Arkiv

Pafuqia e shtetit ndaj degradimit mjedisor

Të enjten, me datën 12 nëntor, Zyra e Rregullatorit të Energjisë së Kosovës, ZRRE, i dha kompanisë austriake KelKos një licencë 40-vjeçare për të prodhuar energji elektrike nga dy hidrocentrale të saj, “Belaja” dhe “Deçani”, të cilat kanë qenë objekt i protestave prej vitesh nga aktivistët e mjedisit.

Më 14 tetor, ZRRE-ja refuzoi t’i jepte një licencë të përkohshme KelKos për tre hidrocentrale në luginën e Deçanit mbi bazën që ndërmarrja dështoi të sigurojë një leje mjedisore nga Ministria e Ekonomisë dhe Mjedisit.

Sidoqoftë, të mërkurën në mbrëmje, u publikua një axhendë për një takim të bordit të ZRRE-së , e cila përmbante pika që shprehnin se licencat për dy prej këtyre hidrocentraleve do të rishikohen.

BIRN më pas kontaktoi ministrin e mjedisit Blerim Kuçi të enjten në mëngjes për të pyetur nëse KelKos-it tani i ishte dhënë një leje mjedisore. Ai deklaroi se nuk ishte lëshuar asnjë leje.

“KelKos, me sa di unë, është në proces dhe duhet të plotësojë disa kushte. Deri më tani, ne nuk kemi dhënë leje” tha Kuçi për BIRN.

Pavarësisht pretendimeve të Kuçit, gjatë takimit të së enjtes, Afrim Ajvazi, një përfaqësues ligjor, shpjegoi gjatë mbledhjes së bordit të ZRRE-së se KelKos paraqiti lejet mjedisore të Martën, që do të thotë se kompania tani përmbush të gjitha kriteret ligjore për t’u dhënë një licencë për operim të energjisë.

Tre anëtarët e bordit të ZRRE-së, Arsim Janova, Selman Hoti dhe Izet Rushiti votuan në favor të dhënies së licencës, ndërsa Besim Sejfijaj votoi kundër.

Licenca për të gjeneruar energji elektrike nga hidrocentralet do të skadojë në 40 vjet, ndërsa leja mjedisore për dy hidrocentralet do të duhet të rishikohet pas pesë vjetësh.

Janova, kryetari i bordit, deklaroi se nëse KelKos nuk e rinovon lejen mjedisore për pesë vjet për hidrocentralet “atëherë operimi duhet të ndalen”.

“Dmth është e qartësuar se nëse nuk e përtërinë lejen mjedisore për pesë vite atëherë duhet t’i ndërprehet operimi”, tha Janova.

Edhe pse në mëngjesin e së enjtes ministri Kuçi deklaroi se KelKos nuk ka leje mjedisore për hidrocentralet, pasdite Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit përmes një e-maili dha sqarime në lidhje me lejet mjedisore që i ka marrë kompania KelKos për operim të energjisë elektrike për dy hidrocentrale në Deçan, HC– Belaja” dhe “HC– Deçani”.

Në komunikatë thuhej se ministri Kuçi nuk ka pasur informacion se a janë lëshuar leje nga MEA për këtë proces andaj dhe ka deklaruar se “nuk i është dhënë leje”, pasi procesi i dhënies së lejeve mjedisore nuk e implikon ministrin në proces.

“Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, procesi për pajisje edhe me leje mjedisore nuk e implikon ministrin direkt në proces, pasi rruga administrative e këtyre dokumenteve zhvillohet mes departamenteve dhe Komisionit për Leje Mjedisore, duke përfunduar si proces në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, ministria në komunikatë ka thënë se KelKos ka dështuar të marrë edhe lejen e tretë mjedisore për hidrocentralin “Lumëbardhi II”, pasi komisioni ka konstatuar që ende nuk janë përmbushur kushtet.

Më pas, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, në një konferencë për media, të premten, Blerim Kuçi ka deklaruar se do t’i bëjë publike të gjitha lejet dhe licencat që janë dhënë për hidrocentralet në Kosovë.

Kuçi ka deklaruar po ashtu se këtë veprim do ta bëjë me “kënaqësinë më të madhe”.

