Pakënaqësia po përhapet në mbarë botën

Ekonomistët, statistikanët dhe ekspertë të tjerë dinë t’i numërojnë të gjitha llojet e gjërave: papunësinë, shkallën e vdekshmërisë dhe madhësinë e ekonomisë së çdo vendi. Ata madje e kanë numëruar edhe numrin e pemëve në shkretëtirën e Saharasë. Por mbetet çuditërisht e vështirë për të gjetur statistika për një nga gjërat më të rëndësishme: se si ndihen njerëzit. Kjo ka bërë që udhëheqësit ta humbasin një prirje shqetësuese: rritjen globale të pakënaqësisë.

Gallup, kompania që merret me analiza, filloi për herë të parë ta gjurmonte pakënaqësinë globale në vitin 2006. Emocionet negative – përmbledhja e stresit, trishtimit, zemërimit, shqetësimit dhe dhimbjes fizike – arritën një rekord të lartë vitin e kaluar. Kjo mund të mos jetë befasuese. Bota po vuan nga një konflikt i madh evropian (përveç luftërave të tjera në vazhdim), inflacioni dhe pasojat e një pandemie që ndodh një herë në jetë. Por rritja globale e pakënaqësisë filloi shumë përpara se shumica e këtyre çështjeve të bëheshin tituj kryesorë në gazetat dhe mediumet botërore. Në fakt, pakënaqësia është rritur për një dekadë.

Çdo vit Gallup iu parashtron pyetje rreth 150,000 njerëzve në mbi 140 vende lidhur me emocionet që ata i përjetojnë. Është e jashtëzakonshme se sa të hapur janë njerëzit për t’i ndarë dhimbjet ose vuajtjet e tyre. Një libanez na tha se jeta e tij ishte zeft, fjala arabe për “katran”, që do të thotë se jeta e tij nuk mund të ishte më e errët. Një burrë kanadez foli për vetminë e tij pasi ne e thirrëm pa e ditur në ditëlindjen e tij. Dhe një punëtore vietnameze e fabrikës shpërtheu në lot pasi na tha se askush nuk e kishte pyetur ndonjëherë sa e lumtur ishte. Secila prej këtyre historive është e trishtueshme. Ajo që është alarmante është se sa më shpesh i dëgjojmë.

Shumë gjëra mund t’i bëjnë njerëzit të pakënaqur, por rritja e pakënaqësisë globale ka pesë shkaqe kryesore sipas hulumtimit të Gallup: varfëria, komunitetet e prishura, uria, vetmia dhe mungesa e punës së mirë. Sot, 17% e njerëzve e kanë “shumë të vështirë” t’i përballojnë të ardhurat e tyre aktuale—një nga përqindjet më të larta që kemi regjistruar. Komunitetet e shkatërruara nuk po ndihmojnë: 2 miliardë njerëz janë aq të pakënaqur me vendin ku jetojnë, saqë nuk do t’ia rekomandonin komunitetin e tyre askujt që njohin.

Kontributi i varfërisë në vuajtjet globale mbetet i njohur, pavarësisht nga hapat e mëdhenj për ta trajtuar atë në dekadat e fundit. Një rritje e urisë në mbarë botën po i përkeqëson gjërat. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, “shkalla e rënies prej dekadash e urisë në botë [për fat të keq] ka përfunduar”. Në vitin 2014, gati 23% e njerëzve në mbarë botën ishin mesatarisht ose jashtëzakonisht të pasigurt me suhqim. Tani kjo pjesë është mbi 30%.

Bota po përballet gjithashtu me një krizë tjetër: me vetminë. Gallup zbulon se 330 milionë të rritur kalojnë të paktën dy javë pa folur me ndonjë mik apo anëtar të familjes. Megjithëse nuk kemi marrë të dhëna për vetminë në shkallë globale që nga pandemia, studime të tjera sugjerojnë se ky fenomen veçse po përkeqësohet. Qendra e Sondazhit për Jetën Amerikane (The Survey Centre on American Life), një projekt i grupit të ekspertëve, zbuloi se 10% e grave raportuan se nuk kishin miq të ngushtë në vitin 2021, nga 2% në vitin 1990. Dhe ishte më keq për burrat: 15% raportuan se nuk kishin miq të ngushtë në viti 2021  krahasuar me 3% në vitin 1990.

Vetëm për shkak se dikush ka miq, nuk do të thotë se ka miq të mirë. Një e pesta e të rriturve nuk e kanë askënd tek i cili mund të mbështeten për ndihmë. Dhe nuk është ekzagjerim të thuhet se vetmia është vdekjeprurëse. Mund ta rrisë presionin e gjakut dhe ta ulë jetëgjatësinë. Sipas një meta-analize të kohëve të fundit, vetmia është e barabartë me pirjen e pothuajse një pakete cigare në ditë.

Pakënaqësia globale po rritet gjithashtu për shkak të punës së përditshme. Pavarësisht një çeku të rregullt page, dikush që është i pakënaqur në punë ka statistikisht më shumë gjasa të përjetojë emocione negative, të tilla si zemërimi, stresi dhe dhimbja fizike, sesa dikush që është i papunë. Rreth 19% e punëtorëve ndihen plotësisht të mjerë në punën e tyre. Por edhe mes atyre që kënaqen me punën e tyre, pakënaqësia po rritet. Stresi dhe shqetësimi janë rritur në mesin e punëtorëve në mbarë botën vazhdimisht që nga viti 2009.

