Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

Pakënaqësitë e gjyqësorit për pagat, mospajtimet rreth Vettingut e ‘kritikat’ qeveritare

Çështja e Ligjit të Pagave në sektorin publik është riaktualizuar në diskutime, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës këtë javë për caktimin e koeficientit në vlerë prej 105 euro.

Ekzekutivi caktoi të mërkurën vlerën e koeficientit të pagave, pas më shumë se një muaj pas miratimit të Ligjit të Pagave nga Kuvendi i Kosovës, i cili do të hyjë në fuqi më 5 shkurt të këtij viti.

Ndaj vlerës së koeficientit ka pasur shumë reagime, mes tyre pakënaqësi pasi i njëjti uli pagat e punonjësve nëpër disa sektorë, ndonëse qeveria e proklamoi se është rritur mesatarja e pagave në sektorin publik.

Miratimi i koeficientit të pagave pritet të përgjysmojë pagat në gjyqësor, ndërsa Ligji i Pagave është paralajmëruar se do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Nga 3,450 euro sa aktualisht marrin Kryeprokurori i Shtetit dhe kryetari i Gjykatës Supreme, me Ligjin e ri për paga pritet të jetë 1,785 euro apo 1,665 euro më pak.

Ulje vërehet edhe në pagat e Prokurorëve special. Nga rreth 3 mijë euro sa aktualisht marrin, me ligjin e ri paga e tyre pritet t’i marrin rreth 1,627 euro apo 1,373 euro më pak.

Ulje vërehet edhe në pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve në gjykatat themelore. Nga rreth 2 mijë sa aktualisht marrin, pagat e tyre pritet të ulën në 1260 euro apo 740 euro më pak.

Në lidhje me këtë çështje, në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku ka paralajmëruar se këtë ligj do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

“Pakënaqësia është e të gjithëve në sistemin e drejtësisë. Fatkeqësisht ky ligj ka prekur edhe një pjesë të stafit administrativ. Me këtë është hapur edhe një varrë tjetër në sistem. Ne i kemi ofruar prova Avokatit të Popullit që këtë ligj ta dërgojë në Kushtetuese pasi që si i tillë për ne është jokushtetues” – tha Maloku.

Ai ka shtuar, se ulja e pagave të prokurorëve dhe gjykatësve është prishje e sistemit të drejtësisë, duke shtuar që ata kishin shpresuar që pagat për këtë kategori do të rriteshin, e jo e kundërta.

Maloku më tej ka shtuar se përkundër propozimeve që i kanë bërë qeverisë për Ligjin e ri të Pagave, “kjo e fundit le që nuk janë marrë parasysh, por as nuk i ka kontaktuar askush nga Qeveria për të gjetur ndonjë zgjidhje lidhur me këtë kundërshtim”.

Përkundër KPK-së, që nuk e kanë pritur uljen e pagave, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), nuk është befasuar me vendimin për koeficientin.

Kryesuesi i KGjK-së, Albert Zogaj ka thënë në “Kallxo Përnime” se ulja e pagave është në dëm të pavarësisë së sistemit gjyqësor, por siç u shpreh ai, nuk është vendim befasues.

“Ne s’kemi pritur ndonjë vendim tjetër realisht prej qeverisë. Përkundër negociatave me zyrtarë qeveritarë për të parë statusin e gjyqtarit në Ligjin për Pagat, nuk kemi parë ndonjë reflektim nga ana e tyre. Por nëse mbetet kjo pagë ne nuk e përjashtojmë mundësinë që të ketë edhe korrupsion”- ka thënë Zogaj.

Më tej ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjeve të gjyqtarëve nëse mbetet ky koeficient i pagave për ta.

“Janë dy sisteme që bëjnë vetëm nga një punë pra nuk mund të kenë një punë të dytë. Meriton arsimi shëndetësia, policia, të gjitha kategoritë një pagë dinjitoze e status më të mirë, por nuk mund të kemi referenca”- shtoi tha Zogaj.

Pagat e gjyqësorit ishin ulur gjatë muajit nëntor të vitit 2022, përmes një vendimi të Qeverisë së Kosovës me të cilin ishte anuluar vendimi i Qeverisë Haradinaj, i vitit 2017, i cili kishte rritur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në shenjë proteste për këtë vendim, më 24 nëntor, KGjK-ja mori vendim për pezullimin e punëve në gjykata. Më pas duke vendosur sipas propozimit të sindikatës së prokurorëve, Gjykata e Prishtinës dhe ajo e Apelit e kishin pezulluar vendimin e qeverisë aktuale, duke i lënë në fuqi pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas vendimit të Qeverisë Haradinaj.

Për sistemin e drejtësisë, ‘akuzat’ e ministres Haxhiu janë ‘cenim i privatësisë’

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku në “Kallxo Përnime”, ka folur edhe për “akuzat” e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e quajti “tradhtar”, prokurorin që po heton rastin e Dejan Pantiqit.

Këtë akuzë Malolu e ka quajtur “goditje të rëndë“ për sistemin e drejtësisë, duke shtuar që është për tu habitur se si një zyrtar i lartë shtetëror përdor gjuhë të tillë.

