Foto: REL/AFP

Pandemia e bën më të pasigurt dialogun Kosovë - Serbi

Ndërkohë që liderët e Kosovës luftojnë për kontroll mbi bisedimet e ngecura me Serbinë, analistët nuk shohin hapësirë që procesi i dialogut të rifillojë derisa të ketë përfunduar pandemia COVID-19.

 

Ndërkohë që sytë e të gjithëve janë drejtuar në luftimin e pandemisë COVID-19, Kosova nuk i ka lënë pas paqartësitë e saj politike – dhe betejat – për asnjë sekondë që prej fillimit të krizës shëndetësore.

Në fillim erdhi rrëzimi i qeverisë së Albin Kurtit, pas vetëm 51 ditë në detyrë, duke lënë varur shumë procese të rëndësishme.

Pastaj erdhi emërimi i diplomatit sllovak Miroslav Lajcak si i dërguari i BE-së në bisedimet Kosovë-Serbi javën e kaluar.

Ky zhvillim i fundit ka bllokuar presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Kurti në një tjetër luftë.

Ndërkohë, analistët nuk shohin ndonjë mundësi për rifillimin e shpejtë të procesit të bllokuar të dialogut me Serbinë.

“Izolimi botëror për shkak të pandemisë sigurisht që do të vonojë perspektivat për një zgjidhje midis Kosovës dhe Serbisë këtë vit, të cilat gjithsesi ishin të zymta”, tha Gëzim Visoka, profesor i asociuar për Studime të Paqes dhe Konflikteve në Universitetin e qytetit të Dublinit, Irlandë, për BIRN.

“Ne mund të shohim punë përgatitore ose përpjekje paralele në gjysmën e dytë të vitit porsa i takon formatit të bisedimeve të ardhshme, por kjo do të ndikohej ndjeshëm nga zgjedhjet në Serbi, Kosovë (ose një riorganizim qeveritar) dhe në SHBA”, shtoi Visoka.

Sipas tij, në këto rrethana, rifillimi i dialogut të ndërprerë nuk është çështje ditësh, javësh apo ndoshta edhe muajsh.

“Nga fundi i vitit, mund të shohim shenja të një konsensusi që shfaqet në formatin e bisedimeve të ardhshme, edhe pse kjo mund të prishet nga zhvillimet në Kosovë dhe rajonin e gjerë”, tha ai.

I dërguar i ri, mosmarrëveshjet e reja në Kosovë

Më 3 prill, ditën kur Lajcak u caktua si i dërguari i BE-së për bisedimet, kryeministri Kurti i dërgoi një letër urimi, duke i uruar suksese në pozicionin e tij të ri.

“Dialogu duhet të ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Kurti.

Presidenti Thaçi, ndërkohë, shprehu më shumë rezerva për emërimin e Lajcakut, për shkak prejardhjes së tij.

Lajcak, 57 vjeç, është një ish-ministër i jashtëm i Sllovakisë, e cila një nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, së bashku me Spanjën, Greqinë, Rumaninë dhe Qipron.

Të dielën, kur Lajcak në Twitter njoftoi një bisedë telefonike me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, një nga këshilltarët e Thaçit, Artan Behrami, e quajti atë si një “fillim të gabuar”.

“I Dërguari Special për Dialogun Kosovë-Serbi nuk është përqendruar në qëllimet ose perspektivën e Kosovës për dialogun, por te Serbia”, shkroi ai në Twitter.

“Kushdo që aspiron një rol ndërmjetësues duhet të kontaktojë fillimisht me Kosovën. Ky është një fillim i gabuar”, shtoi Behrami.

Në vitin 2018, Thaçi dhe Vuçiq diskutuan një shkëmbim territorial si një kompromis të mundshëm, një ide që administrata amerikane e Donald Trump tha se ishte e hapur për ta  eksploruar, por që ndau BE-në. Disa drejtues europianë – sidomos kancelaria gjermane Angela Merkel – thanë se kjo nuk kishte gjasa të ishte e suksesshme.

Kurti iu rikthye çështjes së shkëmbimit territorial në letrën e tij drejtuar Lajcakut, kur tha se dialogu nuk duhet të shndërrohet në një proces “sa për të ruajtur fytyrën” apo për të ruajtur reputacionin e politikanëve dhe liderëve të shtetit.

“Ne nuk kemi nevojë për një dialog që përfshin harta në tryezën e bisedimeve apo një proces që na çon në rivlerësimin e kufijve”, shtoi Kurti, duke theksuar se popujt e të dy vendeve duhet të jenë përfituesit e dialogut.

Visoka thotë se shqetësimet në Kosovë për emërimin si të dërguar special të BE-së të një diplomati nga një vend që nuk e njeh Kosovën si shtet janë të kuptueshme, duke marrë parasysh që kreu i diplomacisë së BE-së, Joseph Borrell, vjen nga një tjetër shtet që nuk njeh Kosovën, Spanja.