Përmes pyetjeve të bëra, Gallup u ka kërkuar njerëzve ta imagjinojnë jetën e tyre më të keqe dhe më të mirë të mundshme. Nëse të dy skenarët përfaqësonin polet e një shkalle nga zero në dhjetë, ku do të qëndronin sot? Pesëmbëdhjetë vjet më parë, përpara përdorimit të gjerë të mediave sociale, 3.4% e njerëzve e vlerësuan jetën e tyre me 10 (jeta më e mirë e mundshme) dhe vetëm 1.6% e vlerësuan jetën e tyre me zero (jeta më e keqe e mundshme). Tani pjesa e njerëzve me jetët më të mira të realizueshme është më shumë se dyfishuar (në 7.4%) dhe pjesa e njerëzve me jetët më të këqija të mundshme është më shumë se katërfishuar (në 7.6%).

Nëse e gruponi botën në kuintile () e krejt mirëqenies, kjo pabarazi është edhe më e dukshme. Në vitin 2006, kuintili kryesor për vlerësimet e jetës ishte mesatarisht 8.3; kuintili më i ulët ishte mesatarisht 2.5. Tani, shikoni vitin 2021. Kuintili më i lartë ishte mesatarisht 8.9, dhe kuintili më i ulët ishte mesatarisht 1.2. Hendeku në ato vlerësime të jetës tani është 7.7 pikë – më i larti në statistikat e gjurmimit të Gallup.

Kjo pabarazi e mirëqenies është po aq serioze sa pabarazia e të ardhurave sepse pasqyron një ndarje në rritje në emocione dhe jo në pasuri. Dhe kjo lloj pabarazie është qartësisht i dukshëm kur u kërkon njerëzve ta vlerësojnë se si po kalon jeta e tyre. Jeta vështirë se mund të ishte më e mirë për një të pestën e botës, dhe për një të pestën tjetër vështirë se mund të ishte më e keqe. Mund të ndodhë që njerëzit në krye të vlerësojnë atë që kanë më shumë se kurrë më parë. Për më të pakënaqurit, ata janë më të vetëdijshëm për atë që u mungon se kurrë më parë.

Mediat sociale e shpjegojnë pjesërisht pse ndodh kjo. Nëpërmjet platformave online, përdoruesit mund ta shohin se mjerimi i tyre nuk ndahet gjithmonë. Krahasimi është hajduti i gëzimit, siç thuhet, dhe rrjetet sociale e mundësojnë krahasimin si asgjë tjetër. Ata sjellin njerëz në të gjithë botën në shtëpitë e njëri-tjetrit përmes pajisjeve elektronike dhe më shumë njerëz zotërojnë telefona inteligjentë si asnjëherë më parë. Por, megjithatë, këto platforma janë vetëm një nga faktorët e rritjes së pakënaqësisë globale. Një e pesta e atyre që vuajnë në botë janë në vende ku platformat sociale nuk janë të qasshme në shkallë të gjerë.

Emocionet tona ndikojnë në vendimet, veprimet dhe madje edhe njohuritë tona – ndonjëherë për mirë, ndonjëherë jo. Pakënaqësia madje mund të na bëjë të votojmë ndryshe. George ëard, shkencëtar mbi sjelljen në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts, mendon se po. Duke përdorur dekada me kërkime, ai beson se mund ta shpjegojë rezultatin e zgjedhjeve dhe rritjen e qëndrimeve populiste vetëm duke e parë gjendjen shpirtërore të një popullsie.

Ka disa arsye pse ka mungesë të analizës mbi pakënaqësinë. Nuk është saktësisht e vështirë të matet, por mund të jetë e shtrenjtë për ta bërë këtë. Në shumicën e vendeve, Gallup kryen intervista të drejtpërdrejta. Kjo kërkon punësimin dhe trajnimin e intervistuesve vendas dhe pagesën e udhëtimit të tyre. Dhe shumë vendeve nuk u mungojnë vetëm anketat e lumturisë, por u mungojnë të gjitha llojet e të dhënave ekonomike dhe sociale. Unë gjithashtu dyshoj se shumë liderë politikë dështojnë ta kuptojnë seriozisht ‘si ndihen njerëzit’, gjë që i bën ata më pak të prirur të paguajnë për një analizë mbi pakënaqësinë. Disa mund të mendojnë se ndjenjat nuk mund të kapen në mënyrë adekuate në sondazhe; të tjerët mund të mos besojnë se një person është në gjendje të raportojë për ndjenjat e tij ose të saj.

Politikëbërësit duhet t’i përgjigjen mjerimit rekord. Ata nuk mund të pretendojnë se problemi lidhet vetëm me dy vitet e fundit dhe se fundi i bllokadave si pasojë e Covid-19 do ta zgjidhë atë. Nëse politikanët duan ta frenojnë pakënaqësinë globale, mund të fillojnë duke monitoruar sistematikisht se si ndihen njerëzit. Më shumë qeveri duhet të raportojnë masa të rregullta të kënaqësisë kombëtare, njëjtë siç i publikojnë tani shifrat për PBB-në, vdekshmërinë dhe papunësinë. Të pyesësh Britaninë e Madhe dhe Butanin se si e bëjnë tashmë këtë do të ishte e dobishme. Injoranca e mjerimit nuk është lumturi./The Economist