Panairi i Librit me Përvjetorë Shkrimtarësh

Aktivitetet e panairit të sivjetmë të librit kryesisht do të përkojnë  me data të rëndësishme të përvjetorëve të shkrimtarëve të shquar. Në këtë panair do të shënohet 150 vjetori i lindjes së Zef Skiroit, 100 vjetori i lindjes së Roland Barthes dhe Arthur Miller, 100 vjetori i vdekjes së Josif Bagerit, 95 vjetori i lindjes së Mark Krasniqit dhe 20 vjetori i vdekjes së Anton Pashkut.

E pranishme në hapje ishte edhe shkrimtarja zvicerane Elisabeth Kaestli, e cila ka shkruar librin “7Vëllezër dhe shtatë motra: një familje kosovarë nëpër botë”.

Ky libër është shkruar në gjuhën gjermane, është përkthyer në gjuhën shqipe, dhe rrëfen historitë e

katërmbëdhjetë vëllezërve e motrave të një familje kosovare, të cilët nga varfëria dhe shtypja politike migruan nëpër vende të ndryshme të botës.

“E kam shkruar librin në gjuhën gjermane, për publikun në Zvicërr, Gjermani dhe në Austri. Motivimi im për të shkruar këtë libër ishte t’iu tregoj njerëzve atje diçka prej jetës reale të popullit të Kosovës, sepse vetëm pak zviceranë, gjermanë dhe austriakë kanë një pasqyrë reale dhe të paanshme për Kosovën dhe popullin e saj,” tha Kaestli me një shqipe të folur rrjedhshëm.

Ky libër dhe librat në përgjithësi në panair, mund të gjenden me çmime të volitshme, duke filluar nga zbritja 20 deri në 70 përqind, në varësi të titujve.

Edon Zeneli nga Shtëpia Botuese “Buzuku” tha se e veçanta e këtij panairi është botimi i poezisë së autorit amerikan Dan Fante, i cili vjen për herë të parë në gjuhën shqipe dhe gjatë panairit pritet të jetë mysafir në Kosovë.

Zeneli tha se në çdo edicion të mbajtjes së panairit ka rritje të vizitave të lexuesve.

“Çdo vit vërehet një ngritje të paktën 10 për qind e interesimit dhe shitjes” tha ai.

Për shkrimtarin kosovar Ag Apolloni, Panairi i Librit është ngjarje e madhe kulturore, sepse, pos që është pazar librash, ai fut në konkurrencë botuesit dhe shkrimtarët, një konkurrencë kjo që përfundon me fitoren e lexuesit, si për nga ngritja e vlerave, ashtu edhe për nga ulja e çmimeve.

Sa i përket shijes së përzgjedhjes së librave nga lexuesit, ai tha që lexuesit janë lodhur nga letërsia tradicionale shqipe dhe kërkojnë autorë aktualë shqiptarë dhe, kryesisht, të huaj. Kjo nuk duhet të konsiderohet si dukuri dëshpëruese, por thjesht si një pjekuri e vetëdijes letrare të lexuesve tanë.

Sipas tij, kjo do të thotë që lexuesi sot nuk kërkon vetëm kënaqësi estetike, por edhe informacion.

Në lidhje me letërsinë e huaj, kërkesa për të cilën është shtuar, Apolloni tha që përkthime ka mjaftueshëm, sado që jo tituj të ri, sidomos prej botuesve që njihen për botimin e autorëve të huaj.

“Si zakonisht në Panairin e Prishtinës, ka shumë libra të rëndësishëm, por pak libra të botuar enkas për panair. Natyrisht, një ditë kjo logjikë duhet të ndryshohet, në mënyrë që panairi të jetë më novator dhe më promovues” shtoi Apolloni.