Pandemia, testimi dhe gjendja e sistemit shëndetësor, flet drejtori i ShKSUK-së

Lirimi i masave kundër pandemisë COVID-19 që në fillim të muajit të kaluar, ka bërë që numri i pacientëve të cilët kanë kërkuar trajtim mjekësor pas simptomave për coronavirus të rritet.

Deri më sot që nga 13 marsi i këtij viti në Kosovë janë regjistruar 2 mijë e 878 të infektuar me coronavirus. Nga ky numër, 1 mijë e 577 janë shëruar ndërsa janë shënuar edhe 51 viktima.

KALLXO.com  ka intervistuar Drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Basri Sejdiu i cili dha detaje në lidhje me menaxhimin e fluksit të madh të pacientëve dhe trajtimit të tyre.

 

“ Është një numër apo një fluks më i madh i pacientëve pas lirimit të masave kundër pandemisë. Kjo ka qenë një ngarkesë, deri para 2 apo 3 ditëve kemi pasur deri në 130 pacientë në Klinikën Infektive mes tyre edhe ata pacientë që s’kanë pasur simptoma edhe ata persona që kanë tentuar të realizojnë testime. Kjo ka qenë mbingarkesë e Klinikës Infektive “ka thënë Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu.

Ai shton se kanë arritur që të krijojnë hapësira të tjera përveç Klinikës Infektive për të trajtuar të prekurit me COVID-19 të cilët janë në gjendje të rëndë.

“Këto ditë kemi marrë vendim për zgjerimin e kapaciteteve në Qendrën e Mjekësisë Sportive, të i kemi së paku 500 shtretër në QKUK, nëpër spitale regjionale kanë fillu kanë reflektu kanë kriju reparte infektive, kanë pacientë të shtrirë. Situata është e menaxhueshme nuk ka vend për panik por normal duhet të kemi kujdes të shtuar në bazë të rekomandimeve. Masat e thjeshta e ndalojnë rritjen e të infektuarve por edhe japin komoditet edhe në trajtim, kur ke pacientë më pak trajtohen më lehtë dhe më mirë”, shton Sejdiu.

Duke pasur parasysh që infermierët e mjekët janë të parët të cilët janë të ekspozuar nga rreziku i mundshëm i infektimit nga pacientët me coronavirus, një shifër të saktë e të prekurve nga stafi mjekësor nuk e ka drejtori Sejdiu.

Kjo pasi që sipas tij, statistikat ndryshojnë çdo ditë.

“Shifra e saktë nuk dihet, edhe sot disa mjek apo infermierë kanë rezultuar pozitiv por kemi informata të tilla se, nga analizat që janë bërë, një staf ka dalë që ka kalu më herët këtë sëmundje dhe tani janë me antitrupa të shtuar. Ka raste që janë trajtu janë mjeku dhe më pas, stafi që ka qendror  në izolim janë kthyer në punë të mjekuar. Ka sepse nuk mund të themi që të gjithë janë infektuar në hapësirat ku punojnë por shumicën e rasteve kemi nga spitale private, por lirimi i masave i ka këto, ka qenë e pritshme që do të kemi numër të shtuar të pacientëve që kanë nevojë për trajtim në QKUK”, thotë ai.

Drejtori Sejdiu tregon edhe për pajisjet e duhura për të trajtuar pacientët me coronavirus, ndërsa shton se të njëjtat pajisje kanë ndihmuar shumë.

“Mund ta them me krenari që puna që është bërë, nuk mund të them që bëhet për 1 ditë, janë krijuar këto dy vitet e fundit që është blerë enorm numër i pajisjeve, monitor, ultrazë, pajisje bazike që tani i kemi në shërbim dhe tani po na ndihmojnë shumë. Kemi ventilator, kemi hemodializë me procedura të përshpejtuara, kemi pajisje që na mundësojnë të kemi trajtim shumë profesional ndaj pacientëve. Qendrën e Mjekësisë Sportive e kemi të mbushur me të gjitha pajisjet e nevojshme për të trajtuar të gjithë pacientët. Kjo është njëra ndër ndihmesat më të mëdha që kemi, kemi pasur donacione vendore dhe ndërkombëtare na kanë ndihmuar për pajisje, materiale specifike e këto të gjitha kur bashkohen mendoj që jemi në pozicion të mirë”, shton Drejtori Sejdiu.

Ai flet edhe për planin mjekësor para rasteve të para të konfirmuara për coronavirus në Kosovë.

“Është në kontroll dhe është detyrë e jona që të i përshtatemi situatave të reja. Qysh në fillim të pandemisë nëse nuk kishim menduar për shtim të pacientëve kishim mbetur vetëm me kushtet që i kemi pasur. Plani që kemi bërë para rasteve të para, me procedura të përshpejtuara, e kemi krijuar mjekësinë sportive, e kemi pesëfishuar numrin e shtretërve dhe tërë këto ndikojnë. Edhe për staf ri-organizimi i punës na ndihmon ta menaxhojmë sa më mirë”, tha ai.

Në lidhje me stafin mjekësor dhe nevojën e tyre, drejtori Sejdiu thotë se punësimi i mjekësve në Kosovë është i domosdoshëm.

