Ndertim ne Prishtine foto REL AFP

Pandemia mund ta ‘rrënojë’ biznesin e ndërtimeve

Biznesi i ndërtimeve në Kosovë, veçanërisht në Prishtinë, është zhvilluar shumë në 10 vitet e fundit. Në secilën pjesë të Prishtinës vërehen skele dhe vinça duke e shndërruar kryeqytetin në një punishte të vërtetë. Trendi i ndërtimit edhe këtë vit ka vazhduar me dinamikë të njëjtë, porse u ndërpre përkohësisht nga pandemia.

Në pamje të parë duket si një mundësi e shkëlqyer për zhvillim ekonomik dhe çdo ekspert i ekonomisë mund të vërtetojë se sektori i ndërtimit është njëri ndër bartësit kryesor të zhvillimit ekonomik. Por, kjo me kusht që kërkesa për banesa është e përafërt me ofertën në treg, gjë për të cilën mungojnë informatat e sakta.

Në teori, për të vazhduar kompanitë ndërtimore që të merren me sukses me biznesin e ndërtimit të banesave kolektive, duhet që të kenë likuiditet. I bie që trendi i ndërtimeve duhet të përcillet me shitjen e tyre. Meqenëse trendi i ndërtimeve të banesave kolektive nuk ka të ndalur, jepet përshtypja që kompanitë qëndrojnë mirë me likuiditet apo kanë biznese tjera përmes të cilave e mbështesin ndërtimin.

Megjithatë, nëse e shohim mënyrën e funksionimit të tyre shihet që ka pak qarkullim të KESH-it dhe shumë më shumë shkëmbim mallrave dhe shërbimeve në mes të bizneseve të ndryshme. Kështu pronarëve të tokave u jepen banesa në kundërvlerë të tokës, ndërsa njëjtë veprohet edhe me nën-kontraktorët tjerë duke u ofruar banesa në vend të shërbimit apo mallit. Për shembull, firmave që instalojnë ngrohje qendrore u ofrohen banesa në vend të parave. Njëjtë ndodh edhe me firma tjera të instalimit të rrymës, ujësjellësit, ashensorëve, etj.

Ky zinxhir i funksionimit të një numri të madh të bizneseve- sado që deri tash ka bërë që të mbahet në këmbë ky sektor- në vete përmban edhe një risk shumë të madh. Ky risk aktualisht vjen direkt nga efektet e mundshme të pandemisë, përkatësisht rënia e shitjeve të banesave, sepse blerësit potencialë po ashtu janë goditur nga pandemia dhe është krijuar ndjenja për të kursyer. Kjo rënie e shitjeve mund të vijë nga disa faktorë.

Faktori i parë dhe më i rëndësishmi është rënia e të hyrave për shumë qytetarë të Kosovës, sidomos atyre që punojnë në sektorin privat. Faktori i dytë, është reagimi i bankave duke i vështirësuar kushtet e dhënies së kredive për klientët që punojnë në sektorin privat. Në rënien e shitjes së banesave mund të ndikojë edhe diaspora, qoftë për shkak se është prekur nga pandemia në vendet ku punojnë apo kufizimet për lëvizje të lirë në mes të shteteve.

Nëse likuiditeti, pra shitja e banesave, nuk e përcjell as për së afërmi trendin e ndërtimeve atëherë ky sektor mund të rrënohet apo të shpërthejë si një balon. Një skenar i tillë do të ketë pasoja të mëdha në tërë ekonominë e Kosovës dhe mund të shkaktojë pasiguri sociale, meqë do të ndikohen kompanitë e ndërtimit por edhe nën-kontraktorët e tyre. Në këtë skenar do të mbijetojnë vetëm një numër i vogël i kompanive të cilat kanë edhe aktivitete tjera por edhe të cilat janë të forta ekonomikisht.

Këtu shtrohet një pyetje shumë me rëndësi – çka më tutje, sepse nuk ka dyshim që pandemia do të ketë pasoja afatgjate në tërë fushën e gjerë të ndërtimit e sidomos në sektorin e ndërtimit të banesave kolektive dhe kërkohet ndihmë nga shteti.

E para që duhet të bëhet është një analizë e mirëfilltë e sektorit të ndërtimit të banesave kolektive me fokus të veçantë të analizohet trendi i ndërtimeve të reja kundrejt atij të shitjeve duke e bërë edhe një prerje të asaj se sa është numri i banesave momentalisht të pa shitura.

Gjatë krizës financiare të ndodhur në vitin 2008, shtetet e shumta botërore investimet më të mëdha i kanë bërë në sektorin e ndërtimit përmes injeksioneve financiare kryesisht përmes ndërtimeve në infrastrukturë të financuara nga buxhetet shtetërore. Këtë model duhet ta përcjellë edhe Qeveria e Kosovës, duke i përkrahur me kredi të buta (përmes Fondit për Garantimin e Kredive) bizneset që kanë problem me likuditet në këtë kohë, në mënyrë që puna të mos ndalet.

Duke mos u ndalur puna, përfitojnë shumë hallka: biznesi i ndërtimeve, furnitorët e tjerë dhe punëtorët që punojnë aktualisht në ndërtimtari. Pastaj duhet të shikohet mundësia që edhe komunat të ndihmojnë duke ofruar lehtësime në marrjen e lejes apo në mënyrën e pagesës së tyre, qoftë edhe duke ju ofruar që pagesa të bëhet kur të përfundojë projekti. Në anën tjetër komunat duhet të vendosin kusht që gjatë aplikimit për leje ndërtimore, kompanitë të prezantojnë edhe pasqyrat financiare në mënyrë që të mos lejohet që punët të fillohen nga kompani të cilat nuk kanë fuqi të mjaftueshme financiare t’i përfundojnë ato.

Komuna e Prishtinës mund të bëhet hisedar dhe vet të blejë banesa të cilat pastaj mund të përdoren si banesa të përkohshme për familje në gjendje të rëndë sociale, për familjet viktimë e fatkeqësive natyrore (siç ishte tërmeti në Shqipëri) apo, pse jo, për çifte të posamartuara.

Qeveria dhe komunat e Kosovës duhet të investojnë sa më shumë në projekte ndërtimore publike ku do t’u jepej mundësia numrit më të madh të kompanive ndërtimore Kosovare që të qarkullojnë para. Pra, qarkullimi i parasë e jo mbyllja e kursimi janë zgjidhja.

Kosova e ka të miratuar edhe një ligj shumë të mirë për Partneritet Publiko Privat (PPP) por shumë pak është shfrytëzuar deri më tani. Është momenti ideal që skemat e PPP’së të funksionalizohen qoftë përmes ndërtimit të banesave me kosto të përballueshme apo edhe përmes garazheve nëntokësore me objekte afariste, parqeve të bizneseve, qendrave të mëdha sportive apo institucioneve arsimore (psh. çerdheve). Në këtë mënyrë mundësohet zhvillim i mirëfilltë ekonomik dhe siguri më e madhe në investime.

Institucionet e Kosovës e sidomos komuna e Prishtinës si kryeqytet i Republikës së Kosovës nuk guxojnë të jenë spektatorë dhe vetëm dhënës të lejeve ndërtimore por duhet të jenë edhe pjesëmarrës aktivë dhe orientues të sektorit të ndërtimit.

Autori është Drejtor i organizatës “Developing Together”.

Artikujt e publikuar në rubrikën e mendimeve pasqyrojnë opinionin e autorit dhe jo domosdoshmërisht të BIRN apo Gazetës Jeta në Kosovë