Pandemia, faktet pse nuk ka ulje të papunësisë në Kosovë

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi në një postim të bërë në Facebook, që ka shkaktuar shumë reagime, kishte thënë se papunësia për një muaj ka shënuar rënie prej 6.6 për qind. Këtë deklaratë ai e ka mbështetur në faktin se numri i punëtorëve të rinj të regjistruar, fal një incentive të Qeverisë për formalizim të punëtorëve, ishte rreth 10 mijë persona.

“Deri më tani në aplikimet e tyre për masën 3, 8 dhe 14 të pakos emergjente të Qeverisë së Republikë së Kosovës, ndërmarrjet e vendit kanë regjistruar gjithsej 9.946 punëtorë të rinj, ndërsa kanë lajmëruar se kanë larguar nga puna 1268 punëmarrës”, kishte shkruar Bislimi.

Tutje, Bislimi numrin e punëtorëve të rinj të regjistruar e ka zbritur nga numri i të papunëve sipas statistikave zyrtare. Sado që iu është referu raportit të Agjencisë së Statistikave, numri prej 130,289 përputhet më raportin e tremujorit të fundit të publikuar nga ASK-ja për shkallën e papunësisë.

“Sipas statistikave zyrtare në fund të vitit që lamë pas, 130.289 individë kanë qenë të regjistruar si të papunë, dhe shkalla zyrtare e papunësisë ka qenë 25.9%. Ndryshimi mes të regjistruarve të rinj dhe atyre që kanë humbur vendin e punës bënë që numri i të papunëve brenda vetëm një muaji të ulet për 6.6% që përbën uljen më të madhe në 20 vitet e fundit. Kjo, nëse merret si ndryshimi i vetëm në këtë periudhë nënkupton që shkalla e papunësisë zyrtare (ende e nënvlerësuar) do të binte në nivelin e 24.1%. Që nga viti 1999, shkalla e papunësisë në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e ulët se 24.5%”, shkruan Bislimi.

Por, numri i punëtorëve të formalizuar nuk mund të zbritet nga numri i të papunëve, meqë Agjencia e Statistikave në raportin e vetë i përfshin edhe punëtorët informal. Pra, konsiderohet që ky numri i punëtorëve të rinj të regjistruar, në raportin e ASK-së veç kanë qenë të tillë, të punësuar.

“Te gjithë personat të cilët kanë një kontratë pune apo kanë punuar edhe pa kontratë (pra edhe ata  që nuk janë në ATK dhe Trust)  ASK-ja i përfshinë në hulumtim”, thuhet në përgjigjet e Avni Kastratit, kryeshef në Agjencinë e Statistikave.

Kastrati në bazë të sqarimeve tregon se numri i të papunëve mund të rritet meqë kemi një numër të madh të punëtorëve që nuk kanë punuar gjatë kësaj kohe.

Personat që mungojnë përkohësisht nga puna dhe që marrin të paktën gjysmën e pagës konsiderohen të punësuar. Mirëpo, nëse ata marrin më pak se gjysma e pakës së tyre nga punëdhënësi apo ndonjë donatorë (qeveria në këtë rast), ata konsiderohen të papunë.

“Pra të gjithë personat të cilët mungojnë përkohësisht, d.m.th. gjatë mungesës vazhdojnë të marrin 50% ose më shumë të pagës nga punëdhënësi janë të punësuar. Kurse, te gjithë personat të cilët kanë një kontratë pune apo kanë punuar edhe pa kontratë (pra edhe ata  qe nuk janë ne ATK dhe Trust)  ASK-ja i përfshinë ne hulumtim dhe nëse ata gjate javës referente nuk kanë punuar (nuk janë angazhuar) dhe nuk janë paguar nga punëdhënësi konsiderohen të papunësuar”, ka thënë Kastrati për KALLXO.com.

Deklarata e ministrit u cilësua si “manipuluese” dhe “keqinformuese”. Ministri, Besnik Bislimi si kundërpërgjigje tha se nuk pretendon që papunësia në Kosovë është zvogëluar falë pandemisë, duke shtuar se përllogaritja është bërë me “formulën për kalkulimin e normës së papunësisë”.

Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve dhe të punëtorëve në Kosovë, thonë se pasojat nga coronavirusi do të kenë ndikim jo vetën në rënie të ekonomisë por edhe në ngritje të papunësisë.

Avni Ajdini, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) thotë për KALLXO.com, se nuk ka ulje të papunësisë në këtë kohë pandemie.

“Ne e shohim me një sy tjetër kritik. Ulje të papunësisë nuk ka, por ngritje të papunësisë ka. Nëse e mendojmë që për shembull, papunësia është reflektuar unë konsideroi që sipas statistikave që i kemi pas 30 për qind që kanë qenë, unë them që mbi 40 deri në 50 për qind ka arritur numri i papunësisë”, theksoi ai.