“Jam duke u përgatitur për t’i bërë publike, të gjitha lejet e licencat që janë dhënë për hidrocentralet edhe atë me kënaqësinë më të madhe”, tha Kuçi.

Në të njëjtën ditë, lejet mjedisore të KelKos  për dy hidrocentrale u publikuan.

KelKos ka qenë objekt i një numri protestash nga aktivistët mjedisorë në Deçan, ndërsa në vitin 2018, Komuna e Deçanit deklaroi se do të ngrinte një padi kundër kompanisë për mosrespektimin e detyrimeve mjedisore.

Në qershor të vitit 2020, një numër i organizatave të shoqërisë civile i shkruan një letër të hapur Ambasadës Austriake, duke dënuar mbështetjen e saj për KelKos dhe presionin e pretenduar që ajo kishte ushtruar mbi institucionet e Kosovës.

Në shtator, pas një takimi me aktivistë të mjedisit dhe organizata të shoqërisë civile, Ministri Kuçi tha se ai ishte “i turpëruar ” për shkallën e degradimit në lumenjtë e Kosovës. “Unë nuk kam shkuar për të parë [luginën e Deçanit] sepse ndjeva turp për atë që ndodhi atje, por gjithashtu, duhet të jetë e qartë që unë nuk e kam mbajtur këtë post dhe nuk jam përgjegjës për degradimin”, tha Kuçi në shtator.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë i dha leje afatgjate për prodhim të energjisë kompanisë KelKos në kohën kur Kuvendi i Kosovës tashmë ka të themeluar një komision për të hetuar të gjithë Procesin e Licencimit, Operimit, Mbikëqyrjes dhe Operimit për Leje të Hidrocentraleve.

Ky komision ishte propozuar nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli.

Ky komision në përbërje ka deputeten Eliza Hoxha si kryesuese, Haxhi Avdyli zëvendëskryesues, dhe anëtarët Shpejtim Bulliqi, Artan Abrashi, Visar Hoti, Zikrete Haliti, Besa Gaxheri, Bajrush Xhemajli, Teuta Haxhiu, Rasim Demiri dhe Zoran Mojlsimoviq.

Pavarësisht se ky komision tashmë ka bërë tre muaj nga formimi, ende nuk ka përgatitur ndonjë raport në lidhje me procesin për të cilin është formuar.

Dhënia e lejeve të paktën nxiti reagime

Kryesuesja e Komisionit Hetimor për Procesin e Licencimit, Operimit, Mbikëqyrjes dhe Operimit për Leje të Hidrocentraleve, Eliza Hoxha, të enjten tha se të kota janë përpjekjet e deputetëve për ndryshim përderisa Qeveria “vazhdon me avazin e vjetër”.

“Nuk shkoj gjatë nga refuzimi i lejes mjedisore për KelKos për shkak të mos përmbushjes së kritereve ndërsa sot përballemi me situatë të re kur e njëjta kompani e cila të gjitha pëlqimet dhe lejet paraprake (para lejes mjedisore si akti final i ciklit licencues) i ka marr si projekt i integruar kaskadë e tani e kuptojmë që dy prej hidrocentraleve janë licencuar si projekt në vete”, ka deklaruar Hoxha.

Ndërsa propozuesi i komisionit, deputeti Haxhi Avdyli, përmes një reagimi ka thënë se në kohën kur Kuvendi ka formuar një komision hetimor, KelKos jo vetëm që nuk duhet ta merre lejen, por do të duhej që t’i pezullohej e gjithë puna.

Ndërsa ka shtuar se ky komision do të duhet të ia lëshojë rrugën prokurorisë për hetim të procesit.

“Ky shtet si duket është vënë në shërbim të tajkunëve, jo të qytetarëve. Ky komision si duket duhet t’ia lëshoi rrugën prokurorisë për hetimin e këtij procesi. Nëse do kishim prokurori të pavarur nga politika, e në shërbim të qytetarit , sot do vihej në alarm”, thuhet mes të tjerash në reagimin e Avdylit.

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka kërkuar interpelancë për ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçin, për dhënien e këtyre licencave.

