Foto: KALLXO.com

Pandemia përkeqëson besimin ndëretnik në Kosovë

Pandemia e koronavirusit vë në pah faktin se sa larg njëri-tjetrit janë serbët dhe shqiptarët e Kosovës.

 

Në fillim të pandemisë COVID-19, kur Serbia ndërmorri masat e orës policore si përballje ndaj përhapjes së mëtejshme të koronavirusit, këshilltarët lokalë etnikë serbë në qytetin e Mitrovicës në veri të Kosovës fqinje e ndjekën këtë shembull.

Kjo pjesë e populluar kryesisht nga serbët e Kosovës ishin të një mendjeje me Serbinë për shumicën e çështjeve që kur Kosova u shkëput nga Serbia pas luftës së viteve 1998-99 dhe madje edhe pasi ish-krahina  e shpalli pavarësinë në vitin 2008. Pandemia nuk është diç më ndryshe.

Pra, ndërkohë që serbët në veri të Mitrovicës së ndarë etnikisht kishin urdhër të qëndronin brenda shtëpive të tyre ndërmjet orëve 17:00 deri në orën 05:00 të mengjesit të së nesërmes, shqiptarët në jug ishin të lirë të lëviznin.

Por nëse kjo nuk ishte konfuze mjaftueshëm, kur Serbia ndryshoi orarin e orës policore, serbët në Mitrovicë e mbajtën orarin e tyre të pandryshuar. Po kështu, Serbia, Kosova dhe Mitrovica e Veriut të gjitha ndërmorrën masa të ndryshme në lidhje me shkollat, dyqanet dhe institucionet publike, duke duke i vënë në konfuzion banorët lokalë, të pasigurt se cilat rregulla duhet zbatuar dhe me autoritetet lokale duke u përpjekur që t’i zbatojnë ato. Shumë nga ata në veri të cilët rezultojnë Pozitiv nga testet e bëra përfundojnë së trajtuari në Serbi, jo në Kosovë.

Ndërkohë që veriu i Kosovës i ka rezistuar prej kohësh integrimit në shtetin me shumicë shqiptare, autoritetet në Prishtinë gjithashtu, janë akuzuar se kanë bërë vetëm përpjekje të pjesshme në terren. COVID-19 ka vënë në pah se sa larg njëra-tjetrës qëndrojnë të dyja palët.

“Nuk ka asnjë lloj bashkëpunimi,” tha Doktor Zlatan Elek, ushtrues i detyrës së drejtorit të Qendrës Spitalore Klinike në veri të Mitrovicës.

Aleksandar Antonijeviç, epidemiolog në Institutin e Shëndetit Publik në veri, pajtohet. “Ne nuk kemi ndonjë bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik të Kosovës, madje as në mënyrë joformale,” i tha ai BIRN.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës për ndonjë koment mbi këtë storie.

Pas një rritjeje të konsiderueshme të shkallës së infeksionit në mesin e muajit korrik, autoritetet e katër komunave kryesisht serbe të veriut të Kosovës përsëri iu nënshtruan një ore policore mes orëve 21:00 dhe orës 05:00 të mëngjesit së ditës së nesërme, prapëseprapë në pjesën tjetër të Kosovës nuk kishte orë policore.

Nemanja Nestorovic, banor serb i Mitrovicës së Veriut i cili punon si zëvendës drejtor në ‘Community Building Mitrovica’, CBM, një OJQ lokale me qendër në pjesën jugore të qytetit, tha se pandemia u dha të dy palëve një mundësi për të ndërtuar “një qasje të unifikuar, strategji dhe veprim të përbashkët. ”

Në vend të kësaj, ai tha, fillimi i pandemisë u shënua me “konfuzion dhe frikë” rreth asaj se cilat masa duhet të ndiqen.

Rezultatet pozitive nga testet e bëra në veriun e Kosovës dhe të dhëna të tjera të ndërlidhura me COVID-19 u inkorporuan në statistikat kombëtare serbe, jo në Kosovë, ndërsa shumica e pacientëve u trajtuan në Serbi, duke reflektuar faktin se sistemi shëndetësor publik në veriun e Kosovës vazhdon të funksionojë si pjesë e vetë Serbisë.

Zyrtarët në veri të Mitrovicës thanë për BIRN se që nga fillimi i pandemisë ka pasur pak ose aspak komunikim midis qeverisë së Kosovës në Prishtinë dhe komuniteteve etnike serbe në Kosovë në lidhje me pandeminë.

Ndërkohë, serbët janë bombarduar me informacione të pakoordinuara dhe ndonjëherë konfliktuale në lidhje me virusin nga Serbia, Kosova dhe zyrtarët lokalë në veri të Mitrovicës.

“Sinqerisht, si banor, nuk jam i kënaqur me bashkëpunimin midis institucioneve të Kosovës dhe Serbisë,” deklaroi Dushan Milunovic, këshilltar lokal në veri të Mitrovicës. Ai akuzoi të dy palët për “politizim” të kësaj çështjeje.

Njëjtë, edhe Milena Pilipovic, mësuese e sociologjisë në një shkollë të mesme në veri të Mitrovicës, tha se ajo kishte mbetur në kofuzion të plotë. 

“Nuk jam e kënaqur me mënyrën në të cilën funksionuan sistemet shëndetësore, qoftë ai në Prishtinë apo në veri,” tha Pilipovic.

“Me sa di unë, në përputhje me ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve, të gjitha nivelet në sistemin shëndetësor kanë obligim ta informojnë Institutin e Shëndetit Publik të Kosovës për numrin e infeksioneve.”

Nestoroviç tha se një krizë e tillë duhet të kishte nxitur bashkëpunimin. Në vend të kësaj, shtoi ai, “nuk jam i sigurt që bashkëpunimi ka ekzistuar fare.”

 

Ky botim është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e BIRN dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.