Visoka tha se Kosova nuk duhet të refuzojë plotësisht emërimin e Lajcak. “Kosova duhet ta përdorë emërimin e tij, si dhe rolin e Borrellit, për t’u afruar më shumë me BE-në dhe me vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën”, tha ai.

Sipas mendimit të tij, reagimi i përzier për emërimin e Lajcakut madje mund të funksionojë në favor të Kosovës, duke e shtyrë BE-në të marrë një rol më të ekuilibruar dhe më të drejtë në lehtësimin e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë. “Kjo mund ta shtyjë BE-në të kryejë një rol më efikas ndërmjetësimi”, tha ai.

“Edhe pse kjo përgjigje e përzier mund të shfrytëzohej nga BE-ja për të fshehur dykuptimësitë e saj ndaj Kosovës dhe rajonit pas mungesës së konsensusit kombëtar midis partive kryesore në Kosovë”, shtoi ai.

“Kjo ka ndodhur në të kaluarën, siç kemi pasur rastin e vonimit të liberalizimit të vizave nën justifikimin e demarkacionit të kufijve me Malin e Zi dhe mungesës së një lufte kundër korrupsionit”, vazhdoi Visoka.

Kërkohet – konsensusi i brendshëm dhe një shtysë hibride BE-SHBA

Shanset e Kurtit për të siguruar një shumicë të re në parlament ndërkohë duken të pakta. Ai nuk është angazhuar në bisedime me parti të tjera, duke preferuar zgjedhjet e reja të parakohshme sapo të kalojë pandemia.

Çështja është nëse kushtetuta e Kosovës i lejon Thaçit që t’ia kalojë mandatin e kryeministrit partisë që doli e dyta në zgjedhjet legjislative të vitit të kaluar, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, e udhëhequr nga Isa Mustafa.

Ndërkohë që qeveria në detyrë e Kurtit po menaxhon pandeminë, të premten, Instituti Demokratik i Kosovës, KDI, me qendër në Prishtinë tha se përçarja e brendshme politike e vendit nuk ndikonte vetëm zhvillimet në politikën e brendshme, por gjithashtu edhe marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese vitin e kaluar e la dialogun me Serbinë në duart e kryeministrit, por KDI argumenton se votimi i mosbesimit i 25 marsit në parlament për qeverinë e Kurtit nënkupton se ai nuk ka më një mandat për t’u marrë me dialogun.

“Bisedimet me Serbinë duhet të zhvillohen kur Kosova të ketë një qeveri me legjitimitet të plotë për të ushtruar funksionet e saj kushtetuese”, tha KDI në një deklaratë.

Instituti i Politikave Europiane të Kosovës, EPIK, u ka bërë thirrje të gjithë liderëve politikë të bashkohen dhe të përcaktojnë interesat jetike të vendit në dialog.

Ai bëri thirrje që “spektri politik të krijojë unitet të brendshëm në avancimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si kriter zyrtar kryesor për të zbatuar aspiratat e qytetarëve të Kosovës për anëtarësim në BE”.

Visoka tha se çelësi për një zgjidhje të qëndrueshme me Serbinë nuk ka të bëjë vetëm me faktin se kush është ndërmjetësi apo se ku zhvillohet procesi.

“Uniteti politik  dhe prezantimi i një zgjidhje të pranueshme për shumicën e qytetarëve të Kosovës luajnë një rol shumë më të rëndësishëm për qëndrueshmërinë dhe kohëzgjatjen e një zgjidhjeje të ardhshme me Serbinë”, tha ai.

Ai tha gjithashtu se ndërsa mbështetja e BE-së dhe SHBA-së ishin po aq të rëndësishme për Kosovën, ajo që është “më e rëndësishme është një konsensus kombëtar se si të vazhdohen bisedimet e ardhshme dhe si të të ruhet legjitimiteti popullor”.

Ai shikon një shtysë hibride BE-SHBA për një zgjidhje, së bashku me unitetin kombëtar brenda Kosovës, si jetike për një rezultat të qëndrueshëm.

“Një format bisedimesh vetëm me BE-në rrezikon ta ekspozojë Kosovën ndaj dobësive të ndryshme strategjike për shkak të mungesës së një qëndrimi të unifikuar të BE-së për pavarësinë e Kosovës”, tha ai.

“Një format bisedimesh vetëm me SHBA-në mund të tingëllojë premtues, por mund të jetë po aq i rrezikshëm për shkak të paparashikueshmërisë së administratës Trump dhe kërkesës së përfshirjes eventuale të fuqive të tjera të mëdha, të cilat mund të formësojnë procesin”, shtoi ai.

“Në mënyrë të ngjashme, një format bisedimesh vetëm me Kombet e Bashkuara e ekspozon Kosovën ndaj qëndrimit anti-pavarësi të Rusisë dhe Kinës, gjë e cila nuk është në favor të Kosovës”, përfundoi ai.