Sipas LVV-së, operimi i hidrocentraleve në Grykën e Deçanit përmes kompanisë “Kelkos Energy sh.p.k.” ka shkaktuar dëme të mëdha në ambientin e rajonit ku operojnë sikurse edhe në shëndetin e qytetarëve.

“Edhe pse më 14 tetor 2020, këtyre tre hidrocentraleve iu kishte ndaluar operimi, për shkak se nuk kishin leje mjedisore dhe leje ujore, pas lejes nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, ZRRE në mbledhjen e sotme, mori vendim për dhënien e licencave për 40 vjet për dy hidrocentralet në bjeshkët e Deçanit”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje në reagimin e tyre thuhet se edhe pse deklarimet e Blerim Kuçit se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk i ka dhënë leje mjedisore dhe leje ujore kësaj kompanie, vendimi i sotëm i ZRRE-së “jo vetëm se nxori në pah mashtrimin e tij të radhës, por e bënë këtë proces edhe tërësisht jotransparent dhe të paligjshëm”.

“Me vendimin për dhënien e lejes për operim për 40 vjet, është goditur rëndë mjedisi në zonën e Grykës së Deçanit dhe burimet e ujit, por edhe buxhetin e shtetit”, thuhet më tej.

Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon tha se si është e mundur që papritur KelKos i përmbushi kriteret përderisa ka padi aktive për dëmtim të mjedisit.

“Këto lloj hidrocentralesh po shkatërrojnë mjedisin, ka padi aktive kundër këtij impianti. Si është e mundur që ato papritur i përmbushën të gjitha kriteret? Zyra e rregullatorit të energjisë duhet të sqarojë se si mund të ndodhë kjo”, ka shkruar Cramon.

Kujtojmë se BIRN ka zbuluar se Gjykata e Prishtinës kishte vjetërsuar lëndën e ngritura ndaj kësaj kompanie.

Me 18 korrik 2016 Inspektorati i Komunës së Deçanit kishte iniciuar kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtësve ndaj kompanisë pasi kishte konstatuar dëme ambientale në bjeshkën e Deçanit.

Raporti i siguruar nga BIRN tregon se Inspektorati kishte konstatuar se afro 7 kilometra përgjatë Lumbardhit të Deçanit rrjedha e këtij lumi ishte ndërprerë totalisht si pasojë e kalimit të ujit në gypat furnizues të turbinave për prodhimin e rrymës elektrike.

Sipas këtij raporti inspektoret kishin parë në teren se portat e turbinave kanë qenë të mbyllura dhe vetëm disa pjesë kanë qenë të furnizuara me ujë nga rrjedhat anësore, të cilat nuk ishin të mjaftueshme për ruajtjen e diversitetit të florës dhe faunës.

Ndërsa në raportin e Inspektorëve komunal thuhet se në marrëveshjen në mes të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe “KELKOS KOMPANY SHPK”, ishte paraparë që 30 për qind e minimumit të rrjedhjes së ujit të qëndron në shtratin e lumit e jo të mbetej lumi pa ujë. Dosja e inspektoratit ishte bartur në gjykatë me kërkesën që kompania të ndëshkohej me 50 deri në 100 mijë euro.

BIRN kishte zbuluar se procedura kundërvajtëse e inicuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është parashkruar.

Raporti i hartuar nga ministria pretendon se kompania KelKos nuk i kishte përmbushur kërkesat e inspektorëve për plotësimin e kushteve shtesë për leje ujore.

Lënda ishte hapur në gjykatën e Prishtinës ku çështja nuk u vendos kurrë. Lënda kishte qëndruar në sirtarët e gjykatës për më shumë se dy vjet dhe kishte arritur vjetërsimin.

14 shkurt 2019 shënon datën kur gjyqtarja Salihe Ahmeti, mori aktvendim, me të cilin e përfundoi procedurën kundërvajtësve për shkak të parashkrimit absolut.

BIRN disa herë ka provuar të marrë një deklaratë nga kompania KelKos rreth akuzave për degradim të mjedisit në Deçan, por deri në publikimin e këtij shkrimi ata asnjëherë nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.