‘’Ne kemi dalë me një reagim, është cenim i rëndë jo vetëm për prokurorin, por mendojmë se është goditje për sistemin tonë se çfarë gjuhe ka përdorur Haxhiu. Nuk e di si është e mundur që kaq lehtë një zyrtar i lartë shtetëror të akuzojë kështu një prokuror” – ka thënë Maloku.

I pyetur nëse është dashur që të hetohet prokurori sepse është bërë një akuzë publike që të shihet se a ka pasur tradhti, kryesuesi i KPK-së ka thënë se kjo është kompetencë e prokurorisë.

“Ajo është kompetencë e prokurorisë dhe vetëm e prokurorisë” – ka shtuar më tej Maloku.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte reaguar ashpër pas njoftimit se Dejan Pantiqit i është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

“Nuk di si ta kuptoj dhe si është e mundshme që dikush që akuzohet për një vepër aq të rëndë që ka të bëj me terrorizëm, të shkoj në arrest shtëpiak madje sipas legjislacionit, për shkak të peshës së rëndë të veprës penale, nuk mund të shqiptohet një masë e butë sikur ajo e arrestit shtëpiak” – kishte shkruar Haxhiu në Facebook.

Po atë ditë kishte folur edhe kryeministri, Albin Kurti, duke thënë se ishte kurreshtar të kuptonte se kush është prokurori dhe gjykatësi, që kërkuan e morën vendim për ndryshim të masës ndaj Dejan Pantiqit.

“Pra është gjyqtari i procedurës paraprake me rastin e kërkesës së përkatësit të prokurorit, mirëpo kur ke një akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak unë jam shumë kureshtar ta shoh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon” – kishte thënë Kurti.

Ish-polici i Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiq, ishte arrestuar nga autoritetet e Kosovës nën dyshimet për pjesëmarrje në organizim të akteve terroriste dhe për cenim të rendit kushtetues të Kosovës.

Arrestimi i Pantiqit kishte nxitur grupe të serbëve të veriut të Kosovës të bllokonin rrugët në veri të vendit.

Ndaj këtyre zhvillimeve, në emisionin “Kallxo Përnime”, ka folur edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.

“Shembull të tmerrshëm të cenimit të pavarësisë së sistemit gjyqësor”, e ka quajtur Albert Zogaj, akuzën e Haxhiut, për ‘tradhti’ të gjyqtarit në “rastin Pantiq”.

“Qasja e qeverisë ishte agresive ndaj një gjyqtari i cili vetëm e ka kryer punën e vet. Ishte për keqardhje mos kuptimi i qeverisë në norma elementare se si duhet të funksionojë gjykata”- tha Zogaj

Mospajtimet për Vettingun në drejtësi

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj ka folur edhe për Vettingun në drejtësi, duke thënë se vazhdojnë të mos pajtohen me mënyrën se si sipas tyre Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria janë duke e trajtuar këtë çështje.

Zogaj, tha se mekanizmat e brendshëm mbikëqyrës janë mënyra se si do duhej të vlerësoheshin gjyqtarët.

“Më vjen keq që kemi shpenzuar kohë pa e ndërtuar këtë mekanizëm, pasi që secili e dimë që një mekanizëm i jashtëm siç po tenton Ministria ta bëjë, merr vite. 202 gjyqtarë do t`i nënshtrohen performancës këtë vit, po të kishte mekanizëm që ne kemi kërkuar para një viti e gjysmë, këta gjyqtarë do të futeshin në filtrin e verifikimit”- ka thënë Zogaj.

Sipas Zogajt herët ose vonë, edhe Ministria e Drejtësisë do të kthehet tek propozimi i tyre.

Vettingu, synon të bëjë një vlerësim të performancës, pasurisë dhe integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që aktualisht janë pjesë e sistemit të drejtësisë, dhe atyre që në të ardhmen mësyjnë këto pozita.

Por me këtë reformë nuk janë pajtuar as Këshilli Gjyqësor i Kosovës e as ai Prokurorial.

Në fund të vitit të kalua,  kryeministri Kurti bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishin njoftuar se dokumenti dhe dosja e Vettingut është dorëzuar tek kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Kurti kishte përmendur rastin e dyshimit të dhunimit të 11-vjeçares duke thënë se këto raste i humbin kuptimin zbatimit të respektimit të të drejtave të njeriut e ndjekjes së krimit.

“I akuzuar e i dënuar për shumë vepra penale,  dhunuesi ec i lirë nëpër rrugë të Prishtinës, dhunuesi lirohet pas 8 muaj, dhunuesi nuk rehabilitohet pastaj edhe dhunuesi vret. Nuk ka alternativë ndaj Vettingut në sistemin gjyqësor e prokurorial, këtë e kuptojnë edhe vet ata që janë pjesë e këtij sistemi”, kishte thënë Kurti

Ndërsa Haxhiu ka thënë se dosja e dokumentit të Vettingut po dorëzohet “pas një pune intensive”.

“Në vazhdimësi jemi dëshmitar të neglizhencës, mosveprimit dhe pa ndëshkueshmërisë. Gjyqtarët dhe prokurorët konsiderohet se kanë pagat më të larta në rajon, për shkak të mosveprimet e tyre dhe veprimet e gabuara po vrahen gratë, po dhunohen seksualisht të miturit dhe korrupsioni madh mbetet pa u ndëshkuar” – kishte thënë ajo.