“Vazhdimisht ka pasur zëra që ka nevojë për shtim të mjekëve infermierëve, por rritja e vëllimit të punës dhe kapaciteteve dhe shërbimeve, shumë shërbime janë bërë 24 orësh, këto kërkojnë staf shtesë. Rekrutimi i stafit shëndetësor në sistemin tonë shëndetësor është gjeja më e vlefshme. Mbyllja e kufijve na len me kuptu që të gjithë kanë nevojë për sistem shëndetësor vendor, e mira tjetër është që nëse ne punësojmë sa më shumë mjek do të ndalojmë migrimin e mjekëve e infermierëve jashtë e të i shfrytëzojnë të tjerët kur këtë mundësi e kemi tani”, shton drejtori Sejdiu.

Në prill të këtij viti, pra në kohën kur Ministrinë e Shëndetësisë e drejtonte Arben Vitia, ishte hapur tender në tri llote për 60 respirator të tri llojeve të ndryshme.

Kjo kontratë ka afat 5 muajsh dhe është zhvilluar me procedurë të negociuar pa publikim paraprak të kontratës.

Sipas dokumentacionit në e-prokurim, kjo ministri kishte planifikuar që këta respiratorë të bliheshin në tri lote: 20 Respiratorë me lagështues në lotin e parë, 10 Respiratorë transportues me rregullatorë të oksigjenit për bombolë si dhe konektorë të murit në lotin e dytë dhe 30 Adult, Pediatric Ventilator me lagështues. Ministria ka anuluar lotet 1 dhe 2 për shkak të ofertuesve të papërgjegjshëm.

Ndërsa për shkak të anulimit, Ministria e Shëndetësisë kishte planifikuar të blejë 30 respiratorë në shumën prej 749 mijë eurove nga operatori ekonomik ‘Interlab Sh.P.K.’, përmes kontratës “Furnizim Emergjent me aparatura medicionale -Ventilator (respiratorë) për mbrojtje nga Corona-Virusi”.

Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu thotë se ende nuk kanë pranuar këta respirator.

“Ende nuk kanë ardhur këto mjete, por kemi pasur donacione të respiratorëve nga BE. Disa janë në procedurë të ardhjes. Të gjithë janë 120 respirator në QKUK, por ka edhe rreth 500 respirator që janë vënë në dispozicion nga spitalet private. Kemi respirator në Qendrën e Mjekësisë Sportive, ende nuk janë të shfrytëzueshëm edhe në Spitale Regjionale do të ndihmohen me respirator në rast  nevoje”, tregon Sejdiu.

Sejdiu komentoi edhe deklaratat e Ministrit të tashëm të Shëndetësisë, Armend Zemaj i cili tha se nuk ka mbingarkim të klinikave me pacientë.

“Edhe ministri Zemaj edhe unë këtu në menaxhim, kemi edhe komitetin, diskutohen tema dhe situata. Mund të them se në plotni është në kontroll. Shihet stafi që është i lodhur pesë muaj punë intensive 24 orëshe, edhe në urgjencë edhe në Klinikë infektive. Edhe në Emergjencë ka pas mbingarkim për shkak të ndalimit të rasteve dhe të gjithë pacientët janë drejtuar emergjencës, për një vikend rreth 600 pacientë i kanë pasur. Edhe Klinika e Pulmologjisë është e mbingarkuar, por kjo mbingarkimi me pacient nuk është njëjtë sikur me i trajtu 30 pacient sikur 110 sepse kërkon mjekim permanent dhe kërkojmë staf vazhdueshëm për infermierë. Kemi bërë kërkesë që edhe prej klinikave tjera me staf që të mos ngec shërbimi”, shton ai.

Ai shton se vazhdimisht po punohet për të krijuar hapësira të reja për trajtim të pacientëve me coronavirus.

“Dalja jashtë kontrolleve sikurse ka ndodhur në vendet në rajon, për shembull me u trajtu në korridore, te ne të gjithë janë duke u trajtuar brenda hapësirave të spitaleve shpresoj që të mos kemi mbingarkim që të mos mund të ofrojmë shërbim. Mirëpo jemi duke punuar në atë drejtim që të krijojmë edhe hapësira të tjera por jo duke shkaktuar panik”, tregon tutje ai.

Sejdiu shton në fund të intervistës së sistemi shëndetësor është shumë i rëndësishëm dhe duhet të trajtohet dhe të mbështetet si i tillë.

“Ne edhe para pandemisë, e kemi menduar në këtë drejtim dhe kemi ngritur disa shërbime në atë nivel që njerëzit kanë para mjaft por s’kanë kohë që të trajtohen. E kemi shembullin e projektit të infarktit për dy orë. Mendoj që nuk ka qenë pa mjete materiale dhe kjo është shembull që tregon që të gjithë qytetarët duke fillu nga politika, duhet të mendojmë që ngritja e sistemit shëndetësor edhe tash në këtë situatë, stimulimi i stafit mjekësor, mjek, infermierë, punësimi i tyre krejt këto kur ti mbledhësh është një shpërblim i madh të cilin do ta hetojmë secili, që shëndeti është mbi të gjitha dhe ne të gjithë duke filluar nga aspekti personal e familjar, e dimë që gjëja më e dhimbshme është kur kemi familjar të sëmurë por gjëja me e shenjtë është kur kemi mundësi me i ndihmu. Shëndetësia e fortë për 2 milion qytetar të Kosovës do të thotë pasuria më e madhe për të gjithë”, përfundon drejtori Sejdiu.