që vendosi posterë edhe të formatit B2 në Prizren, përkundër vendimit të KQZ-së që ndalonte ata. 

Gazetarë të Jetës në Kosovë nga terreni raportojnë se subjektet politike menjëherë kanë filluar të vendosin posterët që tash i lejon PZAP-i.