Ajdini shton se pandemia e ka dëmtuar jo vetëm ekonominë e Kosovës, por edhe atë globale.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi tha për KALLXO.com, se nuk mund të bëhen vlerësime për një periudhë të shkurtë një mujore, pa e përcaktuar trendin me indikatorët ekonomik.

“Duhet të pritet për një periudhë më të gjatë dhe me i pa efektet për me mujtë me vlerësu se si e kemi gjendjen me indikatorë më të mëdhenj ekonomik. Por, në bazë të indikacioneve të para për rënien ekonomike në vend, ne presim që të kemi rritje të papunësisë, qoftë edhe afat shkurtër”, theksoi Rukiqi.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, lidhur me numrin e punëtorëve të rinj që janë regjistruar në kohë të COVID-19, por deri të enjten e 14 majit nuk ka pranuar përgjigje.

Ndërkohë, pakoja emergjente fiskale e miratuar nga Qeveria për ndihmën ndaj punëtorëve që nuk kanë pasur mundësi të marrin pagë për shkak të mbylljes së bizneseve dhe qytetarëve në nevojë është keqpërdorur nga disa punëdhënës, duke tentuar përfitimin.

Përfaqësuesi i sindikatave të punëtorëve, Avni Ajdini (BSPK) konsideron se ka pasur keqpërdorime nga pakoja emergjente fiskale.

“Sa i përket pakove po më habitë fakti se këtu ka elemente të keqpërdorimit, që duhet të kenë turp edhe punëdhënësve që bëjnë një mashtrim. Konsideroj që ka pasur keqpëdorime nga individë të caktuar sepse s’mund t’i fus të gjithë në një thes. Më vjen keq që ka të atillë, sepse duhen me qenë korrekt dhe të punojnë në të mirën e punëtorëve. Kam dëgjuar që kanë futur edhe anëtarë të familjeve në pako”,tha ai për KALLXO.com.

Për keqpërdorimet ka folur edhe ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi.

“Janë supermarkete, barnatore apo furra të cilat kanë qenë hapur dhe megjithatë kanë ngarkuar pothuajse gjithë stafin e tyre për kompensim (në shumicën e rasteve është fjala për keqpërdorim, për shembull ka rrjet supermarketesh që ka qenë hapur gjithë kohën dhe megjithatë ka plotësuar kërkesë për kompensim të mbi 1.100 punëtorëve, dhe unë e kam ndaluar)”, kishte shkruar Bislimi në Facebook.

“Ka të tillë që kanë aplikuar për kompensim më shumë se një herë që nuk është ideja e pakos (për shembull një kontabilist i papërgjegjshëm ka futur veten në listat e punëtorëve të hiq më pak se 23 bizneseve, dhe natyrisht që këso tendenca për keqpërdorime të pakos nuk do lejohen)”, ka shtuar mes tjerash ai.

Papunësia në Kosovë rreth 26 për qind, mbetet hendeku gjinor

KALLXO.com në mars të këtij viti, ka raportuar për shkallën e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Sipas rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), në tre muajt e fundit të vitit që shkoi shkalla e papunësisë është 25.9 përqind.

“Papunësia më e theksuar është te femrat me 36.6%, krahasuar me meshkujt, 22.0%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 49.1%”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave.

Rezultatet e AFP-së, gjithashtu tregojnë se në tremujorin e fundit të 2019-s, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 58.6 për qind, me fokus të veçantë te femrat me 77.6 për qind, krahasuar me meshkujt, 39.8 për qind.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e “Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e katërt (TM4) 2019”.

Në çerekun e fundit të vitit 2019, sektori i tregtisë priu si punëdhënësi kryesor në Kosovë, ndërsa mbyllja e të gjitha bizneseve në përjashtim të atyre ushqimore për shkak të coronavirusit, rrezikon të godasë tregtinë.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune.

Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 41.4%.

ASK tregon se shkalla e punësimit në AFP, për tremujorin e katërt 2019 është 30.7 përqind.

“Punësimi me i lartë është te meshkujt 47.0%, ndërsa punësimi te femrat është 14.2%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e: arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 53.5 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e: tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 43.8%.”, thuhet në njoftim.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 16.0 për qind; ndërtimtaria me 11.8 për qind; prodhimi me 11.7 për qind; si dhe arsimi me 10.2 për qind.

Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim. Tutje thuhet se sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 54.0 përqind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 46.0 për qind kanë kontratë të përkohshme.

Ky artikull është punuar nga Internews Kosova nga Prishtina dhe është botuar në bashkëpunim me Fondacionin Metamorphosis në Shkup, Maqedoni e Veriut, në kuadër të projektit të tyre Fuqizimi i Standardeve të Përmirësuara të Mediave, implementuar nga Fondacioni Kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (National Endowment for Democracy – NED).

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!